back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kodi Artistik i Bukurisë dhe i Mbijetesës Shpirtërore të Shqiptarëve nga Prend Buzhala – Anton Nikë Berisha – “Frymëmarrje nate” – Roman

Gazeta

Prof. Prend Buzhala
Prof. Prend Buzhala

Kodi Artistik i Bukurisë

dhe i Mbijetesës Shpirtërore të Shqiptarëve

nga Prend Buzhala

Anton Nikë Berisha – “Frymëmarrje nate” – Roman 

Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë, 

Kuvendi Françeskan, Gjakovë, 2021

Frymemarrje Nate  - Roman nga Anton Nike Berisha
Frymemarrje Nate – Roman nga Anton Nike Berisha

Romani “Frymëmarrje nate” i Anton Nikë Berishës, të mban në ethe e gjendje të fortë emocionale me peshën e ngjarjeve, që nga faqja e parë e deri te ajo e fundit. Ngjarjet janë vendosur gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë në disa mjedise rurale të Rrafshit të Dukagjinit e në qytetet Prizren e Gjakovë e tutje deri në Stamboll, në kohën e Perandorisë otomane. Në fund të romanit, për ta krijuar përfytyrimin e të vërtetës së veprës, autori ka vënë shënimin për burimet.
Maria rrëmbehet nga njerëzit e Nazif Pashës, për bukurinë që ka. Ajo është e krishterë, por me prindër të islamizuar. Brenda një rrjedhe rrëfimi, ndërthuren bukuria, martesa, dashuria, dhuna, besimi, përplasje diplomatike, përplasje besimesh, intrigash dhe qëndrimesh. Flijimin dhe guximin e duan të dy këto përmasa të qenies njerëzore, siç janë dashuria dhe besimi. Pa flijim, ato nuk përmbushen. Triumfon forca e madhe e dashurisë dhe e besimit edhe në rrethanat më të egra. 
Përmes këtij metateksti romanor, duke u mbështetur edhe në zhvillimin e mirëfilltë të fatit të Marisë e të strukturave ligjërimore, më shtyn të them që kjo vepër është e shkruar në frymën e një realizmi të mirëfilltë letrar, në gërshetim me realizmin magjik (elemente të fantastikes që ndërthuren me ato të fiksionit). 

1.Procedimet romanore 
Këtë procedim e dëshmojnë portretizimet objektive të personazheve, përshkrimet koncize, kuptimplote, me peshë mendimi e thellësie të urtësisë proverbiale e me thënien racionale të frazës, me mjediset e jetës reale, historike e të jetës së përditshme; kurse anën e forcës krijuese të fjalës e përfaqëson një stil lapidar, një frymë lirike e poetike, fine, e kthjellët dhe e thellë. Është një frazë sa e lexueshme aq edhe faktike, nxitëse, motivuese. Kësisoj, këndvështrimet e kundërta, racionalizmi e objektiviteti faktik i strukturave gjuhësore – narrative, shkrihen me të mbinatyrshmen, siç janë legjendat, vegimet, kallëzimet, të motivuar nga rrëfimi i zhdërvjelltë i veprës. E zakonshmja shpesh merr përmasën e të magjishmes, lirizmit. Është veçanti që realizmi magjik përdor, pra, gjuhë të figurshme, sado që e ngërthen brenda termit një kundërthënie (realizmi parapëlqen rrëfimin, kurse njëkohësisht e praktikon edhe praninë e të mrekullueshmes, magjisë, legjendës, besëtytnive, çrëndomtësimit të realitetit me anë të gjuhës së figurshme). E rëndomta çon miqësi me të çuditshmen. 
Sado që i kemi parë këto përvoja edhe te disa autorë të tjerë të letërsisë sonë, megjithatë te Anton Nikë Berisha gërshetimin e tillë e ngre në parim të ndërgjegjshëm krijues, për hir të artit letrar. Të mos harrojmë: Anton N. Berisha është edhe studiues i letërsisë gojore, e kjo do të thotë që kultura e thurjes së rrëfimit nuk vjen thjesht vetëm nga praktikat krijuese të romanit evropian apo atij latino-amerikan, por edhe nga vetëdija mitike e traditës sonë rrëfimore. Racionalen e merr nga zhvillimet e prozës narrative evropiane, të parëndomtën kategorinë e të çuditshmes, mrekullisë, çrëndomtësimit (term i Mihal Bahtinit), e merr nga tradita jonë; kategorinë e të përshpirtshmes e asimilon nga të dy përvojat: për të shprehur aspekte jomateriale, jofizike, pra shpirtërore, të paprekshme, të jetës, sepse vetë jeta dhe realiteti i ngërthejnë këto mrekulli, këto anë të çuditshme, apo anët e përshpirtshme. Do të thotë: që e kanë burimin në vetë jetën, në vetë realitetin, ndryshe nga përvojat surrealiste që të çuditshmen, jorealen e kërkojnë ekskluzivisht nga dukuritë e pavetëdijes, tek shajnitë dhe kllapitë shtrembëruese të realitetit, apo tek pozita e pasigurt psikologjike dhe e luhatshme e personazhit, me çfarë letërsia jonë bashkëkohore ka me bollëk. 
Ky roman është i pasur, edhe me personazhe e përshkrimet e thukëta të tyre, edhe me ngjarje. Kur them: është i pasur edhe me ngjarje e personazhe, edhe me botën e ideve, temave e motiveve, edhe me strukturën fabulore e me shtresimet e shumta narrative, kam parasysh prozën e ngjashme me pretendime moderne e postmoderne, e cila e redukton fabulën dhe rrëfimin në minimum, për t’iu lënë hapësirë reminishencave dhe përimtimeve psiko-narrative, me personazhe që vihen në situata të dorëzimit ndaj zhgënjimit, pasigurisë, apatisë, pasivitetit, pritjes së vdekjes, frikës dhe absurdit, jetës së pakuptimtë e pa qëllime, preokupimet me vdekjen e me çastin e atypëratyshëm ekzistencial. Edhe nëse ka diçka nga këto, te romani i Anton Berishës vrujojnë qëllimet e larta në jetë, sikundër janë flijimi dhe përkushtimi për dashurinë, për pasionin ndaj jetës dhe të bukurës, për shpirtin rezistues ndaj së keqes dhe për botën e pasur shpirtërore. 

Anton Nike Berisha
Anton Nike Berisha

2.Qenësia artistike e bukurisë 
Ngjashëm me romantikët evropianë që e kishin temë të preferuar bukurinë fatale, dashuria dhe bukuria e Marisë te ky roman trajtohen me përmasën e qenësisë artistike dhe me atë të përjetimit estetik. Bukuria fatale te romantikët dhe te jo pak autorë modernë, fatkeqësinë dhe kobin i konsiderojnë të pashmangshme nga fati e me përfundime tragjike, te ky roman vuajtja është e pashmangshme, por përkushtimi për triumfin e dashurisë është spiritus movens i jetës, është forca lëvizëse e saj, shpesh e shndërruar në forcë lëvizëse të historisë.
E bukura si kategori estetike dhe jetësore, këtu realizohet si shumësi e cilësive që kundrohen e përjetohen së jashtmi (natyra, pamja e njeriut, e femrës etj.), por që kundrohen e përjetohen sidomos së brendshmi, si bukuri e vërtetë, si qenie e bukur së brendshmi. Ajo është një fuqi që çan përpara në jetë, por që tërheq pas vetes edhe kobin e saj:
“Po, bukuria e saj, bashkë me kurorëzimin në Kishën e Gjakovës, fshehën dhe kobin e saj!”(…)
“Bukuria e Marisë dhe kurorëzimi në Kishën e Shën Ndout në Gjakovë, njëmend e bënë dasmën të paharruar dhe shënuan kulmin e kënaqësisë, po e pollën të keqen.”(…) 
A ishte e mundur që t’ua ngrohtë shtratin atyre që ia shkatërruan familjen? T’ua falë bukurinë e saj, dhuratën e Hyjit…? Për herë të parë në jetën e vet Maria e mendoi bukurinë e saj si një kob!”
Kështu përsiat rrëfimtari i gjithëdijshëm i veprës, për fatin e Marisë së Mark Gurakut nga Fani i Mirditës, e cila martohet me mirditorin Prenk Kaçinarin, tashmë familje të ngulitura në Pëlqimë buzë Drinit të Bardhë (fshat i sajuar nga romansieri). Madje, kapitulli i tretë mban titullin “Kobi i bukurisë”. Të jesh me prindër myslimanë dhe të jesh e krishterë, është një gjë e dënueshme nga mendësia perandorake e kohës. Përtej të gjithë kësaj, qëndron lakmia e Nazif Pashait për ta futur në dorë Marinë e bukur. Një autore do të shprehej se “Bukuria fillon në momentin kur vendosni të jeni vetvetja”. Kurse romansierja amerikane Alice Malsenior Tallulah-Kate Walker do të shtonte se “Sa herë që krijoni dhe përhapni bukuri rreth jush, ju po riktheni shpirtin tuaj.” Fjala është për personalitetin e formuar moral të Marisë, për bukurinë e saj që lakmohet deri në qendrat e sunduesit, siç ishte Nazif Pashai, për dashurinë e pakufi që ndien për Prenkun dhe për përkushtimin e saj ndaj Hyjit e besimit të të parëve të saj. 
E bukura spikatet edhe te shkëlqimi i brendshëm i shpirtit të Marisë, edhe te e vërteta dhe drejtësia e jetës së saj, edhe te idealet jetësore të saj. Mendja dhe zemra e femrës së tillë krahasohen me ato në legjenda: (“Vështroi me kureshtje ujët që rridhte pa ndalur. Bukuria ia përndriti fytyrën, mendjen”). E bukura kërkohet edhe në këngë e legjenda, të cilat te ky roman rikrijohen me frymë artistike (vargjet e Këngës për Të Bukurën dhe legjenda për Kshetën e Drinit të Bardhë). Sado që ngjarjet vendosen në shekullin e nëntëmbëdhjetë, megjithatë ideja e bukurisë është e dhe e asaj kohe, ku spikatej bukuria e brendshme, edhe e kohës sonë, moderne, që shpesh e shtrembëron konceptin për të bukurën, si striptiz dhe objekt për argëtim, si përjetim një dimensional. E bukura haset edhe në jetën që fsheh shumë thesare të tilla përjetimi. Vetë situatat jetësore, nëpër të cilat kalon Maria, e bën atë edhe më të bukur, pikërisht pse ajo është edhe mishërim i të vërtetës, i pafajësisë së saj, i ndershmërisë. E shëmtuara personifikohet te arroganca e pushtuesit, te Nazif Pashai, i cili, ndryshe, mishëron egërsinë, mashtrimin, gënjeshtrën, intrigën Maria është e bukur e pëlqehet, sepse përbën shumëçka fisnike. 
Ka përplot përshkrime të tilla të natyrës, ku feks e bukura:
“Ndërsa po ecte buzë Drinit, asaj i shkrepi në mendje kënga për të Bukurën e lumit dhe të liqenit:

Ti je e Bukura e lumit – 
dhe hijeshia mahnitëse e liqenit,
që e zbukuron vallëzimin e valëve
kur në qetësi puthin njëra – tjetrën
ose përplasen me vrull, pa përmbajtshëm,
ua zgjon etjen, gjakimin ua nxit;
lehtas i përkund në djepin e ëndërrimit, 
ngjashëm me përfytyrimet apo vegimet,
ku zhbëhen kufijtë e veprimit,
ose i grish me zjarrin e dashurisë, 
ndërsa vetë lëshohesh në notimin mahnitës
me gërshetat e shprishura si margaritarë
e vrunduj ndriçimi shkrepin nga flokët e tu
si rrezet e diellit në lindje të ditës
e shpirtësi i japin lëvizjes së ujit.
E Bukura e lumit je – 
E Bukura e mahnitshme e liqenit,
që me bukuri – 
bukuri u fal njerëzve.”

Pra, edhe te ky roman bukuria ka përmasën e rëndësishme të vlerave dhe të shënjimeve jetësore e qenësore në jetë, në art e në natyrë. 
“Vështroi me kureshtje ujët që rridhte pa ndalur. Bukuria ia përndriti fytyrën, mendjen. Në thellësinë e shpirtit ndjeu se ujët e tërhiqte, e grishte në zemrën e tij.”
Kjo bukuri, shpesh, sa është ngushëlluese, po aq është edhe trazuese dhe që ngjall shqetësime, sa është frymëzuese e emocionuese, po aq është edhe e shenjtë dhe profane (dy konceptimet për jetën e shpirtësinë midis religjionit e traditës mitike që rrëfehen në këtë vepër). Nga çfarëdo këndi që të vështrohet dhe nga çfarëdo përmase përjetimi që zgjon mbresa të fuqishme, e bukura nuk lejon kurrfarë indiference. Ajo nuk i lë indiferent as armiqtë as të devotshmit, as njerëzit e thjeshtë e as ata të pushtetit. E bukura si kob, shoqërohet, pra, me vuajtjen, shpesh me dhembjet e pafund të shpirtit, me pritjet sfilitëse e rraskapitëse për shpëtim, me disfatat e humbjet jetësore, por edhe me betejat këmbëngulëse e me gjetjen e shtigjeve shpëtimtare. E bukura ligjëron nga shumë zëra në vepër, ligjëron nëpërmes natyrës, personazheve, legjendave, kallëzimeve, religjioneve dhe për rrëmbimin a shpëtimin e saj vihen në lëvizje qarqe sunduese, konsuj, klerikë, bajraktarë, familje të thjeshta. Ajo sa e zgjeron rrethin e fatkeqësisë, po aq e zgjeron edhe rrethin e shpëtimtarëve të saj. Madje, autori sikur e “gjen” një kompromis: fjala kryesore i mbetet Perandorisë në emër të lirisë së besimit dhe ligjeve perandorake. Ja si përfundon romani:
“Disa lot i ranë dhe e lagën tokën që nuk e harroi dhe atëherë kur vdekjen e kishte afër sa lëkurën e trupit.
Në atë çast e kujtoi urtinë: “I mjerë ai që heq dorë nga synimi që të jetë i përshpirtshëm, i shenjtë! Jashtë kësaj gjithçka e jetës është e flashkët dhe mashtruese!” 
Hapi duart drejt qiellit dhe ia blatoi të gjitha dhembjet dhe vuajtjet: ai do t’i ruajë në përjetësi. 
Pastaj, si një pulëbardhë, e priti Prenkun e saj në një përqafim të zjarrtë, që iu bë se e ngrohu dhe Majën e Lepetenit të lashtë.”
Në këtë mënyrë, motër e pandashme e bukurisë, janë urtia, kujdesi, veprimet, të qenët i përshpirtshëm. Është një botë e pasur e joshjes që nxit ajo, që e drejton dhe e vë në lëvizje, që nxit adhurim, ndjesi, nderimi. “Bukuria është dorëshkrimi i Zotit” thotë Ralph Waldo Emerson. Kjo bukuri (personifikim sidomos i Marisë dhe i vlerave të qenësishme) gjendet po ashtu në shoqëri me heshtjen e me marrëdhëniet shpirtërore që krijon ajo. Ka faqe të tëra e të bukura te ky roman që i kushtohen kësaj bukurie të heshtjes e që janë, pse jo, jehona tekstuale nga librat autorialë të përparshëm. 
Me një fjalë, e bukura është kuintesencë e kësaj vepre. 

3.Sinteza e vizionit artistik: linjat narrative të besimit 
Në këtë roman një linjë tjetër fabulore përbëjnë besimi, flijimi për besimin dhe vëllazëria shqiptare e ngritur mbi besimet. Kështu, kjo linjë e fabulës së romanit paraqitet si sintezë e historisë, e jetës, e religjionit; sintezë e vizionit artistik me strukturat epiko-lirike e dramatike të fateve jetësore. Që në faqet e para lexuesi ndeshet me frymën e një pashai dinak, të egër e të stërvitur mirë, afishohet qëllimi tij për pushtet e pushtimin edhe në emër të religjionit: 
“Perandoria jonë duhet të forcohet në emër të Allahut, atij i qofshim falë. Feja e Muhametit është bekim dhe shenjtërim, shpëtim për secilin njeri; Allahu i Madh e mëshiron secilin që beson dhe e dëshmon fenë e tij. Kjo fe ngrihet mbi çdo fe tjetër, edhe mbi atë të Kryqit. Pra, fenë e Profetit Muhamet, duhet ta ruajmë e ta përhapin në çdo veprim tonin të përditshëm në mënyrë që njerëzit të jenë të lumtur, sipas mëshirës së Tij. Ai që nuk është i gatshëm t’i kryejë këto detyra, le të thotë më mirë qysh sot! Nesër mund të jetë vonë!”
Në këtë përplasje qëndrim-besimesh, profilizohen disa palë: njerëzit e pushtetit që vijnë nga qendra e perandorisë, me ndihmësit e tyre vendas, me bashkëpunëtorët dhe shërbëtorë, me bajraktarë, përgjues e klerikë; njerëzit që përndiqen e që pësojnë fate tragjike jetësore për shkak të besimit të krishterë katolik; njerëzit që pësojnë dramën e dilemës së brendshme kur gjenden midis dy zjarresh: përqafimit të besimit të përhapur nga pushtuesi dhe kujtesës së fortë për besimin e të parëve; njerëz që, pa marrë parasysh besimet, ndjekin traditat vëllazërore brenda-shqiptare, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe zbardhin të vërteta e mbështjella me mashtrime, intriga e egërsi; më në fund, edhe njerëz që metaforikisht quhen merimanga të zeza, të cilët veprojnë tinëzisht për të futur vëllavrasje mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme, dhe fijet e tyre të së keqes dalin nga Manastiri i Deçanit e, aty, në këto veprime, hyn edhe kleriku i lartë ortodoks serb, që bashkëpunon me pushtetin dhe i përulet atij, për shfarosjen e shqiptarëve të besimit katolik. 
Në këtë galeri personazhesh, dallohet kryeipeshkvi Buçarelli (italian), i cili shërben jo vetëm si personazh e dëshmitar kohe (i njohur, pra, historikisht me dëshminë e tij), por edhe si vetëdije “neutrale”, joshqiptare, por kishtare, për ta krijuar frymën më të besueshme të autenticitetit të ngjarjeve e të paanshmërisë së tyre. Ai përfaqëson klerin e krishterë katolik, por edhe njeriun që njihet me hallet, me intrigat e tragjeditë që ndodhnin, e kundër të cilave atij i duhet të ngrihet me urti e me besimin te Hyji. Zaten, edhe autori përpiqet maksimalisht që ta ruajë këtë frymë objektive, duke mos mbajtur qëndrim emocional apo tjetërfare, por këtë qëndrim e shpreh përmes personazheve dhe profilizimit të tyre. Kah fundi i romanit bien në marrëveshje për ta mbrojtur me ligj Marinë, edhe konsujt austro-hungarezë e rusë, edhe klerikët e krishterë katolikë. Në mënyrë të veçantë dallohet vendimi i Portës së Lartë, që përthyhet përmes vetëdijes së vetë pashait. Në ndihmë të këtij postulati krijues shkon edhe përfundimi i romanit: 
“Nazif Pashai ndjeu se shikimin dhe mendjen ia pushtoi një përkeqësim që e mbante në ngërç. (…)
Vendimi që kishte marrë Porta e Lartë për Marinë ishte i kobshëm për Pashain: i vinte njollë të zezë sundimit të tij, po edhe një dyshim në drejtësinë e veprimeve që bënte. Porta e Lartë nuk ia fal gabimet askujt dhe pasojat janë të pashmangshme: mund t’i kushtojë edhe me fronin si i parë i Vilajetit të Perzerendit.”
Paradigmat e flijimit e të golgotës fetare jepen edhe nëpërmes teksteve paralele, të cilat më parë i përkufizuam si struktura tekstuale të retardimit, ngadalësimit të veprimit me tension. E tillë është paradigma tekstuale e kreut të trembëdhjetë “Rrëfimi tronditës për martirët”, e rrëfyer përmes Diloshes, e cila e strehon Marinë. Besimin dymijë vjeçar ndër shqiptarë e kanë përcjellë flijime të pafund:
“Nuk do të thotë të jesh besimtare vetëm të shkosh në kishë, të shohësh meshë e t’i lutesh Zotit. Feja nënkupton edhe flijim… Për ta dëshmuar fenë e tyre shumë vetë kanë shkuar gjurmëve të Shëlbuesit: janë flijuar. Natyrisht jo në kryq, siç ka ndodhur me Të, po në forma të ndryshme, here-herë po aq të tmerrshme.”
“Njerëzit e pushtetit bënë çmos për t’i detyruar që ta ndërrojnë fenë dhe të kalojnë në atë të pushtuesit. Filluan me të zotët e shtëpive. Së pari i morën me të mirë dhe u premtuan mbarësi dhe dhurata, po asnjëri nuk pranoi. Pastaj filluan ta përdorin dhunën: i rrahën në dhoma të veçanta e pastaj dhe në praninë e anëtarëve të familjes. Ndonjërit ia nxorën edhe sytë për së gjalli, po askush nuk pranoi ta ndërronte fenë. Njërit ia therën me shpatë dy anëtarë të familjes dhe ai prapë nuk i ra mohit fesë së vet. 
Kur u bindën se as dhuna nuk solli atë që pritnin, të mllefosur, i mblodhën me egërsi, i ngarkuan nëpër qerre dhe i dërguan në Shkup. Aty i burgosën dhe i mbajtën për disa kohë. Nëse s’më ka ikur nga mendja, martiri i parë në burgun e Shkupit ishte Zefi i Stubllës ose Zefi i Jahisë”.
Diskursi i tillë sikur merr trajtën e një kronike narrative, një intertekstualitet me komunikim tekstesh të ngjashme të studimeve historike të njohura, e të cilat autori i citon në fund të librit. Kronikat me gjuhën e rrëfimit të tillë, të mirëfilltë, e japin atë që nuk mund ta shqiptojë gjuha dokumentare. Kësisoj, pra, letërsia jep të mundshmen, dokumenti jep të ngjarën, ku ndërkomunikojnë e afërta dhe e largëta, bota e artit dhe dokumenti autentik për ato kohë përjetimesh aq të trazuara, dhe ku kronika stilizohet, merr frymë e shpirtëzohet përmes mjeteve artistike. 
Më shumë se sa besim, autori na e jep përmasën e religjionit si kod kulture, etike e përshpirtërie. Ndryshe, adhurimi i të parëve në besim, është kod i mburojës së identitetit shpirtëror. Nuk është e rastësishme përse në vepër gjenden shembuj e situata solidarësie midis besimeve të shqiptarëve me përkatësi të ndryshme besimi. Është kodi i mbijetesës shqiptare. 

Anton Nike Berisha - Vepra Letrare e Martin Camaj
Anton Nike Berisha – Vepra Letrare e Martin Camaj

4.Drama jetësore e personazheve të dilemës 
Sado që autori e jep burimin e të dhënave historike për këtë roman nga dorëshkrimi i kryeipeshkvit të Kryeipeshkvisë Shkup -Prizren, Dario Bucciarelli, megjithatë ngjarjet zhvillohen nga perspektiva e këndvështrimi i një rrëfimtari të gjithëdijshëm, në veten e tretë. Rrëfimi në veten e parë ndodh në format e shumësisë tekstuale të romanit: si në letrat dhe monologët (nga perspektiva e rrëfimit të Marisë), në fjalimet (nga perspektiva e këndvështrimit të personazhit të Nazif Pashait) etj. Ndonjëherë, perspektivat e tilla narrative paraqesin dramën tensionuese të individit, siç është ajo e Thatan Malës, me përplasjet e dilemat e tij: a t’i shërbejë Pashait për të ushtruar dhunë kundër të vetëve, për shkak të besimit, apo ta ndjekë një zë tjetër:
“Mes veprimit të mirë dhe veprimit të shëmtuar mbase s’ka ndonjë dallim? i tha zëri.
Si ta marrësh. Disa thonë ka e disa të tjerë s’ka.
E unë si duhet të them?
Thuaj si të përshtatet ty. Kur futesh brenda së keqes, veprimet nuk të vinë të ndryshme: i mirë ose i keq, janë të njëjtë!
Domethënë ata i dallon vetëm qëllimi?
Qëllimi bashkë me njerëzit që i bëjnë.
Mos po e lidh këtë me delen e humbur, siç përmendet në Bibël? Po mungoi kujdesi ndaj saj, ajo birret.
Po, puna e deles së humbur mund të lidhet me këtë.
Ndarja nga tufa domethënë mundësi e zhbërjes së saj dhe e vetë tufës. E mendon edhe ti kështu?
Nuk e di!?
Duhej ta kishe menduar atë…”
“Duhet të jesh i vetvetes. Asnjëherë mos harro kush je dhe nga vjen! Veprimi yt që bën nuk duhet të të mohojë. Ai që ngrihet kundër vetvetes bëhet i paqenë. Askush nuk mund të të shkatërrojë më shumë dhe më keq sesa vetja! Shkatërrimi ngjet përfundimisht kur mohon të kaluarën, rrënjët! Këtë e kanë thënë sa e sa herë njerëzit e urtë.”
Me këso përmbajtjesh është edhe kreu i gjashtëmbëdhjetë me titull “Dhimbja e fesë së dyfishtë – rrëfimi për një poçar”. Personazhet e dilemës, luhatjes midis përplasjeve botëkuptimore, kulturore, historike e sidomos fetare, dalin të realizuar e të nuancuar në profilizimet e tyre në roman. Thelbi i kësaj dileme është të shqiptojë të vërtetën e kohës, madje të vërtetën e kohëve: njerëzit priren ta pranojnë një të vërtetë, mandej evoluojnë dhe zbulojnë një tjetër realitet, pasi nuk gjejnë mënyrë për ta fshirë dilemën, për t’i zgjidhur kundërthëniet sfilitëse që i mundojnë, pra zgjidhjen e kërkojnë kur flasin a rrëfehen diku për ta kapërcyer humnerën, jetën në lëkundje. E kjo ndodh me poçarin, si laraman (laramania është fenomen shqiptar që vjen që nga kohët e pushtimit otoman). 
“Brenga ime është se jetoj midis dy zjarresh: të fesë sime të vërtetë, asaj të Krishtit dhe të fesë që është bërë e domosdoshme. Qenka vështirë të jetosh i dyzuar, ta kesh shtëpinë me dy hyrje. Në rastin tim, në ç’masë bëhet mëkati dhe a është ky mëkat vdekatar ose i falshëm? Po them kështu për arsye se këtë veprim nuk e kam bërë me dëshirën time, me vullnetin tim, po nga nevoja. Të mos e bëja këtë, do ta kisha përjetuar zjarrin e zhbërjes!”.
Gjendjet e tilla krijojnë pasiguri, hezitime frikë, shqetësime; krijojnë pavendosmëri përplasjesh dhe një mungesë bindjesh për të vërtetën: “Dyshimi është një dhimbje shumë e vetmuar për të ditur se besimi është vëllai i tij binjak” (Khalil Gibran). Të jetuarit në ankthin e pa rrëfyer e shpie personazhin ta gjykojë veten rëndë. 
“Ndonjëherë më bëhet se ha bukën e turpit, ha mishin tim. Edhe pse jetoj me djersën time, shpesh më duket se vdekja është më e lehtë se jeta që bëj! Jam i vetëdijshëm se tani për tani nuk mund të ndërroj asgjë, po desha të di për mëkatin tim. Thonë se ta njohësh një gjë, ta kuptosh sa më mirë atë, domethënë të dish si ta përballosh.”
Situatat e tilla në roman sikur e luajnë rolin e një rrëfimi çlirues, terapeutik, një si logoterapi, siç do ta përkufizonte Viktor Frank. Dhe kur ndodh të folurit, hapja e tillë, atëherë ndodh edhe ndryshimi, siç është hapja para Kryeipeshkvit e personazhit të poçarit të ndershëm, që jeton me djersën e tij: 
“Rrëfimi yt është i sinqertë. Edhe vëzhgimi yt i drejtë. Duhej të kishe menduar më thellë para se të ndodhin gjërat, të kishe ardhur ta bënim këtë bisedë para se të degëzoheshe, të ndahesh në dysh, para së të filloje të haje me dy lugë, siç e the vetë. Megjithatë, të mësosh për të vërtetën është gjë hyjnore. Pastaj secili shkon rrugës që ka prirje dhe i pëlqen më shumë ose i duket më e përfillshme, duke bartur mbi kurriz mëkatet e veta, qofshin të lehta, qofshin vdekatare. Gjyqi i Hyjit është vendimtar, përcakton me saktësi fatin e secilit prej nesh.”

5.Disa veçori thelbësore poetike të romanit 
Dhe kur i dalim në fund veprës, pyetja shtrohet natyrshëm: a është kjo vepër një roman historik? E vërteta është se autori nuk ka pikësynim ta krijojë një roman të tillë, por ta krijojë një roman të mbështetur në disa fakte që i ka; nuk rindërton ngjarje si historian, por depërton në dramën njerëzore shqiptare të shekullit nëntëmbëdhjetë si romansier përmes rikrijimit artistik të faktit historik. Arketipi i tillë i dramës së dashurisë dhe i dramës së besimit përsëritet edhe sot, si paradigmë historike e shqiptarëve që përplasen në udhëkryqet e historisë e të kohëve midis Lindjes dhe Perëndimit. 
Njërën ndër teknikat themelore narrative që autori i përdor në këtë roman, për ta frenuar tensionin e ngjarjeve, është ajo e retardacionit (vonimit, ngadalësimit) të ngjarjeve, një shtyrje e qëllimtë e rrëfimit dramatik e gjithë tension. Aristoteli për këtë veprim krijues thotë që i nënshtrohet zhvillimit rrëfyes të intrigës. Në këtë funksion, te ky roman, të uljes dhe ngadalësimit të acarimit të marrëdhënieve ndërmjet personazheve të taborëve të kundërt, shërbejnë rrëfimi i një legjende, këndimi i një kënge, evokimi i një ngjarjeje nga e kaluara e personazheve apo e vendit, çastet e përsiatjeve dhe të monologut të brendshëm; përshkrimet, pjesët lirike, episode përcjellëse apo qoftë edhe lënda e pasur e përshkrimeve etnologjike dhe kulturore e historike: që nga përshkrimi i kullave, i riteve, i dasmave, i vdekjeve, i ambienteve, i këngëve etj. e deri te përballja e civilizimeve, e kulturave, e shpalimeve të të vërtetave historike etj. Tekstet e tilla i japin një vesk bukurie këtij romani. Ato përcjellin një mesazh përvojash njerëzore, historike apo paradigmatike-mitike, një ide; është një paralelizëm tekstual i nuancuar dhe i pasur: si paralelizëm lirik, paralelizëm sintaksor, paralelizëm figurativ-shprehës deri te ai antitetik, të thurur nga perspektiva të ndryshme, si teknikë e përforcimit njohës, ndriçues të situatave në të cilat gjenden personazhet. Sidomos janë të pëlqyeshme shtresat lirike të tekstit, ku përsiatjet dhe lirizmi ndërthuren natyrshëm e me mjeshtëri të rrallë. Janë raste kur personazhet, si zë autorialë, bashkëbisedojnë me shpirtin e tyre, ashtu sikundër arrin autori ta shqiptojë mrekullisht rrëfimin e shpirtit në heshtje e në vetmi. 
“Pikërisht në ëndrrën e heshtjes ose në heshtjen e ëndërrt unë rri me ty, të përkëdhel dhe ndiej frymëmarrjen tënde që kalon tek unë dhe më ngroh; më bën të mendoj, të mendoj për ty, për botën e për fatin që më ngjizi në këtë gjendje dhe nuk dua të rrënohem si një lis kur e godet stuhia e fortë dhe e shkul bashkë me rrënjë, e zhbën sikur të mos kishte qenë kurrë.
A i mjafton njeriut vetëm frymëmarrja, mendimet që i shtjellën vorbull dhe asnjëherë nuk mbarojnë? Po bukuria e saj e burgosur, ç’vlerë kishte? Atë mund ta hidhte në mbeturina, si një diçka që nuk i hyn askujt në punë! (…) 
“Frymëmarrja ime ende nuk është ndalur falë kryeipeshkvit dhe tani konsullit, po unë jetoj pa ditur asgjë për njerëzit e mi! Më thonë gruaja e Prenkut, po unë s’di nëse ai është gjallë ose ha dhé në varr, ndërsa unë përballoj gjendje të rrëqethshme e vuajtje të pafund që të bashkohem me të!”

*** 
Nata ishte mbërthyer nga një terr i dendur që sundonte gjithçka dhe nuk shihej, siç thuhet, as ta futësh gishtin në sy. Edhe qetësia ishte e pafund; nuk dëgjohej as zëri i ndonjë hokëze.”
Rëndom, çastet e tilla rrëfimtare, lirike e meditative, ndodhin në situata të skajshme e të ankthshme, ashtu sikundër ndodhin edhe në situata të përshpirtshme. Tekstet e tilla shqiptojnë një forcë emocionale, meditative dhe intelektuale të thellë. Ndodh zbrazja e shpirtit në rrëfim, e shpirtit të hutuar a të sfilitur; ndodh si rrjedhojë e përvojave të hidhura, kur personazhi shtegton drejt vetes, drejt zgjimit të brendshëm a drejt gjetjes së një shtegu në vështirësi. 
Ne vetëm mund ta përfytyrojmë gjendjen shpirtërore të të rrëmbyerës, Marisë, të ngujuar në kullë; gjendjen e saj duke shtegtuar nën ankthin e ikjes nga syri i lukunisë së përndjekësve. 
E përshpirtshmja përfaqëson përmasën tjetër të këtij romani, kur rrënimtari i drejtohet vetvetes, Hyjit apo qenies njerëzore për ndërgjegjësim. 
“Me një fjalë: shëlbimi i shpirtit nuk lidhet me rrethanat e jashtme; lidhet me thellësinë e përshpirtshmërisë, me pasurinë shpirtërore dhe me dëshmimin e besnikërisë së kësaj pasurie përballë Hyjit.”(…)
“Besimet e ndryshme janë pasuri; njerëzit i drejtohen Hyjit në mënyrë e në gjuhë të ndryshme; Hyji i ka krijuar ato për këtë qëllim dhe ata ia kthejnë Atij me përshpirtshmëri e lutje.”
Nuk është e rastit përse kundruall kësaj përshpirtërie, autori thur tekstin antitetik paralel për të zbuluar edhe një thelb tjetër të realitetit të kohës, atë të përdorimit të fesë për vëllavrasje, siç bëjnë hijet e zeza të manastirit të Deçanit, si dorë e zgjatur dhe e fshehtë e së keqes dhe e shëmtisë së njeriut, pse jo dhe e pushtetarit. 
Dhe kur Berisha i vë në lëvizje e në shtegtim personazhet e tij (ikja nga kulla deri në Gjakovë e Marisë, shtegtimi i saj nga Gjakova për në Prizren, udhëtimi për në Shkodër e prej andej për në Stamboll), është shkas për shpalime të shumta legjendash e kallëzimesh që lidhen me onomastikën shqiptare, me ndodhi a përvoja jetësore. 
Autori është i kujdesshëm që praktikën e tillë krijuese të retardimit e të teksteve paralele (e përdorur edhe te romanet tjerë) të mos ia mbivendosë fabulës, për të mos e penguar tekstin narrativ; ndryshe nga shumë autorë të prozës moderne që e bëjnë të kundërtën, duke e hequr tërësisht fabulën, intrigën apo qoftë edhe narracionin. Te e fundit, pa zhvillim të rrëfimit s’ka prozë të mirëfilltë, s’ka përjetim të artit epik, siç është romani. 
Lënda e tillë, “plotësuese”, duke e mbajtur pezull tensionin e ngjarjeve, na e jep po ashtu edhe dramën e besimit, panoramën e saktë të feve, të kulturave, të historive dhe të traditave të ndryshme. Aty parakalojnë klerikë të besimit mysliman, atij ortodoks dhe katolik, parakalojnë konsuj e ambasadorë me qëndrime e shprehi të ndryshme e të kundërta që përfaqësojnë pushtete, shtete e perandori, por që përfaqësojnë edhe Lindjen dhe Perëndimin, parakalojnë edhe kombe, mjedise e rrethana politike, socio-historike e kombëtare. Të gjitha këto ndikojnë në jetën e personazheve dhe shërbejnë për ndriçimin e jetës, të fatit dhe të bëmave të tyre, aq sa shpërbejnë për ta bërë më të qartë edhe veprimin e tyre e të ngjarjeve përgjithësisht. Nga ky aspekt, këto rrethana kaq komplekse të kohës, sikur na bëjnë të ditur se personazhet janë viktima të tyre, siç është ai i fatkeqësisë së Marisë. Në shërbim të përndriçimeve të tilla shërbejnë edhe personazhet dytësorë, jo të paktë të kësaj vepre. 
Kjo përbën anën epike, të jashtme, të veprës, si me tablotë e gjera të jetës e të hapësirave shoqërore e historike, ashtu edhe me kundrimet e brendshme profilizuese të botës së personazheve. 
Mbi të gjitha, pasuria e strukturave ligjërimore e narrative, fryma realiste dhe ajo e elementeve të fantastikes, legjendës e kallëzimeve, shkrirja e fiksionit me ndonjë aspekt të kronikës dokumentare, e bën këtë roman me natyrë të ndërliqshme artistike. 
Pranverë, vjeshtë 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.