back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Klithma kundër dhunës, një metaforë postmoderne në poezinë e Barie Çupit – nga Emrije Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Klithma kundër dhunës,

një metaforë postmoderne në poezinë e Barie Çupit.

nga Emrije Krosi

Poezia priret drejt kontekstit shoqëror, pa diskutuar formën ose stilin poetik të autorit. Në lidhje me poezinë, përgjithësisht dhe konkretisht, poezia shtegton përmes imagjinatës, sipas veçantësisë individuale të secilit poet. Në kohën kur modeli i leximit të tekstik fizik (libra, revista apo gazeta), është zëvendëuar përmes leximit virtual, vlerësimi i një autori është shumë sipërfaqësor dhe akoma më shumë, poezia e mirë kthehet në anonimat (Bloom: 2000). Jo për të gjithë letërsia ka “shije të njëjta”, disa preferojnë lirikën klasike me rimë, dikush vargjet e lira, dikush tjetër hermetizmin, ekspresionizmin, ekzistencializmin, imazhizmin e shumë -izma të tjerë, deri tek postmodernizmi e sa e sa teori (post)moderniste do të shpalohen në dekadat e ardhshme, ku poezia ndoshta do të ketë një frymë përtejshkakore, siç edhe poezia: “Sa dielli hodhi shtat” (Çupi: 2019).

Në netët kur nuk fjeta,
qelizat m’u dobësuan,
Më gjetën a i gjeta,
yjet m’u afruan.
Kur hënës i ngjasova,
u flaka mbi shpirtra,
lot e plagë arnova,
bërë rripa – rripa..

U fola lehtë maleve,
varën kokën heshtën,
nën shkëmbinjtë e djallit,
lëkurë e kockë m’u tretën.
U tregova drurëve,
krejt i zverdhën gjethet,
iu përula gurëve,
më zunë pritë ethet.

Më panë me lak nën gushë,
njeriu më përqeshi,
mbi nje drizë gëmushë,
frikacakja frikë më ngeci.
piva ujë në përrua,
ujë zanash kristal i ftohtë,
u zgjua një dragua,
më çoi në tjetër botë.
Ëndrrat si çakmak,
u çliruan më thanë ngopu,
u përgjuma vonë në shtrat,
as jastëku më s’më njohu,.
Mëngjesi si çunak,
më hapi kraharorin,
sa dielli hodhi shtat,
më thau të gjithë lotin…
(“Sa dielli hodhi shtat”)

Poezia autentike, nuk ka nevojë për ndërmjetësim: është vetëparaqitëse dhe transparente, që është arsyeja pse “poezia e vërtetë përputhet me përvojën e dikujt”, do të thotë shumë fjalë për fjalë për ta marrë veten si model. Vargjet: Në netët kur nuk fjeta,/ qelizat m’u dobësuan,/ Më gjetën a i gjeta,/ yjet m’u afruan./ Kur hënës i ngjasova,/ u flaka mbi shpirtra,/ lot e plagë arnova,/ bërë rripa-rripa… poetia rrëfen përditësinë e saj, përmes dhunës, një fenomen mjaft i njohur dhe i mirëfshehur në realitetin shqiptar, mëshimi estetiko-poetik përmes vargmimit, të kësaj plage socio-shoqërore, kundër baltosjes së figurës së femrës, lartohet përmes penës femrore, bota skllavëruese e heshtjes, të shoqërisë patrirakale mashkullore shqiptare. Që në dyvargorin e parë: Në netët kur nuk fjeta,/ qelizat m’u dobësuan, tjetërsimi i femrës jo vetëm se është femër (një qenie inferiore), është mënyra më efektive dhe më gjithëpërfshirëse në mishërimin e zërit të vetes e quajtur “zbulesë e vetvetes në ligjërim” (Demir: 2016), duke e modifikuar për t’u bërë mjeti i përsosur për një larmi situatash dhe karakterizime psikologjike mbresëlënëse. Dialogu me natyrën është edhe modeli vetmitar në një shoqëri gjithnjë më indiferente për të dëgjuar zërin e arsyes, nevojës, klithmës, dhimbjes, humbjes, duke i dhënë zë britmës tmerruese të dhunës përmes vargjeve: U fola lehtë maleve, varën kokën heshtën,/ nën shkëmbinjtë e djallit,/ lëkurë e kockë m’u tretën./ U tregova drurëve,/ krejt i zverdhën gjethet,/ iu përula gurëve,/ më zunë pritë ethet, “kuvendimi” me hënën, malet, shkëmbinjtë, drurët (si simbol i dhimbjes së Ajkunës, kur lutet “kërkon mëshirë” nën rrënjët e aheve të Lugjeve të Verdha në Epos), nuk e zmadhon dhimbjen as e zvogëlon gropën e errët të shpirtit ku zëshmëria e një femre të dhunuar përqeshet: më panë me lak nën gushë,/ njeriu më përqeshi,/ mbi nje drizë gëmushë,/ frikacakja frikë më ngeci. Ajo nuk do t’i gërvishtë “muret e lotëve”, duke ikur nga urrejtja, si një ekzistencë kundër një atmosfere të (pa)përshtatshme toksike dhe në çfarë do lloji atmosfere do të ishim, nëse do ikësh, do të ktheheshe nga vetja jote dhe përsëri… përsëri nga vetvetia, zëri femror do thyejë tabutë e heshtjes (Jorgaqi: 2018). Pavarësisht nga neveria e vërtetë, një grua (femër) di ta mposhtë dhunën, pavarësisht nga aspektet vazhdimisht të zymta dhe ndaluese kur deklaron: u zgjua një dragua,/ më çoi në tjetër botë, shëndërrimi apo përçudnimi i njeriut (burrit/ bashkëshortit/ babait) në formën e krahasimit përmbysës. Më përtej “heroinës së ndërgjegjes”, kultivimi i vetëdijes individuale është padyshim një qëllim kryesor, përmes përfitimit nga leximi i thellë, kostoja e lirisë përpos optikës sipërore të mbivetes, ku “dora e anarkisë” mbi mbi femrat që janë të viktimizuara intelektualisht (Spenser: 1982), përmes vargjeve: ëndrrat si çakmak,/ u çliruan më thanë ngopu,/ u përgjuma vonë në shtrat,/ as jastëku më s’më njohu,/ Mëngjesi si çunak,/ më hapi kraharorin,/ sa dielli hodhi shtat,/ më thau të gjithë lotin… poetia vetëm gjumit dhe nënkresës mund t’i rrëfejë dhimbjen: as jastëku më s’më njohu, se terrina e natës, nuk e “mbyt” agun e Qenies së lirë të nënës në përgatitje të vakteve të mëngjeseve për fëmijët e saj: mëngjesi si çunak,/ më hapi kraharorin duke derdhur kaosin e shpërfytyrimit tonë moral dhe shoqëror, që qëllimish të ofrojmë një përfaqësim poetik të lirisë (Riffaterre: 1987), përmes kohës së tashme dhe njëmendësisë, ku metafora e qenësisë së femrës, si grua, nënë dhe intelektuale, duke tëhujëzuar vullnetin përmes ekzistencës, për të mos u çnjerëzuar në antimoralin e shoqërisë së sotme globaliste, ku familjet mbledhin thërrimet e pasqyrave të thyera me (mos)përballjen me të vërtetën dhe realitetin.

Barie Çupi
Barie Çupi

Bibliografia

1.Bloom, Harold. (2000): How to read and why? New York, London, Toronto, Sydney, Singapore
2.Çupi, Barie. (2019): Vargonjtë e fatit “M&B”, Tiranë.
3.Demir, Zekije. (2006): Feminizmi modern dhe postmodern, “Logos-A”, Shkup
4.Jorgaqi, Nasho. (2018): Zërat e parë femërorë të letërsisë shqipe, “Telegraf.com”, Tiranë. https://telegrafi.com/zerat-e-pare-femerore-te-letersise-shqipe/
5.Riffaterre, Michael. (1987): “Descriptive Imagery,” Yale French Studies, 61.
6.Spenser, Dale. (1982): Women of Ideas and What Men Have Done to Them, London.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.