back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Kelmend: Leqeve të Hotit, kah mrekullia e bjeshkëve thërret me kushtrim – reportash nga Albert Vataj

Gazeta

Rruga për Kelmend "Leqet e Hotit"
Rruga për Kelmend “Leqet e Hotit”

Kelmend: Leqeve të Hotit,

kah mrekullia e bjeshkëve thërret me kushtrim

reportash nga Albert Vataj

Një bukuri që vetëm natyra mund ta dëshmojë autorësinë
dhe shpirti ta stolis me fjalë të ëndshme dhe dehëse.
E thellë si jehonë që zbret nga kujtesa e kohës
dhe përplaset në përfytyrimin dhe ëndjen e mijëra kërshërive,
të cilat vijnë për të lënë diçka shumë të shtrenjtë,
të cilën nuk e marrin dot me vete,
dëshirimin për të mbetur këtu mish e shpirt.
.
Autori Albert Vataj
Albert Vataj

Prolog i një magjikeje

Alpet e Shqipërisë së Veriut janë një amfiteatër epik, një manifestim spektakolar i natyrës, një forcë jehuese e gjithçkasë që end me kaq kujdes e përkushtim atë reale imagjinatave, atë ëndërr të prekshme që shfaqet në vështrimin hetues dhe shkrihet në ndjesinë adhuruese. Vijmë dhe ikim, shohim dhe marrim, kujtojmë dhe krijojmë, dëshirojmë dhe shijojmë, e çfarë tjetër më të përkorë, më adhuruese se sa vetë natyrën. Kjo magjike joshëse para së cilës nuk mund të rezistosh, është ajo nevojë që zgjohet prej thellë brenda nesh si një rimëshërim i çasteve në një frymëmarrje të thellë që na thërret në fluturim në krahët e këtij qielli ku askund nuk është më i thellë, askund nuk është më i kaltër, askund nuk është më magjepsës.
Lëshohet dorzan kësaj joshjeje, e cila shtriqet në këtë ngulm tonin në të famshmet Leqet e Hotit, këtij gjarpërimi ngjethës që kafshon gjoksin e malit si brazda e një plakje mitike. E përshkon syri dhe malli, e përcjell fryma dhe tafti, e prek gjethi e guri, e duhmon poleni e jehona, e dëshirojmë kaq sa nuk e japim, ne, ne që jemi ritmi i këtij vërshimi, gufimi i këtij burimi, shkreptima e kësaj reje, krakëllima e këtyre trenëve stërgjyshore, freskia e pragu, aroma e bukës e blegërima e dhenve.
E puth këtë shkëmb që i bën roje shtegut, e pi me etje këtë ujë që i pulson në shtat këtyre maleve, e shtrëngoj në gjoks ajrin që thith kjo mrekulli, kjo ëndërr djepi.
.

Pozita gjeografike

Leqet e Hotit janë qafë në qarkun e Shkodrës, në lartësinë 730 m, nëpër të cilën kalon rruga e Malësisë së Madhe që shkon nga Shkodra në Vermosh. Lidh fushën karstike të Hanit të Hotit (Bajzë-Kushe) me luginën e Cemit dhe ndan majën e Mështjerrës (1447 m) në juglindje me të Bukovikut (1232 m) në veriperëndim. Zbret me gjarpërime të shumta në luginën e Cemit për 500 m. Ka prejardhje tektonike-erozive. Në anën verilindore është e veshur me pyll ahu, kurse në jugperëndim bashkohet me fushën e Rapshit.
.
Magjia e Alpeve Shqiptare
Magjia e Alpeve Shqiptare

Dje dhe sot

Dikur, të kaloje Leqet e Hotit ishte një rrezik i vazhdueshëm. Rruga e pashtruar, mungesa e mbrojtëseve anësore dhe humnera e frikshme ishin udhëtare të pandara të çdo kalimtari, banori apo edhe turisti, që kërkonte të prekte Kelmendin. Sot duket sikur flasim për dy zona krejtësisht të ndryshme.
Natyra e virgjër, historitë e shumta të kësaj zone ndikuan shënimet e udhëtares së famshme Edith Durham në fillimvitet 1900. Kur kalonte këtu, ajo e konsideronte kohën të ngrirë, shprehej e mahnitur nga gjithçka: nga betejat e malësorëve të këtushëm ballë armiqve, nga sjellja e tyre burrërore dhe traditat e forta e të pasura që kishin këto vise.
Franc Nopça përshkruan gjithashtu mikpritjen që i bënë banorët në luginën e Cemit, pranë urës së Tamarës. E po ashtu edhe gazetari i njohur italian, Indro Montanelli, që e quajti veten me fat, që pati mundësi të vizitonte këtë krahinë, e cila – sipas tij, – përmes kullave të malësorëve simbolizonte më shumë se gjithçka Shqipërinë.
“Nëse investohet në formën dhe mënyrën e duhur, edhe zona që deri dje dukeshin të humbura mund të ndryshojnë faqe, duke u kthyer në destinacione të mirëfillta turistike. Ky është rasti i Tamarës, një perlë e Alpeve shqiptare, që sot pret veç të reklamohet siç duhet.
Tamara, kryeqendra e krahinës së Kelmendit, ngrihet mes majave të Sokolit, Jerinës dhe Dubinës. Dikur, për 60 kilometrat që e ndajnë nga Shkodra duheshin mëse 2 orë e 30 minuta, ndërsa sot, jo më shumë se 1 orë. Por përtej pozicionit gjeografik, ajo që bën më shumë përshtypje pas rrugës së shtruar, që të çon deri në fshat, është qendra e tij. Dikur në këtë vend, edhe pse duket e pabesueshme, kalonte rruga e makinës. Një aks i baltosur si mos më keq, kah të cilit ishin godina të ndryshme të ndërtuara sipas dëshirës.
.

Përshkrim e udhëtim

Cilido që merr sot udhën për në Kelmend, Leqet e Hotit do t’i kalojë jo më nëpër një rrugë të humnershme, të frikshme, ku dikur mezi çapiteshin skodat e trupave që uleshin me uturimë nga bjeshkët. E ka lënë pas atë realitet të vranët rruga moderne që ka përfunduar deri në Tamarë, e për pak javë mbërrin në Selcë, për të vazhduar më pas drejt Lëpushës e Vermoshit, duke u lidhur me Plavën matanë kufirit. Kantieri i rrugës në breg të lumit, plot makineri të rënda, është i gjithi në lëvizje. Ja, kjo gjë nuk ka patur publicitetin e merituar, që më në fund Kelmendi ka hyrë në rrugën e zhvillimit, me turistë të ardhur nga shtete të ndryshme, që udhëtojnë me fuoristrada, motoçikleta etj.
Në Selcë, një çast, zbresin nga mikrobusi dhe marrin përpjetë malit në këmbë me çantat e shpinës si alpinistët. Nuk janë dy e tre të huaj, por 10-15 vetë, që vijnë nga Lëpusha, hirushja e turizmit kelmendas. Rruga e re, për të cilën na thonë se ka një kujdes të posaçëm qeveritar, e ka ridimensionuar jetën, peizazhin arkitekturor kelmendas. Ajo ka jo vetëm standardet e kërkuara ndërtimore, por dhe sinjalistikën e nevojshme, përfshirë dhe atë turistike, që rrallë e gjen dhe afër Tiranës. Sapo del në qafën ku është ballkoni natyror, nga vështron Leqet e Hotit, si një gjerdan kryq e tërthor, e ndjen se një dorë e kujdeshme profesioniste ka punuar me guidën në terren, tabelat, hartat, fotot artistike, shenjat orientuese. Turisti e merr vesh që në hyrje, skemën nga do të shkojë nëpër Kelmend, sapo të ketë prekur lumin e Cemit, 62.2 km i gjatë, pa kaltërsinë, kanionet, luginat, hurdhat dhe troftën e të cilit nuk mund të kuptohet ky vend.
.

Kelmend - Lepusha
Kelmend – Lepusha

Epilog

Ndoshta për banorët e këtyre vendeve nuk është kaq magjike kjo pamje, kaq joshëse ky manifestim, kaq dalldisës ky spektakël i natyrës, i atij titani transformues të erës dhe akullit, shiut dhe borës, rrëmetit e kiametit, të cilat joshin ëndërrtarët dhe thërrasin në aventura eksploratorët e maturës. Ata që kanë lindur dhe rritur mes këtyre shkrepave, kanë derdhur djersën dhe gjakun në këto gurë e në këto plisa, kanë bërë djepin dhe qivurin nga këto drurë, kanë jetuar dhe janë shuar për t’u përjetësuar në çdo fragment të këtij realiteti të ashpër, i cili ka lënë gjurmë në ADN-në e për t’u shndërruar në një gjenezë eposi. Ata, ishin, janë dhe do të jenë frymë e kësaj frymëmarrje që jetëson me shenjtërinë e njerëzores këtë egërsi që të deh më bukuri dhe të marros me adhurim.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.