back to top
34.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Kanga e Jetës nga Lazër Radi (1938)

Gazeta

Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938
Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938

Kanga e Jetës nga Lazër Radi (1938)

I kushtohet shokut E.B. (Elez Braha)

I dashur shok!
Unë s’po të kuptoj. Nuk e dij, pse të pëlqen kaq shumë “Marshi funebër” i Shopenit. A s’të përkujtojnë vdekjen akordet e kësaj melodie të përvajshme? A s’të bëhet se shikon varrmihësin duke hedhë dheun e zi e të fortë mbi varr nën ritmin e këtij kompozimi gjenial?
Kët kangë Shopeni ia kushtoi vetes. E kompozoi pikërisht atëherë kur mori vesh se mikrobi i tuberkulozit i kishte hy në mushkritë e tij të shkatërrueme… dhe s’kishte asnji shpresë shpëtimi.
A e njef jetën?
Jeta! Ndoshta të duket si një pellg i madh gëzimi e mjerimi… ndërsa njerëzit jetojnë mbi të: pash e më pash. Dhe ke të drejtë. Ashtu asht jeta. Por mua më intereson se çfarë qëndrimi do të mbash ti kundrejt këtij pellgu.
Kjo asht nji pyetje mjaft e vështirë.
Jeta dhe njerëzit?
Gjithmonë dhimbjet dhe mundimet kanë qenë atribute të Jetës.
Gënjeshtra, grindja, urrejtja, fyerjet kanë qenë flamurët e saj. Njerëzit janë të këqij… dhe siç thotë filozofi: “Gjithmonë, qysh prej njeriut të parë e deri më sot, nëpër të gjithë metamorfozat shoqnore, politike e fetare njeriu ka mbajtë e mban në vetvete elementë shkatërrues ashtu si mban gjarpni helmin”.
A thua, vërtet ja vlen ta shohësh jetën nëpër këtë prizëm pesimizmi? Jo! Njimijë herë Jo! Vijat e jetës, përgjithësisht, nuk janë vetëm të zeza, por paraqiten edhe me ngjyra të tjera… me ngjyra të bukura…
I dashur shok!
Mos kujto se himni i jetës asht marshi i vdekjes i Shopenit. As pesimizmi ekstrem s’asht rruga ma e arsyeshme dhe ma e përshtatshme. Kjo rrugë nuk asht zgjidhja e problemit; për ma tepër i ngatërron edhe ma tepër punët. Çfarë do të ndodhte sikur të gjithë njerëzit të ishin pesimistë? A je në gjendje ta imagjinosh nji botë të tillë.
Çfarë do të bahej sikur njerëzit të mos besonin në evolucionin e jetës, sikur të mos besonin në forcat e veta, sikur të mos shpresonin që me punën e tyne do të fitonin nji lumturi të ardhme?
Sigurisht, jeta do të shkonte si nji qerre e thyeme.
Atëherë, entusiazëm dhe optimizëm!!
As kjo nuk e zgjidh mirë problemin, mund të thuash ti. Po çfarë rruge na mbetet të marrim. Entusiazmi i madh asht i damshëm, asht si njifarë të daluni mendsh dhe nuk të len që ta shohish jetën qartë dhe drejtë. Entusiazmi i madh i rrit pa masë edhe gjanat ma të vogla.
Po optimizmi?
Ky asht shumë ma i arsyeshëm dhe ma i preferuem se pesimizmi, megjithse edhe ky drejtim s’asht i plotë…
Jemi realistë.
Jetën s’do ta vërejmë me syze të ngjyrosuna, por ashtu siç asht. Do ta çmojmë e do ta mbajmë vlerën pozitive të jetës, kurse vlerat negative do të përpiqemi t’i përmirsojmë e për t’u përmirësue gjendja lipset të ngjallen forcat e fshehta të individëve, lipset të ndizen shkëndijat ndër zemrat e njerëzve. Lipset nji forcë. Sot jeta na paraqitet si nji dinamit… Jeta me të gjitha manifestimet e veta asht ndër duart e njerëzve. Ata e prishnin, ata e ndërtojnë; ata e ndërtojnë, ata e përkeqsojnë, ata e përmirsojnë.
A s’asht kështu?
Prandaj i dashur shok, çmoje jetën. Jo me marsha të vdekjes. Ti këndo, këndo gjithmonë, por jo kangë që ndjellin vaje. Këndo kangë që të nxisin të punojsh, që të përtërijnë forcat e tua e të çojnë tek nji e ardhme e lumtun!
(Shtypi, 25 prill 1938)

E vjetra shembet, kohët po ndryshojne, nji jetë e re po lulëzon gërmadhash… Elez Braha

Si një drrasë, e cila vumun tash sa kohë mbi një prroskë nis të kalbet prej lagështisë së tepërt, ashtu edhe ata njerëz që janë zhytë në mentalitetin e vjetër po zhgatërrohen.
Disa prej botës njerëzore të dhanë mbas fatalizmës, nuk ia nisin asnji pune të zorshme për ta krye, ata të tanë punën e kane varë në ishallahin! Thonë: “Kështu asht thanë e kështu le të bahet!”.
Ata nuk mendojnë se me ishallah nuk qitet gja në dritë. Punën e randë jo që së fillojnë, por madje edhe s’e vrejnë me sy.
S’kanë faj, kanë gjetë batihava.
Kështu gjatë shekujve kund nëpër terr me mundime të mëdhaja erdhi njerëzia deri ne ditët e sodit.
Prijesat e tyre në nji mënyrë a në nji tjetër u munduan me e lye sadopak përjashta ndërtesën shoqnore. Ata nuk menduan aspak se dikur ato themele të lujtshme do të rrënohen e se në vend të tyne do të vendoset nji ndërtesë e re, e fortë, e cila do të përballonte çdo dallgë apo pengim. E me të vërtetë ato themele të luejshme po rrëzohen dita ditës. Djalëria, shpresa e ardhshme, po i ban sytë katër e po vëzhgon çdo gja që i del përpara.
Ajo s’ja dëgjon ma fjalën fatalistit… Djali thotë: “Na do të jemi e do ta bajmë, ç’a ju s’keni mundësi me ba!”.
E fatalisti plot idhnim ia pret: “Po na kallzoni ju të rinjtë se çka batë?”
-Jo na s’kemi ba gja, por do ta bajmë!”.
Dita dites mentaliteti i kalbun po zhduket, krymbat e dyshimit po e farojne; mbi rrënimet e tyne po lulëzon nji jetë e re.
Njeriu ka lindë i lirë e gjithkund asht ndër pranga.
Këto na i thotë Russoi, i përmenduni dijetar e edukator freng. E mbasi njeriu asht lindun i lirë, duhet ta gëzojë këtë liri e jo sikur deri tash. Ndryshimin e kohës dhe të shemburit e së vjetrës na i dëftejnë fletët e historisë…
Po na a thue të rrimë në terr si deri tash e të shohim rreth e rrotull tue le një jetë e re e të heshtim?!
Ah! Jo! Djalnia e jonë nuk do të rrijë ende ne gjumin e randë të fantazmës. Duhet të zgjohet e me hapa të mëdhaja të drejtohet drejt rrugës së mbarë. Duhet të punojmë, po të punojmë me pa ia da, kështu që të fitojmë dritën e arsyes dhe të bajmë që gërmadhash të lulzojë nji jetë e re.
Qershor 1935
Shënim: Titulli i këtij hartimi do t’ju kujtojë Qemal Stafën, po në fakt hartimi s’është i Qemalit po i Elez Brahës, shkruar në të njejtën ditë në të njejtën klasë të Gjimnazit të Shkodrës, me 19.06.1935… Hartimi është shkruar në të njëjten ditë, por trajtimi i njerit apo i tjetrit është krejt origjinal. Ata i bashkon ideali i përbashkët Lirisë dhe përparimit të Atdheut. (Shkrimi i marrë nga Revista Nëntori nr.8/1981)

(Nji nga shokët ma të afërt të Lazrit në Gjimnaz, ka qenë edhe Elez Braha, prej Tropoje… nji djalosh brilant me nji inteligjencë të lindun… të cilin Lazri në kujtimet e veta e përmend mjaft dhe me konsideratë, në mënyrë të veçantë për punën që bani gjatë verës së vitit 1935, në mbledhjen e kangve të epikës legjendare që këndoheshin në zonën e Malsisë së Gjakovës, punë të cilën ai e kreu ma së miri… E vendosa shkrimin e Lazrit për Elez Brahën, edhe i bashkova edhe hartimin që Elezit shkroi me at temën e famshme, që profesor Luarasi, ia dha për trajtim klasës së VB, klasë në të cilën ishin nga djemtë ma të spikatun të kulturës shqiptare, e që mundi t’i nxjerrë nji klasë e vetme…!!! si: Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Lazër Radi, Qemal Stafa, Xhemal Broja, Haki Taha, Elez Braha, Gjovalin Luka, Ramiz Xhabija, Qamil Grezda, Kolë Ashta, Androkli Kostallari, Vasil Shurbani, Spasse Trimçevi… e mjaft të tjerë… j.radi)

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.