back to top
27.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Kanga e grisun nga Lazër Radi

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

 Kanga e grisun nga Lazër Radi

Jeta e jonë asht si lulja, – po, po si lulja e hijshme që të vyshket ndër duer… çdo gja në botën tonë kalon: kush ka le – do të vdesë – kush ka vdekë – gëzon qetsinë e përjetshme… Lumnija; edhe ajo si lulja vyshket shpejt… Madje asht mjerim i madh kur lumnija e shkurtë sos ndër dhimba… ndër dhimba të thella… ndër dhimba që si heshta të zjarrta ta therin shpirtin…
E njofti… dhe me të shpejtë u lindi dashnija… Nji dashni e nxehtë që rritej dita ditës… shtohej në mes t’atij dekori të madhnueshëm të natyrës… Ah! Zemër e lumtun! A thue me t’vërtetë asht e lumtun pse n’at krahinë malësore e njofti? I lumtun pse e njofti dhe dashunoi vashën që i pëlqente ma tepër? Por, çdo gja kalon në jetë: Ajo asht gjaja ma e shkurtë që shijon shpirti i njeriut… Vërtet asht gëzimi ma i madh në jetën e vet të shkurtë – por, asht edhe helmi e dhimba ma e madhe mbasi të shuhet… Nji ngjyrë e verdhë nisi me e prishë harmoninë e pyjeve të gjelbra; ishte ngjyra e gjetheve të vjeshtës, – ngjyrë që dukej si nji damkë e shëmtueme… Mandej… gjethet e verdha – si shpresat e të mjeruemve, bijshin njena mbas tjetrës… Ato me nji fluturim të shkurtë rrëzoheshin përdhe. Vallja e përvajshme e gjetheve të vjeshtës u përkujtonte dy zemrave të lumtuna, ndamjen e afërme.
Dhe me të vërtet, nji mëngjez të bukur u ndanë… Ajo shkoi… e zemra e djaloshit u brengos thellësisht. Mungesën e saj e ndiente fort… e ndjente, e, për ta hjekë mejtimin nisi me shkrue. I mungonte edhe forca krijuese… megjithatë “Kanga e vjeshtës” i doli n’ekstazë. – N’ato vargje kristalore shprehu të tana ndjesitë e zemrës së vet… Po, aty i ndryni të tana dhimbat e lotët e zemrës… “Kanga e vjeshtës” kish për t’i sigurue nji kunorë dafinash… e të dy, përmes asaj, do të baheshin të pavdekshëm… sepse Kangët e Mëdha dalin prej Zemrave t’plagosuna…
Çdo gja kalon në kët jetë…
Të dy studjojshin në njejtin qytet.
Përditë djaloshi dilte në rrugë për ta takue, por, s’e gjente askund. Për fat, – në nji mbasdite të bukur, e ndeshi. Biseduen. Ai me kënaqësi zemre i përmendte kohnat e arta të kalueme… Vasha e ndigjonte, me nji ftohtësi të hatashme… A thue çka do të jetë? A thue pse po i frenon ndjesitë e zemrës ajo që ma parë e përkëdhelte dhe e dashunonte? Të gjitha këto djaloshi i arsyetoi me nji “do të jetë e dëshpërueme”. Mirëpo ajo kish vendosë vërtet me i pre të gjithë marrdhaniet. Prandaj rrinte e heshtun. Sa e bukur i çfaqej dhimba në fytyrën e saj delikate… Ajo dhimbë ishte e vetmja shkëndi shprese për djaloshin e shkretë… Ajo nuk foli, – e shikoi në sy të përvajshëm dhe hiku… shkoi…
Errësinë e vdekun vjeshtore… Gjithkah shkreti…!
Asht nji mbramje e trishtueshme… shiu tue ra, këndon kangën e vet monotone… Kangën e vdekjes… Djaloshi me zemën të plasun e me forca të dobësueme hyni n’odën e vet… Ajo iu ba qeli e errët e mveshun në të zi… I dukej se po mbante nji jaz të përjetshëm… Mbi tavolinën plot libra e shkresa gjeti nji letër. E hapi me të shpejtë, dhe nisi ta lexojë pse ia njofti shkrimin…
Z…
“Të lutem mos më folë ma nëpër rrugë.
Mos më trazo.
Ti e din fare mirë se na ndajnë shumë arsyena, – prandaj harroje ç’ka qenë”.
B…
Çdo gja kalon në kët jetë.
Dhimbat, vetëm dhimbat, ato s’shkulen kurrë prej zemre.
Krejt i lodhun… i lodhun e i dobësuem shpirtënisht, u ul. “Kanga e vjeshtës” – mbi tavolinë – nisi me i folë… nisi me i tregue nji përrallë magjike… Ah! Nuk mujt me e ndigjue… E kapi dhe e grisi në njimijë copa… e treti… dhe era e çoi si gjethet e vjeshtës…
Shumë arsyena i delshin përpara tue e qeshë me qesendi…
Ah! Gjendja shoqnore, qe, nji shkak. Dy zemra që dashunoheshin s’mund të bashkohen për shumë arsyena… Por… ato dy zemra vuejnë… e do të vuejnë gjithnji…
(Shtypi, e diel, 31 tetor 1937)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Joze:
    më pëlqeu shumë kjo copëz e vogël skice. Kur po e lexoja më erdhi ndërmend ajo kënga e dikurshme…”Kur gjethet bien në vjeshtë…”!, m’u duk e ngjashme me kët histori të shkruar të babes tim gati 80 vjet më parë.
    Të lumtë, se na kënaq…!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.