Mit’hat Araniti dhe Lazër Radi, kanë ndarë bashkë kohë, jetë dhe fate të përbashkëta…!
Para Lufte, edhe Gjatë Lufte; Mbas Lufte edhe gjatë kohës së diktaturës, (Luftës pambarim të Klasave). Bashkë nëpër burgje, nëpër kampe interrnimi, nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit, gjithnji në luftë për të mbijetuar, po edhe për t’i mbrojtur ato vlera intelektuale dhe humane që ai brez idealistësh, jo vetëm i kishte ëndërruar po edhe kishte luftuar me shpirt për: Nji Shqipëri Ndryshe…!! Të dy patën burgje të përbashkëta, kampe të përbashkëta, të dy i patën gratë në burg të përbashkët, të dy i lindën fëmijët me vonesë, pse ishin në burgje e kampeve të përbashkëta antinjerëzore.
Punuan bashkë, e s’u dëshpëruan kurrë, iu bën krah njëri-tjetrit në sakrifica të shumta, edhe kur regjimi i ndante, mjaftonte qoftë edhe një fjalë, një buzëqeshje, apo edhe ndonji batutë e thanë ashtu kalimthi për ta kuptuar thellë njëri-tjetrin… Vetëm mbas ’90-ës, ma së fundi ata (Mit’hati dhe Lazri) patëm mundësi të takoheshin si dikur në rini të hershme: ashtu të lirë… e të flisnin haptas me njëri-tjetrin… e të vazhdonin ndër biseda, mendime e kujtime që kishin nisur prej kur s’mbahej mend… Tash kishin mbrenda vedit edhe at dhimbjen e madhe, se mosha s’u premtonte shumë as njenit as tjetrit…!!
Mit’hati ishte nji njeri i rrallë…
Me nji buzqeshje thuej të skalitun nën mustaqet legjendare, me nji humor elegant, me batutë të gatshme e të rafinuar, dhe nji kulturë të pakufi… Mjaftonte nji argument krejt i thjeshtë dhe me të mund të flisje pafund… duke t’i ba orët minuta…
Edhe pse në kufijtë e 80 viteve, shpirti i tij mbetej djaloshar, plot dritë, plot dëshirë edhe pse sëmundja, vuajtjet, hallet dhe mosha e kishin tejlodhë…
Kët intervistë të shkurtë, që mbetet ndër të rrallat, arrita t’ia marr me shumë mundim. Jo,se s’donte, po pse shëndeti tij shumë shpejt mori teposhtën. Mbas shumë bisedash e vizitash, ajo u krye, dhe i premtova ta fusja në botimet e “Arbërisë”, por s’munda… Mbas tre numrash ajo s’mundi të vazhdonte më tej… Por i botova 5 poezitë e tij, duke ia shtue paksa at buzqeshjen e tij eterne, fisnike…
Në vitin 1996, kjo intervistë u gjet e mundun dhe u trupzue, në përbledhjen me shkrime të tij, të botuara në shtypin e paraçlirimit me titullin “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle…” – Phoenix. Kjo intervistë eskluzive, botohet për së pari! Cilido që e lexon e kupton se është thjesht dëshmi e nji fisniku nacionalist, prej atyre që i vijnë rrallë këtij vendi mosmirnjohës… dhe ikin në heshtje të pashpërblyer:
Nderime pafund për Mit’hat Aranitin…!
jozef radi, 13 korrik, 2013
Ç’përfaqësonte për Ju lëvizja nacionaliste e intelektualëve në kohën e pushtimit dhe çfarë përfaqëson sot… A mund të gjej nacionalizmi një shtrat të natyrshëm në luftën për demokraci? Mit’hat Araniti: Lëvizja Nacionaliste e intelektualëve, ka qenë për mua gjatë gjithë kohës së pushtimit, baza, trualli, mbi të cilin duhej të punohej për çlirimin e Atdheut… Ajo përfaqson edhe sot nji shtrat të natyrshëm të luftës për demokraci në kushtet e Europës së sotme…
.
Duke pasur parasysh se në “Ballin Kombëtar” aderonte ajka e intelektualëve, a mendoni se mund të vij një brez i ri që ta përfaqësonjë denjësisht at idealin tuaj kombëtar? Mit’hat Araniti: Tashmë dihet që në të kaluarën në “Ballin Kombëtar” ka aderuar ajka e intelektualëve, por ky aderim ka qenë i kushtëuar nga rrethanat e faktit të një pushtimi tërësor, ndërsa sot brezi i ri me ndjenja nacionaliste, gjendet i përfshirë në një sistem pluralist të demokarcisë, me synime të diferencuara…
.
Pjesmarrja Juaj në Mukje, mbetet gjthnji një kapitull i hapur për të vërtetën… A nuk mendoni se përçarja e nisur në Mukje vazhdon edhe sot e kësaj dite? Mit’hat Araniti: Pjesmarrja ime në Mukje ka qenë e motivuar nga synimi i një bashkimi mbarëkomëtar. Përçarja e nisur në Mukje, sot nuk ekziston, por vazhdojnë vetëm disa fijëza trashëgimie të vetëdijshme ose të heshtura…
.
Cili qe pozicioni Juaj kur lufta kundër okupatorit devijoi në luftë civile? Mit’hat Araniti: Duke qenë në radhët nacionaliste gjatë luftës çlirimtare, jemi munduar të formojmë një urë kalimi midis nacionalistëve dhe komunistëve… Kur lufta çlirimtare u kthye ne luftë civile, konseguent me mendimet e mia, unë mbeta dhe jam kundër vëllavrasjes…
.
A mendoni se komunistët ditën të përfitojnë jo vetëm nga “akademizmi” i Ballit Kombëtar, po edhe nga ajo frymë mospajtimi që ju kishit me Legalitetin zogist? Mit’hat Araniti: Komunistët ditën, por edhe patën fatin të përfitojnë pikërisht nga ndjenjat atdhedashëse të nacionalistëve, lidhur edhe me evitimin e çdo dëmtimi të mundshëm të popullit shqiptar…
.
Pas lufte a e mendonit dënimin… dhe a e ndjenit veten fajtor kur ju dënuan? Mit’hat Araniti: Nuk e kam menduar kurrë veten se mund të dënohesha pas lufte, sepse nuk mendoja se njeriu mund të dënohet dhe të quhet fajtor, pikërisht se vepron në të mirë të atdheut të vet…!!
.
Në ç’raporte u vendos diktatura me intelektualët? Në ç’raporte u gjendët ju me diktaturën duke pasur parasysh se ju jo vetëm ishit intelektual dhe shkrimtar, po edhe nji njohës mjaft i mirë i shumë gjuhëve të huaja?Mit’hat Araniti: Fillimisht komunistët i përdorën intelektualët sipas nevojës dhe interesave të tyre utilitare… Më vonë tehu i diktaturës (lufta e klasave) u drejtua kryesisht kundra dhjetra e qindra intelektualëve të mirfilltë. Për të qenë të mbyllura të gjitha dyert e çdo manifestimi të ndjenjave dhe aftësive të tyre. Edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, për ata nuk përbënte ndonjë rëndësi të veçantë, as diploma ime e juristit, as aftësia ime për të kontribuar në fushën e letrave. Diktatura kishte si qëllim kryesor: shfrytëzimin dhe shkatërrimin e personalitetit të njeriut…!
.
Nga njerëzit me të cilët keni jetuar dhe keni njohur, cili do të qe sipas Jush personifikimi i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë? Mit’hat Araniti: Nga njerzit me të cilët kam jetuar dhe kam pasur nji respekt shumë të lartë, dhe që unë i konsideroja si personifikim i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë janë të shumtë… Ka ndër ta edhe ata që s’mundët të realizoheshin në diktaturë, por edhe që u shkatërruan prej saj… S’mundem të harroj në veçanti Mirash Ivanajn, Kol Tromarën, Selman Rizën, Suat Asllanin, po edhe plot të tjerë…
.
Për cilën gjë të jetës suaj keni vuajtur më shumë? Mit’hat Araniti: Gjëja për të cilën më ka ardhur më keq në krejt jetën time është prishja e Marrveshjes së Mukjes. Nëqoftëse ajo Marrveshje do të që realizuar, Shqipëria sot do të kishte një pamje krejt tjetër.
.

Kampi i Çermës – 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Duke patur gruan prej familjeve më të njohura intelektuale, a mendon se keni ndarë një fat të përbashkët, në një fatkeqsi të përbashkët? Mit’hat Araniti: Fakti që kam patur si shoqe jete: Agime Pipën, grua e pajisur me cilësi të spikatura, s’ka dyshim që ka qenë për mua një mbështetje e madhe… në përballimin gjithë vështërsive të asaj jete plot vuajtje dhe në mposhtjen me dinjitet të tyre…
Si avokat a do gjenit ndonji motiv ta mbronit komunizmin nëse të kërkohesh një gjë e tillë?? Mit’hat Araniti: Sa i përket komunizmit, atij s’i ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, sepse ai është i dënuar nga historia me zhdukje, deri edhe prej idhtarëve të vet të dikurshëm…
.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos përfundimisht dhe arbitrarisht, dialekti i Jugut… bashkë me dhunimet njerëzore u bë edhe dhunimi i gjuhës shqipe… Si mendoni Ju, a mund të gjendej nji e mesme e artë? Mit’hat Araniti: Kam qenë gjithnji i mendimit se nji gjuhë nuk formohet me vendime, por me anën e nji evoluimi natyral, d.m.th. është përdorimi i saj nga shkrimtarë të ndryshëm që e përligjin në mënyrë të natyrshme atë, duke imponuar një trajtë ose një tjetër gramatikore, pranimin e një fjale ose një tjetre, pavarsisht prej dialektit që ato i përkasin…
.
Sot lufta për pushtet është shumë më e madhe se lufta për Shqipëri, dhe koha po e provon se intelektualët janë sërish viktimat e para edhe të demokracisë… A mendoni se nji shfaqje e tillë tregon se jemi në postkomunizëm? Mit’hat Araniti: Është e vetvetishme! Kur luftohet për pushtet, edhe mbas përmbysjes së një diktature, viktimat e para do të jenë përsëri intelektualët, sepse janë pikërisht ata që shfaqin në mënyrë më të qartë mendimet për mbrojtjen e demokracisë, por kjo s’do të thotë aspak, se po futemi në postkomunizëm…
.

ne qender Mit’hat Araniti, në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, …Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
A mendoni se një kuvend mbarëkombëtar, ku të merrnin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ishte nji shans historik për shpëtimin e saj? Mit’hat Araniti: Jam plotësisht i bindur se një kuvend mbarëkombëtar ku të marrin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë vendit, mund të jetë një shans për shpëtimin e shpejtë të saj: por praktikisht një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë…
.
Vazhdimisht e keni përmendur aktin e Bedri Spahiut, ndjesën dhe transformimin e tij. A mendoni me të vërtetë se tek ai ka ndodhur diçka e tillë? A mendoni se një ndjesë e formale e njerzve të krimit, përbën nji akt fisnik? Mit’hat Araniti: Të them të vërtetën akti i Bedri Spahiut, me të cilin ai kërkon falje publike për të gjitha ato që ka bërë, më ka lënë një përshtypje të madhe. Me gjithë peshën e rëndë të krimeve të pranuara prej tij dhe me gjithë dyshimin se akti në fjalë mund të ketë qenë veçse formal, unë personalisht jam i mendimit se atij i ka mbetur një grimë burrërie dhe mbetet gjithmonë vend për të formuluar hipotezën, se një gjest të tillë sikur ta kishin bërë ose ta bënin të gjitha ata “pezzi grossi” me gjokset e mbushura me medalje dhe me pozita të larta, do t’i sillnin një shërbim mjaft pozitiv Atdheut.
.
Nëse do ta fillonit jetën edhe një herë nga e para, kujt do t’i përkushtoheshit me gjithë shpirt? Mit’hat Araniti: Sikur ta filloja jetën dhe një herë nga e para, padyshim që do t’i kushtohesha me gjithe shpirt Shqipërisë… dhe rruga e ndjekur prej meje do të ishte shumë më e qartë dhe më e sigurt, sepse do të kisha mësuar mjaft prej disfatave të pësuara…
.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.