back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024

Johan Krojf (1947 – 2016) – Ikja e nji Legjende

Gazeta

Johann Cruyjff (1947-2016)
Johann Cruyjff (1947-2016)

Johan Krojf (1947 – 2016) – Ikja e nji Legjende

Futbolli mbetet nji nga sportet më të dashura të jetës sime…
dhe nji nga personazhet që ma ka bërë magjepës futbollin,
pa as më të voglin dyshim është Johan Krojf.
Futbollist i Ajaksit të viteve ’70,
nji nga ikonat hollandeze te Futbollit Total,
lojtar i nji elegance të papërsëritshme u quajt “hollandez fluturues”,
nji tekanjoz i spektaklit futbollistik,
nji balerin që të hutonte me lëvizjet me dhe pa top,
nji golashënues që të mbushte me entusiazëm
qofë edhe kur bënte gjestin e nji goli të shënuar…
Johan Krojf s’ka qenë futbollist i skuadrave që unë kam dashur,
por ai me ka detyruar me forcë
t’i dua gjitha skuadrat ku ai luante dhe drejtonte…
prandaj ai ka nji vend të patjetërsueshëm në shpirtin tim
po edhe në zemrat e gjithë atyre që e kanë dashur dhe e duan Futbollin…
Prej sot Bota e Futbollit ka nji legjendë më pak…
Por ka nji dashuri më shumë,
ndaj gjithë atyre që mbeten modele të papërsëritshme…
të spektaklit, të entuziazmit, te fitores
po edhe të vlerave te mëdha njerëzore…
Johan Krojf i kishte të gjitha bashkë…
Pushoftë në Paqe…
megjithë padrejtësinë e ikjes së parakohshme!
jozef radi, 24 mars 2016

Foto e të famshmit Johan Krojf në Tiranë,  gjatë ndeshjes 17 Nëntori-Ajaks, 16 Shtator 1970
Foto e të famshmit Johan Krojf në Tiranë,
gjatë ndeshjes 17 Nëntori-Ajaks (2-2), 16 Shtator 1970

Shuhet edhe një yll,

vdes legjenda e futbollit holandez, Johan Cruyff

Futbolli botëror është në zi, pasi ka humbur jetën pas një beteje të shkurtër me kancerin legjenda holandeze, Johan Cruyff.
Ish-futbollisti i Ajaksit, Fejënordit dhe Barcelonës, por edhe i kombëtares holandeze, kishte zbuluar para pak kohësh se vuante nga kanceri në mushkëri.
Ai ka humbur jetën në moshën 68-vjeçare në Barcelonë të Spanjës. Cruyff kishte lindur në 25 prill 1947 në Amsterdam.
Cruyff ishte interpretuesi i parë i futbollit total te Ajaksi dhe te Holanda në vitet ’70 dhe te Barcelona, ku ka luajtur dhe drejtuar si skuadër deri në vitin 1996.
Në një komunikatë të postuar në faqen e tij zyrtare në internet lexohet: “Në 24 mars 2016, Johan Cruyff (68) vdiq në Barcelonë, i rrethuar nga familja e tij, pas një lufte të vështirë me kancerin. Me trishtim të madh ju kërkojmë të respektoni privatësinë e familjes në këtë periudhë zie”.
Johan Cruyff ka udhëhequr Ajaxin në fitoren e 3 Kupave të Europës radhazi (1971-1973) dhe ishte kapiteni i skuadrës holandeze që u mund në finalen e Botërorit të vitit 1974 nga Gjermania Perëndimore.
http://www.gazeta-shqip.com

Kapiteni me Nr. 15 -  Johan Cruijff
Kapiteni me Nr. 14 – Johan Cruijff

Shkruajnë per Johann Cruyff

Rezart Palluqi:

Ka ndërruar jetë, futbollisti i madh holandez, por edhe humanisti i madh.
Ai refuzoi t’ia bëjnë shtëpinë “Muze” dhe parapëlqeu që ajo të shërbejë si një hotel falas për studentët!
Faleminderit Johan për këmbët dhe zemrën tënde të artë!!
E theksoj se Cruyf ka qenë jo vetëm një futbollist gjenial, por edhe një njeri mjaft i mirë, me zemër te madhe dhe mjaft i thjeshtë. Vërtet një njeri i jashtzakonshëm…

Edmond Hasani

Ndahet nga jeta Johan Krujf, një nga pesë futbollistët më të mëdhenj të të gjithë kohrave, simbol i Futbollit Total të Tulipanëve të viteve ’70 me Ajaksin dhe Hollandën, gjithashtu me Barcelonën, Fejnordin etj, autori i 369 golave në 661 ndeshje zyrtare, fitues i dhjetra trofeve ku spikat tre herë si fitues i Topit të Artë, tre Kupa Kampione të Europës, nënkampion bote me 1974, e mbi të gjitha futbollist magjik në shpejtësi, triblim, shikim periferik dhe golaxhi perfekt!
Do mbahet mend gjatë dhe si krijues i Barcelonës së shkëlqyer të viteve të fundit e natyrisht si futbollisti më me intelekt, dhelpra e futbollit botëror me një elegancë të paparë! Johan Krujf 25 prill 1947 – 24 mars 2016! RIP!

Hollandezi Fluturues (Johann Cruyff (1947-2016)
Hollandezi Fluturues (Johann Cruyff (1947-2016)

Po kush është Legjendari Johan Cruiff.

Të flasësh për legjendat e futbollit hollandez e të mos fillosh me Krojfin, nuk njeh aspak futbollin hollandez dhe Hollandën. Edhe sot nëqoftëse flet me hollandezët për futbollin, kujtojne kohën e bukur të Van Basten, Gullit, Rijkard e Koeman, për fitoren e Kampionatit Europian të 1988, por nëse i pyet se cili është lojtari më i mirë, cili është emri i parë që i vjen në mendje?
Përgjigja është vetëm një: Johan Cruijff.

Johannes Hendrikus Cruijff lind në Amsterdam me 25 Prill 1947, në lagjen Betondorp (që në shqip do të thotë: lagja e cementos), dy hapa nga stadiumi De Meer i Ajaksit. Prindët kishin një dyqan të vogël, perimore dhe fruta.
Në moshën 12 vjeç nga një atak në zemër i vdes i jati dhe muaj më vonë… e ëma është e detyruar të shesë dyqanin, për të filluar punë në lavanderinë e skuadrës së Ajaksit dhe në barin e stadiumit.
Atë vit Krojfit i dhurojnë një top të Ajaksit (të përdorur) dhe që atë ditë bëhen miq të pandarë.
Fillon hapat e parë si futbollist me Ajaksin dhe në moshën 17 vjeçare, luan ndeshjen a parë me të rriturit e Ajaksit.
Menjëherë klubi i Ajaksit i ofron kontratë profesioniste dhe ai sapo del nga dera e Presidentit të klubit, shikon të ëmën që po pastronte dyshemetë dhe i drejtohet: “Që nesër ti do të punosh vetëm në banakun e barit, nuk do të merresh më me pastrime sepse ti je Nëna e Johan Krojfit.”
Rebel dhe anarshist, por dhe talent i madh, ai vendos që numri i tij do të jetë numri 14 edhe pse numërimet në Hollandë fillonin nga 1 deri në 11 për skuadrën që hynte në fushë, mban në fanellë të njejtin numër edhe me Kombëtaren.
Kur në ekipin e Ajaksit mbrrin trajneri Rinus Michels, ëndrra e Krojfit bëhet realitet. Kurrë nuk ka pasur një kombinacion kaq të përsosur. Kishin një ëndërr, të ndërronin futbollin dhe ai ja arrin.
Në pesë vjet arrin të fitojnë katër herë kampionatin hollandez dhe në Kupën e Kampioneve ndalen në finale nga Milani në 1969.
Ajaksi i ri ra në kurthin e “catenaccio-s” italiane.
Dy vite më vonë në Wembey më në fund vjen dhe fitorja e shumëkërkuar dhe merituar e Kupes së Kampioneve… e Ajaksit kundrejt Panathinaikos.
Një vit më vonë gjithmonë në finalen e Rotterdamit, dorëzohet edhe Internazionale e Milanos me dy golë të Krojfit, dhe vitin tjetër një tjetër skuadër italiane, Juventusi, falimenton para forcës së Ajaksit në Beograd.
Ajaksi i Krojfit fiton tri herë rresht Kupën e Kampioneve e ndërkohë edhe një Kupë Internacionale dhe një Superkupë Europe.
Në vitin 1971 dhe 1973, ka fituar dy Topa të Artë… por sukseset sapo kanë filluar.
Ajaksi zgjedh gjithmonë me votim Kapitenin dhe sipas votimeve Krojfi humbet, atëherë ai çon telefonin dhe thërret vjehrrin e tij, Cor Coster, miliadier, tregtar diamantesh dhe i thotë “Barcelona”
Në Shtator 1973, kalon tek ekipi i Barcelonës ku merr me vehte shokun e tij të repartit Johan Neeskens dhe në Barcelonë gjejnë trainerin e tyre Rinus Michels dhe kontribuojne në fitoren e titullit të Barcelonës pas 14 vjetësh.
Në qershor 1974, arrin Kampionati Botëror i Gjermanisë Perëndimore.
Hollanda e Krojfit dhe Rinus Michels janë në livelin më të lartë të botës. Sistemi i lojës që merr emrin “Total Football” të përfaqësuar nga Hollanda është një sistem inovativ, me të gjithë futbollistët që mbulojnë të gjithë rolet, ku asnjë futbollist nuk mban vendin e tij, por e ndërron vazhdimisht dhe ka në Krojfin interpretuesin më të mirë.
Në Botërorin 1974, skuadra e “Portokallijve” demoloi të gjitha skuadrat me presing, teknike, shpejtësi, taktikë dhe skema plot inovacion dhe për herë të parë në histori ndodhet në finale përballë skuadrës së vendit organizator, Gjermanisë.
Në finale… kalojnë vetëm 90 sekonda dhe Hollanda kalon në avantazh pa i dhënë mundësi gjermanëve të prekin topin as dhe njëherë. Krojfin e rrëzojnë në zonë dhe penallti që Neeskens e trasformon në gol!!!
14 pasime rradhazi e gjermanët nuk arrijnë të prekin topin deri tek goditja e penalltise… Por ne fund të ndeshjes fituesit janë të zotët e shtëpisë, edhe pse fituese morale mbetet Hollanda e Krojfit.
Asnjëherë në historinë e futbollit një skuadër që ka humbur në finale është përmendur më shumë se fituesja. Në fakt në Historinë e Futbollit kur flitet për Botërorin e 1974, përmendet më shume Hollanda se Gjermania Perëndimore.
Puntualisht mbrrin dhe Topi e tretë i Artë, Cruyff është futbollisti i parë që në raftin e tij ka tre Topa të Artë.
Refuzon të bëjë pjesë në Kombëtaren Hollandeze në Kampionatin Botëror në Argjentinë në shenjë proteste… pasi vendi organizator drejtohej nga një juntë ushtarake, por në realitet pak muaj më parë në Barcelonë është viktimë me gjithë familjen brenda në shtëpi nga një grabitje dhe kërcënimi.
Pas Barcelonës luan në Amerikë… gjithmonë nën drejtimin e Rinus Michels dhe pastaj kthehet në Hollandë me Ajaksin duke fituar menjëherë titullin. Presidenti i Ajaksit nuk i rinovon më kontratën sepse Krojf është i vjetër. Mirëpo ai kalon tek rivalët historikë, fiton kampionatin dhe mbyll karierën tek Feyenoordi.
200 ditë me vonë bëhet trajner i Ajaksit dhe menjëherë fiton Kupën e Kupave.
Ashtu siç  ka bërë si lojtar, bën edhe si trajner, shkon tek Barcelona ku edhe aty menjëherë fiton Kupën e Kupave dhe më vonë Kupën e Kampioneve, përveç titujve Kampionë në Spanjë.
Në Katalonjë udhëheq Barcelonën dhe predikon Futbollin Total që në skuadrat e fëmijëve të Barcelonës deri tek skuadra e parë, e rezultatet fillojnë të arrijnë, Barcelona fillon të quhet “Dream Team” e futbollit, por një operazion në zemër dhe më vonë një i dytë bëjnë që të tërhiqet përgjithmonë nga futbolli.
Bën pjesë në një fushatë kundër duhanit me sloganin: “Futbolli më dha gjithshka, duhani ma hoqi!”
Nëse në kohë më parë dhe tani pëlqejmë një futboll të bukur dhe një magjistar të Barcelonës dhe Kombëtares Spanjolle… duhet të falenderojmë edhe Johan Cruyff….
http://futbollihollandez.blogspot.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.