back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Homeri dhe Epopeja Shqiptare – nga Maximilian Lambertz

Gazeta

Maximilian Lambertz (1883-1963)
Maximilian Lambertz (1883-1963)
Homeri dhe Epopeja Shqiptare
nga Maximilian Lambertz

Që nga botimi i veprës Prolegomena ad Homerum nga Friedrich August Wolf (1795), dhe të veprës “Gjurmime mbi krijimin e Nibelungenliedes” nga Karl Lachman (1816), studiuesat që janë marrë me jetën dhe veprat e Homerit, për ma se nji shekull ishin nda në dy fronte kundërshtare me njeni-tjetrin.
Grupi i qujtun Unitarian mbante naltë thezën se, ka eksistue nji person me emën Homer, dhe se ky poet i madh ka qenë autori i vetëm i Iliadës dhe i Odysesë. Ndërsa, grupi tjetër i quejtun Analizuesat, mbështetë theorinë se Iliada dhe Odyseja janë vepra përmbledhëse nga kangë të ndryshme që janë krijue dhe këndue prej Rapsodëve të kohënave, të cilat në nji perjudhë të mavonëshme janë unjisue dhe redaktue në formën e sotëme, dhe se Homeri nuk ka eksistue fare. Mirëpo, gjurmimet filologjike-arkeologjike të mavonëshme e kanë mëposhtë definitivisht theorinë e kangëve të unjisueme të Analizuesave dhe deri-diku, kanë modifikue edhe qëndrimin e Unitarianëve. Në radhë të parë, studimet në lamen e folklorës (që kanë fillue me Her­derin), kanë ndihmue nga thesari i poezisë popullore të vjetër, me sqarue kangën popullore, dhe kështu, poezinë epike të shkurtë. Ndër Finlandezët ka qenë Elias Loennrath që ka mbledhë poezitë epike popullore, te Serbët Vuk Karadjiçi ka zgjue interesen e poetëvet të perëndimit për poezinë epike të popullit të vet. Edhe ndër shqiptarë asht shfaqë mjaft herët interesa për thesarin folkloristik. Gjurmuesat vendas si Jubani, Mitko, Prennushi mblodhën kangë popullore, ndërsa Marjan Prelaj, Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi dhe Qemal Haxhihasani u interesuen, sidomos për poezinë të shkurtë të Malsisë Veriore. Këto kangë epike që zakonisht këndohen përmendësh prej Kangëtarëve me Lahutë rreth votravet të Kullavet shqiptare në Malësi, përvetësohen si pjesa të gjalla poetike nga ndigjuesit. Dhe, taman nga kjo poezi popullore e Malsisë Veriore të Shqipnisë ka le në shekullin e 20-të, vepra artistike ma e madhe e Shqiptarëvet. I pregatitun në thellësi me teknikën e këtyne rapsodivet heroike zhenija e Gjergj Fishtes ka prodhue “Lahutën e Malcis”. Kjo Epope e madhe bazohet kryesisht në kangët popullore dhe në poezinë popullore shqiptare.
Gjergj Fishta intuitivisht e kishte kuptue të vërtetën rreth origjinës së epopeve homerike, mbasi edhe ai vetë ishte si Homeri. Poezitë epike të shkurta që kanë qenë ushqim shpirtnuer i përditshëm në rininë e tij, Fishta nuk i ka bashkue në nji veper të vetme, siç kishin pretendue Analizuesat përkrahës të theorisë së unjisimit të kangëvet epike (hellenike) nën emnin përmbledhës të Homerit, ase siç kishte ba finlandezi Loennrath, i cili nga kangët e Rapsodëve (Laulajanët), kishte krijue Epopenë finlandeze Kalevala. Përkundrazi, Fishta në Epopenë e vet, ka naltësue ngjarje, vepra heroike dhe kreshnikë të “kangëve trimash” (epike) të Malësisë. Mirëpo pa përvetue fjalë për fjalë ndonjanën prej këtyne kangëvet popullore, Fishta ka përdorë mënyrën e foljes, trajtat e përshkrimeve dhe mendësinë e kangëtarëve popullorë. Me nji fjalë, ai ka përdorë me mjeshtri të posaçme krejt teknikën e kangëve epike popullore për të prodhue epopenë e vet artistike që i ka rrajtë thellë në këto forma të poezisë epike.

Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

Për mue, Gjergj Fishta me Lahutën e Malcis, ka qenë shembulli ma i përshtatshëm në kohën e re, për sqarimin e pyetjes homerike. Si në kohën tonë, kangëtarët popullor shqiptarë që këndojnë “kangët e tyne trimash e kreshnikësh” ndër mbledhje të rastit, ndër martesa nën hijen e blinit, ase rreth votrës shpijake tue pi raki, poashtu 3.000 vjet ma parë, kanë shetitë rapsodët hellenikë në brigjet perendimore të Azisë së Vogël, të detit Egje, në Kretë dhe në tokën greke të sotme; kanë bredhë prej nji vendi në tjetrin, prej nji kështjelli në tjetrin, tue deklamue kangët e tyne mbi veprat e shqueme të Perëndive dhe të heronjve të periudhës hellenike. Kanë këndue mbi Parisin dhe grabitjen e Helenës së bukur, mbi Agamemnonin dhe Menelaun, mbi prejardhjen e Akilit dhe Odysenë dredhak, mbi miqësinë e Akilit me Patrokleun, mbi vdekjen e Hektorit, mbi luftën dhe ramjen e Trojës.
Në kët mënyrë, mund të kenë kalue shekuj me radhë – derisa u paraqit nji person që, mund t’ishte vetë nji rapsod, ase ndoj bir princi, për të cilin dimë se që në rini kishte fitue njohuni të thellë mbi ciklin e kangëve epike hellenike, të cilat afërsisht mund të krahasohen me ciklin e kangëve popullore shqipe të Mujës e Halilit. Ai rrjedhte prej krahinës rreth Smyrnes, Rodos-it, Kiosit, etc. Dhe ky person që mund të ketë pasë me të vërtetë emnin Homer, patjetër ka qenë nji zheni.
Pa kopjue rapsodët fjalë për fjalë, ai prodhon epopenë e madhe (hellenike) Iliadën, tue përdorë vargjet, rimat, gjuhën dhe teknikën epike të tyne, po ashtu përsëritjet zbukuruese të frazave dhe episode të gjalla nga ngjarjet që përmbajnë kangët e tyne. Po në ket mënyrë, ai krijoi edhe epopenë tjetër të madhe hellenike, Odysenë, tue u mbështetë kryesisht në rrëfime detarësh të hapësinës mesdhetare.
Vetëm nji person, vetëm nji poet i vërtetë që duhet të jetë Homeri, ka mujtë me krijue nji vepër si Iliadën që nuk bazohet në nji përshkrim kronologjik të ngjarjeve si në epopenë indiane Mahabharata, por që me mjeshtri të hollë e sjell lexuesin ase ndigjuesin drejt në shpërthimin e grindjes midis mbretnave, periudhë plot me ngjarje tërhjekëse që, nuk zgjatë ma tepër se dy muej. Ky rrëfim i njinjishëm dhe homogjen qe përshkruen zemrimin e Akilit për vdekjen e Patrokleut – shqiptarët kishin me thanë marrjen e gjakut – nuk mund të jenë tjetër veçse koncepti mendor i nji personi të vetëm, i nji poeti.
Besimi em në eksistencën e personazhit të Homerit asht forcue edhe ma tepër nga mësimi që kam fitue rreth krijimit të “Lahutës së Malcis”. Në Malësinë shqiptare kemi të bajmë afërsisht me rrethana të njejta. Edhe këtu na paraqiten kangë popullore dhe cikle kangësh epike që janë këndue me shekuj në të kaluemen, derisa asht paraqitë nji zheni që, tue u mbështetë në të, ka prodhue epopenë e vet. Edhe Fishta, si Homeri, ka qenë njohës i thellë i Malcisë, ku zhvillohen ngjarjet e Lahutës.

Gjergj Fishta - Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta – Lahuta e Malcis

Po të krahasojmë së drejti Lahutën tonë me Iliadën e Homerit, menjiherë na paraqitet nji seri përgjasimesh midis tyne. Shkaqet e këtyne përgjasimeve janë të dukëshme: Fishta si njeri i mësuem e ka njoftë ma së miri Homerin. Megjithkëtë, ai ka mujtë me ruejtë rrugën e vet të pavarun përsa i përket vargjeve, tue përdorë ato të Kangëve kreshnike të Malcisë shqiptare, dhe po ashtu në përshkrimin analitik të herojve të vet. Fishta në veprën e vet merret kryesisht me ngjarje luftarake, dhe si rrjedhje, ai asht pasardhës (epigon) i Ho­merit në kët lamë. Edhe gjendja shoqnore-kulturale paraqitet e njillojshme. Homeri ka të bajë me Akejtë të ndamë në fise, po ashtu janë shqiptarët e Fishtës. Sulltanat herët e kishin pranue faktin se shqiptarët nuk duhen përzi me të tjerë, dhe të ndamë në fise ase bajraqe i kanë lejue ata me marrë pjesë në ushtrinë turke.
Agamenoni për me mbajtë naltë moralin e luftarëve të vet, kërkonte që komandanti i secilit kontingjent të njifte emnin dhe mbiemnin e çdo luftari. Në epopenë fishtiane secili shqiptar shquhet po ende me emnin e t’atit të tij. Në krye të fisevet të Akajeve ase të Danaesve gjindej nji Basileos (mbret), dhe poashtu ishte Bajraktari ndër fiset shqiptare. Luftarët homerikë shkojnë në luftë për të fitue nderë dhe për të bà plaçkë. Ndërsa, trimat e Fishtës luftojnë për të naltësue nderën personale, të familjes dhe të fisit, tue pré sa ma shumë krena anmiqësh. Homerike janë edhe krahasimet fishtiane në përshkrimin e ngjarjeve të ndryshme, dhe sidomos mënyra artistike në zhvillimin e tyne. Në kët drejtim mjaft instruktiv asht përshkrimi i ngjarjeve në mbarim të Kangës së VI-të të Lahutës. Përngjasë me Homerin asht edhe përdorimi fishtian i shtesave zbukuruese të trimave në aksion dhe përsëritja periodike e disa vargjeve që përdoren edhe në kangët popullore shqiptare.
Friga e modernistave të kohës sonë se përsëritje të tilla poetike shkaktojnë monotoni e mërzitje, nuk përfillet fare nga epikët klasikë, as dhe nga Fishta. Përkundrazi, përsëritja e frazave të njëjta në kohë dhe vend të caktuem bahet me qëllim me gëzue ase animue lexuesin ase ndigjuesin, dhe për t’iu dhanë këtyne nji pushim, që kështu të shijojnë ma mirë dhe të shtojnë kureshtjen e tyne në vazhdimin e kangës. Në kët mënyrë, edhe kangëtarit i jepet kohë pushimi për të rikujtue vargjet e ardhëshme.
Si te epikët hellenikë, ashtu te ata shqiptarë shpesh herë ndërhyjnë figura hyjnore në ngjarjet në zhvillim tue marrë anë të ndryshme. Ndër të parët janë Perenditë e malit Olymp, kurse ndër shqiptarë janë Zanat dhe Orët që losin rolin kryesor.
Homeri, tue u mbështetë në demente fetare popullore të krahinave të ndryshme hellenike, me zheninë e vet të përftyrimit të botës së Perëndive në Majë të Olympit, ka krijue hierarkinë hyjnore të drejtimit botnor. Po ashtu, nga demente të gjalla të besimit të vjetër të të parëvet ilirianë, Fishta ka ndërtue mythologinë shqiptare, tue naltësue ato figura hyjnore me vargje poetike të përshtatëshme. Zanat e majës së malit Vizitor, dhe Orët e Durmitorit, të Trojanit dhe të Qafës së Shalës, i përshkruen poeti si qenie të gjalla me virtute të nalta që ndajnë të mirën e të keqen me popullin.
Edhe Fishta, si Homeri, përdor kangë të vërteta popullore. Kacel Doda prej Zagorës, që para vdekjes së Oso Kukës, (Kanga V-të e Lahutës), këndon kangën e Gjergj Elez Alisë, mund të krahasohet me Demodokosin, kangëtarin hyjnor të verbët (të Faekëve) në Odysenë e Homerit. Të dy këta janë rapsodë të vërtetë, parashkues (paragonë) të epopesë së madhe. Po ashtu janë bà pjesë harmonike të Lahutës disa nga kangët tipike popullore si ato të vdekjes së Mican Lekës, të luftës midis Kulshedrës dhe Dragojve, të Valles së Orëve, të Oso Kukës dhe dhe Ali Pashë Gucisë. Si Homeri që ka krijue thesarin e vet të fjalëve nga dialektet e përzime jonike-eolike, ashtu Fishta përmbledh fjalorin e vet epik, tue u mbështetë në dialektet e Malësisë së Veriut.
Me shquemjen e këtyne përgjasimeve, nuk pretendoj se Fishta ka imitue Homerin në tanësi. Shumë pjesë me randësi të Lahutës janë tipike shqiptare dhe nuk kanë të bajnë fare me Homerin. Kështu, Epiku shqiptar në vargjet e veta nuk perdor heksametrin (daktylik) të Homerit, por 8-rrokëshen e kangës popullore shqiptare. Po ashtu rimat janë thjesht shqiptare.

Maximilian Lambertz (1883-1963)
Maximilian Lambertz (1883-1963)

Ndërsa në Lahutën e Malcis, dhe sidomos në Kangën e Kohës së Re, poeti shqiptar merr fuqimisht pjesë në zhvillim të ngjarjeve, poeti i Iliadës qindron krejtësisht në prapaskenë. Epiku shqiptar bisedon së drejti me Zanën dhe e fton këtë me ardhë në Lezhe, i këshillon shqiptarët të jenë atdhetarë të mirë, të ruhen nga grindjet vëllaznore dhe rreptësisht i qorton anët e dobëta të tyne. Në ket mënyrë, epopeja e Fishtës ka edhe qëllime të përcaktueme pedagogjike në lidhje me përgatitjen e shqiptarëvet drejt misionit të naltë të çlirimit të Atdheut nga sundimi i huej. Shpesh herë Fishta me vargje të flakta shpreh dashuninë e tij të thellë për bukuritë e gjuhës shqipe, lëvdon popullin dhe knaqet kur ky asht i bashkuem, naltëson të parët dhe nderon dëshmorët dhe të kaluemen historike.
Epoeja fishtiane në shumë raste zbukurohet me nji humor të hollë e të përzemërtë. Kështu në skenen kur atheisti Knjaz Nikolla tmerrohet nga xhindët e natës. Mjaft komike asht edhe aventura e Bec Patanit me shokë që hyjnë tinës në kullën e malazezit plak dhe, mbasi e mashtrojnë qenin rojtës, e lidhin plakun, por ia falin jetën.
Kjo ngjarje na kujton episodën homeriane kur Odyseu me Diomedin hyjnë msheftas në kampin anmik të Trojanëve, dhe mbasi e mbysin rojtarin që ishte fjetun, vjedhin kuajt e mbretit Reso-s. Kjo ngjarje asht në kontrast të fortë me bujarinë e shqiptarit Bec Patanit që nuk e vret plakun malazias.
Në epopenë kombëtare shqiptare shquhen ma qartë se në atë homerike dëshira e poetit-në përshkrime idilike. Mjaft tërhjekëse janë këto skena: kur Knjaz Nikolla, tue ndejtë me të shoqen rreth votrës krenohet me fjalë të mëdhaja; kur Tringa e vdekun përsjellet votrës prej “hijeve rreshtmira” (Zanat, Orët, etj.) dhe vorroset në logun e vallzimit mbushë me bar të njomë të majës së Vizitont; kur Oso Kuka me luftarët e tij gëzojnë darkën e fundit me lojë dhe kangë; kur shtatë krajlat bisedojnë rreth tavolinës në London; kur Ali Pashë Gucija kuvendon me të bukrën e malit, etj.
Të gjitha këto përftyrime idilike shquejnë gëzimin e poetit në përshkrime të anëve tërhjekëse të kësaj jete, dhe po ashtu mjeshtrinë e madhe të tij me i dhanë gjallni artit poetik.
Në ket mënyrë shofim se, krahasimet midis Homerit dhe Fishtës, paraqesin mjaft shembuj sa me plotësue nji libër të madh. Për ne Fishta asht nji figurë madhështore homerike, dhe vepra e tij e pavdekshme na jep të drejtë të plotë me ia dhurue atij Kunorën e larit të Homerit shqiptar.
Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Rexhep Krasniqi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.