12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Vrasja barbare e vajzës nga Shkodra, Dhurata Sokoli – e motra, Afërdita Sokoli, rrëfen për gazetaren Gilmana Bushati

on

|

views

and

comments

Buzqeshja e këputun e Dhurata Sokolit
Buzqeshja e këputun e Dhurata Sokolit
Vrasja barbare e vajzës nga Shkodra, Dhurata Sokoli
e motra, Afërdita Sokoli, rrëfen për gazetaren Gilmana Bushati
E qëlluan me 5 plumba dhe e lanë të vdiste në shi…”

Vrasja ka ndodhur më 20 prill të 1990, e morëm vesh më 23 prill. Dikush i kishte thënë babit, fjalët erdhën shumë shpejt. Isha në ditëlindjen e një shoqeje, po festonim, atje erdhi e më mori mama, më solli një fustan të errët dhe më tha: Vrasja barbare e Dhurata Sokolit. E qëlluan me 5 plumba dhe e lanë të vdiste në shi Dhurata Sokolin.
Sikur të kishin pritur dhe disa muaj, ndoshta sot do të ishin gjyshër me nipër e mbesa, por Dhurata Sokoli dhe Elez Kraja, donin të iknin sa më parë që të ndërtonin jetën e tyre larg Shqipërisë komuniste, pa e ditur se do të mbeteshin në kufi. Diktatura komuniste ishte po aq e egër edhe në muajt e fundit të saj, ku janë vrarë në përpjekje për t’u arratisur mijëra shqiptarë të pafajshëm.
Ky ishte dhe fati i vajzës së re shkodrane, që bashkë me të fejuarin e saj, mbetën pa varr deri në vitin 1993, kur trupat e tyre u gjendën bashkë.
Elezi me një plumb në kokë, ndërsa Dhurata me disa plumba në anën e djathtë të trupit, e lënë në mes të shiut e plagosur, deri sa vdiq.
Historinë e tregon motra e saj Afërdita Sokoli, e cila ishte 14 vjeçe kur mori lajmin e kobshëm, në një intervistë të dhënë para disa vitesh për Gilmana Bushatin, Gazeta Shqiptare.

E takuat motrën tuaj para se të nisej dhe a ju tha ndonjë fjalë? – E mbaj mend si sot, që Lata më tha: “Po shkoj te daja në Tiranë dhe më tha ta përcillja deri poshtë, por mama nuk pranoi, i tha që do e përcillte ajo vetë. Më mori vetëm xhaketën që kisha, në fakt i ndërruam, ajo mori timen që ishte blu dhe më dha të vetën, që ishte e kuqe. Pasi e mora vesh historinë, mendoj se ajo e ka marrë xhaketën time se ishte e errët dhe nuk donte që të dallohej. Nuk më tha asnjë fjalë, di që më dha vetëm vathët e saj në formë zemre dhe asgjë tjetër.

Kur e morët vesh që kishte ndodhur tragjedia? – Vetëm pas tre ditësh. Vrasja ka ndodhur më 20 prill të 1990, e morëm vesh më 23 prill. Dikush i kishte thënë babit, fjalët erdhën shumë shpejt. Isha në ditëlindjen e një shoqeje, po festonim, atje erdhi e më mori mama, më solli një fustan të errët dhe më tha ta vishja. Shumë orë më vonë, më thanë se për çfarë bëhej fjalë. Ndoshta njerëzit e dinin edhe më herët, pasi vetëm pasi mora vesh lajmin e vdekjes, atëherë e kuptova se pse më shihnin me habi.

Pse e ndërmorën atë hap ata të dy pikërisht në atë kohë? – Kjo është një histori e gjatë, duhet të dish dhe të kuptosh mentalitetin e asaj kohe, që të shpjegosh me hollësi ngjarjen. Dhurata dhe Elezi u mërzitën nga pengesat që kishin për t’u martuar me njëri-tjetrin, u mërzitën me ambientin, me paragjykimet dhe me gjithçka dhe vendosën të ndërtonin të ardhmen e tyre së bashku diku larg gjithçkaje, larg asaj shoqërie që vetëm të mbyste. Ata duheshin dhe nuk kishin mundësi të realizonin ëndrrën e tyre, kështu që menduan se do të ishte me mirë të iknin. Ja kjo është me pak fjalë historia e tyre, histori që e dinte i gjithë qyteti jonë. Donin të iknin me not nga Drini. Elezi e kishte bërë ushtrinë në postën kufitare në Sukaj të Dajçit, pikërisht aty ku donte të kalonte kufirin. Ishte prill dhe mund të kalohej kollaj, distanca nuk ishte shumë e largët.

Më vonë, çfarë u bë me trupat e tyre, a ua dha shteti? Pjesën tjetër të historisë e di vetëm nga mama e babai, që ma thonin ndërsa gjendesha jashtë Shqipërie. Unë ika më 1992, trupat e tyre nuk ishin gjetur ende. Po, trupat e tyre nuk u dhanë menjëherë, vetëm me insistimin e prindërve, këmbënguljen e mamës, që për tre vjet me radhë bënte shpesh rrugën Shkodër-Tiranë dhe Tiranë-Shkodër. Ka trokitur në të gjitha institucionet e mundshme, pasi donte të dinte për trupin e së bijës, për trupin e motrës sime. Për tre vjet me radhë dhe aq dëshpërimisht e ka kërkuar motrën mama, sa njëherë ka shkuar te vila e Ramiz Alisë. Atje e ka ndaluar ushtari, të cilit i ka thënë “më vrit edhe mua këtu, dua trupin e vajzës dhe asgjë tjetër”. Po mama me Ramizin janë kushërij të tretë, ajo e ka djalin e vajzës së tezes. Dhe kur ka dalë Ramizi, i ka thënë mamës: “Ajo vajza jote na nxori shumë punë, kur të vijë demokracia t’ua gjejë ajo”. Në atë kohë ai ishte President i Republikës.

Dhe në çfarë viti u gjendën trupat? – Vetëm në 1993. Unë s’kam qenë këtu kur i kanë gjetur, di që kanë qenë varrosur në lulishten e antenave të “Radio Shkodrës” në fshatin Kuç. Kufomat që të dyja kanë qenë të zhveshura, të dy njëri mbi tjetrin dhe së bashku me ta, dhe rrobat që kanë pasur të veshur atë ditë. Kufoma e Elezit ka pasur një plumb në tëmth, ia kishin çarë kafkën, ndërsa ajo e motrës sime ka pasur pesë plumba në krahun e djathtë, që nga gjoksi deri te këmba. Që të dy kufomat kanë qenë të paprishura në momentin që ka hapur babai varrin ku ishin futur nga njerëzit e shërbimit të postës kufitare. Pasi kanë bërë rivarrimin, baba e mama kanë larë rrobat e motrës dhe kanë parë që ata nuk kanë pasur asnjë shenjë plumbi në to. Ato kanë qenë të paprishura, e kjo do të thotë se atë e kanë zhveshur para se ta vrisnin, e kanë vrarë të zhveshur.

Në komunikatën operative thuhet që Dhurata ka deponuar në postën e kufirit, pasi thuhet që ajo ka qenë e plagosur. Jeni në dijeni të këtij fakti? – Sipas asaj që kemi mësuar deri më tani, është se pasi i kanë zënë, kanë vrarë në vend Elezin me një plumb në kokë, më pas janë marrë me Dhuratën. Ajo është plagosur në orën tre të mëngjesit, e deri në orën 11:00 të paradites e kanë lënë jashtë në shi, duke humbur gjak, pas asnjë ndihmë tjetër. Më vonë, janë kujtuar dhe e kanë futur në ambulancë për ta çuar në spital, po ajo ka vdekur rrugës. Këtë ia ka thënë babit shoferi i autoambulancës. Edhe në ambulancë e kanë futur të zhveshur. Për mendimin tim, ata që kanë qenë në shërbim atë natë apo atë ditë, në postën kufitare, e kanë përdhunuar para se ajo të vdiste. Ata katër apo pesë ushtarë që ishin, të rinj ishin, me gjak të nxehtë dhe mendoj se mund ta kenë përdhunuar me radhë dhe pastaj e kanë vrarë. Por se si një shtet bën një krim kaq makabër ndaj një shtetasi të vet, unë s’e kam kuptuar dhe as e kam imagjinuar asnjëherë. Unë i kam mallkuar dhe vazhdoj t’i mallkoj ata njerëz, së bashku me mamën time, deri në fund të jetës. Unë, që kam qenë e re atëherë, për pothuajse një vit, e kam parë në ëndërr, një ëndërr që ndërtonte momentet e fundit të Dhuratës, atje në postën kufitare. Nëse unë vuajta dhe vazhdoj e vuaj nga kjo dhimbje e madhe, si mendoni se mund të ndjehet mama ime, tashmë e sëmurë, si mendoni se mund të ndjehet babai im, si mendoni se i konsiderojnë ato, ato farë dëshmpërblimesh që u jep shteti? Dhe që kur kam ikur, nuk kam dashur asnjëherë të kthehem në këtë vend që shkon deri aty sa të shfrytëzojë më të dobëtin, apo më të pambështeturin për përfitimet e momentit. Nuk dua ta shoh këtë vend, s’kam asnjë lidhje. Atje në hyrje të Shkodrës, dua të shënoj në një pllakatë të madhe “Larg”. Se përveçse ndodhi krimi, askush nuk mori përsipër të tregojë të vërtetën e tij, të gjithë historinë e kemi ndërtuar mbi të dhëna, sa atje këtu. Njëherë, një punëtor që po punonte në shtëpinë tonë, Hamdi Joka, na tha që kishte qenë në shërbim atë natë, në postën kufitare. Na tha që kishte si detyrë të hidhte prozhektorin mbi ata që kalonin kufirin, po ai nuk e paska bërë këtë dhe na tha që ishin vrarë pas shpine. Po kjo nuk është e vërtetë, breshëritë e plumbave motrën e kanë kapur përgjatë anës së djathtë të trupit.

A pati ndonjë të dënuar për këtë vrasje? – Prindërit e këtyre që u vranë në kufi, se nuk u vra vetëm Lata, po u vranë dhe të tjerë, dy të rinj që u sollën të zhveshur në mes të Shkodrës, ndërsa makina i tërhiqte zvarrë nëpër gjithë qytetin për të tmerruar qytetarët. Pra prindët e këtyre, së bashku me të mitë, paditën Ëngjëll Tomën, komandati i asaj poste kufitare ku është vrarë dhe motra. Ai nuk ka thënë shumë në gjyq, sipas asaj që thonë mama e baba, një ushtar i asaj poste ka thënë që Toma e kishte urdhëruar të qëllonte, po ai s’kishte qëlluar, kështu që kishte marrë vetëm pushkën për të vrarë të rinjtë. Por nuk na u tha se si ka ndodhur vrasja e motrës. Askush nuk pati guximin të na e thotë këtë, të paktën për të pastruar shpirtin e tyre. Sepse atë natë nuk ka qenë vetëm ky Toma në shërbim, kanë qenë edhe të tjerë dhe patjetër ata do ta dinë se si është e vërteta, që në fakt na ka munduar gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk doli asnjëri. Toma u dënua më duket me 10 vjet burg, doli prej andej nga trazirat e 1997 dhe sipas fjalëve, e vranë. Duket ndonjë familjar i viktimave të kufirit. Por besoj se kanë mbetur dëshmitarë që dinë, por nuk flasin, ndoshta nga frika se mund të përfundojnë si komandat Toma.

A keni marrë ndonjë dëmpërshblim ndonjëherë? – Është diçka qesharake kjo gjë. Po në 1992, qeveria u caktoi se duhej të merrnin një dëmshpërblim, arritën të merrnin vetëm 2 milionë lekë të vjetra, por më pas, asgjë. Ndërsa në fillim të këtij viti, babai ka bërë sërish letrat dhe dokumentet për të përfituar dëmshpërblim, por edhe pse dosja është në rregull, nuk kanë marrë asnjë konfirmim. Siç e besoj dhe unë, e besoni edhe ju, se këto lekë nuk do ua sjellin vajzën e tyre, por mund të jenë një ndihmë për ta, tani që janë të moshuar dhe të rrëzuar nga ajo çfarë kanë provuar që pas 1990.

Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme – Dega e Përgjithshme
Tiranë më 21.4.1990
Sekret

Komunikatë operative N
r. 94

Shkodra
Më datën 20.04.1990, në zonën kufitare Dajç Rushbull dy elementë armiq janë afruar në pengesën elektrosinjalizuese dhe në sektorin 900 në krahun e djathtë janë mundur të bëjnë izolimin me tela të veshura të tij. U konstatuan nga njësiti i kufirit, i cili u bëri thirrje për ndalje në orën 03:20, por ata u drejtuan për në thellësi të tokës tonë. Për këtë njësiti hapi zjarr dhe u asgjësuan. Këta ishin Elez Kraja, vjeç 26, punëtor në fabrikën e vajit, kurse u plagos Dhurata Hasan Sokoli, vjeç 25, punëtore në fabrikën e këpucëve, banuese në Shkodër. Sipas deponimeve të Dhuratës ata donin të arratiseshin jashtë shtetit.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Hetuesia e Përgjithshme – Hetuesia e Rrethit
Shkodër, më 18.03.1993

Vërtetim
Hetuesia e rrethit Shkodër me datë 21.
04.1990 ka filluar çështjen penale për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit në ngarkim të Dhurata Sokolit, etj, e cila është vrarë nga forcat e kufirit në tentativë për t’u arratisur në Jugosllavi. Pasi janë kryer hetimet çështja penale është pushuar në bazë të nenit 98/1 i K.Pr.Penale.
Kryetari i Hetuesisë së Rrethit
Kosta Karanxha d.v.

Marrë nga Muri i FB Arben Borshi, 31 Janar 2024

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.