Histori e Përgjakur: Kampi famëkeq i Tepelenës dhe disa skica të Lek Pervizi

0
15
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Lek Pervizi - Autoportret
Lek Pervizi – Autoportret

Histori e Përgjakur

Kampi famkeq i Tepelenës

dhe disa skica te piktorit Lek Pervizi

Me rastin e paraqitjes së disa vizatimeve
Kampit të Tepelenës,
që u bë e mundshme nga Lek Pervizi,
ish i internuar ne atë kamp deri ne Mbylljen e tij më 1954,
po japim disa njoftime rreth krijimit e funksionimit të tij.

Pllaka Përkujtimore e Kampit të Tepelenës
Pllaka Përkujtimore e Kampit të Tepelenës

Të flasësh për kampin e Tepelenës dhe te mundohesh të përshkruajsh, torturat vuajtjet e mundimet që pësuan të internuarit në ato kondita të tmerrshme, duhen libra të tërë dhe pena të forta. Penat e forta shqiptare, i ishin kushtuar totalisht një pune të kundërt, asaj të himnizimit të regjimit e të sistemit të diktaturës e të diktatorit që sundonte i plotfuqishëm, zot mbi zotër i tokës së shkretuar shqiptare e mbi banorët e saj fatkeqë. Ata shkrimtarë, jo se nuk kishin kohë, por as donin t’ia dinin se ka shqiptarë që vuajnë e skllavërohen, bile më keq, as donin ta besonin se shumë kolegë të tyre, (edhe ata pena të ndritura), por mjerisht në duar të palëvizshme e skeletike, atje në fund të ndonjë grope të harruar, që mund të quhej varr, por as kështu s’mund të quhej sepse nuk gjendej më, kishte humbur në hiç.
Në hiç, humbën me qindra të internuar, shumica fëmijë e pleq e plaka, që nuk mundën t’i bënin ballë sëmundjeve, vuajtjeve, mundimeve, urisë, së ftohtit, torturave të përditshme të rojeve, që vinin vërdallë si qentë me tri koka të ferrit të Dantes: Cerberi. Ata s’kishin tri koka, por kishin nji kokë te vetme, sa shumfishi i treshit, dhe mjerë kush binte në kthetrat e tyre.
Duke u shkëputur nga këto përshkrime alegorike, po hyjmë në realitetin e egër, dhe mund të themi se ai ishte më i tmerrshëm se çdo përfytyrim i zymtë që mund të krijojë njeriu.
Së pari duhet thënë se kampi i Tepelenës u krijua në shembull të kampeve të Bashkimit Sovjetik të Siberisë, por në përmasa të reduktuara me shkallën 1:10.000, ose më tepër, si për hartat. Në fakt: kur filluan internimet e para (1945), u pat hapë fjala se: qeveria komuniste shqiptare kishte vendosur t’i grumbullonte të gjithë të internuarit dhe t’i niste për në Siberi, me anije Ruse!! Kjo nuk dihet në ishte ndonjë lajm i vërtetë apo kërcënim, dihet ama që njerëzve u hyni frika se një gjë e tillë edhe mund të ndodhte, duke njohur huqet kriminale të komunistëve shqiptarë, që ua kalonin edhe atyre të bolshevikëve të Stalinit…
E meqë kjo nuk ndodhi, atëhere, partia e qeveria (largpamëse), vendosën me krijue një Siberi më të vogël, një kamp të rrethuar me tela me gjemba, diku te fusha poshtë kalasë së Ali Pashë Tepelenës, ku ishin disa kazerma italiane, që kishin shpëtuar nga shkatërrimet e luftës italo-greke. Por historia e tij është pak më e gjatë.

Tepelene 2014 - Ambasadori Hoffmann dhe piktori Lek Pervizi
Tepelene 2014 – Ambasadori Hoffmann dhe piktori Lek Pervizi

Fillimisht qe Berati dhe Fushë-kruja qendrat e para të grumbullimit të familjeve të Mëdha, dhe me kohë aty u grumbulluan gjithë familjet e të arratisurve të Veriut, dhe të Jugut, të çdo shtrese qofshin ato. U jepej vetëm 500 gram buk misri dhe duhej të gjenin vetë banesë me qira. Absurditete. Duke qenë se numri i tyre nisi të shtohej pa masë, u shpik puna e detyruar në ferma e në objekte ndërtimi, sigurisht pa pagesë, vetëm me atë racion 500 grmësh buke misri. Populli i Beratit u soll mjaft njerëzishëm ndaj këtyre njerëzve fatkeqë në kundërshtim me autoritetet, veçanërsiht ato të partisë, të policisë dhe Degës së P. Brendëshme, që silleshin shumë egër e shumë harbutshe, ndaj njerëzish krejtësisht të pafajshëm, që për më tepër ishin motra e vëllezër shqiptarë të tyre.
S’vonoi shumë, dhe më 1948, në një mbledhje të fshehtë të katër kriminelëve më të regjur të byrosë politike, me Enver Hoxhën në krye, një i quajtur Manush Myftiu, emrohet Drejtor i Përgjithshëm i burgjeve dhe kampeve. E para punë që bëri ai qe krijimi i kampit famëkeq të Tepelenës, ku do të mbylleshin gjitha familjet e konsideruara të Mëdha të Veriut, bashkë me shumë familje të tjera, po të krahinave veriore, e ku përparësi pati Mirdita, ku shumica dërmuese qe gra, pleq dhe fëmijëve. Pra, krijimi i këtij kampi që t’i jepte fund një herë e mirë pranisë mbi tokë të atyre që partia e qeveria komuniste do t’i damkoste me emërtime nga më të ndryshmet, varg e vistër si: reaksionarë, borgjezë, tradhëtarë, të deklasuar, armiq, të interrnuar, kulakë, të shitur te imperializmi amerikan, carista, ballista, etj., epitete të këtij lloji.
Shoku “Manush” në mbledhjen e Beratit, 1944, kishte arritë të propozonte që “…me marrjen e pushtetit në dorë, t’i qërojmë hesapet me kundërshtarët duke i eliminuar fizikisht të gjithë nga 12 vjeç e lart…” Kjo s’ua kishte vrarë aspak veshin, shokëve të tij të luftës. Prandaj, shokët e partisë, duke ia njohut huqin e egër, ia besuan detyrën e drejtorit të burgjeve e të kampeve. I kishin gjetur kasapin vathën e dhenve. Një titull që i shkonte fort për shtat, pavarësisht se nga origjina i përkiste një familje fetarësh.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Ç’nuk ngjet në këtë botë! Edhe merhumi diktator vinte nga një familje hoxhallarësh!!!
Por krijimi i një kampi me përmasa të mëdha ku do të mbylleshin me mijra qenie njerzore te pafajshme (këtë e dinin mirë shokët e byrosë politike) me tipare shqiptare, kërkonte organizim paraprirës. Për këtë punë as që e vriste kokën shoku Manush. Si u vendos kjo punë, menjëherë u mobilizuan automjetet e ushtrisë, kamiona, për transferimin e të internuarve… Po ku? Po në Tepelenë! 40 kamionë për më se dymijë njerëz. Të intenuarit mbrritën në Tepelenë, duke paguar kurbanin e kësaj ngjarje, me dy të vdekur (çifti Petrela) e shumë të plagosur nga përmbysja e një kamioni…
Siç thamë, qeveria (shoku Manush) nuk kishte përgatitë asnjë lloj kampi të rregullt, por i përplasi të internuarit në disa kazerma gjysmë te shembura në Turan, të tjerë në Veliqot e të tjerë në Memaliaj. I futën njerzit më keq se bagëtia ndër këto kazerma, rifuxho, drejt e mbi shtresën e betonit. 500 gram bukë misri që vinte nga Berati, krejt e coptuar.
Ishte verë, gusht. Buka, e gatuar keq mykej menjëherë. WC e banjo s’kishte, uji me racion. Një rrëke që kalonte mes kampit, ishte krejt ndyrsira. Konditat higjenike zero. Mjekë asnjë, e mjekime hiç fare. Plasi dizanteria kolerike, dhe filluan të vdesin në masë pleq dhe fëmijë, njeri pas tjetrit. Shtatë në ditë vdisnin në tre kampet. Por një natë do të ndodhte më e hatashmja. Atë natë, mes lemerisë, vajtimeve, britmave dhe kujës së shumë nanave vdiqen plot 33 fëmijë! Po, 33 fëmijë të njomë! Shumica e grave ishin nana të reja, me foshnje në gji. Nana që mbetën kërcure, pa fëmijë edhe pa burra. Disa ishin vrarë, të tjerë ishin në arrati maleve, të tjerë jashtë shtetit. Dikush e bëri problem këtë situatë të paprecedentë. Atëhere u vendos që kampi të krijohej te kazermat italiane poshtë kalasë së Tepelenës, që ishte disi më i përshtatshëm, së paku i kishte disa struktura higjenike, kishte ujë, kazermat ishin të mirëmbajtura dhe ishin të pajisur me skela tre kate shtretërish prej druri. Kishte edhe një infermeri e një furrë buke.
Një mjek mund te vinte nga Tepelena herë pas here. Dhe kështu, të gjithë të internuarit u grumbulluan në atë kamp, i njohur botërisht si Kampi i Tepelenës.

Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

Pavarësisht nga këto përmirësime, vdekja vazhdonte të bënte përditë kërrdinë mbi krijesa të pafajshme. Të paushqyerit, të ftohtit, sëmundjet, veçanërisht dizanteria, mundimet, korrnin vdekje çdo ditë… shpejt fusha para hyrjes së kampit dhe para zyrave të policisë u mbush me varre të panumërta. Një “i madh i partisë” që kishte kaluar nga Tepelena, kur i kish parë gjithë ato varre dhe mori vesh se të kujt ishin, dha urdhër të hiqeshin shpejt dhe të degdiseshin diku tjetër, larg rrugës së makinave, larg syve të njerzve, që mund të ishin edhe të huaj.
Transferimi i varreve u bë te bregu i Bënçes, mbi urë e sipër. Me këtë lëvizje, një pjesë e mirë e varreve mbeti pa u çvendosë, sepse t’afërmit ose ishin liruar ose ishin transferuar në kampin tjetër famëkeq të Porto Palermos, degë e kampit të Tepelenës. Varret u hoqën edhe një herë tjetër, ato që s’i kish marrë lumi, u vendosën në një bregore në fund të kampit. Kështu u krye edhe zhdukja e varreve, që qeveria e partia të dilnin me duar të pastra.
Ndërkaq, sipas shokut Manush Myftiu, duhej krijuar puna e detyruar. Ata që konsideroheshin t’aftë për punë, ishin të detyruar të rraskapiteshin nga agimi deri në mbrëmje vonë në transportin në kurriz të druve, pllakave prej guri, plehut, gurëve të zallit, gra dhe burra. Këta të fundit më tepër në transportin në krahë të shtyllave të çdo lloj, shkurt me krye punën e mushkave e kuajve!!
Në Tepelenë pati edhe mjaft raste vdekje nga uria, ku i vdekuri në grahmën e fundit, në vend që të luste Zotin, psherëtinte bukë, bukë, bukë! duke shtrënguar pas gjoksit racionin e bukës që i binin t’afërmit.
Ajo që të binte në sy në Tepelenë, ishin gratë e fëmijët, që përbenin shumicën dërrmuese. Pastaj pleqtë e plakat. Shumë ishin edhe të rejat e të rinjtë të rritur ne kondita kampi, që ishin intenuar që më 1945 në moshën rreth 12-14 vjeç, e tani ishin 17-18 vjeç. Më pak ishin burrat, sepse shumica e tyre o mbushnin burgjet o arratinë. Në Tepelenë, nga 1950, filluan të sillnin edhe ata burra që kishin kryer dënimin fillestar me 5 vite burg.
Më 1952, i hoqën të gjithë t’aftit për punë, afro njëmijë vetë dhe i shpërndanë në punime ndërtimi, kryesisht Dega e Brendshme e burgje. Për një kohë i grumbulluan në fabrikën e Tullave në Tiranë. Vendin e tyre e zunë të internuarit nga jugu, që kishin qenë në kampet e Valiasit dhe të Krujës.
Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954… kohë kur të internuarit u grumbulluan masivisht në fushën e Myzeqesë, në kënetën e tharë të Tërbufit të Lushnjës, tashmë të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës 29 Nëndori, të cilët u krijua në sajë të krahëve dhe mundimeve të internuarve, tashmë të kthyer në skllevër të shekullit të njëzetë.
Shkrimtarët e gazetarë shqiptarë, duhej të qenë  marrë me këto ngjarje rrënqethëse që përfshinë krejt Shqipërinë gjatë regjimit gjakatar e barbar të diktaturës komuniste, dhe jo me dokrra politike të kota, me romane të pështira e të paemër, pa përmbajtje e pa kuptim, për të mos u shprehur më keq…
Marrë nga revista “KUQEZI” Nr. 33-34 e vitit 2007

Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)

 

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Skicat e panjohura që tregojnë jetën

në kazermat e kampit të Tepelenës

Nga arkivi i Ministrisë së Brendshme dalin skicat e realizuara nga Lekë Previzi, një ish i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, i cili u mbyll në vitin 1954.
Këto shtatë vizatime të realizuara nga piktori Lek Previzi, i dënuar politik në atë kamp, paraqesin një pamje të përgjithshme të jetës brenda kazermave të Kampit të Tepelenës, ku rrinin mbyllur të internuarit. Sipas statistikave të arkivit të Ministrisë së Brendshme, prej vitit 1945, që ishte dhe viti i parë i internimit, në këtë kamp vdiqën 260 njerëz, kryesisht fëmijë dhe pleq. Siç kujton autori i këtyre vizatimeve, Lekë Pervizi, kazermat e Kampit ishin të përmasave ciklopike, 25 x 14 m dhe ato mund të mbanin mbi 600 veta, mbasi kishte shumë familje me fëmijë të vegjël që zinin pak vend. Të gjithë të internuarit u vendosën në këto kazerma, rifuxho, drejt e mbi shtresën e betonit, dikur depo të ushtrisë italiane. “Prerje e një kazerme me skelet dykatësh, ku rrinin, poshtë familjet me fëmijë, lart të rritur e beqarë”, – kujton Previzi. Në Kampin e Tepelenës u dërguan të gjitha familjet e mëdha të Veriut, si dhe familje të tjera po të krahinave veriore. Sipas udhëzimeve, aty do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionarë, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar, agjentë të huaj etj. Në kampet e internimit në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto-Palermo dhe më pas në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, Pluk, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan familje të mëdha nga Veriu i Shqipërisë si: Kaloshët, Bajraktarët e Kukësit, Bajraktarët e Malësisë së Madhe, Gjonmarkajt, Manajt, Demajt, Kalajt, Previzët, Mirakajt, Sinët, Gashët, Lufajt, Dinejtë, Ndreu, Kupët. Ndërsa në kampet e internimit në Valias, Krujë, Lozhan, Maliq, Zvërnec, nga viti 1945 deri në vitin 1954, të internuarit ishin kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. “Ajo që të binte në sy në Tepelenë, ishin gratë e fëmijët, të cilët përbënin shumicën dërmuese. Pastaj pleqtë e plakat. Shumë ishin të rejat e të rinjtë të rritur në kondita kampi, që ishin internuar që më 1945-ën, në moshën rreth 12-14 vjeç, e tani ishin 17-18 vjeç. Më pak ishin burrat, sepse shumica e tyre mbushnin burgjet. Në Tepelenë, nga 1950-ta filluan të sillnin ata burra që kishin kryer dënimin fillestar 5-vjeçar”,-kujton Previzi. Po sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, të bëra publike në albumin “Terrori Komunist në Shqipëri”, nga viti 1945-1990, janë internuar gjithsej 48.217 burra dhe 10.792 gra. Nga qytete kryesore dhe nga zonat kufitare u dëbuan 11.536 familje. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë të Lushnjës, të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës ‘29 Nëntori’.
Këto skica të Lekë Previzit janë të vetmet dokumente të mbetura gjallë nga ai kamp ku vdiqën me qindra njerëz, shumë prej tyre fëmijë, gra dhe pleq. Shumë prej të internuarve në këtë kamp përfunduan në kampet e punës së detyruar në bonifikim, bujqësi, veprave industriale dhe kampet e punës së detyruar nëpër miniera. Sipas urdhrit të internimit të familjes Previzi, Lekë Previzi u internua në burgun e Tepelenës, për arsye se babai i tij u dënua në mungesë si kriminel lufte. Ish-komandant i forcave mercenare të Veriut, i ati u arratis pas çlirimit jashtë vendit. Familja Previzi qëndroi në internim deri në vitin 1990.
(marrë nga Mapo 2 maj 2013)

Related Images:

Artikulli paraprakLamtumira e fundit Tregim nga Lek Pervizi
Artikulli tjetërNji deklaratë (Paloka)… nji reagim (Deliallisi)… dhe nji opinion (Cika)
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.