back to top
33.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024

Hijeshia është një bimë e rrallë… tregim nga Alida Jolie

Gazeta

Metro ne Manhattan
Metro ne Manhattan

Hijeshia është një bimë e rrallë…

tregim nga Alida Jolie

Muzg. Shkurti sapo ka hyrë. Një shprehje më vjen në mendje: “Shkurti shkurton urët, marsi mbledh lëkurët!” Muaj i shkurtë, siç mban edhe emrin, me surpriza të këndshme e të papritura nga më të ndryshmet. Fundja çdo muaj mbart brenda vetes pak bukuri e befasi. Një si tip yin-yang për t’i mbajtur gjërat në balancë.
Mbrëmja shfaqet e bukur. Kjo po, ishte një surprizë mjaft e këndshme për dimrin. Kohë e butë me qiell të kristaltë. Bora e rënë para një jave qe shkrirë dhe pse tek-tuk kishin mbetur shënja të vogla si dëshmi e saj. Po edhe sikur të kishte ca më shumë borë, apo të bënte ca më ftohtë, nuk se do bënte ndryshim. Përsëri, qe një mbrëmje e bukur dimri.
Tashmë isha nisur për të kapur linjën e metrosë N që të çonte drejt Manhattan. Bashkë me mua ishin nisur dhe mendimet e mia, të cilat ishin ndalur te biseda e fundit me familjen. Një re e vranët trishtimi më sillej mbi kokë…
Trenat në oraret rush janë çmenduri e paimagjinueshme. Në dimër ndalesat dhe vonesat shumëfishohen. Kjo gjë jo vetëm që rrit dozën e pakënaqësisë tek udhëtuesit por, bën që edhe lëvizja nga njëri drejtim në tjetrin të jetë një përvojë që s’do ta përjetosh dy herë. Linjat e metrosë janë si ato lidhjet love-hate që s’bëjnë dot pa njera-tjetrën.
Ankesat janë të vazhdueshme, çmimi rritet ndërsa shërbimi le për të dëshiruar. Mirëpo, sërish gjendemi të ulur në ndenjëset e trenave pa bzajtur dhe pse nëpërdhëmbë urrejmë sistemin jo-funksional të këtij transporti publik.
Linja N ndalet tek stacioni qendror Times Square. Ndoshta më i madhi, më i zhurmshmi dhe më i ndoturi nga gjithë të tjerët. Qindra mijra persona hyjnë e dalin nga ky stacion, i cili ngjan si një liman i madh ku ankorohen të gjitha anijet përpara se të nisen në ekspeditat e tyre plot me njerëz të kulturave nga gjithë bota. Ky stacion është si një pikëtakim a referim mes lindjes e perëndimit, pjesës së poshtme e të epërme të Manhattan.
Zbres nga treni dhe nisem për nga hyrja që të lidh me linjën e kuqe ekspress. Treni ekspress është gati në nisje. Rend me vrap poshtë shkallëve, por dyert e metrosë mbyllen para meje. Një “ah” më del nga shpirti. Kthej kokën dhe kap vështrimin e konduktorit dhe i bëj një shenjë me duar “pleaaase”. Fap dyert hapen si me magji. Buzëqeshja hap edhe varrin e jo më dyert e metrosë. Në shenjë mirënjohje i jap një të puthur me dorë dhe fluturimthi hyj brenda. Mbas meje nxitojnë dhe dy veta të tjerë. Një burrë dhe një grua.
Vagoni ishte përplot me njerëz. Vend për t’u ulur as bëhej fjalë. Rri në këmbë e mbështetem te një cep. Personat që ia behën pas meje ishin të fundit që ciknin portën. Ishim gati si të “përqafuar” pa dëshirë dhe pa qëllim. Burri që ishte afër meje nis muhabetin sikur të ishim të njohur.
-Sa mirë që u ndodha pas teje sepse porta u hap si me magji kur konduktori të pa ty.
Buzëqesha lehtë dhe e pyes, si kështu?
-Eshtë fat kur je femër e bukur.
-Faleminderit ia kthej me mirësjellje. Po të mos isha femër tërheqëse nuk do më hapej porta? Kjo s’do ishte diçka e këndshme të thuhej apo jo?
-Jo vetëm e bukur, por jeni edhe me hijeshi – thotë tjetri. Hijeshia është një bimë e rrallë në këtë qytet. Këtu sheh femra të sofistikuara por gërshetimi i sofistikimit dhe hijeshisë janë pak si vështirë. Ju i përvetësoni të dyja.

Bisedë nën drita dhe shi...
Bisedë nën drita dhe shi…

Nuk mund ta mohoj që m’u bë qejfi nga konstatimi i tij. E ndiej që një buzëqeshje më është përhapur në fytyrë. Faleminderit i them, sërish.
-Jeni prej këtu? – më pyet i panjohuri.
-Tund kokën në shenjë pohuese.
-Hmm… interesant, tek vazhdon me idenë e hijeshisë dhe elegancës.
-Pse nuk gjendet hijeshia në këto vise, vijoj unë?
-Natyrisht, por tek ju është ndryshe.
-Eh po, mbart aromë Europe ia kthej.
-Ah, ashtu po! – thotë ai me buzëqeshje.
-Aksenti im më lë në baltë sado që mundohem ta asimiloj. Ai fillon të hamendësojë prejardhjen time duke përmendur vende si Lituania, Praga…
– Jo, – i them.
I jap një ndihmë të vockël dhe i them që të përqëndrohet më afër Mesdheut.
-Francë, Itali, thotë ai.
Ndërkohë, ndalet tek Lituania dhe zë rrefen për një mësuesen e tij të muzikës, e cila i kishte mësuar pentagramin, notat muzikore, sesi të lexonte muzikë, prezantimin me kompozitorët e muzikës klasike e shumë si këto. Kjo kur ai ishte në moshën katër vjeçare e kishte zgjatur deri vonë kur ishte rritur. Në ato pak minuta përmendi fisnikërinë, elegancën e rrallë që posedonte, gjuhën e komunikimit, dashurinë për muzikën, artin e letërsinë, dhe sesa shumë mbresë kishte lënë kjo zonjë tek ai. Ai ruante respektin dhe mbante ende lidhje me mësuesen e tij që tashmë i kishte arritur të nëntëdhjetat.
Konduktori njofton stacionin tim. Më erdhi keq që ia ndërpreva rrëfimin, por më duhej të zbrisja. Përshendes gjithë përzemërsi këtë të panjohur që i dha një nuancë tërësisht ndryshe mbrëmjes sime. Bëj për nga dera me buzëqshje që më është stampuar në fytyrë dhe ndjesinë e butë në shpirt që mora nga ky shkëmbim i shkurtër me burrin që ngjasonte si Samuel Jackson.
Dal në rrugë dhe një erë e lehtë më shpupuris flokët. Nisem drejt Broadëay me hapat e lehtë si pupël. Një tingull i ri më shoqëron me vargun e zotërisë kët mbrëmje në trenin ekspress: “Hijeshia është një bimë e rrallë në këtë qytet…!”
Shkurt 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.