back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Heraldika Shqiptare nga Jaho Brahaj

Gazeta

Heraldika Shqiptare
Heraldika Shqiptare

Heraldika Shqiptare

nga Jaho Brahaj

Studiuesit janë të mendimit
se në Ballkan, së pari tek arbërit
filloi të praktikohet heraldika.

Studiuesi Jaho Brahaj
Studiuesi Jaho Brahaj

Heraldika si disiplinë e ka fillimin e praktikimit në Europë në shekullin e XI, kohë kur filluan të kristalizohen rregulla në paraqitjen e simboleve në armët ushtarake, vulat dhe flamujtë e feudalëve, shteteve e koalicioneve ushtarake. Këto rregulla fillesën e kanë në karakterin praktik, që të lehtësonin identifikimin e forcave ushtarake në fushat e bëtejës ku simbolet që mbanin në mburoja dhe në flamurët e tyre e bënte të lehtë njohjen e reparteve ndërmjet tyre dhe kundërshtarit dhe lidhjet me komandantët e tyre. Këto simbole që në fillim u praktikuan për qëllime identifikimi më vonë u zhvilluan edhe në drejtimin artistik të tyre dhe në momentin që ata filluan të krijonin rregullsi njohje e individualiteti të feudalëve, shteteve etj. Kjo tërësi rregullash u kristalizua në disiplinë e cila duhej njohur nga bashkëkohasit për nevojat e organizimit politik, ushtarak e shoqëror.
Kjo disiplinë u emërua “heraldikë” nga emri i atij personi që kishte detyrë të njihte këtë rregullsi tek fqinjët, eprorët e feudalit që i shërbente, të vasalëve të tij dhe të mbretit nga i cili varej.

Stema Heraldike e Durresit
Stema Heraldike e Durresit

Heraldi

Heraldi kishte detyrë të drejtonte ceremonitë e oborreve, të mbante të vizatuara emblemat, vulat dhe flamujt e të gjithë atyre që kishin të bënin me zotin e tij. Emblemat heraldike ishin tashmë të përcaktuara qartë në ndryshim nga periudha paraardhëse ku kushdo, pa një rregullsi mbante simbole të ndryshme si në kohë dhe territor, por edhe brenda të njëjtit formacion politik e shoqëror. Emblemat ndryshonin, por tashmë me rregullsi dhe të shpallura publikisht. Ndryshimet bëheshin për arsye të zgjerimit ose zvoglimit të territorit, të vasalitetit në të cilin i përplaste jeta, nga lidhjet me krushqi, nga aleancat dhe nga ndarja e një dere në dy apo më shumë degë. Në Shqipërinë mesjetare kemi raste nga të gjitha këto raste të ndryshimit në vazhdimsi të emblemave. Nga martesa e Andrea Topisë ndryshoi stema e tij duke përqafuar edhe simbolet e mbretërisë së Francës, dhëndër i të cilit u bë. Me njohjen e derës së Muzakajve titulli despot, ajo futi në përdorim elemente të simbolit perandorak, shqiponjën dykrenare, të cilës i shtoi yllin gjashtëcepash të Balshajve nga kishte varësi. Në këtë vazhdë nipi i Skënderbeut, i cili u hyri në hierarkinë kishtare, u detyrua që simboleve të emblemës trashëguese t’i shtojë dhe trekëndëshin, simbol i trinisë së shenjtë dhe ndryshime në ngjyra etj.
Në trojet shqiptare heraldika u zhvillua dhe praktikua që në fillimet e saja në Europë, si rezultat i kontakteve me ushtritë europiane të kryqzatave që zbritën në bregdetin Adriatik. Këtë fakt e kanë pranuar studiuesit e heraldikës, por e kemi të mbështetur dhe me dëshmi monumentale heraldike. E shekullit XII është Emblema Heraldike e Shtetit të Arbërit e zbuluar në Gëziq (Mirditë), po ashtu e kësaj periudhe është emblema e vjetër e Muzakajve që mban një burim uji dhe dy pishtarë. Për përqafimin e disiplinës heraldike, tek arbërit ndikuan shumë faktorë ekonomik e kulturorë por po veçojmë vetëm dy nga këto. Në këtë periudhë, për vetë pozicionin në të cilin ndodhej, vendi ynë njohu një zhvillim ekonomik e shoqëror. Në një udhëpërshkrim të fillimshekullit XIV shkruhet: “Vendi (Arbëria) është i ndarë midis princave të vendit të cilët e sundojnë vetë pa ju nënshtruar kërkujt…”. Albanologu kroat M. Shuflay shkruan: “…Ndër tokat shqiptare heraldika u përdor heret në ceremoni e kancelari… qysh në kontaktet me Anzhuinët dhe kalorësit francezë…”
Në drejtim të zhvillimit të artit në truallin tonë, në fillimin e mijëvjeçarit të dytë kemi monumente kulti me vepra arti e mbishkrime të gjuhëve greke e latine që pa u zgjatur tregonin se vendi ishte në një lulzim të artit e kulturës ku gjallëronin si ndikimet kulturore të perëndimit dhe të lindjes që njiheshin.
Për zhvillimin e heraldikës ndikoi edhe ndërgjegjja e arbërve, si vazhduese e lashtë në trojet e veta, ku ishin ruajtur në mitologji, tregime e gojëdhana, ornamente veshjesh etj. simbole të parardhësve që nga lashtësia të cilat të konkretizuara ishin dhe në monumentet që ruheshin në çdo cep të truallit tonë. Pra si popull kishim një trashëgimi simbolesh shumë të pasur, e cila gjallonte në objekte të kulturës materiale bashkë me shpjegimin mitik, ritual etj.
Nga ato të pakta monumente të fillimeve të heraldikës shqiptare që ruhen, shpaloset hapur se kjo disiplinë njihej mirë me të gjitha rregullat e saja që në shekullin XII dhe ishte frut i një shoqërie që kishte oborre feudale me njerëz me kulturë e artistë të nivelit të lartë artistik. Emblema e Shtetit të Arbërit e shek. XII, ishte e vendosur në një ansambël arkitektonik me vlera artistike dhe mbishkrimi që e shoqëron është latinishte e sferave të larta kulturore të kohës, dhe emblema është e një cilësie që tregon dorën e një artisti të vërtetë.
Stema heraldike e Topiajve e shek. XIV, që ruhej në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, Elbasan (sot në Muzeun Kombëtar Tiranë), është sipas gjitha rregullsive heraldike që kishte kjo disiplinë në atë përiudhë. Ajo është gdhendur nga mjeshtëri vendas Dhimitër Spada, shoqërohet me mbishkrimin në tre gjuhë: latinisht, greqisht e sllavisht që tregon se edhe kasneci (heraldi) i kësaj dere fisnike shqiptare, ishte me një kulturë të lartë dhe artist i vërtetë.

Stema e Skurajve - Muzeu Kombetar
Stema e Skurajve – Muzeu Kombetar

Stema

Më që përmendem fjalën stemë, duhet të dimë që kjo kupton fazën më të lartë të zhvillimit artistik e disiplinor të heraldikës. Në fillim ishin përbërës të heraldikës vetëm forma e shqytit dhe simboli (një ose disa) të paraqitura në ngjyra dhe më vonë kësaj baze iu shtuan edhe elementë të tjerë, po simbas një rregullsie të përcaktuar. Tërësia e këtyre elementëve dekorativo – artistik u quajt stemë. Por nuk ka heraldikë pa bazën e saj, që është emblema (simboli) e cila i plotëson kriteret disiplinore edhe kur është e vetme pa shtesat e mëvonshme. Psh. i plotëson kërkesat e heraldikës edhe emblema e Arbërit që ka vetëm simbolin shqiponjë, po ashtu si dhe emblema e Topiajve që ka simbolin në shqyt, helmetën, kreshtën, kurorën, pëlhurën dhe pendët.
Në po këto shekuj heraldika u përqafua krahas klasës së bujarëve, edhe nga shtetet, qytetet, bashkësitë shoqërore e fetare dhe artizanati. Vendi ynë njohu zhvillim të heraldikës në të gjitha këto drejtime.

Monumentet Heraldike

Monumentet heraldike që ruhen në truallin autokton shqiptar janë të pakta për arsyet që dihen p.sh pushtimi pesë shekullor osman zhduku qytete e dogji krahina, por pushtuesit e armiqtë tanë kanë punuar sistematikishtë për zhdukjen e këtyre monumenteve që dëshmonin fazën e lartë të qytetërimit të kombit tonë në mesjetën e vonë. Nga pushtimi i serbëve, në vitin 1912, u zhdukën tre emblema në kalanë e qytetit të Lezhës, po nga trazirat e këtij fillim shekulli u zhduken disa emblema nga muret e kështjellës së Durrësit, gjatë gjysmës së parë të shek. XX u zhduk emblema me shqiponjën dykrenare në Jabllanicë (Kosovë), në vitin 1912 u grabitën gurët e disa varreve monumentalë nga serbët në periferi të Tetovës, gjatë trazirave të vitit 1997 u zhduk emblema e Shtetit Shqiptar të Skënderbeut në portën e kështjellës së Himarës e mundet të rendisim dhe fakte të tjera të njohura. Për fat na janë ruajtur në truallin tonë emblema e Skurajve, Engjëllorëve, Topiajve, e Kastriotëve, Gropajve, Shtetit të Arbërit e disa emblema të tjera të gdhendura në gur ose të pikturuara. e disa të tjera të pa identifikuara nga studiuesit.

Stema e Mirdites
Stema e Mirdites

Emblemat e Ruajtura

Nga faza e parë e zhvillimit të kësaj disipline, heraldika shqiptare sot njihen emblemat e fisnikëve Balsha, Muzaka, Topia, Skuraj, Bue Shpata, Engjëllorët, Bukja, Araniti, Buzezi, Dukagjini, Dushmani, Gropa, Himara, Kopili, Matranga, Tribaldi, Zakarija, Spani etj. Nga dinastitë arbërore kemi emblemat e Kastriotëve, të Shtetit të Arbërit të shekullit XII dhe emblema e “Mbretërisë Shqiptare” nën sovranitetin Anzhuinëve e fundit të shek. XIV etj. Zhvillimi i shoqërisë shqiptare pësoi një frenim si rezultat i pushtimit otoman që fisnikërinë shqiptare ose e përndoqi nga atdheu, ose e detyroi të bëhej vasale të Portës së Lartë, e cila nuk njihte as nuk lejonte heraldikën. Në këto shekuj robërie si e gjithë kultura kombëtare pësoi goditje edhe heraldika e cila ishte faktor dhe tregues i zhvillimit kulturor e shoqëror i kombit tonë përkrah vendeve europiane.
Faza e dytë e heraldikës shqiptare është e shekujve XVI-XVI, kur afirmohen në ngjarjet historike pinjoj të dyerve arbërore në shërbim të shteteve perëndimore e në fusha të ndryshme kulturore, shkencore e fetare të rilindjes europiane, të cilat arritën t’i ruajnë e të fitojnë tituj të fisnikërisë. Disa nga këto dyer të para shqiptare mbajnë tituj fisnikërie të trashëguara nga atdheu si dera fisnike De Rada, Kladha, Maruli, Ralli, Vlora, por nuk dimë për shekujt e mëparshëm si ishin emblemat e tyre. Na shfaqen në këto shekuj fisnikëria shqiptare e afirmuar e njohur nga oborret e perëndimit: Peta, Marmora, Makri, pasardhës të Aranitëve e Muzakajve. Bokali, Basta etj, të cilat u shquan në fushën ushtarake e administrative. Nga dyert fisnike shqiptare u shquan në hierarkinë kishtare shumë pinjoi që ju a njohim emblemat, të cilat shumë elementë të simboleve i trashëguan nga emblemat e paraardhësve të shekujve XIII-XV si Konstandin Kastrioti, Bogdani, Mekajshi, e disa të tjerë që i fituan titujt më vonë si Vulgari, Lapacaja, Parrino etj. Në fushën e kulturës, shkencës e artit u dalluan pinjoj të dyerve të vjetra shqiptare, jashtë trojeve të tyre dhe që trashëguan ose fituan tituj fisnikërije dhe ju a njohim emblemat Gjon Gazullit, derës Karajani, Maruli, etj.
Zhvillimi ekonomik, kulturor e legjislativ i Arbërisë në shekujt e para pushtimit otoman kristalizoi forcimin e zhvillimin e shumë qyteteve shqiptare të cilat disa kishin vazhdimësi që nga kohët e lashta si Shkodra, Lezha, Durrësi, Prizreni, Janina, Ulqini, Berati, Janjeva, Vlora, por krahas tyre linden e u zhvilluan në një hap me qytetet e vendeve europiane edhe Danja, Zvaqi, Drishti, Shurrdhahu. Me këtë zhvillim që patën këto qytete arritën të kenë statutet e emblemat e tyre. Nga këto ne sot njohim emblemat e qyteteve Shkoder, Ulqin, Lezhë, Artë, Zvaq (Shasi i sotëm), Drisht etj.

Vulat

Objekt studimi të heraldikës janë edhe vulat që ishin të domosdoshme për aktivitetin e kancelarive të oborreve e të shtetit mesjetar shqiptar. Nga ato të dhëna të pakta, kjo edhe për mungesë studimesh e gjurmimesh na janë ruajtur dhe kemi dëshmi për këtë fushë që në literaturën shkencore quhet sfragjistikë. Kemi dëshmi grafike për vulën e Gjon Kastriotit, vulën e Gjergj Strazimir Balshës dhe kemi dëshmi por nuk e njohim paraqitjen grafike të tyre për vulën e qytetit të Durrësit, të qytetit të Himarës, të Ulqinit, Tivarit, Lezhës. Edhe gjatë pushtimit turk vazhduan të ruajnë për korespodencën e tyre vulat peshkopët si Bardhi, Mekajshi që në emblemat e tyre kishin simbolin e derës fisnike që i përkisnin etj. Por shumë e rëndësishme në këtë drejtim është se njohim vulën e Kryezotit të Shtetit Shqiptar të shekullit XV, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e cila ruan edhe simbolin e flamurit tonë kombëtar. Nga Kuvendi i Dukagjinit i vititeve 1601-1602, ku morën pjesë përfaqsues nga 13 krahina, që nga Kosova, Dukagjini, Shpati e Myzeqeja në përpjekje për çlirim nga pushtuesi, aktet i vulosën me vulën e cila na ëshë ruajtur forma grafike e saj. Ajo ka mbishkrimin: “Sigillum Regni Macedoniae et Albaniae”, Vula e Mbretërisë Maqedonisë dhe Shqipërisë e cila ka edhe ajo në mes shqiponjën dykrenare të trashëguar dhe bashkudhëtare e shqiponjës së flamurit të kombit tonë.

Stema Mbretërore e Kastriotëve
Stema Mbretërore e Kastriotëve

Flamujt

Në mesjetë dyert fisnike kishin dhe flamurët e tyre që kryesisht kishin të njtëjtin simbol si emblemat heraldike. Me krijimin e Shtetit Shqiptar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës me 2 mars 1444 edhe kombi ynë unifikoi e njohu si flamur të tij flamurin që deri athere ishte i Dinastisë Kastrioti. Në luftë të gjithë repartet e fisnikëve shqiptarë mbanin flamurët e tyre, por në ballë të luftës e të ceremonive të tjera ishte flamuri i mbarë kombit. Simbas hulumtimeve dhe dëshmive arkivore shqiptare dhe të huaja, flamuri kombëtar shqiptar, megjithëse i ndaluar nga pushtuesit, u ruajt e praktikua në ngjarje historike të krahinave të atdheut tonë pa ndërprerje deri më 28 nëntorin e 1912.
Në drejtim të heraldikës së bashkësive artizanale shqiptare mesjetare, shpesh përmenden në dokumente e udhëpërshkrime se bashkësitë e ndryshme të qyteteve kishin flamuj të veçantë. Njohim konkretisht emblemat e hekurpunuesve të Pejës, të tabakëve (lëkurpunuesve) të Elbasanit dhe emblemën e mjeshtërve të punimit të armëve në Hajmel (Shkodër). Nga shoqatat e klubet kulturore, atdhetare e botuese të periudhës së rilindjes njohim shumë emblema si nga ato brenda dhe jashtë atdheut nga fotot e botimet. Për fat na ruhet e qëndisur e krijuar nga Marubi emblema e Klubit Gjuha Shqipe e vitit 1908.

Vula e Skenderbeut
Vula e Skenderbeut

Terminologjia

Sot nuk kemi tekste të shkruara në gjuhën shqipe për shekujt XII-XV që të njohim terminologjinë e kësaj disipline të popullit tonë. Por nga gjuha e folur dhe të periudhës kur shqipen e kemi të dokumentuar, kemi pasuri dhe terminologji të pasur shqipe. Në zonat e thella, ku pushtuesit kishin pushtet të kufizuar, kemi në përdorim për disa pinjoj të dyerve fisnike fjalën Zoti, zotërinjët (p.sh. Zotnit e Iballës), që gjuha e jonë i përdor për të cilësuar dyert e para. Tek xhupeta e veshjes popullore të Mirditës dhe Matit është e ruajtur e qëndisur emblema e Kastriotëve dhe quhet “maroja”, që ruhet bashkë me emrin e mburojës ku vendosej. Pjestarët e dyerve të mëdha, si na e dokumenton edhe F. Bardhi, por edhe goja e popullit, quhen “fisnik” e “bujar”. Termi bujar është ruajtur deri sot tek arbëreshët e Italisë në formën “buljar”. Termi “kasnec” është i gjuhës shqipe dhe i përgjigjet termit të përdorur në Europë “herald”. Ky term është me shumë rëndësi e tregues se qysh në fillimin e praktikimit të heraldikës në Arbëri ekzistonte terminologjia në gjuhën tonë për këtë disiplinë. Nga Bogdani kemi termin “shqyt” për mburojën, dëshmi që vërteton që edhe fjalët e huazuara, shqipja ia kishte përshtatur strukturave morfologjike të saja. Emblema shqiptare të shekujve XII-XV ruhen në katalogje të ndryshem të arkivave private e shtetërore të Europës, të cilat shumë pak janë të njohura. Heraldika shqiptare është pak e studiuar, deri tashmë vetëm sa janë bërë hapat e para.
http://www.forumishqiptar.com/threads/24785-Heraldika-Shqiptare

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.