back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

100 vjet nga themelimi i “Krahinës Autonome të Korçës” nga Klodi Stralla

Gazeta

100 Vjetori i Republikës Autonome të Korçës
100 Vjetori i Republikës Autonome të Korçës

100 vjet nga themelimi i “Krahinës Autonome të Korçës”

nga Klodi Stralla

10 dhjetori i këtij viti, për qytetin e Korçës në veçanti, por edhe për mbarë kombin shqiptar, shënon 100 vjetorin e krijimit të “Krahinës Autonome të Korçës”, një vepër politike pragmatiste dhe largpamse e patriotëve korçarë, me në krye Themistokli Gërmenjin, që ne situatat shumë të ndërlikuara të LPB, kur territori shqiptar ish bërë shesh lufte midis palëve ndërluftuese, ditën te negociojnë e manovrojnë për të mbajtur gjallë ndjenjën kombëtare dhe veprimtarinë shtetërore shqiptare të Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen e Francës.
Pa dashur të bëj histori, në një cikël komentesh të shkurtra, do të mundohem t’u përcjell, situaten tejet të ndërlikuar në të cilen duhet të manovronin patriotët korçarë, duke luftuar njëherazi si ndaj shovinizmit grabitqar grek, edhe ndaj fuqisë austro-hungareze, edhe ndaj interesave franceze në rajon, por edhe ndaj elementit vendas, kishës greke dhe shqiptarëve grekomanëe të qytetit.
Qe nga 6 dhjetori i 1912-ës, ditës me borë të Shën Kollit, kur qyteti i Korçës u pushtua nga ushtria greke kostandiniste, duke përzenë garnizonin turk, në kuadër të Luftës Ballkanike. 6 nëntori i 1916, ishte e treta herë që ushtria greke përzihej nga qyteti, kësaj here nga trupat ushtarake franceze të kolonelit Decoin, pjesë e armatës së Lindjes së gjeneral Sarait, me qendër në Selanik.
Territori shqiptar ishte i gjithi i pushtuar nga palët ndërluftuese: Gjithë Shqipëria veriore nga forcat austriake, ndërsa zona e Pogradecit, Ohrit dhe Manastirit, nga forcat austriake dhe bullgare; Jugu, me qendër Gjirokastrën, nga italianët, ndërsa Kazaja e Korçës, që përmblidhte Kolonjën, Devollin, krahinat malore të Gorës dhe Oparit, që nga 6 nëntori 1916, gjendej nën pushtimin francez…
Ka nje rregull: kur një ushtri pushtuese okupon një vend: ose vendos aty një “Regjim pushtimi”, duke ngritur një Komande ushtarake të vetën, me fuqi civile, ushtarake dhe gjyqësore, ose vendos një “Regjim civil” vendas, nën kontrollin e saj, duke i deleguar autoriteteve vendase kompetenca të gjera në fushën e administrimit të jetës, si tregëtinë, arsimin, shëndetsinë, jetën civile në përgjithësi.
Patriotët korçarë, duke pare tek Franca një fuqi ushtarake miqsore, me regjim të përkohshëm, që kish okupuar territorin e kazasë për nevojat e luftës, e duke evidentuar si rrezik real vetëm faktorin grek, me synime të qarta aneksuase për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, bashkëpunuan me autoritetin ushtarak frëng duke i mundësuar Krahinës së Korçës të administrohej sipas statusit të dytë, asaj të Autonomise vendore, nën mbrojtjen e Francës.
Ja si e përshkruan në kujtimet e veta ditën e 10 dhjetorit 1916, një nga bashkëkohësit, Nikollaq Zoi, pjesëmarrës në qeverimin e qytetit: “…Mëngjezin e 10 dhjetorit, ditën e dielë, një ditë e kthjellët e plot diell, sikur edhe natyra kremtonte, populli i tërë, burra e gra, të rinj e fëmijë, u grumbulluan më të djathtë e më të mëngjër në Bulevardin e Shën Gjergjit, ku ishte edhe shtëpia e Themistokliut dhe pak më poshtë qendra e komandantit frëng.
Rreth orës 10 para mesdite, Themistokliu me buzëqeshje dhe i lumtur, i rrethuar nga shokët e tij, u drejtua në kopshtin e Shën Gjergjit, që ishte në oborrin e faltores, dhe pasi mbajti aty një fjalim të shkurtër, së bashku me 14 anëtarët e Këshillit administrative, që përfaqësonin popullin e Korçës, vajti në banesën e Komandantit frëng, që ishte karshi faltores së Shën Gjergjit, ku e priste koloneli me shtatmadhorinë e tij.
Në sallën e Prefekturës u mbajt fjalimi që vijon: “Ne, të zgjedhur nga populli shqiptar, deklarojmë përpara përfaqësuesit të Francës që Kazaja e Korçës, bashkë me Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën formojnë një qark më vete, të administruar nga nëpunës shqiptarë. Ju lutem të na vini nën mbrojtjen e autoritetit ushtarak frëng…”
Koloneli Decoin u përgjegj si vijon: “Më shfaqte tashti dëshirën e popullit shqiptar të Kazasë të Korçës që të jetoni të lirë dhe kërkoni mbrojtjen e ushtrisë franceze. Si përfaqësues i Komandantit francez pranoj dëshirën tuaj. Deklaroj pra se, që sot 10 dhjetor 1916, Kazaja e Korçës, bashkë me Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën u formua qark me vete, i administruar nga nëpunës shqiptare, nën mbrojtjen e autoritetit ushtarak frëng!
Pas kësaj, të 14 delegatët korçarë dolën në ballkonin e ndërtesës dhe midis brohorimave të popullit që priste përjashta, Themistokliu ngriti me madhështi flamurin shqiptar dhe mbajti një fjalim të shkurtër.

Administrata e qytetit te Korçes dhe Kolonel Descoins 10 dhjetor 1916
Administrata e qytetit te Korçes dhe Kolonel Descoins
10 dhjetor 1916

Protokolli mbi Krahinën Autonome të Korçës.

Më poshtë po ju paraqes “Protokoll Marrveshjen” që përfaqësuesit e popullit të Korçës nënshkruan me Autoritetin ushtarak francez të qytetit, në datën 10 dhjetor 1916.

Neni 1.
Në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar të shprehur nëpërmjet delegatëve të tij, Kazaja e Korçës me rrethet e varura prej saj, të Bilishtit, të Kolonjes, të Oparit dhe të Gorës formohet si krahine autonome e administruar nga nëpunës shqiptare nën mbrojtjen e pushtetit ushtarak francez.

Neni 2.
Administrata e kazasë i besohet një Këshilli prej 14 anëtarësh, gjysma të krishterë dhe gjysma myslimanë.
Ky këshill ngarkohet:
1)Të marrë të gjitha masat e nevojshme për një administrim të mirë të Kazasë së Korçës dhe të rretheve të varura prej saj;
2)Të kontrollojë funksionimin e të gjitha shërbimeve publike.

Neni 3.
Këshilli do t’i parashtrojë për miratim pushtetit ushtarak francez emrat e titullarëve të nëpunësive të ndryshme. Emërimet për këto nëpunësi do të bëhen nga pushteti ushtarak francez.

Neni 4.
Do te krijohet, nën autoritetin e një Prefekti të Policisë, një trupë xhandarmërie – policie me detyrën për ruajtjen e rendit të brendëshëm.

Neni 5.
Do të krijohet një trupë “xhandarmarie e lëvizshme shqiptare” me detyrën që të ruajë pavaresinë e territorit dhe lirinë e banorëve të saj.

Neni 6.
Do të mund të krijohen gjithashtu, për të njëjtin qëllim, njësi të rregullta vullnetarësh, efektivi i të cilave do të varet nga rrethanat dhe nga kreditë e disponushme.

Neni 7.
Kur do të urdhërohen të veprojnë, forcat e policië, xhandarmëria lëvizese dhe trupat e vullnetarëve, do të jenë nën autoritetin e epërm të oficerit francez, që është komandant i rrethit të Korçës.

Neni 8.
Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.

Neni 9.
Flamuri i kazasë së Korçës do të jetë flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat tringjyrësh të flamurit francez.
Për Autoritetin ushtarak francez: kol. Decoin.

Shpallja e Republikes Vetqeveritare te Korçes (10 dhjetor 1916)
Shpallja e Republikes Vetqeveritare te Korçes
(10 dhjetor 1916)

Për popullsinë, 14 delegatë, si më poshtë: Vasil Singelo, Vasil Kondi, Koço Noçka, Rafail Avrami, Nikollaq Evangjeli, Thimaq Cali, Llambro Mborja, Sali Babani, Emin Rakipi, Shaqir Shabani, Hysen Dishnica, Haki Shemshedini, Qani Dishnica, Tefik Rushiti.
Këshilla e administratës, në të parën mbledhje që bëri, ditën e 10 dhjetorit pasdreke, përveç komisionit financiar emëroi edhe kryesekretarin e saj z. Petro Harizi.
Kryesimi i Administratës do të bëhet çdo muaj, me sistem rotacioni, për secilin anëtar të këshillit.
Korçë, me 10 dhjetor 1916

Qeverisja vendore

Nga pikpamja ligjore Krahina Autonome e Korçës kishte tiparet e një shteti: kish një territor të përcaktuar, një organ legjislativ (këshilli vendas + autoriteti ushtarak francez), një organ ekzekutiv (administratë) dhe një gjykatore (civile dhe penale). Kish monedhën e vet (frangun shqiptar), emetonte pulla (poste dhe taksë), si dhe dogana (postë kufitare)
Këshilli administrativ – Ishte organi legjislativ, aktet e të cilit që të hynin në fuqi duhet të miratoheshin paraprakisht nga Komandanti francez i Krahinës. (E ngjashme me marrdhëniet midis Parlamentit dhe Presidentit)
Përbëhej nga 14 anetarë, gjysma të krishterë dhe gjysma myslimanë.
Kryesohej nga njeri prej anëtarëve, me rrotacion çdo muaj. Merrte pjesë edhe një përfaqësues frëng, i deleguar nga Komandanti ushtarak.
Këshilli votonte buxhetin, përpilonte ligjet që nevoiteshin sipas shërbimeve të ndryshme, përcaktonte pagat e nëpunsave, si dhe tarifat doganore apo taksat lokale. Administrata civile shqiptare nga 10 dhjetori 1916 deri në 17 shkurt 1918, përbëhej nga:
-Qeveria (Administrata) – Ishte një organ ekzekutiv dhe përbëhej nga disa degë, si më poshtë:
-Prefektura e Policisë – Kryesohej nga Prefekti, një kryesekretar, një përkthyes, 15 policë dhe 200 gjindarmë policie. Ajo përgjigjej për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në krahinë. Themistokli Gërmenji u caktua Prefekti i Policisë.
-Drejtoria e Financave – Kish në vartësi doganat, pyjet, postën, hambaret, qymyrin e gurit. Shtypte të holla, pulla poste, pulla takse. Ajo ishte shërbimi më kryesor i qeverimit. Mbante kontabilitet për çdo shpenzim dhe të ardhur që krijohesh në krahinë. Kryefinancier ish Nikollaq Zoi.
-Arsimi – Administronte shkollat shqipe të krahinës. Kish një drejtor, 2 shkronjës dhe 3 inspektorë. Drejtor i parë ka qenë V. Pula.
Për vitin 1917, kemi 57 mësues në qytete dhe 40 në katunde. Librat shtypeshin në dy shtpshkronja që kish atëhere Korça. Ne shkollat e qytetit, krahas shqipes u futën edhe disa orë frëngjisht, deri në nëntor 1917, kur çeli dyert e tij Liceu frëng.
-Ushqimi – Ky shërbim kish një drejtor dhe 3 shkronjës dhe nëpërmjet kontrollorëve që vareshin nga Prefekti i Policisë evidentonte sasinë dhe cilesinë e lëmenjve (grurit) për të garantuar bukën e popullatës dhe vjeljen e tatimit për prodhuesit (bujqit).
Për kushtet e vështira të prodhimit dhe për të shmangur spekullimet e tregëtarëve vepronte një sistem rekuizimi (grumbullim i detyrushëm), që pasi i linte fshatarit grurin për farë dhe për nevojat ushqimore të familjes, pjesën tjetër, tepricën, qe i detyruar t’ia dorëzonte shtetit, me çmim të përcaktuar. Një regjim i tillë kontrolli vepronte edhe për sheqerin, orizin, vajin, etj, duke garantuar mallrat në treg nga spekullimi i mundshëm i spekullatorëve.
-Posta – Qeveria emetonte pullat e saj. Stampa u përgatit nga patrioti argjendar Ilo Dhimitri. Posta varej nga drejtoria e financave.
-Gjykatorja – Kishte një kryetar, dy gjykatës, një prokuror, një kryesekretar, 4 shkronjës dhe 2 ftuesa. Për krimet penale u krijua “juria”. Vendimet jepeshin në “Emër të Popullit”
-Gjindarmëria lëvizore – ishte një trupë ushtarësh që luante rolin e mbrojtjes së krahinës nga kërcenimet që mund t’i vinin asaj nga fqinjët kufitarë. Nën komandën e një oficeri frëng ishin rreth 700-800 ushtarë, të gjithë shqiptarë. Rrogat dhe pajimet e tyre siguroheshin nga qeveria.
-Spitali dhe Streha publike – Qeveria mbante me shpenzimet e saj një spital. Aty shërbenin 4 mjekë vendas dhe vullnetarisht edhe një mjek ushtarak francez.
Kishte gjithashtu edhe një strehë për të varfërit, që i ndihmonte ata me veshmbathje dhe ushqime (asistence sociale).
-Doganat – Ishin ato që siguronin pjesën dërmuese të të ardhurave të krahinës. Dogana varej nga Drejtoria e financave, ndërsa tarifat doganore i vendoste Këshilli.
-Suretea – Veç shërbimeve shqiptare, në një godinë të veçantë me shumë dhoma, vepronte “suretea fringe” (shërbimi informativ i ushtrisë). Ai varej drejtperdrejt nga qendra në Selanik dhe as Komandanti frëng i Krahines dhe as Qeveria shqiptare nuk kishin asnjë pushtet mbi të. Ajo luajti rolin kryesor në grumbullimin e “provave” për akuzat që u ngritën ndaj Themistokliut si “tradhëtar” i Francës.
PS. Marre prej A. Simonard, Essai sur l’independence albanaise, Paris 1942 fq.309-310

Flamuri i Republikës Autonomisë së Korçës
Flamuri i Republikës Autonomisë së Korçës

Vrasja e Themistokliut dhe shfuqizimi i Autonomisë…

Ndonse ka kaluar një shekull, për qytetarët korçarë, por edhe për historiografinë shqiptare, kanë ngelur enigma rrethanat dhe motivet se pse francezët, që fillimisht u mbështetën tek Themistokli Gërmenji kur krijuan Krahinen Autonome të Korçës, një vit më pas, u detyruan ta eliminojnë atë edhe fizikisht dhe të shfuqizojnë, në 16 shkurt 1918, “Protokoll Marrveshjen” e datës 10 dhjetor 1916, duke e kaluar Krahinën e Korçës, nga statusi i “Vetadministrimit” në statusin e “Pushtimit”!!
Mbase do të duhet të presim vitin që vjen, kur të deklasifikohet “Dosja gjyqësore” e 9 nëntorit të vitit 1917, kur Gjykata Ushtarake Franceze e Selanikut, e deklaroi atë fajor për “Tradhëti të lartë” dhe e dënoi “me vdekje”, me pushkatim.
Sipas bisedave me babanë që, si historian por edhe si korçar, që bëri hulumtime për të ndriçuar sadopak të vërtetën, eliminimi fizik i Themistokli Gërmenjit, për francezët, ishte një casus belli (pretekst) për të suprimuar (shfuqizuar) Krahinën Autonome të Korçës.
Kur, në 10 dhjetor 1916, francezët negociuan me patriotët korçarë për konstituimin e Autonomisë së Krahinës patën parasysh dy qëllime:
-Së pari, të menaxhonin me kosto minimale një territor të pushtuar lufte me ndihmën e vetë shqiptarëve, të cilët, në të kundërt, mund t’i kishin armiq potencialë. Francezët ishin në dijeni se korçarët patriotë mbështesnin me çdo kusht këdo që u garantonte lirinë e qytetit te tyre nga synimet aneksioniste të Greqisë. Prandaj francezët ditën, me mjeshtëri, ta përkëdhelnin sedrën kombëtare shqiptare dhe ta përdornin atë në interes të tyre.
-Se dyti, ata e joshnin Greqinë kostandiniste, që të renditej në luftë nga ana e forcave të Boshtit (Mbreti i saj ishte kushëri me Kajzerin gjerman), që nëse kalonte në anën e Antantës, Franca u premtonte t’u jepte si kompensim krahinën e Korçës, që grekët e ëndërronin të bënin të tyren, ndonëse e kishin pushtuar 3 herë në 4 vite, ende s’e kishin aneksuar.
Në Athinë, para nentorit 1916, ishte në fuqi mbreti Kostandin, ndërsa në Selanik kishte ngritur krye Elefteros Venizellos (opozitar ndaj Mbretit), i cili u bashkua me Antantën. Kur në nentor 1917, Mbreti u përzu nga vendi dhe Greqia iu bashkua Antantës, Venizelos vuri si kusht suprimimin e Krahinës autonome të Korçës dhe eliminimin politik dhe fizik të Themistokli Gërmenjit.
Kjo qe arsyeja e vërtetë e vrasjes së Themistokliut, ndërsa akuzat si “tradhëtar” i Francës, si “bashkëpunëtor” i austriakëve etj. qenë vetëm elemente dytësore justifikimi për këtë dënim kapital të tij.
Pra Themistokliu, figurativisht, ishte kurbani që i bënë francezët Krahinëes së Korçës për të kënaqur interesat shoviniste të Greqisë.
Nuk vonoi, dhe dy muaj më vonë pas pushkatimit të Themistokliut, u shfuqizua edhe Statusi i Autonomisë së Krahinës.

Themistokli Germenji (1871-1917)
Themistokli Germenji (1871-1917)

Ja teksti integral i shfuqizimit të Autonomisë të Krahinës.

Vendim
1.Protokolli i 10 dhjetorit 1916 shfuqizohet.
2.Administrata e territorit të Kazasë së Korçës, që tani ndodhet e pushtuar, u besohet autoriteteve ushtarake franceze të përfaqësuara nga Komandanti i grupit të Maliqit.
3.Komandanti i grupit të Maliqit është ngarkuar që:
-Të lëshojë urdhëresat për të gjitha masat e administratës, të financave dhe të Policisë.
-Të emërojë nëpunësit.
-Të kontrollojë shërbimet botore.
4.Ai ka ndihmen e një “Këshilli konsultativ” prej 12 antarësh, gjysma të krishterë dhe gjysma myslimanë, i cili është emëruar prej tij dhe të cilin ai mund ta konsultoje për vendimet që duhen marrë për administrimin e mirë të vendit.
5. Zbatimi i vendimeve të Komandantit të territorit sigurohet nga një oficer francez, që mban titullin e Administratorit të deleguar, i cili ngarkohet me drejtimin e të gjitha shërbimeve.
Nëpunësit e të gjitha kategorive, të cilët rekrutohen nga popullsia e vendit janë nën autoritetin e tij të drejtpërdrejtë.
6.Sipas zakoneve të vendit, drejtësia administrohet nga gjykatës vendas të emëruar nga Komandanti i territorit.
7.Një xhandarmëri e policisë, nën urdhërat e Administratorit të deleguar, është e ngarkuar të mbajë rendin dhe sigurinë në vend.
Gjenerali Sal (Salle)
Komandant i grupit të Maliqit.
Korçë, 16 shkurt 1918

Varrimi i Ushtarëve Francezë në Korçë
Varrimi i Ushtarëve Francezë në Korçë

Rëndësia historike e Krahinës Autonome të Korçës

Fatkeqsisht historia jonë mijavjeçare është histori e mbijetesës, nën regjime pushtimi, e këtij populli të vogël brigjeve të Adriatikut! Fillimisht nën romakët, mandej nën bizantinët, bullgarët, serbët, osmanët, francezët, austriakët, italianët, për të mos folur më pas për “pushtimet” ideologjike të jugosllavëve, rusëve, kinezëve e tash së fundi amerikanëve.
Por kjo “bimë e egër”, e vogël në shtat por shumë vitale në përshtatje, ka ditur t’u mbijetojë shekujve, duke ruajtur territorin, gjuhën dhe zakonet e veta.
Shqiptarët kanë bërë edhe shumë gabime gjatë Historisë: kanë luftuar më shumë me njeri-tjetrin se me pushtuesit; kanë qenë shpesh naive me të huajt për të kuptuar se në histori nuk ka as motra e as vëllezer por ka interesa; janë mburrur më shumë se sa kanë punuar; kanë lajkatuar qeveritarët, në vend t’u kërkonin më tepër llogari; Por gjithsesi kanë mbijetuar në një botë të trazuar dhe grabitqare që ndryshon me shpejtësi.
Nuk ështe pak!
Shumë popuj të këtyre përmasave sot janë zhdukur e asimiluar.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore, kur territori i trojeve shqiptare u bë arenë luftë e palëve ndërluftuese, patriotët korçare, me durim, me largpamësi, me negocim, ditën të marrin nga pushtuesi më të mirën e mundshme për popullin e vet, në ato rrethana kritike e dramatike që nuk vareshin prej tyre dhe kur fuqitë ndërluftuse kishin bërë plane për coptimin e trojeve të tyre (Traktati i fshehtë i Londrës 1915).
Luftrat në territoret shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë të shqiptarëve dhe prej shqiptarëve.
-Ne vitet 1916-1918 në asnjë qytet ku banonin shqiptarë nuk valvitej askund flamuri i Skëndërbeut, veçse në Korçën tonë.
-Në asnjë qytet tjetër pushteti vendor dhe shërbimet publike ndaj popullatës nuk i kryente asnjë administratë shqiptare, veç Korçës sonë.
-Në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë nuk këndohej lirisht si në Korçën tonë, himni kombëtar dhe në shkolla mësohej gjuha e ëmbël shqipe.
Ja këto, e shumë të tjera, janë fakte e rrethana që na bëjnë ne, pasardhësit e atyre burrave të mençëm e atdhedashës, që datën e 10 dhjetorit ta kemi një datë feste dhe emrin e Themistokli Gërmenjit një simbol krenarie për qytetin tonë.

Gazeta e Korçes - 10 Dhjetor 1938
Gazeta e Korçes – 10 Dhjetor 1938

Gëzuar Ditën e 10 dhjetorit!

Një kronikë e kohës
Më poshtë po u sjell një kronikë të kohës të Mbretërisë, të pasqyruar në gazatën lokale “Gazeta e Korçës”, me rastin e kremtimit të 22 vjetorit të “Krahinës Autonome të Korçës”, në 10 dhjetor 1938.

“…Midis një entusiazmi të kulluar popullor dhe manifestimesh patriotike të nxehta u kremtua pardje të shtunën, Festa Kombëtare e 10 dhjetorit, e lidhur aq ngushtë me emrin e dëshmorit të madh Themistokli Gërmenji.
Tregu ishte zbukuruar me flamurë dhe shkollat kishin pushim. Nga ora 10 paradarke, megjith që ishte dite pazari, përpara Bashkisë filluan të mblidheshin shumica të mëdha populli. N’atë kohë arrijnë atje dhe autoritetet civile, ushtarake e fetare, duke patur në krye Prefektin z. Veli Vasjari. Gjithë në atë orë një shumicë tjetër, e përbërë kryesisht prej nxënësve të shkollave të ndryshme të qytetit, ishin grumbulluar rreth e rrotull Monumentit të Dëshmorit , në kopshtin “Themistokli Gërmenji”
Ceremonia filloi me lutjen e zakonshme në Kishën e Shën Gjergjit, të kryesuar prej Hirësisë së Tij Peshkopit Evllogji. Në mbarim të lutjes Hirësia e Tij mbajti një fjalim duke ekzaltuar përpjekjet dhe sakrificat e dëshmorëve për çlirimin e Kombit.
Nga kisha, kortezhi i gjatë, që kishte në krye bandën, u drejtua për në kopshtin që nderohet me emrin e dëshmorit Themistokli.
Këtu mbajti fjalimin e ditës profesori i Liceut z. Niko Stralla. Fjalim, të cilin po e botojmë më poshtë, ishte me të vërtetë i goditur dhe u duartrokit nxehtësisht prej shumicës që kishte mbushur gjithë kopshtin dhe pjesën e bulevardit përpara monumentit.
Menjëherë pastaj banda ekzekutoi himnin mbretëror dhe atë të Flamurit që u mbuluan me brohoritje për L. M. T. Mbretin dhe për Atdhenë.
Ceremonitë u mbyllën me pritjen ne bashki të popullit…”

Marre nga “Gazeta e Korçës”, në 10 dhjetor 1938.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.