back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Grimca drite nga një dasëm dhe refleksione mbi një brez që e ndërton të arthmen jashtë realiteteve të origjinës kronike e një dasme të paralajmëruar – nga Jozef Radi

Gazeta

Vila des Vergers - 2 shtator 2022
Vila des Vergers – 2 shtator 2022

Grimca drite nga një dasëm, e refleksione mbi një brez

që e ndërton të arthmen jashtë realiteteve të origjinës

kronike e një dasme të paralajmëruar – nga Jozef Radi

*
Martesat mbeten ndër shfaqjet më spektakolare të jetës dhe dashurisë, një ndër shtyllat themeltare të shoqërisë njerëzore, sharmi i të cilave ende sot vazhdon t’i ruajë hiret humane dhe dritat e jetës.
Edhe pse kjo traditë varion prej një kontinenti në tjetrin, preja një vendi në tjetrin, prej një krahine në tjetrën, bile nga njëherë edhe prej një katundi në tjetrin… martesa mbetet pikë nyje e vazhdimsisë së jetës edhe në kulturën dhe traditën shqiptare, ku njerëz me vullnete të lira, falë sajë edhe në kohrat më të vështira, edhe në kushtet e hapësirave të mbyllura e të ndrydhura për njohjen dhe triumfin e dashurinë, mbrritën të mbijetojnë… Pra mundet të themi, se Martesa (me gjithë goditjet e marra në dhjetëvjeçarët e fundit) mbetet qershia mbi tortë, jo vetëm në traditat tona po edhe më gjerë…!

*
Dy muaj e sa më parë, kur mora ftesën nga Steven Delvina, si i ftuar në dasmën e tij të 2 shtatorit të 2022, e para çka ndjeva ishte ai komunikimi i butë e tejet dashamirës i atij djaloshi, me të cilin isha takuar shpesh vitet e fundit. Ajo ftesë ku ai më dëshmoi se ishte në dëshirën e tij ta nderoja në martesën e tij, ku vetë të rinjtë kishin marrë përsipër ta organizonin krejt atë ceremoni martesore, pra Steven & Alba, më bëri përshtypje të veçantë, sepse ndër veshët tanë janë ende zhurmat prindërore që ftojnë të afërmit e tyre dhe miqtë në dasmën e fëmijëve, (dhe m’u kujtuan për dreq edhe ato rastet qesharake, kur prindët e fiqshitësve të famshëm, u bënin ndër kështjella dasma madhështore, bijve të tyre mjeranë!!!), në kët rast më ndodhte e kundërta… ishin vetë fëmijët ata që ishin dalazotas të festës së tyre të madhe, e ku prindët ishin thjesht: Të ftuar nderi…!! Pra, zotër të festës ishin ata të dy, Steven & Alba, të cilët kishin kuruar deri në imtësira diçka sublime: sa të ndjerë aq edhe të bukur, e që në atë mbasdite të 2 shtatorit 2022, me ajër të filtruar nga shiu i një dite më parë, do të kisha nderin të isha edhe unë familjarisht!!

Steven & Alba - 2 shtator 2022
Steven & Alba – 2 shtator 2022

*
Prej ditës së ftesës e deri në mbasditen e festës së 2 shtatorit, kishin kaluar rreth dy muaj dhe ideja e pjesëmarrjes në një akt martesor, mbas kaq shumë kohësh përbënte një ngjarje…
Në fisin tonë, po edhe në rreth të miqsive janë martuar krejt pak njerëz, kështu që kjo ftesë nuk kishte thjesht efektin e një pjesëmarrjeje, por edhe atë në distancë nga e fundmja martesë, pra do të bartte edhe efektin e një refleksioni mbi dashurinë, martesën dhe festën… po edhe mbi dinamikat e kohës në tkurrjen e këtij institucioni, mbi atë të quhet bekim dhe urim i asaj mase njerëzish, që jo vetëm i gëzoheshin asaj ftese, por do të konfirmonin edhe përgjegjësitë që të jep pjesmarrja në kësi eventesh paksa të rralla… që ende ruajnë sharmin e magjisë, e ku mjaft nga ajo rini pjesmarrëse, do të parapëlqente ta ulte paksa kryet, nën harkun e triumfit të dashurisë, nisur pikërisht prej kësaj feste…
*
Mbasditja e asaj vjeshte të parë, ishte prej atyre ditëve shkëlqimplota që kalërojnë ëmbël midis dy stinëve, dhe shpalosin një qiell të dlirësuar me një diell ledhatar, e ku shirat e parë, e kishin palosur me kujdes zhegun e asaj vere… e si të thuash vetë natyra ndjehej e parapërgaditur për ta bërë edhe ajo pjesën e vet të spektaklit…
Në katër e gjysëm së bashku me me Mondin dhe Bardhën, Arbenin dhe Jetën, të ardhur nga larg, do të ishim në tunelin me pemë gjigande të hyrjes së vilës Des Vergres për të cilën, para mbrritjes aty kisha mbledhur informacion të mjaftë…
Vila Des Vergres, ngrihej mbi një kodër dominuese në San Lorenzo Correggiano, rreth 7 km larg Riminit, e shtrirë në një sipërfaqe prej 10 hektarësh, shtatë prej të cilave u përkisnin ambienteve të vilës, kurse tre hektarë ishin terrene të kultivuara bujqësore. Vila des Vergers, datonte prej shekullit të XVII, në stilin neoklasik, pronë e familjes fisnike rimineze, Diotalevi. Më pas ndër shekuj, ajo kishte kaluar në disa duar, derisa kish mbrritur te fisniku francez Des Vergers, e cili e rikonstruktoi; te Familja Facchi, e cila e mirëmban dhe prej vitit 1994, është pronare e Vilës.
Vetë ndërtesa i kalon 3000 metra katrorë sipërfaqe dhe ka ambjente të shumta. Ajo që shfaqet sot me gjithë shkëlqimin e saj është vepër e arkitektëve francezë: Arthur Stanislas Diet, (1828-1891) dhe George Paul Chédanne, (1861-1940) – autor i Galerisë Lafayette. Vila orientohet në mënyrë perfekte sipas aksit veri-jug dhe nga tarraca e saj mund të shijohet një pamje të fantastike, në 360°, ku dominojnë zonat e pyllëzuara, që zënë rreth dy të tretat e sipërfaqes së parkut. I ndodhur brenda saj, njeriu ndjehet i vogël, po edhe pjesë e asaj madhështie, që shpesh jeton e fshehur në të përditshmen e heshtjes…
Sinqerisht, jo vetëm ajo çka mora përmes kërkimit po edhe ajo çka pashë me sytë e mi dhe bisedova me kujdestarët e vilës, ishte mjaft me rëndësi. Aty bëheshin festa dhe kremte të vazhdueshme, të pjesës më aristokratike të zonës dhe me gjerë, dhe se vetëm për kurimin e saj shpenzoheshin rreth 150.000 euro në vit, dhe se në ambientet e brendëshme mund të festonin rreth 350 të ftuar, dhe se aty kryheshin rreth 200 evente në vit…!
Aty e kuptova pse zgjedhja e bërë nga çifti Steven&Alba do të mbetej dëshmi, se çfarë mund të bëjë një brez i ri, i cili jo vetëm integrohet me dinjitet në realitetet e reja, po ata prej kohësh kultivojnë iniciativa dhe kanë marrë përsipër të realizohen profesionalisht e shpirtërisht, me gjitha vlerat që ata përfaqësojnë. Tashmë, ata janë pjesa më në dritë e një brezi të lindur e të rritur në realitete jashtëshqiptare, por që ruajnë me dinjitet gjithçka të mirë që kanë marrë nga familjet e tyre…

Steven & Alba - 2 shtator 2022
Steven & Alba – 2 shtator 2022

*
E gjithë kronika e kësaj dasme do t’ishte e flashkët pa historinë e Steven Delvinës, që nis si histori arratie, pra si një aventure e dy prindve të tij, Avniu dhe Edlirës, në atë fillimkorrik të 1990, kur ata hynë në Ambasadën Italiane, dhe ku guximi i çiftit të sapomartuar, bëri që ajo aventurë arratie nga diktatura të mos ishte në dy… por në tre vetë, dhe shpejt ai do të qe frut i një dashurie të konceptuar në atdhe…!
Nuk mund të them sa është numri i shqiptarëve të këtij brezi, që kanë lindur o e kanë nisur emigrimin në moshë të mitur, por mund të them me siguri se për shumë prej këtyre “shqiptarëve të rinj” do të niste një epokë që do të kishte mbi vete, betejat, dramat, sakrificat po edhe arritjet e një brezi të edukuar, të shkolluar e të integruar me dinjitet në realitetet e shteteve përkatëse, gjithnjë duke ruajtur më të mirat e traditës së vendit të tyre prejt nga vinin…

*
Kur ndjehesh pjesë e eklipsit të vilës Des Vergers, vëren se ajo ruan në miniaturë madhështinë të rezidencave mbretërore. Dhe cilido e ndjen veten të përkëdhelur nga flladi dhe gjelbërimi, ajo atmosferë solemne ku gjithë objektet rrethuese janë të mirëkuruara, e nën rrezet e diellit i japin kësaj feste sharmin e një spektali, kënaqësinë e qindra detajeve të kuruara me vëmendje piktori, gjen një shlodhje shpirtërore ku të gjithë ndjehen të dalë nga e përdishmja e rëndomtë… gjë që s’mund të ndodhë shpesh në jetë të shumëkujt prej nesh…
Prandaj: Falemnderit Steven&Alba, për kët mbasdite të pashoqe…!

*
Ndërsa shetis, e ndjej se ambienti është mikpritës dhe dita e mrekullueshme, dhe vërej vendet ku do të kryhen kohë pas kohe ritualet e ceremonive, ashtu të ndara e të kuruara me kujdesin e atyre që merren prej një jete me imtësinë e detajeve…
Kudo derdhet gjelbërimi, që shiu e ka bërë të harliset, po edhe e bardha e shtrojës së tavolinave, e luleve të bardha që të shfaqen ngado, karriget e bardha, bardhësia e statujave, shkuma e bardhë e shatërvanit që ngjitet zhurmshëm në qiell të kaltër duke “prekur” retë dhe zbret në të kaltërtën e gjolit n’atë mërmërimë në dukje monotone, por që ndjehet si harmoni… Më duket sikur gjithçka e kësaj drite artistike lind prej vellos dhe fustanit të nuses që tërhiqet lehtë mbi bar e mbjell ngado bardhësi… që derdh ngado dlirësi…
Në të djathtë është këndi i ceremonisë zyrtare të martesës. Gjashtë dëshimtarët e emocionuar të asaj martese, tre për secilën palë, presin rradhën për të firmosur po edhe për të rrëfyer copëza simpatike jete, ndërsa çifti çapon solemn buzë gjolit nën muzikën live të ceremonisë së deklarimit të “Po” dhe këmbimit të unazave… Kryetari i Bashkisë me shiritin tringjyrësh në krahqafë është po aq i emocionuar sa bashkëmoshatarët e tij të ngjitur aty në altarin e puthjes publike…
Për prindët që ndrisin gëzimi aty në rresht të parë, gjithçka e asaj bote vërtitet me një fjalë të vetme: Përsosur!

*
Në të majtë të hyrjes, është zona e koktejit, e shetitjeve, e njohjeve dhe bisedave paradarke. Jemi rreth dyqind vetë nën hijen e errët të pemëve gjigande dhe tavolinave të rrumbullakëta. Një guzhinë e improvizuar mes gjelbërimit ofron pa kursim qindra vogëlsi pikante për t’u provuar e shijuar, ashtu të freskëta, të veçanta, të ngrohta. Në barin e blertë janë zhurmat e një tufe fëmijësh, që me harenë e moshës i dhuron i dhuron festës dritë, e që mes tyre është edhe Viktoria, foshnja gjashtëmuajshe e çiftit Delvina, që e pavetëdijshme është dëshmi, se nesër do të thotë se edhe ajo ka qenë e pranishme në dasmë të prindve të saj, e mes tyre edhe Joeli me kostum si një zotni i vogël, i cili vërtitet hutuar mes një atmosfere që ndoshta nuk ia di kuptimin…
Aty, në atë ambjent, është pikëpjekja e shumë njerëzve të afërm e të largët që takohen mbas shumë vitesh, po edhe i gjithë atyre që befas dalin nga virtualiteti dhe bëhen njerëz të vërtetë dhe mund të bësh humor me Ervinin e Vlorajve; të vazhdosh një debat të hershëm, lënë përgjysëm me Hajro Çinin; të prezantohesh e bisedosh me Azmi Toptanit mbi një dritë të re mbi figurën paragjykuar të Esadit; mund të ndash kënaqësinë e rrallë që takohesh me Ilir Prezën, ndërsa ai të rrefen aventurat e ikjes nëpër botë, po edhe kënaqësinë që më së fundi jemi bashkë për të ndarë një teke raki të ardhur në “rrugë klandestine”; mund të bësh politikë të trishtë opozitare më Fatmir Allmuçën, për histori të vjetra dhe të reja; mund t’i thuash Niko Dhalesit se “miq jemi po edhe miq s’jemi…!”; mund të bisedosh shtruar me piktorët Ad Devolli e Kujtim Turkeshi; të ndalesh kalimthin me kitarristin e njohur Kujtim Spahiu e të vazhdosh në diskutime të nisura herët me Valbona Talellin, për t’i shpjegohesh burimin e pakënaqësive të dikurshme; mund ta nisësh një bisedë me Basir Çollakun e ta përfundosh me djemtë e Mehdi Prodanit, Voltanin dhe Eldonin; mund të biesh dakort me Dritan Kabën se Trampi mbetet gjithnjë shpresë… dhe se fitorja e Melonit është e çeshtje e padiskutueshme… pra je mes një deti bisedash aty nën hijen e errtë të pemëve dhe muzgun që lëshohet ngadalë e paundjerë si një kurorë e errët nate!

*
Shumica janë të ardhur nga larg… Nga Shqipria janë më të shumtët… Por kanë ardhur edhe nga disa shtete të Shteteve të Bashkuara, nga Kanadaja, nga Anglia, nga Franca, nga Zvicra, nga Austria, nga Greqia ndoshta… Italia ka me shumicë të ardhur nga shumë qytete… një paradë të ardhurish nga vende të largëta, dëshmi se vetëm dasmat mund të na mbledhin e të na shërbejnë si një vend i madh takimi e të na dhurojnë kënaqësinë e ndjetjes bashkë…
Nuk është vetëm kjo! Për njohjet virtuale, dasmat mbeten ato që thyejnë murin e këtij komunikimi, befas aty e ndjejmë se mund të bëhemi edhe njerëz vërtet të prekshëm, mund të qeshim edhe me ato çka dikur kanë qenë grindje apo hatërmbetje, mund t’i paqtojmë shpirtrat e mbetur peng nga e sipërfaqshmja…
Vërtet, një dasëm si kjo, veç sheston!

Steven & Alba - 2 shtator 2022
Steven & Alba – 2 shtator 2022

*
Darka është e vendosur në fasadën madhështore para godinës, që të kujton kollonat e famshme të Partenonit, apo San Pietros (sigurisht në miniaturë), pra gjithçka me sfond madhështie… E nëse dritat janë të pakta qirinjtë janë të shumtë e të pafundmë aq sa duket sikur kësaj feste i japin frymë përralle…
Të gjithë janë të vendosur në tavolinat përkatëse, ku secili gjen emrin e vet shkruar aq bukur sa të vjen keq ta lësh emrin tënd të braktisur, mbasi je ulur aty…! Secila tavolinë ka begatinë e luleve të bardha e ka gatime delikate që ndjekin njera-tjetrën me një rregullsi të habitshme. Shije thuajse të paprovuara të serviren me shumë kujdes. Gjithçka funksionon si një orë zvicerane, e ku ne shpesh, të mësuar me atë bollëkun e mishit ndër tavolina tona përballemi me delikatesën e një guzhine punuar me mjeshtëri të rrallë…

*
Ajo çka më bën mjaft përshtypje ishte serioziteti i çiftit të ri, ngrohtësia që ata shpërndajnë si te pjesa e njohur edhe te pjesa e panjohur e të ftuarve të asaj feste, që në të vërtetë ishte e gjitha e tyre!
Nga momenti i futjes së unazave në gishta dhe deklarimi i besnikërisë së amshuar e deri te marrja e mikrofonit nga Alba dhe kënga që ajo i këndoj të dashurit të saj në një mënyrë që la në habitore mjaft nga pjesëmarrësit duke dëshmuar mjaft aftësie profesionale, po edhe ngrohtësia me të cilën Steven e mbështolli Albën gjatë gjithë kohës. Ishte impresionuese në delikatesën e gjithëhershme që e shoqëroi atë festë si refren, e që ndjehej në sytë e të pranishmëve… Në mënyrë të veçantë “shetitja” ndër tavolinat e miqve e shoqëruar me foto dhe falenderimin e mirseardhjes po edhe kënaqësinë e ndarjes bashkë të asaj hareje do të mbetet e gdhendur në kujtesë të secilit…
Mund të them se: ishte fat ndodhja në një festë kësisoji!
E papërsëritshme…!

*
Rënia e siparit të ditës dhe hapja e skenës së natës me një hënë që s’mund t’i mungonte asaj mbrëmjeje e bënë at ambjent paksa përrallor. Nën tinguj festivë u bë ajo cikatja e gotave të urimit, ku një tringëllimë përbashkuese e asaj dashurie në cakun e epërm, që i jep dritën solemne asaj feste… Më pas foli muzika!
Fillimisht delikate po hap mbas hapi e bë më e dashur, më e ngrohte, më përfshirëse… me rrok, ku nuk mungoi as muzika klasike dhe as vallzimi… Më pas dasma do të zbriste në taban me vallet popullore të Delvinës apo edhe me këngën për Namik Delvinën. Gjithçka e përzgjedhur me kujdes, në kënaqësi të rinisë, po edhe t’i ruhej festës shpirti shqiptar, ku mjaft të huaj, pjesë e kësaj dasme, u ndjenë mirë brenda asaj atmosferë ku u përjetua bukur ai kthim te vlerat dhe tradita e festës sonë që mbetet gjithnjë grafullues e joshës edhe ndër shqiptarët e rinj, ata të linduar larg atdheut…!

*
Në një çast mbas mesnate çmenduria e muzikës u bashkua me çmendurinë e rinisë, ku hareja e “daljes nga binarët” bëhet aq e bukur…! Muzika u bë padrone e festës së improvizuar mes gjelbërimit! DJ tashmë e ka kallur festën mes dritash, ngjyrash dhe avujsh… të gjitha vajzat i kanë hequr takat dhe janë hedhur zbathur në pistë… shumica e djemve i kanë flakur tej kollaret dhe xhaketat. Shumica e atyre në moshë, i kanë braktisuar tavolinat dhe ushqimet dhe janë aty me celularë ndër duar! Atmosferë e shlirtë feste, e gjitha në ajër dhe me një përmasë të tillë që s’mund ta regjistrojnë dot as qindra celularë e as telekamerat… (ndoshta as sytë e pranishëm nuk s’mund ta rrokin të gjithën atë që ndjehet në shpirtërat e 200 të ftuarve, buzëqeshja e të cilëve bashkë me harenë e asaj nate është kredhur tashmë, më 3 shtator…!
Jemi pjesë e një festë që deh!
Njeriu mund ta jetojë e përjetojë kët dasëm jo vetëm si festë, po edhe si pasaportë e një brezi, i cili vërtet ka humbur diçka nga lidhja organike me vendin e vet, por në të njejtën kohë e ka marrë vendin të vet mbi shpatulla dhe e ka vendosur në realitetet ku jeton me dinjitet, duke mos lënë asgjë të humbasë prej asaj tradite të lashtë, dhe e shfaq pa asnjë lloj droje se mund të ndjehet i përjashtuar apo i shpërfillur, përkundrazi dashuria për njeri-tjetrin, për familjet e tyre, për profesionet që ushtrojnë është pjesë e dashurisë për vendin e tyre, dinjiteti i të cilit prej këtyre të rinjve fisnikë, do të mbetet i pacënuar…!

rimini, 3 shtator 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.