back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Gegnishtja si debat shoqëror – opinione nga Artan Gjyzel Hasani & Filip Guraziu & Ilirjana Stankaj

Gazeta

Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani

Gegnishtja si debat shoqëror –

opinione nga Artan Gjyzel Hasani & Filip Guraziu

“Abuzimi katundaresk me gegnishten”

nga Artan Gjyzel Hasani

Ky shënim merr shkas, përveç shumë arsyeve të njohura në hapësirën shqiptare të debatit gjuhësor, edhe nga një ndodhi e para pak kohëve këtu në Toronto.
Rastisa në një tavolinë me një avokat shqiptar të Maqedonisë dhe më bëri shumë përshtypje shqipja e pastër e tij.
Meqë në atë grup kishte shqiptarë nga veriu, por edhe nga jugu, avokati kalonte lehtësisht nga një dialekt në tjetrin në varësi të personit që kishte përballë.
Çudia u bë më e madhe kur, pas pak ditësh, pata një korrespondencë në email-e me të. Shqipja e tij ishte nga më korrektet që mund të bëhej. Shqipja e shkruar zyrtare pa asnjë cënim dialektor në drejtëshkrim. E pyeta se si shpjegohej që ishte kaq i saktë në gjuhën shqipe, qoftë në dy dialektet kryesore, qoftë edhe në shqipen e shkruar zyrtare dhe përgjigja e tij ishte kjo: “Unë jam nga Manastiri dhe tradicionalisht në atë qytet flitet një shqipe e pastër dialektore dhe shkruhet shqipja zyrtare. Mësuesit e gjuhës shqipe në shkollat e Manastirit nuk toleronin asnjë deformim të gjuhës së shkruar shqipe të versionit të Kongresit të 1972-shit. Në Maqedoni për dekada me radhë të shkruarin e saktë të shqipes e kemi parë si një mjet të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar”.
Po kaloj në temë tani.
Quhet “Gegnisht”, por në ditët tona është një përzjerje e tipit “tallava” e të gjithë mënyrave të të folurit e tё tё shkruarit në hapësirën urbane dhe suburbane nga Shkumbini e lart, çdo nëndialekt krahinor, çdo e folur katundi, kodre, mali, çdo e folur lagjeje dhe fisi.
Të gjithë pretendojnë se po flasin e shkruajne “Gegnisht”.
Sa më e deformuar shqipja e tyre aq më “Gegnisht” u tingëllon.
Ekspansioni i muzikёs dhe kёngёve bashkёkohore kosovare e çoi kёtё deformim tё “Gegnishtes” nё zenit.
Njё tallava gjuhёsore qё sot flitet e shkruhet nё treçerekun e hapёsirёs mbarёshqiptare.
Bëhet fjalë më shpesh për një “gegnishte” analfabetësh, neglizhentësh, injorantësh apo njerëzish me arsim të cunguar, këtej dhe andej kufirit të Shqipërisë londineze. Të gjithë pretendojnë se po flasin e shkruajnë “Gegnisht”. Sipas tyre çdo gjë e shkruar që nuk ngjason me toskërishten apo versionin e shqipes zyrtare është automatikisht “Gegnisht”.
Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë Gegnishtja kaq e bastarduar.
Mendoj se ka ardhur koha të unifikohet Gegnishtja, përndryshe do të katandiset si variant gjuhësor tallava jo vetёm i shqipes, por i vetё Gegnishtes sё Mjedёs e korifenjve tё dikurshёm tё atij dialekti magjik.
Nëse diktatura e konsideroi Gegnishten si një vejushë që, pasi ia vrau me pёrdhunё prindёt, e la të jetonte në izolim total, në ditët e sotme Gegnishtja po trajtohet si një e përdalë, të cilën mund ta pallojë cilido, sidomos nga Shkumbini e lart.
.
Mundi i Mbijeteses
Mundi i Mbijeteses

.

E kam thënë edhe herë të tjera, “gegnishtja” e sotme sidomos ne poezi është bërë perçja e mediokritetit. Vargje të cilat nëse i kthen në gjuhën shqipe zyrtare nuk kanë asnjë vlerë artistike, por që abuzojnë me tingëllimën poetike që ka ai dialekt, qoftë edhe në versionin bashkëkohor “tallava”.
Do t’u dridheshin eshtrat në varr Mjedës, Fishtёs, Shirokës e Koliqit nëse, falë teknologjisë, do mund t’u përcillnim poezitë në “gegnisht” të pasardhësve të tyre.
Gjuha zyrtare e shkruar shqipe e dalë nga Kongresi I 1972, mund të jetë e kontestueshme deri në zhbërje për padrejtësinë që iu bë Gegnishtes në favor të Toskërishtes, me shkaqe më shumë politike, se sa gjuhësore. Ka shumё prova e shembuj qё e mbёshtesin kёtё padrejtёsi tё atij kongresi.
Por duam apo nuk duam, deri sot, ne atë variant të shqipes së shkruar kemi të pranuar zyrtarisht.
Dhe ka veç një shqipe të shkruar.
Siç ka veç një anglishte tё shkruar, një gjermanishte të shkruar e kështu me rradhë.
Nuk është as shpikje shqiptare e as perversion komunist unifikimi i dialekteve në krijimin e një gjuhë të përbashkët të shkruar.
Çdo gjuhë ka disa dialekte, ndonjëherë edhe qindra dialekte, por ka veç një version zyrtar kur bëhet fjalë për gjuhën e shkruar.
Një gjuhë shkruhet vetëm në versionin e pranuar zyrtar, por mund të flitet në cilindo dialekt sipas preferencës.
Shqiptarët pa dallim dialekti apo përkatësie territoriale, shqiptarë të Shqipërisë londineze, shqiptarë Kosove apo Maqedonie, shqiptarë nga veriu apo jugu, të gjithë janë të detyruar të mësojnë të shkruajnë gjuhën zyrtare shqipe.
Kur shkojnë jashtë vendit ata mësojnë gjuhën zyrtare të shkruar të atij vendi dhe jo dialektet e atyre gjuhëve.
Shqiptarët duhet të mësojnë të shkruajnë gjuhën zyrtare shqipe.
Mendoj se duhet të jetë e detyrueshme me ligj që askush nuk mund të marrë diplomën e shkollës së mesme, nëse nuk kalon testin e gjuhës së shkruar shqipe.
Për të folur le të flasin në atë dialekt apo zhargon të shqipes që iu pëlqen.
Dhe pasi të mësojnë te shkruajne gjuhën zyrtare shqipe atëhere le të shkruajnë edhe në versionin e gegnishtes së Mjedës, Fishtës, Koliqit e mjeshtrave të tjerë që atij dialekti ditën t’i zbulojnë melodiozitetin dramatik nëse kanë aftёsi ta bëjnë kёtё gje..
Gegnishte dhe jo tallava “gegnishteje”.
.
28 Dhjetor 2019 – Muri i Fb. Artan Gjyzel Hasanit
.
Filip Guraziu
Filip Guraziu

Evolucioni kёrkon rishikimin…

opinion nga Filip Guraziu

Lexova shkrimin e Z. Artan Gjyzel Hasanit me titull “Abuzim katundaresk me gegnishten” tё postuem nё faqen e grupit tё Pro Gegnishtes… nё tё cilin u pranonte se vendimi i Kongresit gjuhёsor tё vitit 1972, kishte qenё nji vendim politik nё dam tё gegnishtes, poe meqenёse asht ba… dhe sot kemi nji gjuhё zyrtare qё gёzon norma gjuhёsore tё unifikueme nuk ka ma kuptim qё me kёrkue ndryshimin i atyne vendimeve, pra shqiptarёt tё vazhdojnё me gjuhёn e standartit dhe nё tё njajtёn kohё tё zhvillojnё dialektet e tyne qё nё zonёn gegfolёse janё tё shumta.
Çdo kush ka tё drejtё me shkrue dhe me mbrojtё mendimin e tij pёr temёn shumё delikate dhe tё ndijshme qё lidhet me gegnishten dhe sa ma shumё mendime qё tё shkruhen nё kёt “Grup…” aq ma mirё asht, sepse kёshtu mund t’i afrohemi ma afёr zgjidhjes optimale qё dёshirojmё.
Opinionin tim mbi shkrimin kishe mundёsi me e ba edhe si koment nё faqen e z. Colombo Pёllumb Gjonaj Stenaj, por tue konsiderue randёsine e temёs vendosa me ia paraqitё tё tanё Grupit.
Z. Hasani due me i kujtue se mendimi im dhe i shumё tё tjerёve, tё cilёt mё kanё pёrkrahё gjatё kёtyne dy viteve qё jemi sёbashku nё Grup s’asht hedhja poshtё nё total e vendimeve tё Kongresit politik gjuhёsor tё vitit 1972, me synim hegjemon tё gegnishtes, po rishikimi i tij nё pёrmirёsimin e gjuhёs sё njisueme shqipe tue ndёrhye n’ato segmente ku gegnishtja ka aftёsi konstruktive.
Rishikimi i gjuhёs zyrtare, asht nji veprim normal qё me kalimin e kohёs bahet nё tё gjitha vendet e botёs pёr arsyen tejet tё thjeshtё, sepse gjuha si formё e komunikimit midis individёve mbrenda shoqnisё njerёzore evulon me kalimin e kohёs!
Nё rastin e gjuhёs shqipe kёrkesa pёr rishikimin e kongresit gjuhёsor tё vitit 1972, bahet imperative, sepse ne ndryshim me vendet e tjera tё botёs, ashtu si pranoni edhe ju z. Hasani, mbi gjuhёn gege u zbatue dhuna politike pёr zhbamjen e saj.
 
Evolucioni kёrkon rishikimin e vendimeve tё kongresit tё vitit 1972, dhe pёr me rifitue kohezionin, bashkimin shpirtnor tё shoqnisё shqiptare gegnishtja kёrkon vendin e vet nё Gjuhёn e njisueme Shqipe.
Kёto argumenta me detyrojnё mos me qenё me mendimin e z. Hasani.
.
29 Dhjetor 2019 – Muri i Fb. Filip Guraziut
.
Ilirjana Stankaj
Ilirjana Stankaj

Standardi duhet rishikù, me i kriju hapsinë shpirtit geg…

nga Ilirjana Stankaj

E lexova me interes materialin, ku konstatoj se asht e vërtetë se gjuha jonë e shkrueme rrezikon shumë, nëse nuk merren masa urgjentisht me e rishikù e “ridimensionù” standardin.
Para tri javësh, patëm nji trajnim që zgjati 4 orë, mbi problematikat e sotme në Gjuhë shqipe dhe Letërsi, ku përveçse folën vetë trajnueset (3 nga Tirana), askush s’e mori seriozisht kërkesën time (mbase për to disi t’çuditshme), për me kërkù nji kongres t’madh drejtshkrimi (sepse, siç vuna n’dukje aty, problem i madh shqetësues sot n’arsim, asht drejtshkrimi), se po bahet gjysëm shekulli që asht hedh nji “gur i stërmadh mundimi” mbi shpirtin geg (po e anashkaloj “vullnetin e pakicës mbi shumicën”, se dihet)… Në nji kohë kur e gjithë letërsia e vjetër shqipe (përtej kësaj madje, vetë “shkrimi i vjetër shqip”) frymonte n’gegnisht, i bllokohen përtej çdo logjike, rrugët e frymëmarrjes me atë “gur mundimi” (standardin e 72-it)?
Këtë që shtron si problem z. Hasani, e shoh edhe unë si problem, jo sot, por ka vite që ua them vazhdimisht nxanësve të mi, se; mund t’flasim n’shkodranishten tonë aq t’bukur, se asht gjuha e zemrës, por ama n’shkollë, ndër detyra me shkrim, po aq sa ndër librat shkollorë, duhet t’shkruajmë n’nji model, përmes të cilit, i mirë a i keq qoftë, i mundësojmë çdo bashkëshqiptari me na kuptù (se vetëm gjuha e unifikueme bashkon t’gjitha diversitetet ndërmjet të folmeve, si: në dialekt, nëndialekt, sociolekt, ideolekt)… e ky “model” asht standardi, i cili duhet rishikù, duke i kriju hapsinën që i takon shpirtit geg…?
Sa për këtë që cilëson z. Guraziu, e kam stërthanë vit pas viti tesh 18 vjet (pothuaj) n’arsim, që “Gjuha evoluon, rritet, zgjerohet, ndaj i duhet qepë për shtat nji “uniformë e re”, me t’cilën t’mundet me e prezantù denjësisht institucionin e vet, shqiptarizmën, anembanë…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.