back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 10 Maj, 2026

Fustani i zbrasur – tregim nga Laura Olldashi

Gazeta

Laura Olldashi
Laura Olldashi
Fustani i zbrasur
tregim nga Laura Olldashi

Ja kështu nis. Me shkumës në dorë. Hapësirë e lënë bosh, duke menduar ardhmërinë e trupit që rritet. Ose pauza e vogël për të huajin që do t’i gëzohet mosprezencës sime.
Më ndodh, kur nuk jam me veten, të jem në shoqërinë e një gruaje. Më shfaqet kur ndez cigaren. Kur qetësoj ankthin duke vëzhguar tymin.
Aty ajo vjen. Mjegull. E veshur me fustanin e bardhë deri në gjunjë. Humbas në numërimin e palave të stofit, të shpërndara si shkumë gri mbi shikim.
Pastaj zbret ngadalë. Këmbëzbathur prek dyshemenë e ftohtë. Dhe menjëherë kuptoj dyshimin e saj për t’u avulluar.
-Duhet, duhet të rrish me mua…
-Rri!
E urdhëroj, me të vetmen mënyrë që njoh.
Por imazhi zhduket dhe më lë me parfumin.
Parfumi i saj është liri.
Vesë e tejdukshme, rreze dielli që hyn nga grilat e gishtërinjve.
Më ndjek edhe kur shkruaj. Në ato pak çaste që jam këtu, përpara se shkrimi të më marrë, e ndiej që është rreth meje dhe më qetëson.
Pastaj… fustani i saj. I mbështetur si provë mbi karrige…
Mendoj që nuk ka as arsye ta takoj. Edhe pse pas çdo gërme i shkruaj:
Të urdhëroj të vish!
Mbyll sytë. Prek ujin e liqenit. Më shumë se ëndërr, ajo është.
Është pelerina që mbështjell rrëmujën e errësirës. Aty hedh qetësinë dhe brenda në thellësi fsheh zhurmën. Pres momentin që t’i shpërthejë vena e ngritur mbi qafë. Aq sa t’i prek shkërmoqjen e heshtjes.
Pastaj hyj në mendjen time për të modifikuar formulat. I provoj. I urdhëroj, më vonë i zbus.
Hezitimi i saj për t’u shfaqur do ta ketë një zgjidhje!
-Duhet të vish!
Apo
-Mund të vish te unë sonte?
Shoh hezitimin e saj në hije: të vij apo të iki?
Pastaj i pëshpëris:
-Ke dëshirë ta bësh për mua?
Ajo mbledh grimcat e parfumit mbi dysheme. I vesh mbi trup. Fustani mbushet dhe ajo ulet në karrige. Unë jam akoma me dorën në xhep. I papërgatitur për prezencën e saj.
-E bukur, dreqi e marrtë.
Kaq gati për t’iu shfaqur dëshirave të mia.
Por nuk jam aty, as t’i gëzohem ardhjes.
Mendja më rri te metoda e bindjes. Te mënyra si ia thashë. Te funksionimi i fjalëve: ke dëshirë ta bësh për mua?
Pastaj zëri i saj:
-Jam këtu. Të duhem?
Ajo është sy.
Por jam unë që nuk kam sy.
-Duhej të vije më parë – i them më shumë vetes. Të kam thirrur. Të kam urdhëruar.
Në thelb unë jam i njëjti.
Dhe kuptoj që erdhi sepse pa formën time të re. Butësinë time. Të rreme.
Pastaj zhduket sapo fik cigaren. Ikën pas fjollës së fundit të tymit, dhe kthehet e gjitha në fustan mbi karrige.
Pas disa ditësh më merr malli dhe e provoj sërish.
Ndez cigaren.
I lutem:
-Mundesh të vish për mua?
Asnjë urdhër. Vetëm një kërkesë.
Ti vesh parfumin e shpërndarë mbi dysheme dhe je… e prekshme, e butë, prezente…
Bindem që kështu shfaqesh.
Por nuk është kjo që kërkoj: më mungon mungesa jote.
Kthej kokën majtas. Karrigia, e mbushur me fustanin e zbrazur, më qetëson.
Je e plotë. Siç të dua.
Pastaj të harroj aty dhe humbas brenda shkrimit.
~ Lauraolld, Prill 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.