
Një mashtrim i paketuar “bukur”
nga Alba Alimehmeti Kepi
Ky nuk është Samit i Diasporës. Është një operacion politik i pastër për të ricikluar dështimin si sukses dhe për të përdorur diasporën si dekor propagandistik të një shteti që vetë e ka prodhuar eksodin.
Të njëjtët aktorë politikë që për vite me radhë nuk ndërtuan institucione funksionale, nuk garantuan meritokraci dhe nuk krijuan ekonomi që mban njerëzit në vend, sot shfaqen si “përfaqësues” të diasporës. Kjo nuk është politikë, është cinizëm i institucionalizuar.
Diaspora shqiptare nuk është histori suksesi e shtetit. Është prova më e qartë e dështimit të tij.
Çdo emigrant mban me vete një dosje të heshtur akuzash ndaj një sistemi që e detyroi të largohej: padrejtësi, mungesë mundësish, korrupsion, klientelizëm dhe mungesë perspektive.
Dhe sot, pikërisht ky sistem tenton ta “përvetësojë” diasporën si kapital politik, sikur ikja masive të ishte rezultat i politikave të suksesshme dhe jo i kolapsit institucional.
Retorika për “Shqipërinë pa kufij” është fasadë. Një slogan i zbrazët që nuk mbulon dot faktin themelor: një shtet që nuk i mban dot qytetarët e vet, nuk ka as legjitimitet moral të flasë për bashkim kombëtar nëpër samite.
Pyetjet nuk janë retorike. Janë akuzë:
• Kush mban përgjegjësi për zbrazjen demografike të vendit?
• Kush përfitoi nga një sistem që i shtyu njerëzit të ikin?
• Ku janë politikat që e kthejnë emigrimin mbrapsht, përveç fjalimeve dhe PR-it?
• Pse diaspora trajtohet si instrument elektoral dhe jo si subjekt i pavarur politik?
• Ku është llogaridhënia për një brez të tërë të humbur?
Në vend të përgjigjeve kemi një skenë të kuruar: përzgjedhje figurash të pranueshme, rrjete të lidhura me pushtetin dhe një narrativë të paketuar për konsum mediatik. Ky nuk është përfaqësim i diasporës është filtrimi i saj politik.
Në thelb, ky është i njëjti model që ka funksionuar brenda vendit: patronazh, kontroll, thithje. Tani thjesht është eksportuar jashtë kufijve dhe është veshur me gjuhë “bashkimi kombëtar”.
Ky nuk është samit. Është një mekanizëm ndikimi. Një përpjekje për të kanalizuar diasporën në shërbim të një pushteti që nuk jep llogari për arsyen pse ajo diasporë ekziston në këtë përmasë.
Dhe kjo është pika më e rëndë: emigrimi nuk trajtohet si dështim që kërkon përgjegjësi, por si aset që kërkon përdorim politik.
Diaspora shqiptare nuk ka nevojë për fjalime. Ka nevojë për llogaridhënie.
Dhe çdo tentativë për ta kthyer këtë realitet në spektakël politik nuk është vetëm propagandë. Është fyerje e drejtpërdrejtë ndaj atyre që u larguan sepse sistemi nuk i mbajti dot.
PS. Në pritje të zbardhjes së faturave të kompanive të përvitshme samit-iane që fiojnë tenderimet për dritat, teknikën, ngjyrat, kolltuqet, tapetet, festat, drekat, ahengun e daullet, etj etj etj.
E zonjat e pronarëve bëhen zëri i “opozitarizmit” kafkian!