back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Fjala e Ramiz Alisë ose e ashtuquajtura Katovica

Gazeta

Katowice
Katowice

“Ky është diskutimi i famshëm i Ramiz Alisë, i mbështetur mbi direktivën po aq të famshme të Katovicës, ku u përcaktua falimentimi i sistemit Socialist përballë atij Kapitalist, dhe u pergatit hollësisht strategjia dhe gjithë masat që do të merreshin, që krejt prona shtetërore, po dhe ajo e pronarve të dikurshëm, të kalonte nëpërmjet njimijë makinacioneve të pushtetit në duart e komunistëve hde bijve të tyre… Nji strategji që gjeti mishërim të plotë, si askund tjetër… në Shqipëri…
E kam lexuar disa herë kët direktivë, në kohra të ndryshme… dhe çdo herë e kam lexuar ndryshe e kam reflektuar ndryshe… Gjithnji m’është dukur e përbindshme dhe e pabesueshme… Shpesh edhe si shpikje mendjesh diabolike, sepse te kjo direktivë mund të ketë gjithçka, veç lirisë, dinjitetit, ligjit, humanizmit, drejtësisë dhe vlerave të njeriut… Për çudi ato mungojnë… dhe të gjithë ne e dimë pse mungojnë… kësaj here jam ndalur më gjatë te përdorimi i fjalëve me germë të madhe… Me pak kujdes vura re, se edhe vetëm mbas atyre fjalëve dëshmohet gjithçka e ketij njeriu dhe atij regjimi që ai përfaqësonte…
Jam duke pregaditur nji refleksion paksa të gjatë… ndoshta aspak të dobishëm… pikërisht për kët Direktivë të Fatit të gjithsecilit prej nesh!!!… Të reflektosh nuk është asnjiherë keq… edhe sado vonë që mund të ndodhë kjo…” j.r.

Ramiz Alia
Ramiz Alia ne gjyq

Fjala e Ramiz Alisë…

ose e ashtuquajtura Katovica Shqiptare

Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do synojë në dy drejtime:
1.Në respektin e të Drejtave të Njeriut…
2.Krijimin e pluralizmit politik…
Të drejtat e njeriut janë diçka brënda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën.
Kundërshtarët tanë do t’i nxisin të krijojnë parti sa të duan: të majta, të djathta, të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen dhe të drejtohen nga Ne!
Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne.
Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që të përkrahin Strategjinë Tonë.
Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati.
Në këtë mënyre do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste.
Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne dhe do të na shajnë, sepse Ata dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen dhe do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme, dhe kurrë nuk do t’i lëmë të na e marrin pushtetin, sepse ata sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe kështu Ne do të bëhemi hysmeqarët e tyre.
Në zbatim të Drejtave të Njeriut duhet që t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve politikë, dhe t’i kompensojmë edhe me komoditete banimi.
Të sekuestruarve dhe të shpronsuarvë do t’u japim nga nji letër në dorë që “u njihet Prona”, por asnjëherë nuk do t’jua a japim Pronën e Tyre… Dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet Rotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë, në të Dytën, dhe për “difektë teknike” do të kthehen përsëri në të Parën.
Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm, duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta duke ju dhënë nga një pashaportë dhe duke u bërë presione, do t’i largojmë nga Shqipëria…
Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen ose do të ndëshkohen.
Pasuria e tyre na përket Neve, sepse Ne e bëmë
Materialin që më dërgoi Gorbaçovi… kam dy vjet që e studioj… Ata (sovjetikët) kanë ecur shumë përpara. Për këtë, ju jeni në dijeni, sikundër edhe i kemi diskutuar më parë këto probleme.
Neve kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qëndrore, ndaj nuk ka asnji arsye, që të kemi frikë… Ne kemi studimet dhe platformat të marra gati për zbatim… Do të ketë shumë intelektualë që do të na kundërshtojnë, por këtyre do t’ua mbyllim gojën dhe do t’u japim nga një copë punë… Një shqetësim mund të na krijojë intelektualët pensionistë, këtyre do t’i ofrojmë krijimin e shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës, pastaj do t’u japim nga nji minipension dhe do t’u mbajmë ison…
Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës… Le të bëjnë si të duan, sepse ne kemi platformën tonë, çdo gjë e kemi të programuar.
Strategjinë e kemi që të gjithë të qartë, në përputhje me këtë strategji kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimeve dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit, dhe me disa ndëshkime të vogla… sa për sy e faqe, ndaj Nomenklaturës së Lartë Komuniste, “Ne Komunistët Reformatorë”, do ta zbatojmë Strategjinë Tonë në Ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e Ardhshëm, në një vend socialist, të jemi Ne dhe Njerzit Tanë. Me këtë strategji brenda dy tre legjislaturave do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë.
Të jeni të sigurtë, që e Ardhmja do të jetë e Jona!
Kurrë nuk do të lejojmë, restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë.
E Ardhmja e fëmijve tanë do të jete e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq Gjak, dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja…
Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe Fëmijët Tanë. Nëse do të ndodhë që të na e marrin pushtetin dhe të na rrezikojnë, atëhere haram na qoftë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë Fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si dikur në Rininë tonë. Prandaj, gjithmonë të jemi të përgatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit; rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët, dhe për këtë kemi edhe organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur dhe të aftë, që i kemi përgatitur gjithë këto vite, me mund dhe sakrifica… Mjerë Ata që do të guxojnë të na dalin përpara dhe të Na kundërvihen… Ndaj mbajeni moralin lart, dhe mos u frikësoni… Nëse lind nevoja do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideollogjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’i përmend…
Pavarsisht problemeve që na dalin me ta, kini parasysh se na bashkon kauza e jonë e përbashkët, që është pushteti i komunistëve, pavarsisht nga nuancat dhe diskordancat e përkohshme… Përveç Aleatëve ideologjikë, nëse lind nevoja do të kemi edhe mbështetjen e Aleatëve të tjerë Perëndimorë, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra, për hir të interesave të mëdha…
Shoku Enver dhe Unë, i kemi ruajtur këto lidhje të domosdoshme dhe jetike, që në fund të fundit, garantonin pushtetin tonë popullor, të cilin do ta ruajmë si sytë e ballit, edhe tani, edhe ne të arthmen, edhe përgjithmonë, pavarsisht nga rrethanat e vështira aktuale, ndaj si do që të rrokullisen punët, uji do të rrjedhë në Mullirin Tonë.
Për këtë të jeni të garantuar, sot dhe gjithmonë. Kërkoj nga Ju që të shtrëngoni rradhët dhe të mos dekurajoheni nga këto situata të vështira që po kalojmë, sepse, në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë përjetsisht i Yni.
Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët. Mbajeni mend: Fitorja dhe Pushteti do të jenë përjetësisht Tonat… Do të bisedojmë dhe do të vendosim përsëri, në përputhje me evoluimin e situatave.
Punë të mbarë! Me kaq mbledhja mori fund… Ditën e mirë dhe mirupafshim…

(Gazeta Republika)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.