back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Fitimtarë” dhe “Të mundur” – Refleksione rreth një “date historike” nga Klodi Stralla

Gazeta

Këshilli i Regjencës (1943)
Këshilli i Regjencës (1943)

“Fitimtarë” dhe “Të mundur”

nga Klodi Stralla

Refleksione rreth një “date historike”

“Lufta botnore e shtiri ndër gjire të veta rrëmbyese edhe Shqipninë. Kolosët ma të mdhejt të botës, po gjuehen shkjelma dhe po vriten shoq me shoqin aq rreptas sa me u dridhun fëmija në bark të nanës. Çfarë politike do të ndjekim tash na mizat e vogla për të shpëtue?
Dikush thotë se i vetmi shpëtim për ne asht të vehemi me luftue krahas me njanin a me tjetrin vigan, kurse unë mendoj se e vetmja rrugë shpëtimi asht të ruhemi, mos të marrim ndonji shkjelm andej a këndej, prej njënit a prej tjetrit, dhe të bahemi të paqenun, të hupim pa shenjë, pa dukë.
Ja, në dy fjalë politika për ne, në këtë kohë: t’a ruejmë vehten moralisht dhe materjalisht, sa ma të bashkuem dhe sa ma të fuqishëm, gati për çdo eventualitet…”
Ky fragment është shkëputur nga një shkrimi i Pater Anton Harapit, botuar në shtypin ditor të Tiranës, në tetorin e vitit 1943, kur ai pranoi të pjesëmarrë në politikë, si njëri prej katër anëtarëve të Këshillit të Regjencës, në 13 shtator 1943. Ai shpreh në mënyrën më sintetike këndvështrimin për ngjarjet e kohës dhe filozofinë e atij grupimi që pas luftës u cilësua si “Kolaboracionistë”.
Sikurse dihet Lufta e Dytë Botërore ishte një ndeshje midis dy grupime shtetesh: në njërën anë ishin Aleanca e madhe antifashiste Anglia, SH.B.A dhe Bashkimi Sovjetik dhe nga ana tjetër Boshti nazi-fashist Gjermani, Itali dhe Japoni. Të dy grupimeve iu bashkuan në vijimësi shtete të tjerë, të mesëm dhe të vegjël. Fatkeqësisht, territori shqiptar u bë arenë e këtij konflikti, pa dëshirën e shqiptarëve.
Natyrshëm, shtrohej pyetja: Çfarë qëndrimi duhet të mbante ky vend i vogël, në mënyrë që të dilte prej kësaj lufte mizore me sa më pak dëme materiale dhe njerëzore?
-Komunistët dhe një pjesë e forcave nacionaliste, duke i konsideruar Italinë dhe Gjermaninë si shtete pushtuese, ishin për luftë kundër tyre. Ata mbështeteshin në këtë qëndrim edhe nga Aleatët, të cilët e shihnin luftën e vendasve kundër palës tjetër, si lehtësim të barrës të tyre të luftës. Një shqiptar i vrarë, një aleat më shumë i kursyer.
Këta ishin – Fitimtarët.
-Qeveritë zyrtare të Tiranës dhe një pjesë e naconalistëve, duke i konsideruar italianët si jopushtues, dhe gjermanët si kalimtarë në Shqipëri, të diktuar nga nevojat e luftës, mendonin se në të mirë të vendit, të rendit dhe ligjit, të vazhdimit të jetës, do të ishte të mbahej një qëndrim i matur, një angazhim formal, që do ta nxirrte Shqipërinë nga lufta me sa më pak dëme. Ata mundën ta nxjerrin ligjërisht Shqipërinë nga lufta, duke deklaruar neutralitetin e saj… (Vendimi i Kuvendit Kombëtar 22 tetor 1943).
Këta ishin – Të Mundurit.
Të dy palët renditnin një sërë argumentash në favor të zgjedhjes që kishin bërrë:
-Për të parët, që kryesisht ishin rinia, lufta kundër okupatorit ishte detyra më e shenjtë ndaj Atdheut. Çmimi që duhej paguar, gjaku i derdhur për liri, do të ishte garanti i së nesërmes, për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të begatë. Ata mendonin se Aleanca e madhe antifashiste, me në krye Amerikën, Bashkimin Sovjetik dhe Anglinë, do ta fitonte luftën dhe Shqipëria do të renditej mes fitimtarëve. Dhe fitimtari, në Histori, ka pasur përfitime materiale dhe morale të pa mohushme.
-Të dytët, që kryesisht ishin më të moshuar se të parët dhe më me përvojë jete, e kuptonin se lufta, që nuk ishte shqiptare dhe për shqiptarët, do t’iu sillte atyre vetëm shkatërrime njerëzore dhe materiale, që ishin shumë për një vend të vogël dhe tejet të varfër. Për ta “bashkëpunimi me okupatorin” ishte një akt formal, që do t’iu mundësonte shqiptarëve të përfitonin sa më shumë dhe të dëmtoheshin sa më pak. Ata shihnin që, pas hovit djaloshar të rinisë, fshihej një agjendë e huaj sllavo-komuniste, me një program social radikal, me orientim antikombëtar, që maskohej bukur me demagogjinë e luftës çlirimtare.
Patër Antoni dhe ata që u cilësuan “Kolaboracionistë” i përket këtij grupi të dytë atdhetarësh shqiptarë. Ende pas 73 vjetësh, Historia jonë ende nuk është maturuar për t’iu përqasur me objektivitet dhe pa emocione partiake asaj kohe tejet të vështirë kur ndërthurrej, dashuria për atdheun, detyrimi ndaj të huajve dhe rreziku komunist që i kanosej vendit. Ndonse koha tregoi se Ata humbën, jo vetëm pozitën sociale, por disa prej tyre edhe jetën, ende ka mëdyshje se çfarë fitoj Shqipëria?
Përgjigjen mund ta gjejmë në atë që ardhi pas. Që në ditët e para të nëntorit, vetëm në Tiranën e posa çliruar, u pushkatuan, pa gjyq, disa dhjetra intelektualë të shquar, që regjimi i ri i shihte si pengesë për instalimin e projektit famëkeq të diktaturës të së nesërmes.
.
Qeveria e Enver Hoxhës në Tiranë, 28 nëntor 1944
Qeveria e Enver Hoxhës në Tiranë, 28 nëntor 1944

Këtë 29 nëntor mbushen 73 vjet nga data kur ushtria kalimtare gjermane u largua nga territori i Shqipërisë londineze dhe njëherazi data kur forcat partizane të Enver Hoxhës instaluan në vend një regjim komunist të tipit stalinist, të ashtuquajturën Demokraci Popullore. Ndonse kjo datë dhe personazhet e saj, pa mëdyshje, i takojnë historisë, për ne bashkëkohësit, që jetuam pasojat 46 vjeçare të saj, si dhe për rininë e ditëve të sotme, pyetja shtrohet ndryshe: Çfarë qëndrimi duhet mbajtur me këtë ngjarje? A duhet përkujtuar ajo? Nga kush dhe si? A duhet konsideruar kjo datë si festë zyrtare e gjithë shqipatarëve?

Unë ruaj bindjen se në jetën e popujve festat janë data të shënuara, që i kanë sjellë atij lirinë shpirtërore dhe mirëqenien materiale, të privuara nga faktorë të jashtëm (pushtuesit) apo të brendëshëm (diktatura paranojake).
Në këtë këndvështrim përfundimi i luftës botërore, që preku dhe dëmtoi edhe Shqipërinë, është një datë që duhet përkujtuar, por kur kjo datë lidhet me bëmat dhe gjëmat që solli pas, të pakrahasushme me ato që shkaktoi vetë lufta, kurrsesi kjo datë nuk duhet festuar zyrtarisht. Për natyrën e veçantë të historisë tonë, të karakterizuar nga larmi krahinore, fetare apo ideologjike, shpesh konfliktuale gjatë historisë, rruga e vetme e mirëkuptimit për gjithë shqiptarët është pranimi i 28 Nëntorit si Festa Zyrtare e gjithë shqiptarëve, ndërsa datat e tjera le të jenë festa të grupeve të veçanta sociale apo krahinore. Kjo nuk do të thotë që për to të mos organizohen simpoziume reflektimi dhe analize.
E them këtë sepse ish komunistët e kohës të diktaturës dhe bijtë e tyre fizikë dhe shpirtërorë të kohës të demokracisë (PS-LSI-PD) mundohen të na mbushin mendjen se pa LANÇ Shqipëria do të copëtohej nga shtetet fqinj, duke u trajtuar si shtet i mundur në LDB. Nëse do të ishte vërtet kështu nuk ka si shpiegohet fakti që në Konferencën e Paqes në Paris, 1946, qeveria e asaj kohe nuk u thirr as me cilësinë e vendit fitues, as me cilësinë e vendit shok, por vetëm si vend vëzhgues, që kishte të drejtë të kërkonte reparacionet e luftës (dëmet e shkaktuara nga lufta). Nuk është rastësi që Shqipëria u antarësua në OKB vetëm në vitin 1955, natyrisht me mbështetjen e diplomacisë sovjetike, në pazaret e kësaj të fundit me Fuqitë perëndimore.
28 nëntor 2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.