back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Vlorë, 28 Nëntor 1991, Kronikë e një ditë të paharruar… – nga Reshat Kripa

Gazeta

Shpallja e Pavarsise (foto1913)
Nji vjetori i Shpalljes së Pavarsisë (foto 1913)

Vlorë, 28 Nëntor 1991,

Kronikë e një ditë të paharruar…*

nga Reshat Kripa

Këtë shkrim të zotit Reshat Kripa e paraqesim
edhe ne kujtim të të ndjerit Xhemal Mustafaraj,
i cili përmendet për heroizmin e tij në këtë rrëfim të tij,
e që para pak vitesh humbi jetën aksidentalisht në qytetin e Ankonës.
Nderim dhe respekt guximit të tij në ngritjen e Flamurit pa yllin komunist.
Reshat Kripa
Reshat Kripa

Nëntor 1991.

Po afronte dita e shenjtë e Flamurit. Kjo ditë nuk ishte si ditët e tjera. Kudo në zemrat e njerëzve sundonte një shqetësim i madh. Kudo ndiheshin diskutime se cili flamur duhej të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që e sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit?
Kudo bëheshin diskutime te zjarrta.
Një pjesë e vogël fanatikësh, mbronin tezën e flamurit me yll, ndërsa pjesa tjetër të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin akoma në pushtet. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për ta mbajtur atë.
Këtë gjë e kishin treguar edhe më 2 Prill të atij viti në Shkodër.
A do ta pranonte Vlora e Flamurit, turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhëtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli i Vlorës, por më shumë e ndjenin ata që i provuan mbi trupat e tyre telat me gjëmba vdekjeprurës të këtij ylli: të përndjekurit politikë.
Shoqata e të Dënuarve Politikë të Vlorës iu drejtua partive dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët. Përfaqësuesit e saj, së bashku me ata të Partisë Demokratike, Republikane, Social-Demokrate, shoqatës “Çamëria” dhe Sindikatave të Pavarura, i drejtuan një peticion Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e Flamurit pa yll. Duke patur shumicën në këtë komitet komunistët refuzuan. Të njejtin mendim shprehu edhe Partia Socialiste.
.
Vlorë, 28 nëntor 1991
Vlorë, 28 nëntor 1991

27 Nëntor, prologu i ndeshjes së madhe.

Në shtizën e flamurit, me urdhër të Kryetarit, vendoset që të ngrihet flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. I riu Xhemal Mustafaraj nga Vlora, së bashku me Fadil Ndreun nga Dibra, dy të përndjekur politikë, hipin në shtizën e flamurit, dhe e grisin yllin nga flamuri kombëtar, e djegin atë në mënyrë demostrative dhe ngrenë lart flamurin pa njollën e turpit. Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë Komiteti Ekzekutiv dhe kryetari i tij detyrohen të pranojnë ngritjen e flamurit pa yll.
 .
Monumenti Pavarsisë në Vlorëvlore
Monumenti Pavarsisë në Vlorë

28 Nëntor 1991.

Qyteti i Vlorës u gdhi i mbushur me flamurë pa yje të vendosur gjatë natës nëpër pikat dominuese të tij. Në sheshin historik fillojnë të grumbullohen njerëzit duke mbajtur në duar flamurë të vegjël pa yll, të përgatitur që më parë.
Ora 10.00. Kryetari dhe personat që e shoqërojnë drejtohen për në sheshin e flamurit. Por papritmas një grup i madh u ndërpret rrugën. Janë ish të dënuar politikë. Një pjesë prej tyre diktatura u rrëmbeu njerëzit më të dashur. Të tjerët i bëri të vuajnë duke i syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që u ngritën kundër kësaj diktature. Aty, në këmbët e shtizës së flamurit, zhvillohet dialogu i mëposhtem:
-Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe këtij populli që është mbledhur këtu, ju nuk do ta ngrini flamurin.
-Kush do ta ngrejë atëhere?
-Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.
Kryetari shtriu përpara duart e tij dhe pyeti:
-Po duart e mia a janë të përgjakura? Unë nuk kam vrarë njeri.
-Edhe nëqoftëse nuk keni vrarë njeri, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë. Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit!
Ky flamur është i yni!
Kryetari u detyrua të tërhiqej.
Ndërkaq ndërsa qendra e zërit trasmetonte Hymnin e Flamurit, duart e njoma dhe të pastra të Altin Kokoshit, nipit të Qazim Kokoshit, firmëtarit të aktit të Pavarësise më 1912, udhëheqësit të luftës së Vlorës më 1920, armikut të komunizmit që dha jetën në burgun e Vlorës më 1946, ngritën lart flamurin kombëtar.
Vini veshin! Një gjë e tillë ndodhte në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë nuk e kishte vendosur ende heqjen e yllit te kuq nga flamuri.
Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime dhe këngë patriotike. Kurora me lule të bukura mbulojnë varrin e Plakut të Vlorës. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para monumentit të pavarësisë hipin ata që për 50 vjet e kishin të ndaluar edhe të flisnin apo mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën me dëshirën e tyre për të shprehur atë që mendonin prej vitesh. Midis tyre edhe një grup me të përndjekur politikë të rrethit të Beratit të ardhur posaçërisht për këtë qellim. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë.
Në antitezë të kësaj që ndodhi në Vlorë, telekronisti i televizionit shqiptar nuk denjoi të xhironte këto skena të papërsëritshme.
Historia këtë nuk do t’ia falë!
 
*Titulli nga radiandradi.com
Marrë http://alb-spirit.com/2017/11/27/reshat-kripa-kronike-e-nje-dite-te-shenuar-nentor-1991

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.