back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Fakte nga jeta dhe krimi monstruoz ndaj poetit dhe mësuesit! – Havzi Nela 10 gusht 2023 – 35 vjetori i varjes se Poetit

Gazeta

Havzi Nela - Poeti i varur në litar
Havzi Nela – Poeti i varur në litar
Fakte nga jeta dhe krimi monstruoz ndaj poetit dhe mësuesit, Havzi Nela
10 gusht 2023 – 35 vjetori i varjes se Poetit

Havzi Nela mbeti jetim që në vegjëli, duke vuajtur varfërinë ekstreme.
Vuajti 19 vite burg dhe 5 vite internim.
E spiunuan edhe njerëz të afërm e miq në mënyrë që të fitonin besimin e pushtetit.
Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton: “Havzi Nela (me ngjyrë laramane), armik (me të zeza) i Partisë dhe i Popullit!” (me të kuqe).
Gjyqtarët dhe prokurorët e tij kanë mbajtur mbiemra si Helmi, Speci, Bandilli.
Pushteti në mënyrë të organizuar ka vendosur autobuzë në dispozicion për të gjithë sektorët për t’i dërguar të shohin mësuesin e varur, si formë presioni për të mos ngritur krye në ditët e fundit të regjimit.
Disa përbindësha, dy i njoh edhe unë… kanë pozita shoqërore në Kukës, e kanë pështyrë dhe gjuajtur me gurë trupin e pajetë të tij, për të rënë në sy të pushtetit.
-Një grua shtatzënë dështoi fëmijën, ndërsa nga skena makabre, nxënësit e shkollave tmerroheshin netëve prej imazhit të ekzekutimit barbar.
-Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë, kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave dhe me njërën opingë luanin futboll..
-Havzi Nela mbante mbathur opinga llastiku natën e varjes.
-Amaneti i fundit:
“Kam 910 lekë, jepjani nanës!”
-Të nesërmen e varjes, trupin e tij e kanë shëtitur nëpër qytet, mbi një makinë të hapur para se ta zhduknin kufomën. Njëra këmbë i varej te sponda.
-Trupin e tij e kanë varrosur në këmbë, në një gropë të hapur për shtylla elektike, për ta humbur përgjithnjë.
-Eshtrat e tij u gjendën rastësisht në 1993, por pa kokë.
-U varros në fshatin e tij të lindjes Kollovoz, por koka nuk dihet ku përfundoi. Ndoshta e copëtuan kafshët e egra. Shpresoj të kenë qenë vërtet kafshë, sepse dyshoj tek dykëmbëshit.
-Tre kriminelët që i dhanë dënimin me varje janë Fehmi Abdiu, Ramiz Alia dhe Kristaq Rama.
-Fehmi Abdiu u emërua kryetar i “Gjykatës së Lartë” në vitin 1998, kur komunistët erdhën sërish në pushtet. Edi Rama nuk ka shprehur kurrë pendesë për firmën e babait të tij, për këtë krim monstruoz, që është shumë më shumë se një varje e armikut të popullit.
-Gjimnazi i Kukësit mban emrin “Havzi Nela”, por kjo është shumë pak në nderim të figurës së tij gjigande!
Sot në pushtet janë mbi 90 % e ish-kriminelëve dhe bijtë e tyre që firmosën e mbështetën aktin barbar të varjes së poetit.
Asnjë nuk ka shprehur pendesë deri më sot!

Rivarrimi i Poetit kuksian Havzi Nela
Rivarrimi i Poetit kuksian Havzi Nela

Poezia “Në Qelit’e burgut”

nga Havzi Nela

Ndoshta sot njerëzit nuk e kuptojnë çfarë ke heqë në jetë,
por Zoti e bekoftë shpirtin Tuaj, më shumë se kurrë!
Shpirti thërret vetëm Liri! – fjalë e artë.
Krenar për ty me respekt
Baftjar Abdulla Nela.

Në qelit’ e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret, m’janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m’u randue, dëshirë s’kam të vdes.

Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t’afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t’më sjellin ngranjen si kafsha, e mjera.

Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s’i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t’jesh lypsar s’ke kujt t’ia shtrish dorën.

Dit’ e net i mbyllun si zogu n’kuvli,
Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.

Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ik më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.

Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligshtue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s’ndihet fare;
Me durim përgjoj kur t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë, si zogu pranverën!

Marrë nga muri i FB Baftjar Nela, 9-10 gusht 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.