back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Çështja e Prejardhjes së Shqiptarëve – nga Peter Bartl

Gazeta

Peter Bartl (1938-2022)
Peter Bartl (1938-2022)

Çështja e Prejardhjes së Shqiptarëve

nga Peter Bartl

Rreth prejardhjes së shqiptarëve për një kohë të gjatë sundonte paqartësi. Konsideroheshin sllavë. flitej për imigrim nga Kaukazi (ku ka ekzistuar një “Albania” në mesjetë), quheshin pasardhës të pelasgëve, etruskëve, thrakasve, dakëve dhe së fundit të ilirëve. Meqë mbi fatin e hershëm të shqiptarëve ekzistojnë kumte të rralla, në shqyrtimin e prejardhjes së shqiptarëve qasja të nisej fillimisht me metoda të gjuhësisë.
Njëri nga të parët, që u mor me gjuhën e shqiptarëve ishte dijetari universalist gjerman Gottfried Wilhelm von Leibniz (1646-1716). Leibnizi, i cili i kishte të njohura vetëm ca dromca të pakëta të gjuhës shqipe, propozoi që, pasi të jenë filtruar huazimet, së pari të izolohet visari i trashëguar gjuhësor e mandej të testohet kjo trashëgimi rreth afërsisë me gjuhë të tjera për të përcaktuar kësisoj pozitën e shqipes brenda gjuhëve europiane. Ai konstatoi afërsi me latinishten dhe keltishten.
Një hap më tutje bëri gjeneralmajori mbretëror bavarian Joseph Ritter von Xylander (1794-1854), i cili në shkrimin “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren” (Gjuha e shqiptarëve) konstaton që shqipja nuk është bërë gjuhë europiane tash vonë në kohë të re përmjet huazimeve nga gjuhët fqinje, por që me themelet e saj bën pjesë ndër gjuhët e vjetra të mirëfillta europiane.
Nga mesi i shekullit 19, gjuhëtari Franz Bopp (1791-1867), konstaton në hulumtimin e tij “Über das Albanesische in seinen verwandschaftlichen Beziehungen” (Mbi shqipen dhe marrëdhëniet e saj farefisnore – (Berlin 1855) që shqipja pa dyshim bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane, porse në “themelet e saj nuk qëndron me asnjerën nga motrat e sanskritishtes të pjesës sonë të rruzullit në marrëdhënie të ngushtë apo në ndonjë marrëdhënie prejardhjeje.” Shqipja, këtej, paraqet degë më vete në kuadër të gjuhëve indoeuropiane. Me këtë në vija të trasha përkufizohet korniza. Gjuhësisht shqiptarët janë europianë të moçëm.
Me këtë ndërkaq nuk është pohuar akoma se shqiptarët janë autoktonë, dmth. nëse kanë qenë \kësaj çështjeje ishte suedezi Johann Thunmann (1746-1778), i cili ligjëronte si profesor i retorikës dhe filosofisë në universitetin e Halles. Në “Untersuchungen über die Geschichte der östlichen Völker” (Hulumtime rreth historisë së popujve të lindjes), ku flet gjerësisht për shqiptarët, ai konstaton: “Në historinë e tyre [të shqiptarëve] nuk kam gjetur kurrfarë gjurme të ndonjë imigrimi të mëvonshëm: gjuha e tyre ka dhënë aso dëshmish për fatin e këtij populli, sa është e pamundur që tek ai të mos identifikohen fqinjët e kryehershëm të grekëve dhe të nënshtruarit e Romës së vjetër. Të dyja këto bashkë m’i dëftojnë Ilirët e moçëm.”
Teza e Thunmannit mbi autoktoninë e shqiptarëve kapet mëpas sërish nga Johann Georg von Hahn (1811-1869), i cili me veprën e tij kryesore “Albanesische Studien” (Studime shqiptare) bëhet babai i hulumtimeve shkencore mbi Shqipërinë. Hahni vepronte si konsull austriak në Janinë, kishte mësuar shqip dhe Shqipërinë e njihte, për dallim nga pararendësit e tij, nga përvoja vetjake. Hahni i quan shqiptarët pasardhës të “banorëve të kryehershëm, të cilët për të ishin pellasgët. Prezencën e tyre në vendbanimet e sotme qysh nga kohët e Greqisë e Romës ky tenton ta dëshmojë përmes kontinuitetit të nomenklaturës gjeografike deri te shqipja. lnterpretimet toponimike të Hahnit sot janë të tejkaluara. Porse autoktonia e shqiptarëve, siç e pohon ai, është akceptuar nga shumica e hulumtuesve, por duhet thënë që në njëqind vjetët vijuese pakkush i është rrekur intensivisht historisë së hershme të shqiptarëve. Këtë e bëri më vonë Georg Stadtmüller (1909-1985)“Forschungen zur albanischen Frühgeschichte” [Hulumtime rreth historisë së hershme të shqiptarëve] – (Budapest 1942; botimi i dytë i zgjeruar: Wiesbaden 1966). Pohimi themelor edhe sot i parrëzuar i Stadtmüllerit është që populli shqiptar është krijuar nga një relikt popullor lashtoballkanas në mes të një romanizimi të përgjithshëm në kohë të antikës së vonë. Kohën e mëpërparshme, deri nga viti 200 para Krishtit. Stadtmülleri e quan “koha parashqiptare”, mbi të cilën, për shkak të mungesës së dëshmive, nuk mund të pohohet asgjë. Kohën e hershme të shqiptarëve ai e ndan në dy periudha kryesore: a) “koha e kryehershme shqiptare” [Uralbanische Zeit] (200 para Krishtit – 600 pas Krishtit) dhe b) “koha e hershme shqiptare” [Frühalbanische Zeit] (600 – gjysma e dytë e shekullit 11).

Vepra Albanologjike te sjella nga Nga Albert Gjoka dhe Frida Vokopola
Vepra Albanologjike – sjelle nga Albert Gjoka & Frida Vokopola

Koha e kryehershme shqiptare
Territori i Shqipërisë së sotme bashkë me pjesë të mëdha të tjera të gadishullit ballkanik në vitet 200-100 p. Kr. iu nënshtrua sucesivisht Romës. Bashkë me armatën dhe administratën romake vendit iu imponua edhe gjuha latine. Rreth vitit 300 mbas Kr. procesi i Romanizimit ishte përmbyllur në pjesën më të madhe. Vetëm në disa zona malore ishin ruajtur ende gjuhë të moçme ballkanase – ndër këto bënte pjesë edhe ajo e shqiptarëve të kryehershëm. Po ku shtrihej kjo zonë relikte e kryehershme shqiptare? Sipas të gjitha gjasave këtu bëhet fjalë për një zonë të mbyllur malore. Stadtmülleri vjen në përfundim, që është e mundur të kemi të bëjmë me zonën e Matit në Shqipërinë Veriore. Mati rrethohet nga të gjitha anët me vargmale të larta dhe i dëshmon të gjitha parakushtet për një zonë relikti. Zona e Matit feks të mos ketë qenë përfshirë nga romanizimi dhe të ketë mbetur jashta zonës së ndikimit direkt të Romës.
Natyrisht që gjuha e shqiptarëve të kryehershëm nuk ka mbetur e kursyer nga ndikimi roman. Këtë e dëshmojnë elementet e shumta romane në shqipen e sotme. Këtu kemi të bëjmë në rend të parë me shprehje nga jeta qytetare (psh. qytet < civitatem), nga organizimi shtetëror (mbret < imperatorem), nga bujqësia e kështu me radhë. Sinjifikante është që edhe emërtimi për kullosat dimërore (vërri) është me origjinë latine (hibernium); vërrijet e shqiptarëve të kryehershëm do të kenë qenë në zona, të cilat i janë nënshtruar romanizimit. Këtej shqipja e kryehershme mund të konsiderohet si gjuhë pjesërisht e romanizuar.
Sikur ky zhvillim të kishte vazhduar edhe më tej, shqipja me gjasë nuk do t’ia kishte dalë t’i bëj ballë latinishtes. Porse romanizimi u ndërpre përnjëherë, kur nga viti 600 Europën juglindore zunë ta invadojnë sllavët.
Banorët e romanizuar të zonës kontinentale të Ballkanit u arratisën kah bregdeti, shqiptarët e kryehershëm u shkëputën nga rrethina e tyre e romanizuar duke shpëtuar kësisoj nga romanizimi i plotë.

Koha e hershme shqiptare
Koha pas zënies së territorit nga sllavët vlen si njëra nga periudhat më të errta të historisë së Europës juglindore. Madje edhe kronistët bizantinë që përndryshe janë fort mirë të informuar nuk dinë të dëftojnë gjë për brendësinë e Ballkanit në shekujt 7-10. Në bazë të emrave sllavë të vendeve, ndërkaq, mund të pohohet se e tërë zona që sot banohet me shqiptarë do të ketë qenë përplot ngulime sllave. Stadtmülleri e nënvizon tezën e vet të Matit me faktin që aty paraqiten më së paku toponime sllave dhe ato që janë kufizohen kryesisht në luginën e lumit Mat. Edhe ndarja kishtare, sipas mendimit të tij, flet që Mati kishte mbetur tokë e askujt: ky rajon gjendej në mes të zonës së ndikimit bizantin, të perandorisë bullgare e të Principatës së Duklës (Dioclea). Përderisa për të gjitha zonat fqinje në mesjetën e hershme mund të dëshmohet prezenca e peshkopateve, për Matin nuk ka dëshmi të tilla.
Teoria e Stadtmüllerit e zonës relikte duket bindëse. Ndoshta kufizimi në zonën e Matit është pak i ngushtë: ndoshta kjo zonë ka qenë më e madhe ose ndoshta ka pasur më shumë zona të tilla.
Stadtmüller me qëllim nuk është përcaktuar t‘i derivojë shqiptarët nga ilirët apo thrakasit. Parashqiptarët i quan një “nga fiset e shumta të ilirëve apo të thrakasve.” Në historiografinë shqiptare prejardhja ilire nuk diskutohet, por vlen si fakt i pakontestueshëm.
Sipas konceptit shqiptar, shqiptarët kanë jetuar gjithmonë aty ku jetojnë edhe sot, edhe atë në tërë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në trojet shqiptare të Jugosllavisë. As romakët, as sllavët nuk kanë arritur ta prishin kontinuitetin e njësisë etnike-kulturore të ilirëve dhe shqiptarëve. Nuk kanë ekzistuar kurrfarë zonash relikti, ku vendasit janë detyruar të strehohen nga pushtuesit e huaj. Administrata romake, bizantine e më vonë ajo sllave jashtë qyteteve e selive peshkopike nuk ka pasur kurrfarë autoriteti. Disa autorë madje pohojnë që edhe qytetet kanë mbetur qendra të kulturës iliro-shqiptare. Në çdo gjë madje edhe në veshjet popullore e në keramikë qëndron kontinuiteti në mes të ilirëve dhe shqiptarëve.
Imazhi që krijon shkenca shqiptare rreth historisë së hershme vetjake është thjeshtëzues-jokritik dhe feks i stisur. Dëshmia gjuhësore për farefisninë shqipe-ilirishte deri tash nuk është ofruar ende.
Tash vonë historiani Gottfried Schramm (Anfänge des albanischen Christentums. Die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen. Freiburg 1994 (Fillet e krishtërimit shqiptar, Konvertimi i hershëm i besëve dhe pasojat e tij të gjata) ka ringjallur tezën e vjetër të prejardhjes së shqiptarëve nga thrakasit, dmth. që kanë imigruar. Përderisa nga besët ende nuk kemi kurrfarë dëshmish gjuhësore, teza e tij do të mbetet vetëm hipotezë njësoj si prejardhja prej ilirëve që nuk dëshmohet dot gjuhësisht. Sidoqoftë falë Schrammit në çështjen e prejardhjes së shqiptarëve sërish ka zënë të lëvizë diçka.
(Përkthimi: Shkumbin Brestovci, 1998)

Marrë nga Muri i FB Agim Morina, 8 gusht 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.