back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Enigma e një fjale… – nga Genc Hoti – (A mos është një Fjalë paraardhëse e Gjuhës Shqipe?)

Gazeta

Studiuesi Genc Hoti
Studiuesi Genc Hoti

Enigma e një fjale…*

nga Genc Hoti

A mos është një Fjalë paraardhëse e Gjuhës Shqipe?

Të gjithë ne që u morëm me këtë punë nuk ishim profesionistë të kësaj fushe, por dëshira për aventura dhe zbulime të panjohurash na shtyri para disa vjetësh t’i hynim një pune që do të çonte në këtë zbulim, që gjithsesi fsheh një të panjohur me mundësi të lidhura me historinë e Krishtërimit të Hershëm në trojet ku sot banojnë sot shqiptarët, por dhe të një Fjale me shumë gjasa ilirisht e shek. të I-rë. Zanafilla e këtij zbulimi i duhet dedikuar banorëve të vjetër të fshatit Labinot-Fushë të cilët pretendonin se më 1939-1943, në afërsi të fshatit të tyre një ekspeditë italiane kishte punuar për një problem të panjohur dhe italianët kishin përhapur fjalë se në atë zonë do të vinte vetë Benito Mussolini (fig. 1).
Enigma e një fjale (fig. 1)
Enigma e një fjale (fig. 1)

Për këtë ishin ndërtuar dy galeri me gjatësi rreth 4-5 metra që komunikonin me njëra-tjetrën në fund dhe të gjitha këto ishin betonuar duke qënë krejt bosh, por që nuk kishin asnjë domethënie ndërtimore të karakterit fortifikues (fig. 2).

.
Enigma e një fjale (fig. 2)
Enigma e një fjale (fig. 2)
Kjo gjë e kishte detyruar një mësues letërsie, Kadri Hyshmeri, para shumë vjetësh të privatizonte ambientin dhe të ndërtonte një lokal luksoz disakatësh, duke i vënë emrin “Kështjella”, në afërsi të të cilit fshihet kjo enigmë (fig. 3, 4).
Enigma e një fjale (fig. 3)
Enigma e një fjale (fig. 3)

Ideja e Kadri Yshmerit ishte pak më ndryshe, por gjithsesi pas një pune disavjeçare kërkoi ndihmën time profesionale, si teknik gjeofizik që isha. Para disa viteve pata fatin të merrem me këtë punë dhe të hulumtoj enigmën që kishin kërkuar italianët duke e vizituar “Kështjellën” me dhjetra herë. Duke kërkuar me aparaturat tona strukturëzimin e ambientit rrethues arrita në përfundimin se poshtë masivit shkëmbor duhej të fshihej një sekret historik shumë më i shtrenjte se thesaret qe kerkoja prej dhjetra vjetesh dhe ishte kjo aresyeja perse ekipi italian kishte punuar për disa vjet pa zbuluar asgjë, por duke qënë larg saj vetëm 30 metra. Pyetja që më mundonte në atë kohë ishte shumë e thjeshtë: çfarë kërkonin italianët dhe përse kishin vepruar me kaq fshehtësi?

.
Enigma e një fjale (fig. 4)
Enigma e një fjale (fig. 4)
I kërkova të zotit të pronës informacion mbi ngjarje të vjetra historike dhe me intuitë ja kërkova të lidhura me Krishtërimin e Hershëm. Në atë kohë e kisha përfunduar studimin mbi idetë fetare ndër parashqiptarë dhe shqiptarë duke bërë një lidhje midis udhëtimit të Apostullit të Krishtit në Epirin e asaj kohe Shën Palit, Papës epirot Shën Eleuterit (175-189), Kishave Paleokristiane (njihja dy të tilla në Bylis, ku kisha punuar më 1985, në ndihmë të Prof. Neritan Cekës, për të cilat thuheshin se datoheshin tëe shek. IV) e që ndodheshin në trojet e sotme shqiptare dhe karakterit primitiv të banorëve vendas. Arsyeja më thoshte që pikërisht nën tokë në atë masiv shkëmbor duhej të fshihej një enigmë e lidhur me Shën Palin, për të cilin ekzistonte një tërësi legjendash duke filluar nga Labinot-Fusha, vazhduar në Shëngjergj e Shënmeri dhe mbyllur në Shënpal të Tiranës; në këtë fshat të fundit ekzistonte një legjendë mbi një udhëtim të Shën Palit (dikush thotë se është i Gjon Pagëzorit edhe pse nuk ka asnjë të dhënë mbi udhëtimin e tij në këto troje) me kokë të prerë. Kjo e fundit e vulosi në një farë mënyre, sipas meje, enigmën italiane: ata kishin punuar për të zbuluar gjurmët pikërisht të Shën Palit dhe e kishin pasur të lehtë për t’ia fshehur shqiptarëve në ato vite. A kishin ndjekur rrugën e legjendave vendase, apo kishin ndonjë informacion të paditur nga ana ime, kjo nuk paraqiste më asnjë rëndësi pasi mendimi im ishte që duhej futur nën tokë pikërisht atje ku ekzistonte anomalia më e madhe gjeofizike (një punim shumë-shumë i hershëm rreth dhjetë metra i thellë dhe, fillimisht, mbi 30 metra i gjatë).
.
Enigma e një fjale (fig. 5)
Enigma e një fjale (fig. 5)
Por Kadriu më dha edhe një lajm tjetër: “Në atë vend vendasit mbanin mend një kishë tepër të vjetër që tashmë nuk ekzistonte më, por që në kohën e Italisë Fashiste kishte ekzistuar (ndoshta kjo ishte pika e referimit të enigmës). Sidoqoftë anomalia gjeofizike dhe vendndodhja e kishës së vjetër përputheshin (fig. 5), kështu që ose kishim të bënim me bodrumet e kishës, ose kisha ishte ndërtuar mbi një vendkult të hershëm të krishterë (ndoshta edhe pagan). Por anomalia gjeofizike zgjerohej shumë më tepër në jug dhe pikërisht rreth 30-40 metra në juglindje të tuneleve që kishin bërë italianët dhe ndodhesh rreth 4 metra poshtë rrafshit horizontal të bazamentit të tyre (fig. 6).
Enigma e një fjale (fig. 6)
Enigma e një fjale (fig. 6)
Biseda me Kadriun, dhe me punonjësit që e shoqëronin, na çoi në përfundimin se duhej gërmuar në gjurmët e Kishës së vjetër, meqënëse në atë vend kishim një përputhje të matjeve me legjendat.
Mendimi im ishte që të hapej një pus 4×4 dhe pastaj të hapej krahu jugor drejt masivit shkëmbor. Por Kadriu, pasi hapi pusin rreth 8-10 metra të thellë, i vazhdoi punimet drejt veriut dhe një ditë prej ditësh më kërkoi në telefon: “Hajde se kam gjetur diçka për ty!” – ishin fare shkurt fjalët në telefon. Çfarë kishte ndodhur?! I biri i Kadriut, Elisi, një mësues i artit të skulpturës, kishte marrë në dorë punimet dhe me anë të shokëve të tij kishte avancuar drejt veriut nëpërmjet një koridori me mure të vjetra të trasha ku kishte takuar disa hapsira të konsiderueshme dhe në krahun majtas kishte parë pikërisht këtë shkrim (fig. 7). Ishte një punë kolosale pasi ishin pastruar rreth 40-50 metra kub formacioni gëlqeror të përzier me shtuf ku shihej dora e njeriut. E kishte fotografuar dhe kur unë arrita e gjeta përpara kompjuterit duke admiruar pamjen. Çfarë përfaqësonte vallë kjo fjalë, o grup fjalësh? Kush e kishte shkruar dhe me çfarë qëllimi? A nuk përbën e gjitha kjo një enigmë të pa zbuluar?
.
Enigma e një fjale (fig. 7)
Enigma e një fjale (fig. 7)
Asnjë nga ne nuk mund të thoshte asnjë fjalë dhe asnjë nga ne nuk ishte i aftë ta interpretonte atë që kishte gjetur Kadri Yshmeri me djalin e tij. Elisi kishte tentuar të hiqte bojën midis gërmes b (e katërta majtas) dhe c (e pesta majtas) duke gërryer me brisk për të marrë kampione dhe për të analizuar moshën, por ishte e pamundur pasi ishte shkëputur si luspe peshku (vetëm sa e kishte prishur!!). Prandaj ka një hapësirë boshë midis gërmës b dhe c ku gjendet një pikë boje aktualisht.
Pa asnjë lloj paragjykimi  shtroheshin tre pyetje:
-Ishte një shkrim para 1950 vjetësh?
-Ishte një shkrim para 70 vjetësh?
-Ishte një shkrim abuziv pas vitit 1945?     
Shkova disa herë të tjera në atë vend duke e rikontrolluar me aparatura vendin shkëmbor dhe ngula këmbë për të vazhduar punimet nën të, por ishte e pamundur (duheshin njerëz të specializuar në këtë fushë dhe mjete të posaçme) dhe mbi të gjitha fonde, të cilat nuk mund të përballoheshin nga asnjëri prej nesh!
Kadri Yshmeri dhe i biri i tij, Elisi, kishin bërë më shumë se sa u takonte, përveç zbulimit!
Tiranë, më 24 shkurt 2014
.
*Shkrimi mban numrin 77 e që është i tillë në rradhën e studimeve dhe hulumtimeve të Genc Hotit
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.