back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Ëndrra e ndaluar, por jo e pajetuar e Nuri Beshirit” Marsida Najdeni

Gazeta

Jusuf Beshiri - Interviste te "Corriere della Sera" 1991
Jusuf Beshiri – Interviste te “Corriere della Sera” 1991

“Ëndrra e ndaluar, por jo e pajetuar e Nuri Beshirit”

shkrim nga Marsida Najdeni

Familja e shquar e Beshirëve, që nga i pari i tyre e deri tek pinjollët e fundit.

Nëpërmjet rrëfimit të tyre dhe dokumentave historikë.

Nuriu është 86 vjeçar, por kujtesën e ka si të një djaloshi. Atij ende i duket sikur dëgjon hapat e tija të kërcimit tip-tap nën ritmin e muzikës jazz teksa me trupin elegant dikur gjallëronte sallën e të famshmes “Kinema-theatër Nacional” në Tiranë. Nuriu mund të jetë ndër të parët shqiptarë që ka dhënë shfaqje të këtij kërcimi në Shqipëri.
Kërcimi “tap dance” dhe pse i ka rrënjët në Irlandë, famë, frymë dhe jetë mori në Amerikë veçanërisht në dekadat e para të shekullit të kaluar. Të famshëm këtë kërcim e bënë shfaqjet e Brodueit të Nju Jorkut dhe emrin në botë ia dhanë filmat kinematografikë hollivudianë me aktorë si Fred Astaire, Ginger Rogers, Joan Fontaine, etj. Është një kërcim ritmik, i cili kulmin e vet e gjen tek përplasja e këmbëve në dysheme në mënyrë të shkathët dhe sipas melodisë.
Kureshtja të çon me të drejtë të pyesësh se si erdhi kjo formë kërcimi dhe muzike deri tek Nuriu në Tiranën e viteve ’30-’40?! Përgjigja më e shpejtë do të ishte “mjafton t’i shikosh mbiemrin Nuriut”. Por kjo do të qe mjaft e thjeshtë e unë s’do të kisha mëpastaj mundësi t’i dedikoja këto rreshta një artisti që sot e njohim shumë pak.

Mehmet Ali Beshiri - U pushkatua me "Grupin e Deputeteve"
Mehmet Ali Beshiri – U pushkatua me “Grupin e Deputeteve”

Familja Beshiri
Historia e familjes Beshiri i ka fillesat në fshatin Besh të Tiranës nga ku merr dhe rrënjët mbiemri i tyre. Familja atje kishte toka të konsiderueshme populluar me pyje. Ardhja në qytet do të bëhej mbi tre shekuj të shkuar dhe të parët e tyre, – siç tregon Nuriu, – do të merreshin me tregtinë e përpunimit të drurit për anije. Blerësit kryesorë ishin venedikasit e kohës dhe austro-hungarezët, por mbrapa nuk mbeti dhe Shkodra në furnizimin me dru të përpunuar prej Beshirëve. Pasuria e familjes në Shqipërinë e tre shekujve të kaluar falë kësaj tregtie do të bëhej e konsiderueshme, gjë që i dha dhe mëvetësinë për të mos mbajtur asnjëherë tituj zyrtarë në Shqipërinë Otomane. Gjurmët që ka lënë kjo familje janë të një forme deri diku të pabesueshme. Jo vetëm në trevën e Tiranës, që do të bëheshin nga dyert më të mëdha, por pa më të voglën mëdyshje në të gjithë Shqipërinë. Siç e kërkonte zakoni familjet e pasura, duhet të bënin bamirësi të njëpasnjëshme, e familja Beshiri bamirësitë i ka me qindra, por ajo që i ka bërë ballë harresës kolektive është “Ura e Beshirit” mbi lumin Erzen. Siç mësojmë nga libri “Tirana e Vjetër” me autor studiuesin Gazmend Bakiu, kjo urë u ndërtua për herë të parë rreth vitit 1840, si pasojë e nevojave të transportimit të mallrave drejt perëndimit, por edhe për të penguar mbytjen e fshatarëve që vinin drejt Tiranës për të shitur prodhimet e tyre. Ura u ndërtua disa herë për shkak se lumi Erzen ka qenë shumë i rrëmbyeshëm; këtë gjë e mësojmë nga albanologu J. G. von Hahn, i cili e vizitoi këtë urë në vitin 1863 duke pohuar se ishte e treta herë që ndërtohej nga Ali Beshiri, me një shume që i kaloi 12 mijë napolona floriri. Por bamirësia e Beshirëve do të shtrihej deri në Dibër e Kosovë prej fatkeqësisë së dhunimit të shqiptarëve të atjeshëm. Në Peshkopi u njihet ndërtimi i një hani të madh ku punëtorët ose udhëtarët të kishin ku të pushonin. Në Kavajë do t’u njihet ndërtimi i “Teqesë së Aleksit” për besimtarët bektashianë dhe e emëruar e tillë pse aty në atë rrugë ka kaluar perandori Aleks. Këtë shpjegim na e jep përsëri J. G. von Hahn, i cili ia bashkangjit Beshirëve ndërtimin e këtij tempulli fetar.

Jusuf e Nuri Beshiri (i biri)
Jusuf e Nuri Beshiri (i biri)

Në kapërcyell të shekullit të kaluar, në familjen Beshiri po rritej një patriot i vërtetë, e mbi të gjitha një intelektual i brumosur me ide aq sa rilindase, aq sa dhe perëndimore, duke ju bazuar gjithmonë traditës, ky ishte Jusuf Beshiri, i jati i Nuriut. Jusufi lindi më 1887, ku fëmijërinë e tij do ta kalonte duke mësuar shqip fshehurazi në shkollën fillore të Tiranës, të  rihapur asokohe prej Filip Ashikut. Në kujtimet me shkrim që ka lënë vetë Jusufi tregon sesi, gjatë fëmijërisë, u mësonte shokëve të lagjes shqip mbasi dilte prej shkollës së zotni Ashikut. Brumosjen akoma më atdhetare do ta merrte në Selanik ku kreu Liceun si gjimnazist nën ndikimin e shqiptarëve patriotë siç dhe njihen tanimë si “Studentat e Selanikut”. Në Selanik do t’u hapte rrugën dhe tiranasve të tjerë si Jonuz Tafaj, Ali Fortuzi, Bedri Toptani, etj. Por edhe në Stamboll, ku u diplomua për Shkenca Ekonomike, do të ishte aktiv në qarkun e patriotëve rilindas. Për ta kuptuar frymën patriotike të Jusufit dhe veprimtarinë e tij në Tiranë e tutje mbas kthimit nga Stambolli në 1907, po shkëpus disa rreshta prej ditarit të tij marrë nga libri i zotni Zenel Anxhakut me titull “Një kinema, një familje, një qytet”!  “Me rënien e Sulltan Hamitit dhe shpalljen e Hyrjetit unë, me patriotët shqiptarë ku bënte pjesë edhe ajo pakicë intelektualësh, u formua një parti nacionaliste që mori emrin “Partia Shqiptare”, objektivi i të cilës ishte çlirimi i vendit nga pushtimi turk. Partia shqiptare me veprimtarinë dhe agjitacionin e saj ilegal mundi të shtojë radhët e saj, gjë që e alarmoi qeverinë turke të asaj kohe e cila nisi urgjent Turgut pashën. Ky në bashkpunim edhe me udhëheqjen e partisë tjetër antishqiptare bëri arrestime ndër patriotë dhe intelektualë. Ndër të arrestuarit isha dhe unë”. E në fakt kështu kishte ndodhur, e mësojmë këtë gjë tek libri “Historia e Tiranës” së Kristo Frashërit, i cili materialin e ka gjetur tek libri “Patriotizma në Tiranë” të Ibrahim Dalliut, të dy konfirmojnë se Jusuf Beshiri me patriotë të tjerë tiranas si Ibrahim Dalliu, Beqir Luga, Mustafa Mara, etj do të tërhiqeshin me kuaj deri në Elbasan, në gjygjin Otoman që ju bë, e Jusufi bashk më të jatin do të kryenin 14 muaj burgim. Kjo nuk do t’i ndalonte kurrësesi Beshirët që t’i bashkangjiteshin Toptanasve më 26 nandor 1912 ku bashk me bashkqytetarët e tjerë dhe me në krye Refik Toptanin të ngrenin flamurin kuq e zi si shenjë e pavarsisë ndaj pushtuesit osman.

STAMLES - Prone e Beshirve
STAMLES – Prone e Beshirve

Ndër të parët aksionerë shqiptarë dhe “arti i shtatë”
Pas shpalljes së pavarësisë më 1912, Jusufi bashkë me tre vëllezërit e tij do t’i dedikoheshin tregtisë, por në një formë që kërkush më parë se kishte zbatuar në Shqipëri. Falë njohurive të tija ekonomike dhe traditës familjare më 1928, Beshirët do të hapnin fabrikën për prodhimin e makaronave; një degë do të hapej edhe në Sarandë e Vlorë nga Tahir Beshiri, vëllai Jusufit. Më përpara se kaq, më 21 shkurt 1922 ishte krijuar e mirënjohura “S.T.A.M.L.E.S” (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) për prodhimin e cigareve dhe shkrepëseve, e cila ishte ideuar nga Jusuf Beshiri. Ai do të mblidhte pinjollë të familjeve të pasura tiranase e durrsake duke i dhënë gjithkujt aksione të caktuara. Për të kuptuar madhështinë e kësaj firme aksionere mjafton të shikojmë shifrat. “Në vitin 1942 kapitali i kësaj firme arriti në 2 milion e 500 mijë franga shqiptare. Ndërsa numri i aksionerëve në vitin 1946 arriti në 270 vetë, që kapnin një kapital prej 35 mijë aksione (një aksion ishte baraz me njëqind franga shqiptare)”.  Përparimi në të bërin ekonomi si perëndimorët shihet mjaft qartë, sepse punëtorët e “S.T.A.M.L.E.S” e merrnin rrogën çdo fundjavë në 12 të drekës, e po ashtu të parët në Shqipëri që dhanë të ashtuquajturën rrogën e 13-të në muajin dhjetor (Zenel Anxhaku). Kjo gjë që vazhdon të praktikohet në disa vende evropiane. Atdhedashuria e kësaj familje shikohet tek fakti se të gjithë puntorët e shoqërisë “S.T.A.M.L.E.S”, pra ata puntorët e krahut të përpunimit të duhanit, letrave, shkrepëseve, u mbajtën me rrogë të plotë përgjatë gjithë kohës së pushtimit nazi-fashist.

Sehavet e Sybhije Beshiri
Sehavet e Sybhije Beshiri

Gazetarja Fatmira Nikolli me të drejtë disa vjet të shkuar do të deklaronte se “artin e shtatë në Shqipëri e pruri dhe e zhvilloi Jusuf Beshiri nga Tirana”. E pra, fati e deshi që Tirana të kishte një djalë sa patriot aq dhe artist, sa burrëror po aq dhe romantik. Ishte Jusuf Beshiri që më 22 Nandor 1926 do të hapte në Tiranë, “Kinema-theatër Nacional”. Për Shqipërinë e asaj kohe, ku tek-tuk kishte ndonjë shfaqje në Shkodër apo në Korçë, krijimi i një salle kinemaje me funksion dhe teatror ishte arritje e madhe shoqërore. Publicisti dhe petagogu i njohur shkodrani Mati Logoreci do t’i dedikonte shkrime e lavde pafund nismës së Jusuf Beshirit, aq më tepër kur ky i fundit do të hapte salla të tjera të këtij lloji në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Berat, etj. Logoreci shkruante “E kush nuk e njef shtëpin e Beshirvet të Tiranës? Nji familje ndër ma të vjetrat të këtij qyteti e qi përherë âsht marë me tregti, tue perhapun nji êmën të dlirë e të pastër në botën tregtare mbrenda e jashta Shqypnije” (Zenel Anxhaku). E në fakt Logoreci e dinte se tregtia e Beshirëve kaloi përtejmi Adriatikut. Për agjencinë e tyre tregtare në Trieste ka shkruar dhe Albert Geti dhe A. S. Markoni. “Kinema-theatër Nacional” kësisoj u bë dritarja e parë perëndimore për shqiptarët. Një urë tjetër që Beshirët u falnin shqiptarëve drejt perëndimit. Aty do të paraqiteshin për herë të parë yjet hollivudianë. Për të arritur në një perceptim më të denjë të asaj që sinjifikonte “Kinema-theatër Nacional” për shqiptarët na ndihmon dhe kujtimi i piktorit të madh me famë botërore Ibrahim Kodra, i cili fillimet e tija artistike i ka pikërisht duke punuar për “Nacionalin”; nga dora e tij dilnin afishet për reklamimin e filmave. “Kinema-theatër Nacional, ishte një Tempull shpirti për Tiranën”, – thotë Kodra në intervistën dhënë për Zenel Anxhakun. Falë bujarisë së familjes Beshiri, Ibrahim Kodra do të shkonte me studime në Europë i sponsorizuar prej tyre.

Nuri Beshiri - Mjeshtri i Tip-tapit
Nuri Beshiri – Mjeshtri i Tip-tapit

Nuri Beshiri dhe… “ëndrra që u pre…”
E pra s’mund të flisja dot për Nuriun pa përmendur familjen e tij të madhe. Lidhja e Beshirëve midis tregtisë dhe artit është e ngushtë; produktin e kësaj ndërlidhjeje e gjejmë tek Nuri Beshiri. Nuriu lindi më 1928, fiks dy vjet mbasi i ati kishte hapur të famshmen “Nacional”. Kuptohet fare mirë me çfarë ambienti dhe me ç’frymë u rrit Nuriu kur qysh në vogëli në shtëpinë e tij do të vinin Ibrahim Kodra, Mati Logoreci, Mediha Frashëri, Eleni Qirici, e deri tek boksieri mjaft i njohur i ardhur nga Turqia, Nasi Polena.
Përpos këtyre, imagjinatën e tij djaloshare dhe hovin rinor do t’ja ushqenin filmat hollivudianë dhe ato italianë. Ai shprehet se kalonte orë duke studiuar në detaje çdo film muzikor, që vinte në kinema “Nacional”, si dhe në atë “Rozafat” e hapur po nga i ati në Tiranë. Të kishe mundësinë të shikoje duel baletin midis Fred Astaire dhe Ginger Rogers ishte përrallore për çdo djalosh të Shqipërisë të asaj kohe. Nuriu është njohës i mirë i disa veglave muzikore, falë dëshirës të të atit duke i vënë atij mësues privat muzike. Duke mos ja prishur dëshirën të atit, ai mësonte veglat muzikore, ama mendjen e kishte tek ai kërcimi i çuditshëm, që shihte në filmat amerikanë, e si një kometë, kërcimi tërheqës i vinte nga larg. E bash kështu, Nuriu mendonte se ajo kometë në Tiranën e viteve ’30-’40 kishte vetëm emrin e tij. Prandaj bashkë me të motrën ditët i kalonin me orë të gjata duke kërcyer tip-tap. Nuk lodhej kurrë me muzikën ritmike jazz, duke përplasur këmbët e tij mbi dysheme të “Nacional”, duke e hedhur trupin pupthi në ajër; kjo rutinë do të zgjaste me vite.

Djemtë e Jusufit - Eshref e Nuri Beshiri
Djemtë e Jusufit – Eshref e Nuri Beshiri

Po t’i referohemi shkrimtarit Lazër Radi në librin e tij “Shqipëria në vitet ’30-të”, që ka për kopertinë qendrën e Tiranës së vjetër, duke dashur të na thotë se ishte epiqendra, kryeqyteti në ato vite gumëzhinte nga intelektualizma si rrallëherë më parë në Shqipëri.
Dekada e tretë e shekullit të kaluar ishte kulmi artistik i Shqipërisë. Shembull konkret është se në kafe “Kursal” do të hapej e para galeri pikturash në Shqipëri. Gjithë Shqipëria mbante frymën në Tiranë, gjithësesi pak veta dinin ta vlersonin artin e Nuriut, kërcimin e çuditshëm “tap dance”. Kështu që shfaqjet e Nuri Beshirit duke parë opinionin publik ishin të natyrës private e shoqërore. Duke shfrytëzuar sallën e kinemasë së të atit ai shfaqjet i bënte me njerëz të zgjedhur. Ai për të rinjtë e kryeqytetit qe kthyer në argëtim; rinia e ndiqte plot hare Nuriun që kaplonte sa në një cep në tjetrin të “Kinema-theatër Nacional”. Brezi i tij gjithmonë do ta mbante mend për balerinin e Tiranës së epokës së artë. Nuriu pati mundësinë gjithësesi ta shijonte artin e tij për disa vjet derisa kinema “Nacional” do të rrëmbehej nga shteti komunist e do të riemërtohej “17 Nëntori”, thua se Tirana fillonte me ato partizanët e panjohur të ardhur nga hiçi. Familja Beshiri, si shumë familje të kamura të kohës, do të kalonte në vorbullën e konfiskimeve, burgimeve, e të një lufte klase që zgjati për gjysëm shekulli. Nuriu më tip-tap nuk kërceu! Punoi pa lodhje si tipograf në shtet, ndërsa vitet e tranzicionit i ka kaluar mbi arkiva e dosje për të marrë pronën që i takon me të drejtë, por që po ja shfrytëzojnë hajdutat e mileniumit të ri. Por Nuriu lumturinë personale e gjen tek i biri, Jusufi, të cilit jo pa qëllim i vuri emrin e të atit. Jusufin, Nuriun, e Jusufin e ri jo vetëm që i lidh geni por, edhe arti. Nga kinemaja, tek kërcimi, e piano kjo është jeta e Beshirëve. Jusuf Beshiri (i riu) ka mbaruar Universitetin e Lartë të Arteve në Tiranë për Piano. Më pas në Itali do të dy diplomohej nga i famshmi konservator “Xhuzepe Verdi” i Milanos për Organo dhe Kompozicion Organistik, gjithashtu për Klavicembal dhe instrumenta me tastjerë të periudhës Baroke. Kështu Jusufi (i riu) është i pari që e ka sjellë këtë frymë muzikore në Shqipëri, ku punon si pedagog në Akademinë e Arteve. Falë koncerteve të panumërta ai njihet gjërësisht në boten shqiptare dhe europiane të artit.
Le të jetë historia e kësaj familje një frymëzim për shqiptarët e sotëm. Shembulli i kësaj familje intelektuale, patriotike, bamirëse dhe artdashëse duhet t’i frymëzojë “parellinjtë e rinj” të Shqipërisë së sotme të ndjekin hapat e mrekullueshme të Beshirëve në të mirën e përbashkët kombëtare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.