back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Ekspozita e të mbushurve – tregim nga Arben Imeri

Gazeta

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Ekspozita e të mbushurve

tregim nga Arben Imeri

Si bari’ shpirtëror dhe kulturor, Konica u foli për dy orë rresht disa bejlerëve shqiptarë që kishin shkuar ta takonin në Boston. Në sallë, përveç vëllezërve të ardhur nga vatani, kishte edhe plot bashkatdhetarë dhe patriotë që jetonin e punonin në Amerikë.
Meqenëse Shqipëria nuk ishte akoma shtet sagllam, por ngjante me një vend rrumpallë, u foli atyre për kushtetutën, rëndësinë dhe dobinë e saj. Me retorikë perfekte dhe terminologji të kuptueshme u shpjegoi se duhej të merrnin shembull nga Amerika, se ajo ia thoshte për ligje e për demokraci. U foli plot butësi, durim e shpesh herë me dinamizën, iu tregoi se revolucioni fillonte nga mendjet e njerëzve, se e ardhmja e Shqipërisë duhej të ishte oksidenti dhe jo orienti. Ofiqet qeveritare dhe rolin e klasës drejtuese duhet t’i mbajnë njerëz idealistë e që kanë merita vetjake e jo të trashëguara, u tha, jo pa qëllim.
U lodh e u cfilit ne shpjegime, por, kur mbaroi ligjëratën, u ndje euforik, krenar dhe ngadhnjimtar. Ja kish vlejtur barra qiranë që kish kuvenduar me njerëz, të cilët e donin atdheun dhe dëshironin të zhduknin anadollëkun e injorancën mbytëse që akoma mbizotëronte në shoqërinë shqiptare.
-Kini ndonjë pyetje për te bërë, ndonjë paqartësi? – pyeti bashkatdhetarët e tij të kamur, para se të mbyllte bisedën.
-Kam unë, – tha një bej mustaqespicë, i ri në moshë, i veshur me një kostum të zi e me një cilindër në kokë, i cili gjithë kohën e kish dëgjuar me vëmendje shqiptarin e zgjuar dhe patriotin e flaktë.
-Jam i lumtur t’ju përgjigjem, – ia ktheu buzagaz eruditi.
Ju bë qejfi që fjala e tij e kish vënë në mendime beun e vëmëndshëm.
Beu u ngrit në këmbë dhe pa përreth, nga salla, sikur të donte të pikaste ndokënd. Nja dy shokë të tij, që i ishin ulur pranë, tundën kokat, si për t’i treguar të pranishmëve se beu mustaqespicë, me fjalët që do thoshte, do tregonte se në mes tyre më i zgjuari dhe më i zoti ishte vetë ai. Të tjerët mbajtën vesh.
-Kjo kushtetuta që na folët ju, zotëri, – vazhdoi beu me një zë të trashë, – çfarë është dhe përse shërben…?!
Faiku hapi njëherësh sytë dhe gojën. Vështroi beun për disa sekonda e më pas, fisnikët e tjerë. Fytyrat e tyre prisnin me padurim përgjigjen. U mendua disa çaste, kokulur. Ia njihte talentin vetes, por jo aq sa për t’i bërë ballë zjarrit vdekjeprurës të beut kureshtar.
Hodhi sytë nga dritarja që kishte më afër. Iu afrua dhe e hapi. Në ballë ndjeu flladin e ajrit të pastër. Mbylli sytë dhe mori frymë thellë. Pastaj, plot zhurmë, shfryu ajrin, si të donte të lirohej nga një siklet që po i ngushtonte fytin. Zgjati kokën jashtë dhe pa poshtë, në asfalt. Numëroi katet që e ndanin nga rruga: nuk ishin shumë, por as edhe pak, numëroi tre të tilla.
Një mendim e kaploi të tërin: po sikur të hidhem poshtë e të dorëzohem te zoti, mendoi. Ndoshta, për solidaritet, veprimin tim e huazojnë edhe bejlerët. Nëna Shqipëri do më falë, ndërsa nënokja ime, atje lart në qiell, do ma bëjë hallall. Në atdhe do më shpallin dëshmor, ndoshta do më quajnë hero… Si thua, Faik derëbardhi, – pyeti veten, – nëse nuk ke aq cipë e guxim, vafsh në djall edhe ti, sepse ke vetëm llafe e jo këllqe… Apo mos do lësh fëmijët jetimë?
E ndjeu që në ato momente, si përherë, duhej të bënte ujdi me kurajon dhe hasmëri me hezitimin.
…Dëshira për të ndërmarrë aktin sublim i iku shpejt: u kujtua që kishte disa borxhe ndër bashkatdhetarë dhe, gjithë maraz, ndërroi mendje. E ndjeu veten të dërrmuar.
-Nuk ke faj ti, mor jo! – iu hakërrye beut që i bëri pyetjen. – Kam unë!
Beu hapi sytë dhe pa shokët e tij plot habi.
-Çfarë faji keni ju, shkëlqesi? – i tha – Pyetja ime nuk kishte për qëllim të ishte një pusi për ju.
-Kam mor, kam, si nuk paskam! Për at’ Zot që është në qiell, kam! – ia ktheu Faiku, i cili njihej si zevzek dhe hatërmbetës i madh. – Kam, që mos paça, kam, sepse dua të zbraz timen dhe të mbush tënden…!
Beu zgjati kokën përpara si për të kuptuar më tepër. Vështroi edhe të tjerët, por askush nuk ndërhyri. Filloi të mendohej se kush duhej zbrazur dhe kush duhej mbushur.
Një çast vuri buzën në gaz.
Nxitoi të kontrollonte xhepat…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.