back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë Piramidën…

Gazeta

Kasolla Saver - Piramida
Baraka Saver – Piramida

 

Edhe unë kam me dalë me JU

me e mbrojtë Piramidën…

nga Jozef Radi

Piramidën kam pasë rast me e pa ndër t’parat ditë të saja, atherë kur andrra e vazhdimsisë vërtitesh si nji skifter i panginjun mbi krenat e lodhuna të nji populli që prej kohësh e kishte humbë pusullen nga duhej ecë e nga mund të projektohej e ardhmja e tij. Me pak fjalë, kur u shfaq Piramida,  Partia kahera po e çonte krejt nji popull drejt bjerrjes së plotë së respektin ndaj vetvetes…
Si vizitor i edukuem me pa përtej asaj çka dukej… s’mundem me e mohue as madhështinë e asaj vepre, as shkëlqim lëbyrës të mermerit mbrenda saj, as at konceptim djallëzor ku ishte jo vetëm diktatori, tashma fantazëm, po edhe e shoqje me krejt Institutin e saj famëzi, po edhe ai Ndjeksi e Mkambsi i tij, me at zanin e hollë të lindun si violinë e dytë, po edhe e bija arkitekte “që aty nisi, aty mbaroi”, po edhe dhandrri kolanecas, krejt të mbledhun aty kokë më kokë, me qitë në dritë nji vepër ku lavdia dhe frika të ishin në kufijtë e Tmerrit, bash në qendrën e kryeqytetit ma të terrorizuem e ma të gjymtuem të Lindjes: Tiranës së Tiranit…!!
Diktatorë gjithfarllojit ka pasë krejt Lindja, po kërkush s’guxoi me shkue aq përtej n’histori e n’delir, sa me u krahasue me egjiptasit e tremijë e kusur vjetëve, apo me aztekasit e mavonshëm… Ne po! Sigurisht, jo vetëm guxuem po tashma edhe ia kaluem kësaj “lavdie”… Tutankhamoni i Tiranës kishte mbjellë aq shumë fatos, pionerë, flamurtarë e ndjeksa, sa s’e kish pa t’arsyeshme me ia ba vedit Piramidën… i sigurt se ajo farë piramidale e derdhun mbas tij, kishte me e tejkalue atë…
E kam pa at Piramidë, në ditët e saj ma të lavdishme dhe gjithnji kam mendue se mashtrimi dhe frika s’munden me sundue në përjetsi…
Tash, mbas ma pak se tri dekadash, Piramida e Tutankhamonit të Tiranës asht nën shenjën e gishtit poshtë… Ngjarje e cila ka çue peshë e ka zgjue guximin e shumë prej atyne që e kanë dashtë Tutankhamonin i Tiranës dhe me plot të drejtë sot kërkojnë me e mbrojtë atë…!!
Nëse nisemi nga dhimbja për mundin dhe djersën e derdhun në at mbrapshti të historisë edhe unë i bashkohem idesë me e lanë njashtu në kambë, pa harrue se ma shumë se djersë e mund, aty asht derdhë gjak, eshtna e dhimbje njerzish të pafajshëm që kanë grrye minierat e Spaçit me nxjerrë valutën. Asht bash ky gjak e kto eshtna që po luftohet me u harrue gjithqysh, e që e bajnë kët hukubet të mbetun në kambë midis Tiranës, dëshminë ma sublime të poshtënimit të vetvetes në vazhdimsi…
Po unë sot s’marr përsipër zhguljen e kësaj mostre, unë jam gati me u bashkue me mbrojtësit e saj dhe dëshiroj me e çue zanin në kupë të qiellës me e mbrojtë me gjithë mjetet e mundshme legjitime kët makabritet të vazhdimsisë, me nji kusht të vetëm që: gjithë kështjellarët e kësaj vepre, që tash na ka mbi ndër sy shëmtueshëm, si degradim arkitektural i së keqes e si dëshmi e asaj çka s’duhet harrue, duhet me mbrojtë së bashku me mue edhe nji barrakë, në nji ish kamp interrnimi… Pse jo!!! E keqja asht bashkudhtare e jetës njerzore… ajo rrezikon gjithnji me u përsëritë në përmasa edhe ma tragjike… prej indiferencës së pësuesve…
…edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën… me të gjithë JU që flakëroni prej idesë së mbrojtjes së saj, sikur ndonji prej jush, prej atij grupi të pafund shkrues-folësisht të përditshëm, të bashkohesh me mue për me e mbrojtë kët barakë të randomtë interrnimi hjedhun midis baltës së Myzeqesë…
…edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën… po të bashkohet kush me e mbrojtë kët qoshe barake në Savër, ku asht përkthye “Orlando i çmendun” i Ariostos prej përkthyesit Guljelm Deda… ku kaloi ditët e fundit të jetës figura historike e Çamërisë, Rexho Plaku, së bashku me të shoqen Mirushen, motrën e Teme Sejkos, nji grua që rrallëkush ka shpërnda mirsi dhe fisnikri si ajo!!
…edhe unë kam me dalë me Ju me e mbrojtë piramidën… po të vinte qoftë edhe nji ditë të vetme Artan Lamja i Arkivave, e ta fotografonte për arkivën e vet të ardhme, kët qoshe barrake, ku malsorja heroinë Loke Kolgjini, e shoqja e Tahir Kolgjinit, rriti katër vajza dhe djalin e vetëm, Ahmetin, të cilin pa mbushë ende njizet vitet ia futën në burg… ajo qoshe barrake që s’ka ndje ndonjiherë festë ma të madhe se martesa e bash atij djali të imtë e të vetëm mbas daljes së tij prej burgut të parë…
…edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën me mish e me shpirt… nëse merobazet medias do të kishin qoftë edhe ndonji qindarkë dinjitet me çue zanin me e  shpëtue kët qoshe të mjerë e të katandisun ku ndrydhën rininë e tyre familjet Dukagjini, Kalivioti dhe Kulla e ku ngrysi ditët e mbrame mbas daljes nga burgu i gjatë burri fisnik e fjalëpak, Anton Dukagjini…
Po… edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën… sikur shtypi dhe mediat të kishin kurajo me e sensibilizue opinionin, pse s’ka objekte të mëdha e të vogla në histori, ka vetëm objekte… dhe halli i asaj piramide që kahera shëmton pështjellshëm kryeqytetin e shqiptarëve, kahera shpërndan shëmtinë dhe duhmën e saj mbarë këtij vendi… Pse ajo s’asht i vetmi objekt i krejt nji epoke që vlen me u mbrojtë…
Po t’i shofish si vlera: si baraka e Atyne që andrronin lirinë; si piramida e Atij që ia kish vu thonjtë në fyt lirisë janë katandis si mozotmakeq…
Me e mbrojtë kët barakë prej rrënimit, unë them se ia vlen ma shumë se me mbrojtë at Piramidë djallzore. Ajo Barakë mund ta mbronte Piramidën, po deri sot s’doli kush me e mbrojtë kët Barakë, prandaj si mundem Unë me dalë me Ju me e mbrojtë at Piramidë sherri!!!
Nji zà bahet koral, nëse shihet përtej vogëlsinave të randomta, përtej interesave të përkohshme, përtej nostalgjisë për Luigjin e XIV… përtej kohës që jetojmë diku ma larg… në të arthme…
Për fat të keq, ende ndër ne s’asht kuptue si duhet fakti, se duke e mbrojtë të keqen shkaktuese, kemi mbrojtë burimin e së keqes, e duke mos mbrojtë të këqiat e shkaktueme, nji ditë kemi me u ba ne vetë e keqja e pësueme, në nji botë që shurdhohet përditë e ma shumë…
Ndoshta kjo pamje përmbys e së vërtetës e ban edhe ma të trishtë pamjen e këtyne dy objekteve historike, e ban edhe ma të dhimbshme mbrojtjen tonë mjerane, sepse përditë e ma shumë po këputet lidhja mes të vërtetave historike dhe kujtesën kolektive të nji populli, të këtij populli që ende çoroditet drejt së ardhmes, nga kangët e Sirenave të Uliksit…
Eh, sa kisha me dashtë edhe unë bashkë me JU me e mbrojtë (jo veç) piramidën… (20 gusht 2011)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.