back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024

E vetmja që nuk e tradhëtoi Pano Taçin, qe poezia – nga Yzedin Hima

Gazeta

Pano Taçi (1928-2012)
Pano Taçi (1928-2012)

E vetmja që nuk e tradhëtoi qe poezia

nga Yzedin Hima

…Uni poetik edhe kur i shuhet zjarri në gji,
edhe kur nuk ka më as forcën,
as rininë për ta ndjekur lëvizjen e saj,
nuk preferon asnjë mjedis tjetër për të shtyrë ditët e fundit,
veç një manastiri të çuditshëm,
manastir i ngritur në gjoksin e asaj…
.
Yzedin Hima
Yzedin Hima
Në diskursin poetik të Pano Taçit femra është njëkohësisht dashuri, liri dhe ekzistencë. Elementët folklorikë janë mjaft të pranishëm në nyjëtimin e teksteve erotikë të poetit. Në këto tekste femra jepet si një bukuri gjithmonë në lëvizje, ose duke u larguar shpejt si shtërg, ose duke vallëzuar në lëmë, ose duke rrëshqitur si troftë në ujra, ose duke u larë cullak në lumë, përherë e pranishme në mendjen dhe shpirtin e poetit. Në këtë lëvizje bukuria lë shenjë, lë gjurmë në mjedisin që e rrethon, por edhe në shpirtin e unit poetik. Mitizimi i femrës në tekstet poetikë të Pano Taçit duket qartë tek pasojat që le te uni poetik prania e saj në lëvizje. Madje edhe portreti i saj, bukuria e saj nuk vizatohet gjithmonë te objekti, femra, por edhe te subjekti, uni poetik, si rrjedhojë, si shenjë, apo edhe tek mjedisi ku ajo lëviz: Ku shkel, dheu na merr shije,/ Hapin tek e hedh./ Në këtë lëvizje femra lë pas shenja të bukurisë, elegancës, por lë edhe dhembje: Ik e ik mes dhembjes time,/ Udhëve të dertit./ Madje lëvizja e saj devijohet pikërisht për shkak të efektit, shenjës që lë në shpirtin e unit poetik. Ajo nis si një lëvizje tjetër, jo më në mjedis, pyll, lëmë, lumë, qiell, por në brendësi të unit poetik: Përmes dhembjes ik e ik,/ Udhëve të mallit./ Kjo lëvizje së brendëshmi step, përhumb lëvizjen e unit poetik së jashtmi: Bregun këmba nuk ma çik,/ Mbeç në mes të zallit./
Në tekstet poetikë të Pano Taçit femra mitizohet jo vetëm si dashuri dhe liri, por edhe si formë ekzistence. Uni poetik edhe kur i shuhet zjarri në gji, edhe kur nuk ka më as forcën, as rininë për ta ndjekur lëvizjen e saj, nuk preferon asnjë mjedis tjetër për të shtyrë ditët e fundit, veç një manastiri të çuditshëm, manastir i ngritur në gjoksin e saj: Ah, për ç’i këndoj Erosit,/ E tëra sheboj./ Në manastirin e gjoksit/ Tani rri plakoj./ Fjala manastir është fjalë çelës për të shpjeguar tekstin e poezisë “Përmes dhembjes”. Së pari manastiri është një mjedis paksa i vetmuar, i mënjanuar. Aty mblidhen besimtarë të përkushtuar ndaj besimit të tyre dhe qëndrojnë deri në fund të jetës së tyre duke lexuar, duke u lutur dhe duke bërë një jetë tërë privacione. Uni poetik beson te dashuria, do t’i përkushtohet deri në fund këtij besimi, do të braktisë gjithçka për hir të këtij besimi, do të ndryhet në këtë manastir, do të lutet për dashurinë, do të jetë i përkorë thjesht për çështje moshe, veçse ky manastir do të jetë… në gji të femrës së adhuruar.
Në tekstet poetike të Pano Taçit, krahas formës folklorike të vargut, mjeteve shprehëse mjaft të begata të diskursit poetik folklorik, merr nga ky diskurs edhe elemente të përshkrimit të bukurisë së femrës. Edhe portretizimi i bukurisë nëpërmjet rrezatimit, pasqyrimit, apo refleksionit të mjedisi apo te uni poetik është dukuri mirëfilli e diskursit poetik folklorik: Tundu moj, të qoftë hallall,/ Vrit e digj me sy./ Dhe i vdekuri bëhet gjallë,/ Në i shkon përbri./ Është e njohur poezia folklorike e Jugut, ku bukuria ngjall të vdekurit dhe vdes të gjallët: Hanko mos më shko ndër varre/ se të vdekurit i ngjalle/ të gjallët i vdiqe fare./
Po kështu në një tjetër tekst sërish ndodh dukuria e magjepsjes jo të njeriut, por të mjedisit. Kur Tanusha zhvishet psherëtin pylli, ndërsa kur futet në ujë cullak, lumi ngjethet. Në fakt kemi një formë tipike folklorike, të portretizimit të bukurisë: Efekti që ndodh te uni poetik, te brendësia e tij, për t’u bërë më i dukshëm, më i besueshëm, transferohet, projektohet mbi sende dhe objekte jashtë tij. Paralelizmi figurative, hiperbola janë figurat lehtësisht të përdorshme në këtë rast: E ndezur prush,/ Te bregu i lumit hapin e shtriu/ Kur pa, që s’e shihte askush:/ U çvesh, e pylli psherëtiu./ Rrobat i la aty përreth./ Diellit i plasi syri./ Vala e lumit u rrënqeth,/ Kur Tanusha cullak i hyri./
.
Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)
Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)
Mitizimi i femrës në tekstet poetikë të Pano Taçit duket qartë në forcën që ka femra për të magjepsur unin poetik, jo vetëm në rini, gjë e zakonshme, por edhe në një moshë të shtyrë. Thënia përdersa marr frymë dashuroj është materiali që nyjëton tekstin e tij. Ja disa nga shenjat që lë pas magjia e dashurisë te uni poetik: Dy fjalë mbi buzë të rrinë,/ Porsi shpuza ndënë hi./ Krahasimi është i gjetur. Hiri është indiferenca si lëvozhgë, si formë, ndërsa shpuza është thelbi, përmbajtja e fshehur. Në një tjetër tekst: Kongjijtë mbi buzë çapkëni,/ Ç’pate që m’i le për dert./ apo në tekstin e një poezie tjetër: I shushatur rashë të flë,/ Më shushati syri i zi./ Ai sy ëndërr m’u bë./ Ëndrra kongji mbi gji./
Në këto tekste, për mendimin tonë, fjala çelës është kongjill. Kongjilli është objekt që digjet, që ka dritë dhe nxehtësi te vetja. Kjo dritë dhe nxehtësi, pra energji është rrjedhojë e zjarrit. Zjarrin e shkakton, e ndez, pikërisht femra, me bukurinë e saj. Ajo lëviz, ikën po zjarri, në këtë rast dashuria mbetet, në formën e kongjijve të ndezur, herë-herë të mbuluar nga hiri, pra koha. Edhe fjala shpuzë tregon bashkësinë e kongjijve të ndezur. Sikurse edhe te poeti Frederik Rreshpja, dashuria ekziston te uni poetik, në formën e kongjijve të mbuluar nga hiri, apo të fjetur, por me zjarrin brenda. Femra është katalizatori që kur hyn në këtë mjedis të brendshëm, rindez gjithçka: Gjakut prush m’i kall në vena,/ ç’i rash pas më kot u lodha,/ Poeti Pano Taçi është një profil i spikatur në poezinë erotike të “Letërsisë së penguar”. Kur përmendëm më lart se në diskursin e tij poetik femra është dashuri, liri dhe forëm ekzistence, kemi parasysh tekstet e poezisë së tij erotike, të cilët rrjedhin lirshëm si rrjedha e ujit, si vrapimi i erës, ritmojnë si vallëzimi i vajzës rome: Rrëzëllijnë sytë e prushtë/ Ajo gushë e ata gjinj,/ ai bel jelek i ngushtë/ janë tharm për poezi./ …Romi bën hapa ta marrë,/ T’i puthë gjinjtë pas një gëmushe, Ata gjinj për ç’kanë nektar,/ E nishani i asaj gushe/
Në tekstet e poezisë erotike të Pano Taçit ndeshet femra rome, si shenjë edhe e femrës së bukur, edhe si shenjë e femrës së lirë, edhe si shenjë e dashurisë së nxehtë: Te ky terr i kësaj nate,/ Malli buzët m’i zhurit,/ Veç për një puthje kurbate,/ Ç’gëzon zemra, bëhet dritë./ Nëpër erëmim lofate,/ Malli ditët mi ronit,/ Veç për një puthje kurbate/ Me gaz do të jepja shpirt./
Në një tekst të tij lexojmë një varg tronditës: “Mua grua s’m’u gjend kund.”
Në kundërshtim me mitizimin e femrës në tekstet poetike, adhurimin që ka për të uni poetik, poeti vdiq i vetëm, i braktisur: Si një dimër këtë mbrëmje,/ kallkan nëpër derte,/ pllaq e plluq iki mbi dhembje/ e s’di se ku vete./
E vetmja që nuk e tradhëtoi, që nuk e braktisi kurrë qe poezia. Pano Taçi botoi mbi dhjetë libra poetikë, në tekstet e tij kreun e vendit e zë femra, që aq shumë i mungoi në jetën e tij prej burgu.
.
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.