back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024

Dyfytyrësi dhe trashësi e trashëguar – nga Luan Myftiu

Gazeta

Luan Myftiu (1933-2019)
Luan Myftiu (1933-2019)

Dyfytyrësi dhe trashësi e trashëguar

nga Luan Myftiu

“Duhet të mësosh shumë, që të kuptosh se di pak” – Montenji

Të llastuarit nga diktatura kanë prirje të bëhen delirantë. Kush u mësua vetëm me privilegje, u bë parazit. Ata që nëpërkëmbën të tjerët, u katandisën në tiranë të vegjël. Nuk ka më të ditur se ata që nuk dinë. Nuk ka më të sinqertë se ata që besojnë gënjeshtrat e tyre. Si milionerë të rinj, socialistët janë dhe kopracë të neveritshëm. Si egoistë, dëgjojnë ato që thonë vetë. Si cmirëzinj, nuk shohin rrotull gjë të bukur. Kur ngjiten në poste, bien në dashurí me veten. Askush nuk e përgojon vesin, sa mëkatarët socialistë. Si kusarë, ata i quajnë të tyret paratë e taksapaguesve. (Prandaj dhe nuk investuan në infrastrukturë!) Si qeveritarë, përbuzën çdo nevojtar. Si të velur, s’e dëgjuan klithmën e urísë. Askush nuk mendon për vete, sa socialistët që punojnë, gjoja, për të tjerët. Predikuan altruizëm, kur donin taksa të reja. Shtiren të dashur, kur kanë nevojë për vota. Si delirantë, janë cinikë. Si debilë, janë servilë. Për paránë shesin babanë. Për të forcuar partinë, vazhdojnë me biografínë. Por nuk janë pa dinjitet. Në pushtet ndihen mbret. Adhurojnë atë që u ka në dorë të ardhen. Fisnikërínë e çmojnë si dobësí. E drejta qëndron gjithmonë në krahun e tyre. Kundërshtarit i shohin vetëm të metat. Të gjithë gjenítë janë imitues të tyre. Historia fillon nga dita që këta hodhën pushkën e parë. Për diktaturën kanë nostalgjí, sepse bëri të punonte kali e të hante gomari. Urrejnë të përndjekurit, se u duken akuzë e gjallë. Si hajdutë, nuk duan të kthehet prona tek i zoti. Si primitivë, propagandën e ndërtojnë, duke akuzuar ende kundërshtarët e hershëm për “ngrënie pulash”.
Socialistët e duan shtetin ligjor, por kur të mos ketë mbetur gjë tjetër për të vjedhur. Duan reformë në drejtësi, nëse në krye mbeten bijtë e tyre hajdutë. Rendin e duan me xhepistë. Alternativë kanë vetëm akuzat ndaj kundërshtarit. Të mësuar me monizëm, në opozitë u duket vetja mazhorancë. Vodhën tetë vjet dhe akuzuan si hajdute të Djathtën ditën e tetë, që erdhi në pushtet. Kur shkollat bëhen me kompjutera, shajnë shpërndarjen e librave. Kur rriten rrogat, vënë kujen për ngritje çmimesh. Investimet shekullore i quajnë shpërdorime fondesh. Kur ndalon trafiqet e paligjshme, ke izoluar, sipas tyre, Shqipërinë. Zhdukja e bukës me listë, detyroka fukarenjtë të paguajnë ujin dhe dritat. Lirinë për të gjithë e çmojnë si anarki. Shtiren modernë dhe përdorin “nofkat” e diktaturës. Mbahen për respektues të të drejtave të njeriut dhe shpërfillin pronarin e ligjshëm. Kush foli për korrupsion, u dënua si shpifës. Atij që pyeti për vilat, veturat dhe fshatrat e tyre turistike, iu hoq liçenca të shiste misra të pjekur.
Socialistët janë “demokratë” me fjalë dhe komunistë me vepra. Sot deklarohen për konsensus, nesër bëjnë bojkot. Shpallen kundër korrupsionit dhe mbrojnë avokatët, ortakë të krimit. Angazhohen për pavarësinë e Kosovës dhe kërkojnë dënimin e Ministrit të Jashtëm. Shtiren kundër luftën së klasave dhe i thurin lavdi diktatorit. “Pikëllohen” për dënimet e padrejta dhe largohen nga parlamenti, kur përmendet dëmshpërblimi i viktimave. Pëllasin për vëllazërim kombëtar dhe nuk kërkojnë të falur për gjenocidin komunist. Demokracinë e duan për vete. T’i barazosh para ligjit me kulakun, i pickon gjarpëri. Për pajtimin kombëtar shfaqin filma, ku tallen me partitë tradicionale. Në ekranet televizive shpalosin antivlerat e sistemit të gënjeshtrës, urisë dhe kopaçes.
Socialistët jetojnë në kllapi. Të mësuar të sundojnë pa kundërshtarë, nuk e pranojnë mendimin e kundërt. Respektojnë me entusiazëm, gjoja, lirinë e individit dhe shkarkojnë nga detyra këdo, që nuk i bie fyellit me një vrimë. Dorëzojnë imunitetin parlamentar dhe dëbojnë nga partia këdo, që nuk i bindet “idealit të rreshtit”. Të gjitha disfatat e tyre i çmojnë si fitore, kurse sukseset e kundërshtarit – si dështime. Deliri i tyre po kalon në çmenduri. Të gjithë po kërkojnë të bëhen kryetarë, prandaj s’po dinë cilin të mbajnë për vali. Njëri u duket tepër i gjatë, tjetri shumë i shkurtër. Të dy premtojnë vetëm rrëzimin e njëri-tjetrit. Si komunistë, njëri mburret me “babanë shpirtëror”, tjetri e përtërin atë me “Fondacionin Qemal Stafa”. E çakërdisur, udhëheqja socialiste kërkon të hutojë Shqipërinë. Në prag të reformës në drejtësi, kërkon të mbajë në krye të saj “ujkun”, (Sollakun). Në çastet e ankthshme të pavarësisë së Kosovës, akuzon Ministrin tonë të Jashtëm. Si hajdutë, bërtasin: “Kapeni hajdutin!”. Si spiunë, thërrasin: “Kapini spiunët!”. Krijuesit e “dosjeve”, dashkan të dinë se kush fshihet pas “dosjeve”(!) Le të shfletojnë librat e tyre të “artë” të heronjve të heshtur!…
Dyfytyrësia e tyre, gjithkujt i sjell ndër mend kameleonin!

.

Botuar te Gazeta 55, 22.10.2007

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.