back to top
22.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Dy Përralla të lashta të Kazakistanit – Përkthime nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Përrallë toskane...
Përrallë toskane…

Plaku Kanbak – Përrallë e lashtë e Kazakistanit

Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica 

Te një fshat, te një kasolle pranë liqenit, jetonte një plak i çuditshëm dhe i zgjuar. E quanin Abai, por njerëzit ia kishin ngjitur Kanbak, që do të thotë fluturak.
Plaku merrej vetëm me gjah e me peshkim. Mezi mbahej mbi tokë, se qenkej aq i lehtë, sa çdo erë e ngrinte lart, e merrte me vete dhe e shtynte tej.
Armiku më i prapë i tij ishte dhelpra dinake. Ajo ia nxinte jetën. Ia rrëmbente patjetër një peshk, edhe kur ai zinte vetëm dy. Ndaj, njëherë Kanbaku mendoi të ikte larg fshatit, larg dinakes vjedharake.
Mblodhi plaçkat, një shakull me gjizë, ca peshq të tharë në një torbë, i hodhi mbi shpinë dhe u nis për udhë.
Ecën një ditë, dy. Lodhja e mposhti. Atëhere i vuri plaçkat, bashkë me shakullin me gjizë e peshqit e tharë në një gropë. Por, kur u lirua nga ngarkesa e u bë i lehtë si gjithnjë, era e ngriti sipër tokës. Dhe, si u mërzit me plakun, e vërviti në një grykë mali, pranë këmbëve të një vigani, që mbante ndër duar dy kodra dhe i përplaste njërën me tjetrën.
-Nga vjen e ku shkon, o plakush? – e pyeti ai Kanbakun me një zë të trashë, që dukej sikur dilte nga ndonjë shpellë.
-Po ja, si të të them! Bota është e madhe dhe rrugë ka shumë. Kreshnikun e maleve më s’e pres. Do të bëhem vetë kreshnik! – ia priti me dinakëri Fluturaku.
-Oho! Ti, me sa po kuptoj, na qenke çudibërës! – tha vigani dhe qeshi me të madhe, sa malet nisën të shembeshin. – A ke dëshirë të matemi e të shohim se kush është më i fuqishëm, unë apo ti?
Ndërkaq, ai shkuli një shkëmb, e hodhi gjer në gjysmë të qiellit dhe e priti si top të lehtë.
-Hë, plako, si t’u duk? Tashti radhën e ke ti. Pa na trego se ç’mund të bësh!
Kanbaku u frikësua, por veten nuk e dha. U kap pas një cope guri dy herë sa vetja. Pastaj vështroi i shqetësuar herë qiellin, herë tokën.
-Hë, de, pse vonohesh? Ç’pret! Hidhe! – thirri me padurim vigani.
Plaku vështroi sërish qiellin e tokën dhe tha:
-Kam frikë!
Viganit i shpërtheu përsëri një e qeshur e fortë sa u tundën malet. Por Kanbaku s’i vuri vesh, ia ktheu:
-Dëgjo këtu, dëgjo! Nëse këtë gur e hedh lart, qielli do të përmbyset dhe do të rrëzohet në tokë. Dhe nëse qiellin nuk e pres e nuk e mbaj dot mbi shpatullat e mia, do të bëhet hataja. Toka bashkë me detet do të përmbysen.
Vigani u tmerrua si as ndonjëherë, ia kapi dorën Fluturakut dhe iu lut:
-Aman, madhëri, lëre, mos! E pranoj fuqinë tënde. Mos e hidh gurin, se përndryshe mbaruam!
Kanbaku kuptoi se vigani qenkësh i trashë nga trutë! I tha:
-Mirë, mirë! Ec të nxjerrim tani të brendshmet e barkut të tokës, tek do të të tregoj unë!
Vigani kërceu dhe e goditi tokën me aq fuqi sa që u zhyt deri në gjunjë, po s’doli gjë. Kurse plaku vrapoi dhe e goditi tokën bash te vendi, ku kishte groposur gjizën dhe peshqit e tharë.
Vështroi me habi vigani se si dolën peshq në sipërfaqe.
“Ou! Me këtë plakush s’paska shaka! Ky bëka mrekullira! Iu dashka sjellë me përulje e nderim këtij!” – mendoi dhe iu nënshtrua urdhërave të Kanbakut.
Plaku në atë kohë tha:
-Për sot mjaft u mora me ty! Nesër, nëse ke shokë, eja tok me ta tek unë! Ta bëjmë ndonjë lojë tjetër!
Vigani u takua të nesërmen me dhelprën, i tregoi çudirat e plakut dhe i qau hallin për tmerrin e madh, që e kishte pushtuar prej tij.
-Po tashti, nga kështu? Pse vrapon, sa s’po thyhen qafën!? – e pyeti dhelpra.
-Për tek ai, de. Se i kam thënë që do të vete ta takoj. S’ma mban ta gënjej!
-Aha! E paske gjetur njeriun, nga duhet të kesh frikë! A nuk shkojmë të dy, se dua t’ia ndreq samarin?
-Po mirë, hajde! Dhe të shohim ç’do të bësh!
Kanbaku i pa për së largu dhe thirri:
-Ej, dhelpër! Ku je ti!? Gjyshi yt më ka shumë borxhe. Dhe yt atë po ashtu! Dua të m’i shlyesh ti, por të vish tek unë jo veç me një vigan, por me më shumë, se vetëm njëri s’më mjafton!
Dëgjoi vigani fjalët e plakut Kanbak, e kapi prej fyti dhelprën dhe iu hakërrua:
-Deshe të ma hidhje, hë!? Të më dorëzoje tek ai si dëmshpërblim për borxhet e gjyshit dhe të babait tënd, hë!?
Ai e kapi atë për bishti, e rrotulloi disa herë mbi kokë dhe e përplasi me fuqi tej lumit, në faqen thikë të një mali shkëmbor. Dhe ajo i lau hesapet.
Ja, kështu shpëtoi plaku i zgjuar Kanbak nga armiqtë e vet, vigani mendjetrashë dhe dhelpra dinake.
Po e besuat, dijeni se është përrallë! Por, me që kuptohet lehtë se përrallë është, atëhere mos e besoni!

Agim Deshnica
Agim Deshnica

Ariu në thes – Përrallë e lashtë e Kazakistanit

Përkthim Agim Xh. Dëshnica

Ariu po ecte ngadalë nëpër stepë. Pa dhelprën dhe iu qep prapa turravrap. Dhelpra, nxito e nxito, arriti te strofkulla e vet, rrotulloi bishtin dhe humbi brenda saj.
Ariu ndaloi dhe nuk dinte ç’të bënte. Ishte i lartë dhe i trashë. Ku e nxinte vrima e strofkullës! Sa nuk po plaste nga marazi, që i shpëtoi për një qime ajo e mallkuar dhelpër! U përpoq të rrasej me zor në strofkull, por qenkësh e pamundur! Mundi të fuste vetëm kokën deri te veshët, por më tej nuk po shtyhej dot. Atëherë, vendosi të tërhiqej pas, por s’po mundte. Kishte ngecur. S’lëvizte dot as para e as prapa. Dhelpra, ndërkohë, kishte dalë nga një brimë tjetër nën dhé dhe po e sodiste e kënaqur. Ngulte këmbët ariu i gjorë dhe përpiqej të shkulej, por hiç që hiç. Dukej sikur kishte zënë rrënjë ndën tokë.
I shpërtheu gazi nga hundët dhelprës. Shkoi pranë ariut ajo dhe filloi ta tallte e ta lagte me ujë. Por ai u cfilit e u cfilit dhe, më në fund, arriti ta nxirrte kokën. U mbush me frymë, shfryu dhe hodhi sytë përqark. Donte të dinte në e pati parë kush se çfarë i kishte punuar dhelpra.
Jo shumë larg njëri po ruante delet. Shkoi ariu tek ai dhe e pyeti:
-A pe gjë ti, o bari, se ç’ndodhi atje tutje?
-Pashë, o ari, pashë!
-E çfarë pe?
-Po ja, se si të bëri për ujë të ftohtë ajo shejtane dhelpër!
Ariut sa s’i dolën sytë nga inati.
-Mirë, – ia ktheu bariut, – meqenëse paske parë diçka, qepe dhe mos llomotit me asnjë tjetër, ndryshe të shqeva!
Bariu u tremb dhe iu betua se nuk do të hapte gojën askund.
Kur u nda me të, ariu e kërcënoi sërish dhe shkoi në punën e vet. Kurse bariu atë mbrëmje, sapo e futi bagëtinë në vathë, nuk iu durua e vajti ua kallzoi të gjithëve dredhinë e dhelprës. Njerëzit u gajasën, ndërsa çamarrokët seç ngritën një këngë gazmore me dhelpër dhe ari.
Me ta dëgjuar atë këngë, ariu sa s’plasi nga inati. Qimet iu ngritën përpjetë. Sytë nisën t’i nxirrnin flakërima. Në mëngjes iu afrua bariut në kullotë, duke turfulluar.
-Ç’qe ajo që bëre, or bari!? Përse nuk e mbajte fjalën? Pse më gënjeve dhe më turpërove në tërë stepën? S’ka lumë që e lan fajin tënd! Prandaj, bëhu gati, se do të të ha!
Bariu u drodh, derdhi lot dhe iu lut ariut t’i jepte tri ditë kohë, sa për t’u takuar e për t’u dhënë lamtumirën e fundit njerëzve të shtëpisë dhe miqve…
-Mirë, ashtu u bëftë! Po t’i jap tri ditë afat, mandej mos prit mëshirë nga unë!
Me të thënë këto, ariu u largua.
Bariu ra përtokë, mbuloi me duar fytyrën dhe qau me ngashërim. Papritur, iu afrua atij dhelpra.
-Ç’ke kështu, o bari? Pse po qan? – e pyeti.
-Si të mos qaj! – ia ktheu ai – Ti nuk di gjë, po unë kaq e pata, mbarova! – Dhe i tregoi se çfarë i kishte ndodhur me ariun.
-Ashtu, hë? E po, mjaft me të qara! Ç’më jep mua, të të shpëtoj prej ariut?
-Ua! Pyetje është kjo!? Ç’të duash të jap! Nuk të kursej asgjë!
-Vërtet!? Atëherë, veshkat e tua dua!
-Mirë, vetëm, aman, më nxirr nga ky hall!
Dhe ranë kësisoj në ujdi.
Pas pak, dhelpra i tha bariut:
-Shko në fshatin tënd, shëtit tri ditë nga të duash, pastaj eja prapë këtu! Veç mos harro të marrësh me vete një thes të madh dhe një shkop të trashë! Unë do të të pres jo shumë larg prej këtej. Porsa të vijë ariu, lute dhe për tri ditë të tjera. Në atë kohë unë atje tek do të jem do të sjell rrotull bishtin dhe do të ngre pluhur përpjetë. Ariu do ta shohë pluhurin dhe do të të pyes ty: “Ç’po bëhet kështu?” Ti menjëherë do t’i thuash me zë të ulët: “Gruas së hanit i ka shkrepur në kokë të mos hajë asgjë, përveçse zemër ariu! Prandaj, hani, hipur mbi kalë, me heshtë në dorë, është lëshuar nëpër stepë dhe po kërkon të gjejë një ari! Troku i kalit është që po e ngre pluhurin!” Sa të thuash këto fjalë, do të shohësh se si do të sillet ariu dhe se si do të vejë puna më tej.
Bariu bëri siç e porositi dhelpra. Vajti në fshat dhe pas tri ditësh u kthye tek i tha ajo.
Dhe ja, na vjen ariu! Leshtë – ngritur përpjetë, sytë – të ndezura flakë dhe goja i lëshonte jargë.
Bariut iu drodh mishtë. Ra në gjunjë para tij dhe iu lut ta linte të lirë edhe tri ditë të tjera.
-Mjaft më! Brodhe e brodhe sa deshe, tani më duhet të qëroj hesapet me ty! – ia ktheu ariu ashpër.
Dhe kur po bëhej gati të hidhej mbi bariun, nga toka u ngrit gjer në qiell një shtëllungë e madhe pluhuri.
Ariu u step.
-Ç’po ndodh ashtu!? – pyeti me të shpejtë bariun – Ç’është gjithë ai pluhur!?
Bariu iu përgjigj siç e kishte mësuar dhelpra.
Ariut i shkuan sytë shtrembër nga tmerri dhe iu lut bariut me të qara:
-Më fshih nga hani, të lutem! Nuk do të ta harroj kurrën e kurrës të mirën!
-Mirë! Hyr te ky thes dhe mos u ndje!
Ariu hyri. Bariu ia lidhi grykën thesit fort e më fort. Pastaj mori shkopin e trashë dhe fut e bjer, fut e bjer, derisa ariu nxori frymën e fundit.
Sakaq ia mbërriti atje zonja dhelpër.
-Ja, shpëtove! – i tha – Nem tani shpërblimin!
Bariu i gjorë, pa se prap nuk po i ndahej vdekja.
“Jetova, – mendoi, – me aq e aq vështirësi në këtë botë dhe tani u dashka të vdes kot së koti!”
Në ato çaste, për çudi, nisën t’i kërcisnin fort barku dhe zorrët!
-Kush po leh ashtu në barkun tënd, i dashur? – e pyeti dhelpra e habitur.
-E di si është puna, moj zonja dhelpër? – ia ktheu bariu – Mbrëmë më zuri një uri e padurueshme, ndaj gëlltita të gjallë një langua. Si duket, ai e paska nuhatur që ti je kaq pranë dhe ndaj po leh.
Sapo dëgjoi dhelpra të flitet për langoin, bishti iu ngrit pas këmbëve. Kërceu si sustë dhe u zhduk si era.
Thonë se edhe sot e kësaj dite nuk është parë më askund.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.