Dvojniku… nga Klodi Stralla

Vladimir Majakovskij 1912

Vladimir Majakovskij 1912

Dvojniku…*

nga Klodi Stralla

85 vjet më parë, paraditen e 14 prillit të vitit 1930, poeti më i madh sovjetik, Vladimir Majakovski, vrau veten në moshën 37 vjeçare. Eshtë folur shumë për këtë vetvrasje, për shkaqet më të thella të saj.
Pushkini i Madh dihet, u vra në një duel, viktimë e mentalitetit të kohës; u vetëvra në kushte të depresionit, edhe poeti tjetër lirik rus Essenini…
Majakovski jetoi dhe prodhoi në epokën komuniste ku vetvrasja konsiderohej dobësi për individin dhe dënohej nga Partia. Ndonëse funerali i tij u bë madhështor, me urdhër të vetë Stalinit, në një letër që Majakovski shkroi 3 ditë para vetvrasjes, e bëri të qartë pamundësinë e vet për ta vazhduar më tej atë jetë të dyfishtë.

Vladimir Majakovskij dhe Frida Kahlo

Vladimir Majakovskij dhe Frida Kahlo

Ja se si është shprehur ai artistikisht:
“…Dvojniku nuk ka qenë i tmerrshëm për mua në fushën e politikës, ai nuk ka qenë i tmerrshëm as në fushën e poezisë, por ka qenë i tmerrshëm në liqenin e vogël sentimental, mbi të cilin ja thotë këngës bilbili, ndriçon hëna, lundron varka e dashurisë – ja aty ku u peërmbysa unë. Mos pyesni më për këtë. Këtu dvojniku u paraqit më i fortë, këtu ai më mundi, më përmbysi, dhe unë e ndjeva, nuk mund ta jetoja të ardhmen si një njeri i thyer shpirtërisht më dysh. Dvojniku i hapi atij një brimë, dhe i shkaktoi të çara të mëdha, dhe ai, Majakovski metalik, nuk desh më të lundronte nëpër oqeane me të tilla difekte – më mirë do të ishte t’i jepte fund jetës në kulmin e lulëzimit të forcave të tij krijuese. Mos fajësoni për këtë askënd tjetër…!!”
Nuk është e vështirë të kuptojmë se revolucioni, të cilin ai e përqafoi qysh fëmijë, kishte marrë një rrjedhë tjetër. Humanizmi i kishte lënë vendin krimit; njeriu i madh me ideale ishte zëvendësuar nga aparatçiku i bindur dhe servil i Partisë; harmonia dhe barazia sociale e ëndërruar qe zëvendësuar nga lufta e pamëshirshme e klasave; bota e bukur e artit, qëllimi i jetës së tij, me militantizmin komunist. Tek Majakovski filluan të jetojnë njëherazi, në të njejtin trup, dy shpirtra: Dvojniku, dhe ai personalitet i madh e fisnik… Ai e ndjeu të pamundur të jetojë e krijojë në rrethana të tilla. (Sa kontraston ky qëndrim i tij me atë të lakejve tanë të artit të realizmit socialist!!)

Varri i Majakovskijt (1893-1930)

Varri i Majakovskijt (1893-1930)

Por kush ishte Vladimir Majakovski!?
Vladimir Vladimiroviç Majakovski, në moshën 15 vjeçare anëtaresohet në Partinë Bolshevike të Leninit, merr pjesë aktivisht në manifestimet revolucionare të 1908-ës. Arrestohet tri herë për konspiracion kundra Carit dhe poezinë e parë e shkruan në burgun e Boutyrskaja në 1909, kur ishte vetëm 16 vjeç. Revolucionin Bolshevik e pret me krahët hapur dhe vendos gjithë talentin e tij në shërbim të Revolucionit (Këtu futet poema e famshme e tij “Lenini”). Majakovski qe njëherazi poet, dramaturg, kritik arti, aktor, piktor dhe skenarist i një prodhimtarie të gjithanshme e cilësore. Por mbi të gjitha ai mbetet një personalitet i madh, nga ata që i mungojnë shumë kohës sonë.
Marrë nga muri i fb i Klodi Strallës, 13 prill 2015

*Dvojnik – (rus) i dyfishti, i dyfytyrti

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook