back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Drama e buratinave ose pragfestash nandori… tregim nga Gjergj Kola

Gazeta

Gjergj Kola i ri
Gjergj Kola i ri

Drama e buratinave ose pragfestash nandori…

tregim nga Gjergj Kola

Deri në shekullin e 15, amfiteatri buzë Adriatikut ishte i mbushun me spektatorë. Anash nëpër lozhe vinin përfaqsi të hueja dhe merrnin pjesë në dramat dhe komeditë që luheshin aty nën dritën e yjeve. Aktorët ishin shumë të dashtun për njerzit. Gjithçka rritej krejt normalisht dhe bota përreth e vlersonte teatrin e famshëm buzë Adriatikut, që nga veprat që luheshin e deri te loja teatrale. Gjithçka kishte shenjat e dukshme të nji dore origjinale e mjeshtrore.
Në shekullin e 16, erdhën osmanët dhe shkatrruen gjithçka. Ata vranë aktorët dhe i zavendësuen ata me kukulla prej drunit. Lindi kështu teatri i buratinëve drejtues. Vendin e princave aktorë me trup e shpirt prej bjeshkëve të nalta e zunë copa trunit që kishin hjedhë shtrëngatat në bregdetin Adriatikas.
Për katër shekuj me rradhe, deri në shekullin e 20, teatri i kukullave u drejtue prej njerzish që veç përjashta dukeshin të tillë, sepse mbrenda ata ishin krejt prej drunit. Në këta katër shekuj nuk u vu në skenë asnji dramë apo komedi me njerëz të gjallë, që flitshin shqip, porse me hije e kufoma. Pothuajse rregullisht në çdo premierë të re shekullore, buratinët e zinj, merrnin spektatorë të platesë, i vrisnin e i prisnin dhe trupat e tyne i vendosnin në skenë. Kishte lindë kështu aksionizmi i parë teatror në botë, në amfiteatrin buzë Adriatikut. Ky aksionizëm dhunet vazhdoi aq shumë saqë spektatorët nuk e gjetën ma rrugën me dalë prej teatrit dhe mbetën aty derisa prej frikës dhe padijes nisën me ju ngja buratinëve të zinj prej drunit.
Pikërisht, kur spektatorët e kishin humbë shpresën se kishin me pa ndonjiherë nji vepër të re teatrore me njerëz të gjallë e puthje të vërteta në skenë, pushtuesit osmanë e thyen qafën aty nga fillimi i shekullit të 20. Spektatorët e amfiteatrit ma të vjetër në brigjet e Adriatikut u shpejtuen dhe zgjodhën vetë nji përfaqsi aktorësh prej rradhëve të tyne dhe ndërtuen trupën e parë.
Vërshoi nji repertor i jashtzakonshëm me komedina edhe tragjedina nga të gjitha anët e amfiteatrit, saqi njerëzit grindeshin se veprën e kujt kishin me vu ma parë në skenë. Vendosja në skenë e veprave, si dhe loja e aktorëve nuk përbante ndonji problem. Problemi gjigand dhe i pazgjidhshëm që kishte mbërthye njerzit lidhej me natyrën e tyne. Kështu sapo trupa teatrore ngjitesh në skenë, aty në amfiteatrin e vogël buzë Adriatikut, aktorët nga njerëz ktheheshin në buratinë prej drunit.
Kështu ky teatër i lashtë në brigjet e Adriatikut fitoi famën e jashtzakonshme se i kthente aktorët në buratinë prej drunit. Lozhet e mbushuna plot me përfaqsi të hueja qeshin me lot për kët proces kaq të rrallë që ngjante në kët vend. Në botë spektatorë të apasionuem ishin gati me pague nji pasuni, vetëm për me gjetë nji lozhe abonimit në teatrin buzë Adriatikut.
Në mesin e shekullit 20, erdhën në fuqi nji lloj tjetër spektatorësh. Ata prej rradhës së fundit të amfiteatrit, njerëz që rrijshin në kambë, të veshun me të kuqe, që nuk paguenin kurrë për shfaqjet. Nji termek e shkundi amfiteatrin dhe i rrokullisi ata deri në mes të skenës. Ata e quejshin vedin, “të kuqtë”, si zjermi dhe morën përsipri gjithçka, tuj fillue prej regjizorit, dramaturgut, aktorë ç ve dhe lozhave abonuese.
Kuqaloshët hypën në skenë në mes të brohoritjeve frenetike tuj shpallë se e kishin gjetë zgjidhjen e problemit të shndërrimit të aktoreve në buratinë drunit.
Vepra e parë e tyne ishte përzgjedhja e spektatorëve: kështu rradhët e para të platesë u zhdukën dhe njerëz nga fundi u nxorrën përpara. Këto nuk dinin shkrim as këndim porse ishin të sprovuem në artin e të bërtitunit dhe të duartrokitjes frenetike. Përgjat tanë shfaqjes ata brohorisnin si të çmendun emnat e drejtuesve të teatrit dhe të aktorëve.
Vete Talebanët me ndjeksit e tyne fanatikë në shkrepat e Kandaharit kishin me jua pasë zili nji përkushtim të tillë të spektatorëve të platesë.
Pëditë në amfiteatrin buzë Adriatikut luheshin drama njerzore, vriteshin të pafajshëm dhe bahej sikur mbilleshin filiza të rij. Në çdo shfaqje drejtuesit e teatrit kujdeseshin me i lye duert e kambët me gjakun e viktimave të rreshtave të parë, për me i pshtue drunjzimit. Dihej gjithandej se drunjzimi niste prej duarve që mbanin thikat vrasëse mandej kalonte në gojën që nxirrte urdhnat vrasëse dhe mbaronte në ballin që mbante yllin vrasës.

Buratinot në skenë...
Buratinot në skenë…

Aktorët kuqaloshë, gjatë lojës në skenë mbanin afër nga nji kovë me gjak të freskët dhe sapo shihnin se po ju ngriheshin gjymtyrët i lyenin ato me të shpejtë. Drunjzimi tashma e kishte kapërcye skenën dhe kishte nisë me prekë edhe spektatorët. Asnjiherë gjendja nuk kishte qenë aq e randë në amfiteatrin buzë Adriatikut, e kjo i shtyu spektatorët e huej të lozheve ta mbyllnin atë përfundimisht dhe ti digjnin trupat prej druni të buratinve të kuq. Të kuqtë mbijetuen me djallëzinë e tyne të pashpirtë prej drunit, i mbyllën lozhet dhe e rrethuen amfiteatrin me nji kanal të madh mesjetar plot ujë nga nuk mund të hynte e as të delte kërkush.
Fëmijët që lindnin dhe vijshin në teatër, tmerroheshin se pse duhej me vendosë maska në gojë e pse u ndalohej me recitue poezinë e jetës së pajetueme. Ata nuk mbusheshin kurrë me ajër dhe si pasojë mushknitë e tyne nisën me pësue modifikime. I vetmi që kishte të drejtë me folë e me këndue në skenë ishte Buratini i Madh… Ai shante gjithë ditën teatrot e hueja pse i kishin ba bllokadë amfiteatrit buzë Adriatikut.
Të gjithë përfaqsive të hueja në lozhë, ju vendos nga nji rrjetë në gojë dhe askush nuk fliste ma në amfiteatër. Kush e merrte guximin me përmendë drunjzimin e aktorëve, nxirrej jashtë. Kur të huejt e lozheve ishin vetëm në hollin e amfiteatrit qeshnin sa ju plaste barku për njerzit që vuanin aty, për buratinët prej druni që kujtonin se ishin njerëz me mish e gjak, meqi ushqeheshin tuj ja hangër krenat njeni tjetrit edhe për nji fjalë gojet.
Aty kah vitet ’90, kur mbas nji gjysë shekulli u tha se “erdh demokracia”, drunjzimi i plotë i aktorëve dhe spektatorëve ishte në dekompozimi të plotë të tij. Miqtë e lozheve ju hodhën aktorëve të rinj dhe spektatorëve të vjetër, librete të reja dramash e komedish të panjoftuna… dhe njerzit kërcyen të gjithë në kambë.
Ata ju vërsulen buratinëve kuqaloshë, i nxorrën jashtë, i lidhën, i zvarritën, dikë e hodhën edhe në kosh të plehnave, dikë e dënuen se kishte pi shumë kafe në skenë e shumkënd e lanë të kalbej në heshtje.
Vendin midis skenës së zbrazun e zunë njerzit e parë të platesë. Ishin ata që kishin duartrokitë ma me forcë, porse s’ishin drunjzue krejt, dikush kishte disa brinjë të drunjzueme, nji tjetër gjymtyrët e poshtëme, e dikush gjysën e fytyrës.
Ata luejtën në premierën e demokracisë nji komedi të gëzueshme dhe të gjithë spektatorët që tashma kishin zanë vend në teatër duartokisnin të gëzuem deri në frenetizëm. Lozhat u mbushën me njerëz dashamirës që kërkonin me pa ma së fundi nji dramë njerzore të drejtueme prej njerzish. Shpresa se drunjzimi kishte marrë fund nuk kishte kenë kurrë ma e madhe se njat herë.
Gjithçka shkoi mirë e mbarë në fillim… aktorët shpërndanë karamele e llokume për spektatorët, dhe vetë këta të fundit nuk u kursyen në duartrokitje vetmohuese. Në fund të shfaqjes mblidheshin së bashku në sheshin e amfiteatrit buzv Adriatikut dhe piqnin hallvë dhe ndërtonin topa të vegjël prej saj dhe e gjuenin njeni tjetrin tanë gaz e hare. Bollëku kishte mbulue gjithandej dhe të gjithë besonin se kjo komedi s’kishte me përfundue kurrë ma:
-Ky asht Happyend i pafund! – brohorisnin të gjithë, megjithse kjo ngjante sadopak me refrenin e karadyzenit.
Sot ishte ai mëngjesi i trishtë, kur ata u zgjuen dhe panë se shenjat e para të drunjzimit kishin nisë me prekë shkallët, skenën dhe gjymtyrët e njerzve, aktorë e spektatorë. Në fillim kishin marrë gishtat e duarve të cilat ata banë përpjekje me i strukë nën dorza të bardha. Mandej morën gishtat e kambve dhe ata vrapuen me i mbulue me këpucët e zeza, e të trasha. Kur drunjzimi kaloi në veshët dhe në hundë e qepalla atëherë ata s’duruen ma dhe deshën ta hjedhin vendin në zjarr.
Kishte ardhë koha kur në amfiteatrin buzë Adriatikut po luhej drama: Viti ’97!
Trupa teatrore e demokracise ja kishte mbrritë me ja vu zjermin amfiteatrit dhe nuk kishte forcë me i detyrue me e lanë skenën derisa të digjeshin në të. Në fillim u dogjën rreshtat e parë të platesë, mandej skena e drunjtë dhe kur flaka mbrriti te lozhat e miqve, ata thirrën zjarrfikset dhe e shuen zjermin.

Komedia "Prefekti"
Komedia “Prefekti”

Kështu drejtuesit e skenës i ndrruen rrobat, lyen me ngjyrë njerit vendet e djeguna dhe morën përsipri rolet kryesore në dramën që po luhej. Spektatorët tashma të djegun e të përvëluem nuk gjenin as edhe nji lëkurë pemet me mbulu trungjet e djeguna.
Të huejt nga lozhet qeshnin me të madhe mbi buratinët që luanin në skene role njerezish dhe kujtojshin për njimend se janë njerëz.
Në asnji skenë të botës nuk kishte ndodhë që aktorët gjatë lojës të drunjëzohen. Aktorët e rinj provuen gjithçka. Ata morën kova me ujë dhe gjatë lojës, sa niste procesi i drunjzimit i fusnin kambët në ujë. Mandej u përpoqën me luejtë të veshun me nji jelek leshit që pinte pikat e djersës. Asgja nuk i ndihmoi ndalimit të procesit të shndërrimit nga aktorë në buratinë. Sado të pakonsumuem, të pafajshëm të jenë aktorët që hypin në skenë, sapo fillojnë monologët e parë ata shohin se si nisin e ju drunjëzohen gjymtyrët e gjaku ju mbet në fyt.
-Asht nji dorë e zezë e padukshme, që ka futë në amfiteatrin buzë Adriatikut, nji hajmali të së keqes, e cila i shndërronte gjithë aktorët dhe spektatorët në buratinë prej drunit. – u dorëzuen drejtuesit e teatrit.
Tash për çdo nandor mblidhen ma të dijshmit, të përzgjedhun prej tana rradhëve të amfiteatrit dhe sejcili deklamon nji monolog të shkurtë, ku prezanton dramvn e vet, e cila premton me i dhanë zgjidhje problemit të mosdrunjzimit të njerzve në amfiteatrin buzë Adriatikut. Tashma janë të vetdijshëm se edhe nji zjerm i madh me ra në amfiteatër dhe ka me i djegë të tanë: aktorë dhe spektatorë.
I pari që vjen prej rreshtit të fundit të platesë prezantohet ksisoji:
-Drama e vërtetë asht luejtë në nji shekull të turbullt, kur në n’amfiteatër ndërruem kulturën dhe mënyrën e ecjes: tuj kalue nga ajo perëndimore në at orientale. Që atëhere në kët skenë nuk u luejt kurgja origjinale. E vetmja gja që u prodhue me shumicë asht ajo e njerzve të vegjël, imtitues të së keqes, që janë gati me na shndërrue të gjithë ne në drunj. Fabrikat imituese kineze nuk janë asgja n’krahasim me prodhimet shpirtnore të skenave tona…
Nji autor tjetër e ndërpret tuj pretendue se e ka ai zgjidhjen tuj thanë:
-Në fillim të shekullit 20, gratë e krishtena të skenës tonë ishin të vetmet në botë të mbulueme si simotrat e tyne muslimane. Ndërsa për me plotësue simetrinë, në fillimshekullin e 21, gratë muslimanë të amfiteatrit tonë janë të vetmet në bote që dalim me bikini në plazh si simotrat e tyne të krishtena. Amfiteatri jonë asht si nji orë qelqit me ranë, herë sillet nga njena anë e herë nga tjetra…
Nji tjetër ja ndërpret monologun në gojë tuj thanë:
-Na jetojmë në të vetmin vend të botës ku librat dhe veprat e artit nuk kërkojnë talentin e artistit, porse talentin për sponsor. Këtu asnji vepër e vetme në asnji fushë nuk botohet apo vehet në skenë për merita artistike, porse për merita sponsorizuese. Konkurenca e pastër në amfiteatër nuk egziston. Kërkush nuk ka interes këtu me u marrë me art, sepse arti nuk pyetet, vetëm sponsori me paratë e pista, asht vlera që aprovohet…
Në fund, hyp nji me mjekërr të zezë dhe po ju shan flamurin të gjithve në amfiteatrin buzë Adriatikut e po ju thërret me hjedhë sytë nga haremet e Harabisë, se atje asht teatri i vërtetë. Asnji në sallë nuk lëviz vendit, pse asnjenit nuk i lëvizi asnji pikë gjakut nëpër damarë. Tashma ata janë ba të tanë drunj…
Sapo ka hypë në skenë poeti dhe thërret:
-Këtu n’amfiteatrit buzë Adriatikut ja lyjnë petët me shërbet skenës dhe e shesin copa copa në botë me emërtimin: bakllava shqiptare.
Njerzit teatërdashës nëpër lozhat e të huejve kanë mbetë gojëhapet, ndërsa nga kufjet ju ushton nji za në vesh tuj i thanë:
-Attention please! Keni kujdes kur të shkoni në amfiteatrin buzë Adriatikut e mos duartrokitni shumë e sidomos mos hypni në skenë me luejtë, sepse rrezikoni drunjzimin e gjymtyrëve, kthimin e pashmangshëm në buratinë.
Gjergj Kola 2014

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Tregimi është i mrekullueshëm nga rreshti i parë tek i fundit… Ka shumë gjëra që të mbeten në mendje, por do të vecoja… “ne jetojmë në të vetmin vend të botës ku librat dhe veprat e artit nuk kërkojnë talentin e artistit, por talentin për sponsor…!”

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.