back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Pushtimi i Shqipërisë nga Komunizmi nga Çelo Hoxha

Gazeta

Studiuesi Çelo Hoxha
Studiuesi Çelo Hoxha 

Pushtimi i Shqipërisë nga Komunizmi

nga Çelo Hoxha

Nostalgjikët e diktaturës, përgjithësisht e majta shqiptare, e cila është afirmuar në skenën politike përmes diktaturës komuniste, për të ruajtur një lloj legjitimiteti historik për ekzistencën e saj, vazhdon të kapet fort pas pretendimit se komunistët çliruan Shqipërinë nga pushtuesit e huaj. Me pretekstin se festojnë ngjarjet e “lavdishme” të luftës, ata përkujtojnë të gjitha datat e shënuara të origjinës së tyre politike, të cilat janë përcaktuar nga regjimi komunist, dhe, detyrimisht, festa e “çlirimit” – dita më e çmuar e tyre – kthehet në homazh për atë regjim kriminal.
Le të shikojmë teorikisht konceptet pushtim dhe çlirim, pastaj kalojmë në ballafaqim me dokumente nga lufta.

Pushtimi dhe çlirimi
Pushtimi dhe çlirimi janë dy koncepte të kundërta me njeri-tjetrin. Gjendja e pushtimit krijohet kur një fuqi e huaj merr kontrollin politik, ekonomik e social të një vendi, me anë të ushtrisë. Për vendin që e pëson, pushtimi është një sipërmarrje e padëshiruar, e dëmshme dhe e urryer.
Çlirimi është krejt e kundërta e tij. Vendi i pushtuar lufton për të larguar ushtrinë e huaj dhe gjithë forcat që përbëjnë strukturën pushtuese. Synimi bazë i çlirimit është kthimi i vendit në gjendjen fillestare dhe pastaj të vazhdojë – nëse është e mundur – përmirësimin e saj.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kalimi i Shqipërisë nga gjendja e pushtimit në gjendjen e çliruar nuk përputhet me rregullin klasik që buron nga këto dy koncepte: kalimi nga një gjendje e negative, në gjendje pozitive. Shqipëria kaloi nga gjendja e pushtimit nën diktaturën komuniste, një regjim që e dëmtoi vendin shumë më tepër se regjimi i pushtimit.
Me largimin e ushtrisë së huaj, qytetarëve shqiptarë iu kufizuan liritë themelore që ai i kishte gëzuar historikisht deri në ditën e pushtimit. Madje, shumë prej këtyre lirive ai i gëzonte edhe gjatë periudhës së pushtimit, me lejen e plotë të autoriteteve pushtuese. Atyre iu hoq liria e shprehjes, liria e lëvizjes, liria sipërmarrjes private, liria zgjedhjes, etj., plus krimeve masive – vrasje, burgime, internime, për një kategori të caktuar grupimesh dhe individësh.
Fakti që në Shqipëri nuk kishte ushtri të huaj, sepse kjo u realizua me largimin e ushtrisë naziste, nuk e përmirësoi jetën e shoqërisë shqiptare, me përjashtim të grupit politik që kontrollonte gjithë pushtetin.
Me pak fjalë, ai që konisderohet çlirim – largimi i ushtrisë naziste – nuk ishte një ndryshim cilësor në historinë e Shqipërisë, e për rrjedhojë s’ka asgjë për t’u festuar.

Tiranë - nëntor 1944
Tiranë – nëntor 1944

Nazistët janë larguar, lufta vazhdon…
Një luftë mbaron kur në vendin e përfshirë në konflikt nuk luftohet më. Mirëpo, largimi i ushtrisë naziste nga Shqipëria nuk u pasua nga mbarimi i luftës partizane.
Ka me qindra dokumente që tregojnë se ushtria partizane vazhdoi të luftonte, brenda territorit shqiptar, edhe disa muaj pas asaj që njihet si ditë çlirimi.
Me çlirimin e një vendi, ushtria vendase nuk ka më objektiva armike. Pas 29 nëntorit 1944, ushtria partizane kishte me qindra “objetiva të armikut”, për marrjen e të cilave luftoi dhe disa muaj më pas: dhjetor 1944 – pranverë 1945.
Po citoj një raport të ushtrisë partizane, më 18 shkurt 1945. “Siç u shpjegonim dhe në raportin e mëparshëm, mbas qytetit të Shkodrës na prokupojti me nji herë asgjësimi i rezistencës armike në Kelmend.” Në të njëjtin raport, thuhet: “Rezistenca e armikut u asgjësua mbas një luftimi fare të shkurtër.”
Në një raport tre ditë më vonë, 21 shkurt, jepen detaje më të hollësishme nga lufta në zonën e Kelmendit. Luftimet janë zhvilluar në dy faza. Faza e parë u zhvillua dy javët e fundit të janarit, dhe u dallua më shumë – gjithmonë sipas raportit partizan – për humbjet e mëdha të ushtrisë partizane. “Armiku” në këtë fazë kishte epërsi numerike dhe në njohjen e terrenit. Në fazën e sytë të luftës së Kelmendit, 1-16 shkurt 1945, ushtria partizane i shtoi forcat, e sulmoi Kelmendin nga pesë drejtime të ndryshme, dhe arriti “në një kohë fare të paktë të mposhtin çdo rezistencë armike.”
Në të njëjtin raport, në bilancin e viktimave, lexojmë: “Humbjet armike janë 44 të vrarë dhe 21 të plagosur.” Dokumenti ka dhe listën emërore të viktimave, por kam veçuar vetëm dy, Lek Marashi dhe Rrok Lek Ujka, të cilët përshkruhen si “vullnetarë në radhët armike.”
Në një raport tjetër, 12 shkurt 1945, i firmosur nga Mehmet Shehu, komandant i operacioneve të ushtrisë partizane, autori i referohet armikut tetë herë: 1) “gjendja e armikut”, 2) “kohët e fundit armiku”, 3) “tentativat e armikut”, 4) “armikut i është futur tmerri”, 5) “armiku mundet që të riorganizohet”, 6) “forcat t’ona ku do i kan dhënë grusht vdekje armikut”, 7) “ky grup ose ky katund ka marrë pjesë në luftë me neve kundër armikut”, 8) “si mbrojtës i interesave të tij dhe tmerri i armikut”.
Përveç konceptit “armik”, në dokumentet partizane të kësaj periudhe, janë përdorur dhe koncepte të tjera, si “forcat tona”, “humbjet armike”, “vullnetarë në radhët armike”, “luftë”, “operacion”, të cilat vizatojnë një panoramë lufte. Nëse Shqipëria do të kishte qenë e çliruar, peizazhet e saj s’duhet të kishin pamje lufte.
Çlirimi është e kundërta e luftës.
Kur një gjendje e pretenduar, ose e dëshiruar, mungon, vendin e saj e ka zënë një gjendje e kundërt me të. Në mungesë të çlirimit, në Shqipëri ekzistonte gjendja e pushtimit.

Pushtuesit e rinj
Më 29 nëntor, një ditë pasi qeveria komuniste kishte marrë kontrollin e Shqipërisë, ushtria partizane hyri në Shkodër si çdo ushtri pushtuese: e armatosur deri në dhëmbë dhe me flamur të ndryshëm nga i vendasve. Gjithandej në ndërtesat shkodrane nisi të valëvitej një flamur i kuq, me shkabë në mes dhe një yll pesëcepësh sipër saj. Ndryshe nga ushtritë e mëparshme pushtuese, ushtria partizane fliste gjuhën e vendasve dhe kishte dy flamuj; njëri ishte flamuri i komunistëve shqiptarë, tjetri, krah tij, flamuri jugosllav.
Ky përshkrim është i bazuar në kujtimet e një dëshmitari të atyre ditëve në Shkodër, At Zef Pllumi. Nga këndvështrimi i tij, si qytetar i thjeshtë, ushtria partizane perceptohet si ushtri e huaj. Panorama e përcjellë nga kujtimet e tij konfiromohet dhe nga dokumentet e ushtrisë partizane.
Citoj një dokument, 7 shkurt 1945:
“Në katundin Qerret (Shkodër) ditën e diel më datën katër të këtij mueji [shkurt] ka pasë vend nji mbledhje e popullit të këtij katundi e organizueme prej dezertorit të ushtris t’onë Martin Ndok Mirashit prej Dushanit dhe dyshohet që të ketë qenë dhe reaksionari me damkë i Mërturit, Nik Sokoli. Kjo mbledhje ka pasë si qëllim organizmin e ndonji fuqije për të hedhë në luftë kundra ushtërisë s’onë.”
Ky fragment, dhe si shumë të tjerë në dokumente të tjerë, tregon dy gjëra: 1) që ushtria partizane nuk ishte një ushtri e dashur nga populli shqiptar, ose nga një pjesë e mirë e tij. 2) Një popull që nuk e do një ushtri, e cila pretendon se është e tij, patjetër ka një aryse të fortë, që do të thotë se ajo nuk ka vepruar në përputhje me interesat e tij.
Jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por gjatë gjithë luftës, ushtria partizane e shikonte veten si një ushtri që aty ku shkonte, nuk çlironte, por pushtonte. Më 19 prill 1944, Brigada I dhe IV në një raport të përbashkët raportonin se “Bat. II-të i Brig. I-rë. S. u caktue për pushtimin e Pogradecit.”
Si përfundim, ka fakte të mjaftueshme që dëshmojnë se lufta e ushtrisë partizane nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë, përveç faktit që instaloi në pushtet një grup kriminal, vizioni i politik i të cilëve ishte vetëm pushteti i tyre personal, me çdo kusht, me çdo çmim, dhe për një kohë sa më të gjatë.
Të përkujtosh me nderime këtë ngjarje, do të thotë të jesh në anën e të keqes.
(marrë nga gazeta Minerva, 23 nëntor 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.