back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Djali i Letrave të Mohueme dhe Spartakiada e Sigurimsave – nga Ilir Seci

Gazeta

Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa
Sot s’asht fjala me mbrojtë Agron Tufën, as Institutin që ai përfaqson,
s’asht fjala me mbrojtë dinjitetin e nji intelektuali apo të përndjekuni nga njerëz t’pa asnji parim,
asht fjala me mbrojtë demokracinë prej hijenave!
Agron Tufa përfaqëson sot të vërtetën, simbas dokumentave që vetë diktatura la ndër arkiva të saj,
Agron Tufa përfaqëson kulturën e librave dhe intelektualin antikonformist;
Agron Tufa përfaqëson guximin qytetar me u përballë me nji lukuni njerzish
të veshun me pancirët e pushtetit të diktaturës në ditët e sotme,
prandej çdo qytetar shqiptar duhet m’e gjetë brenda vedit për detyrë me qenë në krah t’Agron Tufës!
Sepse duhet me marrë fund edukimi me mashtrimin, me krimin, me demagogjinë,
me kërcënimet, me presionet, me fyemjet, me dhunën.
Nuk asht nji problem që ka cenue dhe cenon nji individ, nji grup apo nji shtresë shoqnore,
kjo frymë diktature ka kohë që po e kërcënon krejt shoqninë shqiptare…
e kurrë ky kërcënim s’ka qenë kaq serioz me na kthye edhe nji herë atje ku ishim.
Me përkrahë guximin e Agron Tufës do me thanë me besue
 te drejtësia, te e vërteta, te kultura, te ligji, te morali, te familja, te e arthmja…
E kjo besoj se i përket çdo qytetari shqiptar…
jozef radi, 24 prill 2019
.
Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Djali i Letrave të Mohueme dhe Spartakiada e Sigurimsave

nga Ilir Seci

Shkrimtari Agron Tufa vazhdimisht ka trazue ujnat e ndejtuna te batakut të politikes shqiptare të mbas nandëdhetës… Ujnat e moçalta të nji politike që edhe pse e qelbun me kohë e me vakt, u kutërbue ma shumë nga prumjet e tubave të fekaleve politike tip “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”.
Agroni asht intelektual me kurajo.
Prodhim jashtë serisë së inkubatorit komunist që klloçiste në seri “intelektualë masovikë” varësisht nga pesha që ia caktonte klloçka Parti. Sipas kërkesave të kohës.
Agronin e kam njoftë qysh para vitit 1990, koha kur Agroni nga Dibra, vinte në Shkodër me takue patriotët e vet dibranë dhe me pasë një bisedë të dinjitetshme me dashamirës të vërtetë letërsie. Koha kur vinte te ILP në Shkodër, me i pa të paktën prej rrugës dritaret e sallave të leksioneve të fakultetit të Gjuhë-Letërsisë, se për me hy aty mbrendë dhe m’u ulë n’ato salla as guxonte me andrrue. Ishte i prekun. Nji damkë diktatoriale që ngjallte frikë ma shumë se kolera asokohe. Edhe sot kujtoj ndeje të asaj kohe me krijues aspirantë, kur na, nji grup letrarësh nga rrethet shisnim latat e studentit tue mbetë pa darkë, vetëm e vetëm me pasë pak lekë për me porositë nga nji ponç portokalli te klubi i shkrimtarëve dhe artistëve në Shkodër dhe me folë për letërsi. Mbramje ku secili mbi tavolinë në vend të mezeve nxirrte krijimet e veta. Dhe inkurajonim njani-tjetrin.
Në ato ndeje, e pamë që Agroni ishte poet.
.
Ndër veprat e fundit të Agron Tufës -Letërsia dhe procesi letrar në shek. XX
Ndër veprat e fundit të Agron Tufës – Letërsia dhe procesi letrar në shek. XX
Për fat, kohnat ndryshuen dhe Agron Tufës iu krijue mundësia me vazhdue studimet në fakultetin ku sot asht profesor. Agroni shkëlqeu si student, shkëlqeu si drejtues i gazetave që drejtoi asokohe. Me suksesin e vet provoi padrejtësinë e sistemit… Padrejtësi që ishte kryer pa pushim ndaj talenteve të tilla.
Mbaroi studimet në Tiranë dhe shkoi e studioi edhe jashtë vendit. Shkëlqyeshëm edhe atje. Në njifarë mënyre duke e ekspozue edhe ndërkombtarisht padrejtësinë e kryeme ndaj tij dhe krejt talenteve që u ishte mohue e drejta elementare e shkollimit.
Në tanë këto vite studimesh dhe suksesesh Agroni nuk harroi nga vinte dhe nuk u deh nga suksesi. Si intelektual u angazhue publikisht me ndreqë padrejtësinë që i ishte ba atij vetë ma së pari. Komforti si pedagog në Fakultet nuk e bani me refuzue punën në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Angazhim prej intelektuali të mirëfilltë. E kishte ma të lehtë me e shmangë, si kanë ba dhe bajnë plot tjerë nga shtresa e përndjekun që shtinë veshët në lesh e harruen nga vinin e çka kishin hjekë…
Punës në Institut i hyni me kurajo, ndryshe nga sa ishte praktika e punës deri atëhere kur gjjthshka shkonte mas mantrës “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës.” Agroni vendosi nji fund për atë praktikë. Doli me emna… Denoncoi publikisht nji varg personash për inkrimimin me diktaturën, duke fillue nga Diana Çuli e deri te Spartak Braho. Sigurisht kjo kurajo do krijonte armiq. Armiq që kërcyen përpjetë siç kërcen Djalli nga Temjani. E pritshme kjo!
Djajtë e kuq reaguen dhe kërcyen përpjetë siç dinë me kërcye veç ata. Sepse Agron Tufa i nxori nga naftalina. Ballafaqimi me dritën e së vërtetës i tërboi këto krijesa të nëntokës, këto vampirë të bodrumeve të Sigurimit të Shtetit. Për këtë arsye edhe u angazhuen në fushata vampirësh. Nji Spartakiadë e vërtetë sigurimsash u shpalos në gazetat e kontrollueme nga Sigurimi. Sulm frontal me çdo mjet.
Nga këta me grostesku ishte njifarë Fatos Tarife, tekstet e të cilit ishin mbulue nga pluhni i paragjykimeve dhe stereotipizimeve 47 vjeçare të Zonës së Parë Operative, nga ai vinte, siç e theksonte vetë plot krejni në artikuj.
Mllefi i Fatosit ishte i kjartë, i mësuem me vendosë tarifat sipas qejfit ai u traumatizue nga ndryshimet e mbas vitit 1990, ndryshime që nuk e lanë Fatosin me u ba Pionier. Deri atëherë vrisnin e prisnin simbas qejfit, kurse pas ndryshimeve u duhej me ba shumë kujdes.
.
Agron Tufa & Spartak Braho
Agron Tufa & Spartak Braho
Asnjiherë nuk duhet me harrue se po të ishte ne dorën e Çulit, Brahos, Tarifës, etj, sistemi nuk do kishte ndryshue kurrë, asnjiherë. Kush i mban mend përbetimet haxhiqamiliste të Vullnetarëve të Enverit në shkurt 1991, e ka të qartë këtë.
Për Diana Çulët, Spartak Brahot, Fatos Tarifat, etj, ai sistem do ishte edhe sot në kambë. Sepse ata e ndërtuen sistemin, ata ishin sistemi vetë. Sot duke u mshehun mbas “mbrojtjes së luftës dhe të rënëve”, qartazi duen me mshefë inkriminimin e tyne.
Agron Tufa i ekspozoi siç ekspozohet ai grupi i njerëzve kur mbi ta lëshohet prozhektori i dritës. Agroni i ekspozoi dhe tashma asht detyra e tanë atyne qe duen nji Shqipni demokratike me u ba dalazotës të Agron Tufës dhe krejt atyne që denoncojnë të shkuemen diktatoriale. Ky asht imperativ – duhet ba në rast se duem që vendi jonë me ba përpara ndonjëherë, dhe përpara ban vetëm po u ba nji vend i dekomunistizuem, ashtu si bani përpara Gjermania mbasi u ba nji vend i denazifikuem. Ndryshe nuk ban. Po heshtëm, atëherë provojmë se e kemi meritue diktaturën, disa sepse e kanë dashtë, e disa sepse kanë qenë konformistë, pak ndryshim ka tekembramja, në fund të fundit në nji përfundim mbërrihet…
.
Marrë nga Muri i Fb i Ilir Secit, 24 prill 2019
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.