back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nji dimën ma i zi si nata! – Dita e arrestimit të Nikollë Merrnaçajt – Savër, 15 janar 1980

Gazeta

Nikollë Merrnaçaj - pikturë nga Zef Naçaj
Nikollë Merrnaçaj – pikturë nga Zef Naçaj

Nji dimën ma i zi si nata!

një rrëfim nga Jozef Radi 

Dita e arrestimit të Nikollë Merrnaçajt – Savër, 15 janar 1980

Ishte 15 janari i vitit 1980…
Ishte nji ditë e ftohtë dimni po me mjaft diell, prej atij që në kët stinë “…shndrit fort e ngroh veç pak…” ishte prej atyne ditëve që nguliten thellë jo veç në kujtesë po mbeten të gdhenduna në jetën e njeriut. E kjo përmes nji ngjarjeje disi të pazakontë dhe s’ka gja që mundet me ma shkulë, pos vdekjes…
S’mund ta them saktë se ç’ditë e javës ishte, po në kujtesën time, duhet të ketë qenë fillimjave ndoshta e hane, ndoshta e martë, po s’e kujtoj fort mirë. Posa kisha ardhë nga puna, po at ditë pak ma herët
U lava dhe po bahesha gati me dalë kur erdhi mama e tronditun, e zbardhun në ftyrë e më thotë me nji alarm të trishtë: “Kanë arrestue Nikollën Merrnaçajn, në Lushnje!” Lëshova nji pasthirrmë e ndjeva nji drithmë rrënqethëse t’ma përshkojë krejt trupin… M’u duk e pabesueshme, e pamundun! Nikolla ishte i moshuem, i lodhun ndoshta edhe invalid press nji përplasjeje me makinë para pak vjetve, që veç Zoti e kishte shpëtue…!
Po Zoti mundi ta shpëtonte, po prej djajve të kuq s’mundje kurrsesi!!”
-Xha Nikollën e Dranës?! – e theksova pyetjen, a thue se kishte ndonji Nikollë tjetër në Savër.
-Po, s’ka Nikollë tjetër! Më çuen fjalë se Dranja asht shumë keq…!
-Hajde shkojmë! – i thashë Mamës…
Dranen, si kelmendase, mama e kishte vajzë të fisit, ishin Vushaj, ose Vushmaq! Po e shkreta Drane ishte e sëmunë me zemër e me tension dhe mezi mbahej në kambë me ilaçe…
Nga baraka jonë te shpia e Nikollës ishin diku nja 4-500 metra. U nisëm, duke e mbajtë mamën për krahu, po përpiqesha me i dhanë gajret e me ecë ma shpejt.

Savër 1967 -  Në kambë Age Franja, Drande Vushmaqi - Merrnaçaj, Nikollë Mernaçaj dhe Gjyste Pjetri. Poshtë, tre fëmijët e Nikollës: Diella, Maria dhe Marku
Savër 1967 – Në kambë Age Franja, Drande Vushmaqi – Merrnaçaj, Nikollë Mernaçaj dhe Gjyste Pjetri. Poshtë, tre fëmijët e Nikollës: Diella, Maria dhe Marku

“Tash fillojnë me rradhë këta kriminelat!” – tha ajo e mpime e tana, sepse në kësi ngjarjesh, e jetonim të keqen e madhe se aty në interrnim ajo s’ishte punë e nji arrestimi, tashma po bahesh fushatë arrestimesh, siç po ndodhte në të vërtetë. Ajo ishte tronditë edhe vetëm duke mendue hallin e Dranes së shkretë që vuente nga zemra dhe i kishte dy fëmijtë ende të vegjël, meqë vajzën e madhe, Diellën prej do kohësh e kishte martue. Atë dramë familjare të Dranes, ajo po e përjetonte si të vetën.
Ndërsa po afroheshim, ndjemë nji habi i përgjithshme. U futëm në rrugicën më gurë për kah shpia e Nikollës. Të gjithë përreth, nga dyert e shpive e mbas gardheve po na kqyrnin. Na kqyrnin sikur prisnin të ndodhte diçka ma shumë se ajo që kishte ndodhë. M’u duk sikur shikimi i atyne njerzve më ngjitesh për trup, e sikur ajo habi e tyne e shtangun kërkonte me i dhanë nji tjetër kuptim asaj çka kishte ndodhë…
Kur u afruem te dera e shpisë së Nikollës, gurët garravaqë të rrugës m’u dukën edhe ma me shumë thepa. Mbas gardhit me kallama ishin tri koshere e bletëve, për të cilat Nikolla i shkretë, kujdesesh me aq pasion.
Komshinjtë e Nikollës në dy krahët e gardhit të kallamave u shfaqën me çehren e nji t’keqeje që befas mund të prekte edhe çdonjenin prej tyne…
Nikolla ishte 65 vjeç, dhe mama më tha se e kishin arrestue në ditën e pensionit, para postës së qytetit, me nji operacion paksa të bujshëm, në pikun e lëvizjes së njerëzve, si duket veç me ngjallë sa ma shumë terror!
Kur hapëm derën e hymë mbrendë… u përballëm me nji skenë të dhimbshme që të kujtonte vdekjen. E gjithë shpia ishte në kaos të plotë. Tri hije njerzish ishin shtangë e mpakë. Njena rrinte shtri në shtrat e dy të tjerët i rrinin përmbi krye. ndjehej nji përlotje fëmijësh që t’pikonte në shpirt. Gjatë kontrollit të banesës s’kishin lanë gjà pa përmbysë e pa shkatrrue! Kishin kërkue gjoja për nji radiomarrse që “malësori plak komunikonte me Amerikën”, dhe se vinte kokoren mbrojtëse të bletëve për të mos u kuptue çka jepte e merrte me CIA-n amerikane, mbasi atje kishte prindët, tre vllazën me gjithë familjet e tyne…
Shpia ishte pothuej bosh. Po ajo rrëmujë e kontrollit e kishte ba të dukej edhe ma zbrazët… Dranja ishte shtri në shtrat, e zbehun… e mbarueme. Marku i vogël 11 vjeçar, i vetmi djalë e i Nikollës, i ardhun përtej të pesëdhjetave mbas dy vajzave, ishte natyrë e urtë i ndrojtun dhe dukej krejt i mpimë e i hutuem… Maria, me nji përlotje që s’i shterresh, përpiqesh me u kujdesë për nanën e me i dhanë kurajo vllait të vogël.
Kur na panë në derë ndjenë nji gjendje lehtësimi. E megjithatë njeriu në të tilla raste s’di as kah me e nisë e kah me e bitisë bisedën… Drania i kishte pi kokrrat e tensionit e të zemrës… po vazhdonte me qindrue shtri. Mama filloi me folë e me e fërkue kah pak Dranen… Kurse ne të tre nisëm me vu ndonji send në vend prej rrëmujës së kontrollit policor…
Dranja, mbasi e mori pak vedin, bashkë me të keqen e saj nisi me qa hallin e plakut të arrestuem.
Dollapi i bukës me ato kanatat e rrjetës sipër ishte ende i hapun e i zbrazët, si nji ujk i uritun. Syndykun e kishin shkarkue përtokë ku nji sasi duhani e grime imtë, që Nikolla ishte mjeshtër, dhe shpërnda përtokë sëbashku me do fletë duhani të zbrazuna prej nji torbe të përhime, hallakatë nëpër at dysheme tullash. Oxhaku kishte ende gjurmat e nji zjarri që ishte shue kohë ma parë, po që asnji dru s’ishte rrotull me e ushqye. Krejt banesa e asaj familjeje katër vetash ishte ajo dhomë e vetme katër me katër, që prej asaj dite do të banohej veç prej tre vetëve.
U përpoqa me u dhanë pak gajret e shpresë, duke mbledhë e sistemue at rrëmujë të trishtueshme. Maria tha se ju kishin marrë edhe nji ikonë të Shën Mërisë me Krishtin…
Vrava mendjen: çka i hynte në punë arrestimi i nji të moshuemi, që pjesën ma të madhe të ditës e kalonte tue krasitë pemët e gjithkujt që i lypte ndihmë e tue u kujdesë për ato tri bletë tash të mbetuna pa zot… Çka u hynte në plan ai plak njashtu epik, që i kishte gjithnji opingat në kambë, që qeshte ambël e butë mbas shtëllungës së mustaqeve, që i fliste gjithkujt me nji zà të butë e të paqëm, që tymoste me llullën dhe ecte me hap të avashtë e të peshuem mirë ngado shkelte… Mbasi e kishte përplasë ma parë nji makinë në rrugë, e të gjithë kishin besue se kishte vdekë…
Tash e kishte rradhën shteti me e përplasë birucave dhe burgjeve at plak… e shteti ishte ma i zi se makinat e zeza, pse ai përplaste burrat dhe merrte zvarrë fëmijët e mitun e gratë e smuna…
Kur dolëm jashtë, nata ishte e zezë e ftoftë, me ca yje si gjylpana që e pickonin qiellin. Lotët e Maries i ishin shterrë e tha në fytyrë, Dranja kishte mujtë ma s’fundi m’u çue me zor në kambë e Marku na përcolli me nji buzqeshje të mpime…
Jashtë frynte nji erë e fshikullt. Mama më futi krahun e u mbshtet fort te unë e vazhduem rrugën nëpër terr… Tash të gjithë ishim në alarm se kush e kishte rradhën… Dhe vërtet, nuk vonoj e Gazi i zi i Degës, trokiti edhe ndër dyer të tjera aty në savër… ku krahas burrave që u arrestuan, si gjithnji viktima do t’ishin fëmijët…!

Ishte 15 janar 1980…
Lazër Radi me Mernaçajt në Kelmend
Lazër Radi me Mernaçajt në Kelmend
Ps. Nikollë Merrnaçaj u lirue me 15 janar 1989. Vdiq dy ditë mbas lirimit! Për çudi edhe n’arrestimi i parë më 1951, kishte ndodhë bash me 15 janar, dhe po me 15 janar 1960, ai ishte lirue prej burgu. Kur u kthye te kulla e familjes, nuk gjeti askend nga familja e tịj e madhe, mbasi nắtën e 31 dhjetorit 1959, krejt familja ishin arratisë, pse kishin marrë vesh per interrnimin e tyre…!

west new york, shkurt 2020

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.