back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

(De)formimi i perceptimit nën socializëm Astrit Cani

Gazeta

Astrit Cani
Astrit Cani

(De)formimi i perceptimit nën socializëm

nga Astrit Cani

17 janar 2012 (matrapupa)

Gegnishtja është diellore, derdhje, spermë, përmbajtje; është një forcë e natyrës. Dhe është shqipja më e madhe, pasi dikur është folur në pjesën më të madhe të ilirikut e sot flitet në pjesën më të madhe të shqiptarisë. Toskërishtja është hënore, ajo e vjedh dritën; ajo është vezë, formë dhe është e shurdhuar1. Por është shurdhim beethovenian, ajo duhet të jetë shurdhuar dikur nga ndjeshmëria e tepërt. Toskërishtja për mendimin tim është më metafizike, pikërisht sepse është një gegnishte e tëhuajtur, që të vetmen derdhje mund ta gjejë tek transhendenca. Ndryshim tjetër është se gegnishtja është si greqishtja e vjetër, kurse toskërishtja si greqishtja moderne.
Por nëse gegnishtja* e sotme përfton modelin e xhunglës, toskërishtja përfton sot modelin e serës.
Kopshti antropologjik i socializmit ishte një serë (e rrethuar me tela me gjemba), e kopshti i tranzicionit ishte xhungël.
Vitrina më përfaqësuese e serës është gjuha dhe mendësia standarte, e ndërtuar kryekëput mbi parimin e serës (dritë dhe ushqim i kontrolluar, rritje e shpejtë kundër cikleve organike natyrore, produkt konsumi super-merkatosh, afat skandence i afërt). Përfshirja e gegnishtes në këtë standart ka qenë pikërisht një për-fshirje.
Por pasi që standarti bëhet në ’72-shin e tutje paradigma, pasqyrën më të shkëlqyer të kësaj sere e kemi tek kinematografia e asaj periudhe. Kjo kinematografi në mënyrë më të spikatur sesa zhanret e tjera të realizmit socialist, rikrijon në mungesë totale atmosfere, kushtet standarte të serës. Kushte këto që mbisundojnë për ’40 vjet (nga fundi i viteve ’60 deri në ditën tona – me një çlirim të shkurtër në në pesëvjetshin e parë të pluralizmit). Kësaj dialektike, i duhen shtuar edhe dy skaje, për gegnishten – sinergjia, e për standartin – sintetizmi fallco. Tipike për këtë punë është kinostudioja “Shqipëria e Re”. Ajo themelohet në vitin 1952, por në vitet ’80, që ishin dhe vitet e mjerimit maksimal, zë të prodhojë rreth 15 filma në vit, duke u bërë fabrika kryesore e “Njeriut të ri”.
Njerëzit e dalë nga sera, janë të vetmit që gjejnë punë në serë. Kjo shpjegon riciklimin e të gjithë burokratëve të vjetër, në të rinj të të njejtin soj. Të skaduarve të atëhershëm me të skaduarit e sotshëm. Kundërvënia pastaj e xhunglës së gegnishtes me serën, përfton kushtet e sotme perceptive, ku teksa patriotizmi është shkatërruar, lulëzon militantizmi. Teksa njerëzit vuajnë nga energjia e tepërt, shpërthen analiza ‘e ftohtë’.

Studimi i gegve nga Carleton Coom
Studimi i gegve nga Carleton Coon

Në të gjithë rastet, besoj se kemi e do kemi të bëjmë me radikalizim të të dyja modeleve. Forca e pamatë fizike e gegnishtes, dhe rrethimi që ajo i ka bërë kalave horizontale e bidimensionale të standartit, dëshmon radikalizimin e xhunglës. Kurse standarti nga ana e tij vuan erozionin e brendshëm prej parazitëve serialë, por i reziston duke e shumëfishuar artificialisht vetveten.
Nga ana e saj sera, pasqyrohet gjithandej, e shumëfishon imazhin e vet në të gjitha gazetat, në dhjetra televizione, e media të tjera, shumësia identike e të cilave, do dukej në çdo rast shpenzim i tepërt, sikur të mos i shërbente qëllimit të zmadhimit fiktiv të perceptimit të serës. Gjithsesi tek e fundit, politika standartizuese rezulton tek krijimi i boshllëkut industrial.
Por gegnishtja me leksikun e saj të pafundëm, ka forcën tektonike ta trandë mini-perandorinë teknike të standartit. Çdo fjale të saj i refuzohet hyrja në standart, ndërsa lejohet vërshimi i fjalëve të huaja, e kjo për arsye se gegnizma është spermatozoid, dhe mund ta mbarsë barkun e thatë të standartit. Ose mund të zbulojë faktin se ky bark është shterrë, pra nuk ngjiz.
Gegnishtja lulëzon me jetën e përditshme, duke qenë tekëndej xhameve të serës, ajo i ndjen e i pasqyron stinët në përjetim dhe nuk njeh ‘efetin serë’.
Megjithatë në këtë luftë mes xhunglës e serës, mes gegnishtes e standartit, ajo që humbet është toskërishtja. Rast i rrallë kur humbet i treti që s’është palë në konflikt. Standarti e lë toskërishten pa metafizikë.
Është entuziazmi gegë**, kundër seriozitetit serial të serës. E natyrshmja kundër artificiales. Dhe kjo artificiale, në kulmin e realizmit socialist, e quante veten përmbajtje (krijonte kultin e përmbajtjes), ndërkohë që ishte thjesht formë boshe, dhe si përmbajtje kishte vetëm servilizmin ndaj përmbajtjes. A siç thoshte një kritik pragez dikur: realizmi socialist është letërsia e shkruar në atë mënyrë që ta kuptojë edhe partia.

***
Kemi arsye të besojmë se nga të gjitha pushtimet që kaluan mbi vendin tonë, ku për mijëravjeçarë ka banuar kjo etni e jona, e cila në fundin e shekullit të XIX u bë edhe komb, më i mbrapshti qe pushtimi komunist. Të paktën kështu rezultoi. Ky regjim krijoi në masë skllavin shqiptar, çka nuk e arriti as Roma, as serbi, as Turqia Osmane. Bazat e nëndheshme të kësaj trajte kaq të ulët të njeriut, na i dha pa dyshim Bizanti2. Por shqiptarët nga komunizmi ‘dolën’ me një kompleks inferioriteti që nuk e kishin pasur ndonjëherë. Ky kompleks inferioriteti iu injektua deri diku edhe pjesëve të tjera të kombit tonë të copëzuar.
Pavarësisht kritikës që vetë aparati propagandistik komunist i bënte sistemit gjysmë-feudal nën Zogun, bujkrobi shqiptar i viteve ’30 nuk qe kurrë aq skllav (pra aq bizantin) sa fshatari pa tokë i Partisë së punës. E përdor këtu bizantinin si antonomazë të njeriut pa liri të brendshme (pra njeriut të ligë), në kundërshtim me atë që sot quajmë ‘perëndimor’ si sinonim të njeriut të çliruar e pozitiv.
Skllavëria, sipas ekonomistëve modernë, qëndron në të disponuarët e fuqisë-punëtore të tjetrit3. Çka bënë edhe pronarët e proletariatit shqiptar, ose oligarkët e kuq. Nëse një copë pronë e lejonte njeriun të prodhonte pjesërisht jetën e vet, kur u mor edhe kjo, shqiptari i kësaj Shqipërie u gjend në kushtet e serës, dhe bijtë e tij, u rritën si bimë në serë, jetët e tyre u prefabrikuan ‘nga lart’. Por liria është e drejta e njeriut për të prodhuar jetën e vet.
Ata që në emër të zhdukjes së pronës u bënë pronarët e këtij vendi e të mbarë këtij populli, qenë edhe pronarët më të këqinj që kemi pasur. Dhe bijtë e tyre, sot në epokën e shoqërisë së spektaklit të integruar, përpiqen të bëhen pronarët e perceptimit. Duke e çrrënjosur subjektin nga përpjekja e tij për të vërtetën. Badiou te Etika e tij, e përkufizon «subjektin» kështu:
“Quhet «subjekt» mbartësi i një besnikërie, pra mbartësi i një procesi të vërtete. Pra subjekti nuk para-ekziston aspak ndaj procesit. Ai është absolutisht inekzistent në situatën «para» ngjarjes. Duhet thënë se procesi i të vërtetës indukton një subjekt.”
Pra duke e zhveshur subjektin nga prirja e tij kah e vërteta, e ke kthyer atë në objekt. Ky përkufizim moral i subjektit, vlen edhe si përkufizim estetik i tij.
Ata që shpronësuan për të qenë pronarët e tokës shqiptare, sot kanë riblerë frekuencën e perceptimit, për tu bërë pronarët e tokës sonë kulturore. Por ata nuk e punojnë këtë tokë, thjesht importojnë dhe kopjojnë. Shtrohet pyetja, po ne si identitet shqiptar edhe sa mund të mbijetojmë me këtë kulturë fallco që kinse prodhohet (por vetëm shitet) prej tyre? Për sa kohë njeriu mund të jetojë nëse nuk arrin të prodhojë as edhe një pjesë të së vërtetës së vet?

***
Situata e gegnishtes është ajo e një kolonizimi kulturor, me të gjithë treguesit e një aparteidi. Shpronësimi kulturor i veriut klasik, ka çuar në atë që e shpjegon Pipa, me një shembull të përkryer tek vepra The Politics of Language in Socialist Albania***. Ai konstaton se gjuha standarte paraqet tipare imperialiste e kolonizuese, pasi merr nocionet e pashmangshme të gegnishtes, i jep lustrin e vet dhe ia shet po të njëjtëve, siç bëjnë firmat shumëkombëshe me lëndët e para në Afrikë.
Në kohën kur perceptimi fabrikohet me pak fjalë**** nga mediat, ndër shqiptarë qarkullojnë ende absurditete si ky: gjuha standarte quhet letrare, ndërkohë që vetëm një pjesë e administratës e zotëron atë, pra i bie që këta burokratë janë letrarët tanë.
Duke e quajtur standartin gjuhë letrare, ose shkurt gjuhë shqipe, i bie që më letrarët ndër shkrimtarët shqiptarë, pra Koliqi e Pashku, të bëjnë letërsi dialektore, kurse gazetarët e standartit të bëjnë letërsi shqipe. Duke e quajtur standartin të vetmen shqipe, i bie të gjithë shqiptarët e para ’72-shit, që është viti i siglimit, të pranohen si shqiptarë vetëm me marrëveshje, duke u injoruar plotësisht kontributi i tyre, para të cilit ne jemi thjesht parazitarë.
Ky perceptim i gabuar, bijim i mendësisë së gjymtë të përftuar në gjysmëshekullin e dytë kulturor të shekullit XX, është radiografia më e saktë e qytetarisë kallpe që është krijuar ndër ne, e që është fabrika e aberracionit tonë.

1) Konica (duke i lexuar muzikalisht të dyja variantet) ka thënë se gegnishtja duhet mbajtur për poezinë kurse toskërishtja për prozën. Ky pohim ka diçka krejt të vërtetë, por vlera e tij aksiomatike është e disktueshme, sidomos kur lexojmë poezinë e Lasgushit dhe prozën e Anton Pashkut.
2) Shih Oriental apo Oksidental, Krist Maloki, botimet Plejad, 2006.
3) Cituar nga La concezione materialistica della storia, Marx-Engels, Editori Riunti, Roma 1971, fq. 52.

*Them gegnishtja si filozofi praktike, pra si gjuhë e folur dhe e për-jetuar.
**Në greqisht: ‘është Zoti brenda teje’. Por gegnishtja, si greqishtja e vjetër, është pagane.
***Ky libër është botuar më në fund në shqip, tek botimet Princi, i përkthyer nga P. Shllaku.
****Përdoren dikur rreth 300 fjalë gjithsej!! Kjo shifër është matësja e dritëshkurtësisë sonë.

(Marre nga Matrapupa)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.