back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Ç’mu vërtit në mendje koha… nga Edlira Zeneli

Gazeta

Dasem Shqiptare - kolazh pikturash
Dasem Shqiptare – kolazh pikturash

Ç’mu vërtit në mendje koha…

nga Edlira Zeneli

M’u vërtitën sonte syve mijra kujtime. Dhe shkak m’u bë një këngë labe:

“…Të këndon lumi moj xhane/ dale himarjote dale,
bashkë i kemi këngë dhe valle/ dale himarjote dale…”
Dhe m’u kujtua lumi që vraponte midis zajesh, lugjet me barin jeshil dhe vesa si mijra copa kristali mbetur fijeve të tij… m’u shfaqën pemë që çaheshin mëngjezeve nga rrezet e forta të diellit: dhe si me magji më dukej sikur ato ishin rrugë që të çonin në qiell! M’u kujtua vetja në çdo cep e kënd, në orvatje të pafundme atyre rrugicave që gumëzhinin hareshëm nga zëra bashkëmoshatarësh, që me topa lecke a letre kërkonin të shtynin pllakat e shtufit vënë me kujdes sipër njera tjetrës… Dhe mu bë sikur të katër stinët e vitit m’u shfaqën me ngjyra dhe melodi vivaldiane…
Pastaj si pakuptuar u gjenda aq e vogël në odën e madhe me oxhak…
Martohej im ungj, i madhi (nga rradha vinte pas hallës dhe tim eti) dhe shtëpitë tona qenë mbushur “thëmbër më thëmbër”- thosh nëna.
Labëria ish’ pëllëmbë e traditë!
Gratë e këtyre anëve rrinë mënjanë dhe burrat mbë tjetër anë kur kish dasmë. Dasma zinte fill më të hyrë të javës; eh ç’gëzim të jepte momenti kur shihje gratë e fisit tek mblidheshin e ndanin detyrat.
Njëra lante xhamat, tjetra perdet, (kur shtëpia s’kish’ perde të bukura, puna ta donte të borxhepseshe edhe nëpër gjitoni, mirëpo ime më ish’ aq e kujdesshme dhe i kish’ të gjitha, edhe bandat e qëndisura me kryq nëpër qoshetë e gurta të odës) dikush hekuroste e ca të tjera merreshin me shtrimin e shtëpisë… Nuk di të them në ish’ mirë apo keq por, në Labëri rituali i shtrimit të odave ishte i njejtë si për dasmë dhe për mort! Zbrazej shtëpia nga mobiljet dhe shtroheshin qilimat, rreth e qark hapeshin shiltetë dhe për muri viheshin jastëkë të qilimtë. Dallimin bënte ajo që dihet nga të gjithë: dasma ka gaz e hare… Nejse…..
E kujtoj si nashti hallën dhe gjitonen tonë besnike pranë sobës së zjarrit (dimër-verë me të gatuhej), nga ku më vinte një aromë aq e mirë sa s’më linte në punë time, po duke më tërheqë prej hunde, më shpu të zgjeroja sytë pranë tyre…

-Të keqen halla se mo fuç duart ti, se i kemi për miqtë që do vinë!
-O halla, po fëmijët do hanë si këto?!
-Do hanë t’u bëftë halla, do hanë ndonjë që s’e merr formën mirë! – dhe unë aty nisja lutjet që ajo shtrydhsja e limonit mbase s’ua nxirrte dhe aq mirë formën e ëmbëlsirave…
-O halla, po me ça i bëni këto, se kanë një aromë shumë të mirë (pyesja unë me mënde që më vonë t’i kërkoja nënës të na bënte kur mo të kishim më dasmë dhe miq)?!
-Me sheqer, me gjalp edhe qumësht!- halla më dëftonte se kish’ hall të bënesha e mirë e të dija gatime.
U gëzova se ne na këto që tha halla kishëm plot dhe, nëna mund të na i bënte.
– O teta Anife, po mami im di të bëj na këto?!
– Mami jot di të bëj sy njeriu, po nuk ka kohë se po merret me punë të tjera! – Kujtonte mos unë pyesja me qëllim në ish’ a jo ime më nikoqire! Po gjetkë qe halli im! Eh, ku më rrihte mëndja mua nepsqares, e ku ajo e shoqes së mirë të mamasë!!!
Sakaq vërtitesha sa andej këndej midis gjithë asaj çorodije dhe gëzimi që kish shkaktuar ajo dasmë te unë. Për së pari, e shihja shtëpinë tonë aq të zhurmshme e aq përplot me njerëz!
Ika nga dhoma ku ish’ mbledhë “Barku Shën Mërisë”, kjo ngaqë dëgjova një zë tek ia merrte një kënge… Ish’ Nuriu (nipi nënës) dhe Afërdita (vajzë e nipit të saj)! Dhe njëri ia hidhte e tjetri ia pritëte… e tërë një odë u vente nga mbas me iso…
“Kaq’e dita e kaq’e thaçë/ prite Nure se ta laçë” – ja “hodhi” Dita Nuriut…

Dola në avlli dhe pashë se mbi shtrat të rrushit po hidhnin tufa fieri (bimë jeshile që e vinin për hije) dhe po lidhnin llamba më të mëdha se ato që kishëm nëpër dhoma. Pastaj pashë që avllia qe mbushur me stolat e Vatrës së Kulturës. Si mendje fëmije, mendova mo ndokush vinte të jepte shfaqje, se edhe pozicionin e ndërtimin e saj e kish’ bërë babai si amfiteatër: porta në krye dhe 50 shkallë të mëdha e të vogla me avllie rrumbullake e mure rrethuese anash. E gjithë kjo më kish krijuar një harmoni gazndjellëse!
Brënda nëpër bagoneta mami kish’ vënë çentro bize, punuar me aq sqimë – e që s’i kisha parë ndonjëherë(kur kam qënë edhe më e vogël kujtoja se çentrot i turni merimangat).

-O ma, po të kujt janë këto?
-Tonat moj bijë, tonat.
-Tonat?! Po ku i gjetëm ne?!
-I mba mami të ormisura dhe shtronen vetëm kur kemi sebepe!
-Aaaa, e mirë! – dhe ika në krah tjetër, ku gjeta nënën që kish vënë mbi sepeten e sajë, të drunjtë e të pikturuar, një valixhe të zezë! U afrova dhe e ngjata kokën në grykë të saj.
Pashë që valixhja mbante një fustan tyli, një shall krem të kuq me fije ari, një livando që kundërmonte, një çantë dore të bardhë, një erashkë dhe mbi to hedhur oriz, sheqer e karamele… Ngjata dorën për një karamele Zana – që kur i haje dukeshin si çamçakëz. Pa e sosur mirë dorën mbi njërën prej tyre, më vjen shtizë në vesh zëri nënës: “Hiqe dorën, mo u bën kobare!! Dorën në gojë t’i gjithë ditën! Janë për te nusja ato e nuk preken!!”

-O nò, kush do ja shpjerë këto nuses?
-Halla, xha Hysniu, Godua dhe dajo Rrapua.
-Po mo i hanë ata udhës, o nò?! – e qeshura e nosë tundi dhomën!
Unë lusja që halla të mo mirr’ me vete nga ato bombonet erëmira për te nusja.

Dasma Labe
Dasma Labe

Ishte e shtunë në darkë!

Nuk e dija, por aty mësove se e shtuna na paskësh ritualin e saj të përcjelljes së krushqe! Ishin mbledhë nuk di se sa njerëz të fisit në atë përcjellje. Vajtja e së shtunës bënej edhe për një arsye tjetër: nusja ish’ në qytet dhe konsiderohej udhë e largët. E këshu krushqit e sinixhinjtë ishin po të njëjtët.

Lulet do i çonte ime motër, e madhja. Ish’ veshur me nje fustan të kuq si gjaku – ja kishte marrë Nëna, Betës së Natashës, hua! Vajtëm bashkë… dhe Tasha nuk na e ndau porosinë: “Aman xhi Begzua, se mo e gris kocja dhe më bën namin Sherua!!”
Ime motër kish’ flokë me rrica të gufuara e mbi vesh një kapse. I kishin vënë pak të kuq buzësh e mua më ngjante si një nusëzë e vogël (se vetëm nuset lyheshin asokohe)! Eh, dukej aq e bukur, sa s’gopesha me ta parë dhe aty u dhashë të drejtë atyre që e kishin zgjedhë atë t’i shpinte lulet e nuses!
Babai (është fjala për gjyshin, që dritë i bëftë shpirti ku ka rënë) pat hall se mo unë mërzitesha pse lulet e nuses do i shpinte motra.
-Ti motr’e babait mo u mërzit, se ajo po heq rradhën e saj! Si kemi thënë?! Ajo ka xhanë e madh, ti ke atë të voglin… (Eh ta dini ju, që ai i vogli më la në baltë, se e mori nusen me dashuri… dhe unë mbeta pa çuar lule gjëkundi!)
-Jo, jo o buci, nuk mërzitem, vetëm thuaj teta Anifesë të më japë një bombone!
Kish vajt vetë dhe e kish marrë bonbonen!
-Na se ua vodha! Haje e mo u ndiej, se po e morën vesh ato gratë na vranë fare – dhe qeshi aq bukur, sa më erdhi ta puthja foooort, po pata hall se mo më çkoqej bombonia…
U mblodhën pastaj te derë e jashtme, nxorrën Xha Hysninë të parin, Dajo Rrapon të dytin dhe hallën të tretën… Oh sa qesha, kur pashë hallën me flokë me onde të çrregullta! Dukej që nuk ishin ondet e sajë, po që puna e tradita ja kish’ dashur të ndryshonte pak se sytë e krushqe do binin mbi të se ish’ e motr’e dhëndrit!!
E fundit doli motra, si më e bukura mbi dhé (mendoja unë se ajo do ish’ edhe më e bukur se nusja)!

Portë shtëpie në Labëri...
Portë shtëpie në Labëri…

Dhe ja, për pak gratë e mbledhura ja morën këngës:
“Udhë e mbarë o krushk i parë/ Thoni nuses të mo qajë…!.” (Nuk e di pse nuset e ahershme kishin një mënyrë të qari a thua se po i shpinin në litar!!)
Dikush u doli para krushqe e nëna rrufeshëm e tërhoqi…
“Na moj ti, shko këtej, e mo u pré udhën krushqe!”, si duke kish hall mo s’e dinte në këmba që u priste rrugën ish’ e mbarë a jo?! – Besim që duhej respektuar me fanatizëm!
E unë qeshja me të madhe për mënyrën si Noja (gjyshja) e tërhoqi atë grua…
Kështu u mblodhëm ne që mbetëm pas – afro gjysma e fshatit domethënë – dhe u hëngër, u pi dhe u këndua tërë natën e natës…
Aty vonë mbas mesnate njerëzit u shtrinë mbi shiltetë, dhe kush e hodhi e kush jo ndonjë çarçaf sipër… Gjumi i tyre ashtu i përbashkët, si një skenë lufte, s’mund ta harroj aq lehtë!
Ja erdh’ dhe mëngjezi… Ishte fund pranvere dhe gjithçka përreth kish’ aq shumë ngjyrë e aromë, shto këtu edhe livandot që dolën nga çantat e grave dhe hodhi secila mbi vete – e kush s’pat u huà nga shoqet.
Ishte e bukur të shihje tërë ata njerëz të veshur bukur, ato gra të lyera me të kuq buzësh e të parfumuara me natyrë e aroma që kurrë më parë s’i kisha parë ashtu…
U lyen e u ngjyen nuse dhe plaka, aq sa Noja  një çast gjeti rastin dhe i shpotiti si me shaka duke u thënë në forme bejteje nja dy rreshta:
“U tërbuan grat’e veja/ më keq na nuset e reja” – qeshën të gjitha… Edhe pse ca e hidhur qeshën!
Atë mëngjes të diele na ngritën herët nga gjumi! Mua më lanë sytë, më zhveshën fustanin me poçka e më veshën atë që ish’ për “mike”. Krehja e flokëve të mi, një ritual i përmëngjesshëm i xhaxhait të madh – atë ditë s’ish’! Ai qe dhëndri dhe s’mund të ish’ edhe te nusja… edhe duke gufuar ondet e mia në të njejtën kohë. Vërtitesha me krehër në dorë, se mos më krihte kush… Bëra derman dhe unë, se në fund u gjet dikush që m’i gufoi flokët!
I shtruan dhe u rregulluan dhomat sërish, u mbush një shishe me raki, në një tas të madh  përgatitën oriz, sheqer dhe karamele, pastaj erdhi Nëna dhe hodhi mbi to një grusht monedhash 5 lekshe, dhe me një qëndrim solemn si zonjë shtëpie, u ul në qosh, nga dhoma e grave! Nga oda e burrave qe babai.
Mami ish’ në krye të gjërave te dhoma e vogël! – Kurrë s’e kisha parë aq plot atë dhomën e vogël! Mbi tavolina kish’ turli lloj e soj qirasish që do të nxirreshin për të gostitë, kurse nën to kish’ tepsi të rrumbullakta me revani të lidhura me mbulesa e peshqeshe nga më të ndryshmet.
Një përzierje aromash që unë me mënde time e kam quajtur gjithnjë “aromë dasme”!
Te mëdhesja, (dhoma mënjanë shtëpisë dykatshe) ishin gjithë nuset e fisit. Dajua i vogël i tim eti dhe djali tezes së tij ishin kuzhinierët e dasmës (ndryshe quheshin edhe ysmetçinj) – ca skuqnin speca, ca hollonin e piqnin byrekë, ca shqyenin mish… Punë, muhabet e të qeshura pafund. Se mo harroj, në krye qe një grua që mbante lidhur në brez “qyçin” e nënës, ajo ish’ e vllezërisë dhe drejtonte kuzhinën – (kjo na quhej veqile, me një llaf ajo o të nderonte o të turpëronte, sipas tyre)
Këta të kuzhinës m’u dukën më të paveshurit. Si duket ajo detyrë ua diktonte edhe veshjen. Në cep të avllisë pashë veglat muzikore, e ajo na quhej tavolinë e orkestrës…!
Po afronte ora të vinte nusja me krushqit…
Kur nga larg u ndje jehonë e bories. Të  gjithë brofën në këmbë dhe u dhanë te porta. Rruga qe përplot me kureshtarë të fshatit që kishin dalë të shihnin nusen… dhe nusja u shfaq aty në rrugë nga makina – sepse kështu e donte zakoni, ta shihnin të gjithë. Në atë çast dëgjova një “paauu” që më trembi! Qe xhaxhai i babit, që kish qëlluar në ajër me belçik. Lashë mënden e kokës, se pse u desh ajo krismë; po e lashë me aq se ishte koha që do të hidheshin karamelet me oriz dhe sheqer por më shumë e kisha hallin te monedhat!!

Rrugicë shtëpie
Rrugicë shtëpie

Dolën të gjithë nga makina dhe Noja me babanë i dolën çiftit para, i puthën në ballë të dy, dhe u vunë njëri në krah të hallës e tjetri në krah të xhaxhit – e nusja gjithnji ish’ në mes…
S’e mbaj mënd se kush, por një vajzë u printe para me shishen e rakisë e ia pikonte nuses te këmbët – kjo qe llogaritur që nga rruga të mbrrinte te derë e shtëpisë. Kur nusja sosi te dera, ajo me shishen e rakisë tashmë të boshatisur vrapoi drejt një guri dhe ja kërciti shishes fort për të. Qelqja u bë njëmijë copa dhe ajo e shoqëroi me një skenë esklamative: “U trashëgofshi për fare!”. Nga gjesti i saj nuk e mora vesh nëse ay ish’ një urim a një mallkim…
I vetmi burrë që hyri në dhomë, ku ishin vetëm dy karrike para oxhakut, ishte dhëndri: të tjerët ishin nga oda e madhe. Pse dasma bëhej e ndarë?!
Sa herë rri e mendoj kët dasëm, më bën çudi pse dasmat labe zhvilloheshin në tre vatra: Në odan e burrave, në odan e grave dhe rinia që gëzonte jashtë. E ngre me habi brenda vetes pyetjen: Pse kështu vallë?! Ç’kuptim kish’ e gjithë kjo ndarje?!
Pse burrat e donin këngën veç dhe gratë veç?!
Ndërsa matanë ishin gratë ato që ia kishin nisur këngës:
“O po ku je rritur moj je bërë kaqe/ xhan xhan moj manushaqe…”
e më pas vazhdonin:
“Sa bukur na ka dalë nusja/ marshalla-marshalla
E bukur për bukurie/ marshalla-marshalla…”
Pastaj plasën tabakatë me gota likeri, kupat me karamele, bombona e llokume varda… dhe mund të them se te kjo pjesë e dasmës kam bërë kacavjerrjet më të paskrupullta të jetës sime, e gostita veten tri herë dhe përfitoja pse e ndjeja që s’mund të më thoshin gjë në sy të miqe… Nga mami i mora nja dy shikime kërcënuese dhe vetiu m’u bë sikur me tha: “Ta ndreq unë te yt at’, ja… sa të mbarojë dasma!!” “Ohuha, – thashë me vete – këtu e sa të mbarojë dasma, kanë për t’u harruar të gjitha!!”
Gratë vazhduan me urime: (nga burrat s’mbaj mënd gjë, se ish si ligj i pashkruar se nga rrinin ata, nuk duhet të hyje!) “Të trashëgohet çifti!” “Të trashëgohen për fare!”, “Ku futi këmbët, i rafshin dhëmbët!”, “Qoft orë e hairit…!” e kushedi se nga këto urime e çudira…
Pastaj zunë prap të këndojnë…
Sa e bukur dhe sa e çuditshme njëherazi!
Burrat këndonin, hanin e pinin në odë të madhe, gratë te oda tjetër, kurse jashtë në avlli nën hijen e fierit, qe mbledhur gjithë rinia dhe orkestra ish’ e gjitha për ta…
Kërcehej e vallzohej aq sa të mirreshin mëndtë po t’i shihje gjatë…
Nëna jonë mbahej grua përparimtare: Ajo ja behu në këmbë, e nga korridori i bëri me ishare (shenjë) – siç thosh ajo – xhaxhait që rrinte në një karrige në fund të odës së burrave. Ai doli në koridor.
-Hajde – i tha – merre nusen e dili kërceni edhe ju përjashta. Boll nusëroi për gratë e fisit e mëhallës.
Dhe dolën të dy bashkë në avlli ku nisi një valle e gjatë, si vargmalet kapur dora-dorës me të rinjtë. Bëja të kapeshe dhe unë aty nga fundi valles po asnjë s’ta ngjaste dorën, se unë si dukej prishja lezetin e saj…
E kështu vijoi për orë e orë të tëra dasma e shtëpisë sonë… derisa në fund mbetëm vetëm ne të shtëpisë, mes rrëmujës dhe tepsive, kupave e tabakave të boshatisura… dhe tamzanëve të rakisë që tashmë kishin cekur fundin…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.