back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Cikël Poetik nga Artan Gjyzel Hasani – nga vëllimi poetik – “Idioticus”, 2022

Gazeta

Artan Gjyzel Hasani - Idioticus - 2022
Artan Gjyzel Hasani – Idioticus – 2022

Artan Gjyzel Hasani asht autor i disa librave me poezi e prozë, e za tashma i përcaktuem qartë. Simbas gjykimit tim ai ban pjesë n’at grupim shkrimtarësh antikonformistë, të cilët ndjejnë nji trazim të madh shpirtnor për vendin e tyne, që edhe pse larg, ata asnjiherë s’e anashkalojnë si n’pikëpamjen e problemeve edhe n’atë të përdorimit të gjuhës shqipe si mjet komunikimi n’kët shthurjen tonë të madhe, edhe pse prej ma shumë se dy dekadash, ata jetojnë jashtë realiteteve shqiptare…
Prej botimit të tij fundit “Idiotikus”, përzgjodha me kujdes 5-6 poezi, përmes të cilave krijohet nji dritare me kuptue frymën e këtij libri. Për sa lexova e konsideroj vepër me frymë të thukët kritike, me tendenca të forta sociale dhe shpirt të ashpër mospajtimi me të keqen që e ka kapë për fyti njeriun shqiptar e s’po e lë të përparojë askund… tue e vërtitë si ndër ato vorbullat e çmenduna të stuhive, deri në përplasjen e tij finale…
jozef radi, 23 qershor 2022

Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani

Cikël Poetik nga Artan Gjyzel Hasani

nga vëllimi poetik – “Idioticus”, 2022

Poemë çmendurore

çmendina ka hapur dyert
edhe pse vend për pacientë të rinj nuk ka
njerëzit nguten të hyjnë
por unë nuk dola dot prej saj…
normalë nuk ka më kjo botë
normën e vranë në gjumë
metri u shkri, kishte qenë statujë dylli
të gjitha peshoret janë thyer
jeta jep shpirt në salla reanimacioni
ku djepi shkëmbehet lehtësisht me një varr
dikur të mënçurit i udhëhiqte më i çmenduri
tashmë të çmendurit i udhëheq një idiot…
po nesër idiotëve kush do t’ua heqë udhën
përderisa nuk ua hoqëm stolin nën litar?
isha rehat në qelinë time mbyllur
me njerëz nga jashtë
dhe shul nga brenda
tradhëtuar nga hija e dritës
bëja dashuri me ëndrrat
tani vjen ti e më prish qetësinë
me sy të shqyer dhe zë të mekur
dhe më thua më bëj vend pranë teje
jemi njësoj të çmendur…
por unë ndryshimin mes të çmendurit
dhe idiotit
e kam shpjeguar shumë vite më parë
mbase e ke lexuar në vargun tim të vjetër
“të mençur nuk ka më në botë
ata që ishin u çmendën të gjithë
dhe nga bota i ndau përgjithmonë një mur
budallenjtë filluan të hiqen si të çmendur
që t’i besojnë se edhe ata ishin të mençur dikur…”
tashmë askush nuk di kush është
nga vjen ku shkon
këtej apo andej
i vetëm apo bashkë
besomë
bota e ka humbur mençurinë
shumë kohë më parë
ditën kur të çmendurit i kyçën brenda
dhe idiotët i lanë jashtë…
por tani që të gjithë janë bashkë
botës i humbi edhe ëndrra
jo vetëm e jotja
ajo normalja
por edhe e imja
e çmëndura…

Puthadorë dhe dorëputhur

ka edhe njerëz që iu pëlqen të poshtërohen
puthadorë mjeranë dhe dorëputhur arrogantë
ndihen mirë që nuk janë të harruar
në ekzistencën e tyre transparente
butakë njëqelizorë me bërthamë frikën
të lumtur kur edhe xhelati
në shfaqjen e radhës iu puth dorën
para se t’i çojë në djall…
fundja edhe poshtërimi
qënka një farë vëmendjeje…

idiotë poshtë e batakçinj lart
kombinacioni perfekt i së Keqes
kryqëzimi ku dinjiteti humbet udhë
buzët e deformuara humbasin kuptimin
fytyra shndërrohet në surrat
gojët ngatërrohen aq lehtë me bythët
gjuha mbetet muskuli më i fuqishëm
dhe puthja nuk është më puthje
por lëpirje…
sa më i dobët të jesh ti idiot
aq më i fortë do të jetë batakçiu se…
…jeni ju që njihni frikën
ndaj janë ata që s’njohin turpin…
pa ju ata vdesin
si derrat pa llucën
si hienat pa kërmën…
si mizat pa mutin…

Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani

Mons Veneris

ajo rri lakuriq në dhomën e saj
e ndrojtur si poemë e pabotuar
e panjohur…
ka gjinj të bukur të ushqyer me muzg
ia prek dhe ata rriten
e bëhen mbrëmje
ia përkëdhel dhe rriten
e bëhen natë
e puth në buzë
dhe bëhem ag…
në gjunjë si unë
që largohem pas pak
mbi Kodrinë të Bukurisë
dielli lind i perënduar
lakuriq në dhomën e saj…

Rrumpallesque

në Mëmëdhe gjërat janë në harmoni të plotë
me detin e bërë kos dhe me kaosin…
ish komunistë nevrikë të shqetësuar për hallet e demokratëve
e këta me zell duke zgjidhur telashet e socialistëve të rremë
amerikanë të kalkuluar trashin zullumin e Shqipërisë koloniale,
ndërsa shqiptarë, trima të papunë, me problemet e Ukrainës…
modernë emrat këta njerëz të rinj
në vend të mbiemrave epitete
ëngjëjt arnojnë flatrat
por djalli mbetet i njëjti
edhe kur e quajmë dreq…
sipas traditës komshiu di ku na pikon çatia,
ndërsa ne fusim ujë nën rrogozin e tij
në ruletë ruse vazhdojmë të luajmë jetën
fajtor mbetet gjithnjë tjetri
dhe askush nuk përpiqet të ndreqë veten…
udhëtimi ynë i përjetshëm
nga çmenduria drejt idiotësisë
me shpresën e pavdekshme se dikur pranë nesh
do të ndalojë hapat ndonjë i mençur…

Gabime të shëndetshme

nëse do të kërkoje një këshillë nga unë
nuk jam njeriu i duhur
vendimet e rëndësishëm të jetës sime
të gjithë të gabuar…
por nëse të duhet një udhë e pashkelur
më ndiq dhe eja të gremisemi sëbashku
në humnerat që bosh kanë mbetur
qëkur fëmijët lindën të plakur…
përndryshe kjo botë e mbushur me këshillues
predikues morali dhe gjykatës të saktë
rrugë të gjëra dhe sheshe të mëdha
për njerëz të sigurt e të ngjajshëm
ndiq hapat e tyre dhe jeto i qetë si ata
kush nuk fluturon nuk rrëzohet kurrë nga qiejt
dhe nuk do ta mësojë çfarë do të thotë
të guxosh ajrin, të sfidosh dheun,
ta prekësh, ta mundësh dhe të ngrihesh…
por një këshillë edhe mund të ta jap
duaje fort gabimin tënd të sotëm
si unë dikur ëndrrat e mia…
jeto, gabo dhe mos e vrit mendjen
jeta e mëkatarëve është e gjatë dhe bujare
ka vend për të gjitha, të mira e të këqia,
u jep kohën e duhur të vdesin me nder
atyre që e meritojnë të plaken…

(Marre nga vëllimi poetik “IDIOTICUS”, 2022)
©artangjyzelhasani

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.