
Burrneshat
nga Ilir Seci
Mbas ndryshimeve të vitit 1991, Shqipnia, vendi ma i izoluem në Europë u hap dhe natyrshëm ndodhi nji vërshim gazetarësh dhe reporteresh nga mbarë bota, të cilët ngarendën me zbulue “misterin ekzotik”, bastionin e mbramë stalinist në Europë, i cili ma në fund ra bashkë me ramjen e Murit të Berlinit dhe të krejt kampit socialist. Vërshuen ekipe kameramanësh, gazetarësh, fotografë dhe individë të cilët donin me eksplorue Shqipninë dhe me e përshfaqë atë para botës si mister i porsazbuluem. E thanun figurativisht kjo periudhë ishte si koha e “etheve të arit” në Alaskë, veçse ar mediatik këso rradhe, prandaj u realizuen sa reportazhe, sa kronika televizive dhe u shkruen artikuj të shumtë… mbas njifarë kohe këto “ethe ari” të zbulimit të Shqipnisë u fashitën pse zhvillime të reja në botë ofruen tjera kureshti mediatike, duke e zhvendosë vëmendjen nga hapja e të mbramit bastion stalinist në Europë… Ekipet televizive, gazetarët, fotografët nga Perëndimi u rralluen edhe pse realiteti i ri shqiptar ofronte tematika që kishin randësi dhe interes global siç ishin trafiku i landëve narkotike, trafiku njerëzor, prostituimi me dhunë i femnave, trafikimi i minorenëve apo kontrabanda… por jo, asnji nga këto tematika kaq sensitive nuk morën ndonjiherë vëmendjen e duhun në periskopin e shtypit të botës së lirë…
Vetëm nji temë shqiptare nuk u zbeh asnjihere në vëmendjen e këtyne medieveperëndimore – tema e Burrneshave Shqiptare. Për me gjurmue mbi burrneshat shqiptare nuk reshtën asnjiherë gazetarë dhe ekipe të tana televizive, studiues e fotografë të gazetave dhe revistave ma të famshme të botës… Për këtë temë vinin ekipe edhe nga vende krejt të pandjeshme ndaj Shqipnisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, si për shembull Australia, Zelanda e Re apo Kanadaja, shtete që deri atëherë as nuk kishin tregue ndonji interes për Shqipninë dhe shqiptarët, përkundrazi kishin heshtë totalisht në 47 vitet e diktaturës së hekurt të Enver Hoxhës… Këto shtete as nuk kishin marrëdhanie diplomatike në nivel ambasadash me Shqipninë, Zelanda e Re dhe Australia nuk kanë ambasada me Shqipninë as sot e kësaj dite, kurse Kanadaja nuk kishte deri në vitin 2021, kur hapi ambasadën në Shqipni… Ambasada në Shqipni nuk kishin, por me dërgue gazetarë dhe ekipe televizive me filmue “Burrneshat Shqiptare” deri në skajet ma të thella të Shqipnisë e gjenin mundësinë…
Atyne viteve punoja si gazetar dhe isha i azhornuem në shtypin tonë e natyrisht përcillja edhe shtypin e huej dhe bashkë me kolegë të mi sa herë shtronim pyetjen:
“Pse tanë ky interesim i vazhdueshem për Burrneshat Shqiptare?!” Nuk e gjenim dot arsyen asokohe… shoqnuesit shqiptarë të atyne gazetarëve ose ekipeve televizive nga bota që vinin me realizue dokumentare për burrneshat, ishin tej mase servilë ndaj të huejve dhe shumë inferiorë karshi tyne… As nuk i pyesnin për qëllimet e intervistave, xhirimeve, edhe pse këta shoqnues shqiptare ishin gazetarë për veti, nuk kërkonin me ditë ma shumë sepse kishin parësore përfitimet e asaj kohe, me marrë pagesën e majme apo në rastin ma ideal ndonji ftesë për në vendet nga vinin të huejt dhe me ikë atje si azilkërkues…
Vetëm kur shkova në Perëndim mbas vitit 1999, pashë se për çfarë arsyeje ishin krye këto kërkime të pareshtuna mbi Burrneshat Shqiptare…
Misteri nuk ishte fare mister… çka ishte konsiderue “sekret” për ne në Shqipni, ishte “sekret publik” në Perëndim… ky “sekret” ishte se kërkimet kishin qenë në kuadër të lëvizjeve për diversitetit gjinor, qysh para viteve ‘90… Kjo vërehej lehtesisht në çdo stendë libri në shitoret e librit, (book stores), apo ne biblioteka, (library)… Kudo në Londër dhe New York ku pata mundësinë dhe ngeshmëninë me kërkue, i gjeta sepse kishte stenda të posaçme me libra mbi lëvizjet e diversitetit gjinor.
Në biblioteka gjeta:
-Nji libër të botuem me 1989 nga René Grémaux me titull – “Gratë Burrnesha të Maleve të Ballkanit”. Nga Safo te De Sade: “Momente në Historinë e Seksualitetit.” (Londër dhe Nju Jork: Routledge), 1989; Ribotue si “Gruaja Bahet Burrë në Ballkan”. Seksi i Tretë, Gjinia e Tretë: Përtej Dimorfizmit Seksual në Kulturë dhe Histori. (NY: Zone Books), 1994. (René Grémaux. “Mannish Women of the Balkan Mountains”. From Sappho to De Sade: Moments in the History of Sexuality. London & New York: Routledge,1989 :
Reprinted as “Woman Becomes Man in the Balkans”. Third Sex, Third Gender: Beyond Sexual Dimorphism in Culture and History. NY: Zone Books, 1994)…
– Nji punim të publikuem në vitin 1998 nga “Shoqeria Gay/Lesbian, (Gay/Lesbian Historical Society), i titulluem “Virgjneshat e Ballkanit, (roli i transgjenderit), (The Balkan Sworn Virgin (a transgender role), by Jeffrey M. Dickemann.)…
– Nji tjetër libër që gjeta titullohej:
“Homoseksualitetet Islame: Kultura, Historia dhe Letërsia” – nga Stephen O. Murray dhe Will Roscoe, 1997, (Islamic Homosexualities: Culture, History, and Literature by Stephen O. Murray dhe Will Roscoe – 1997), Burrneshat ishin përfshi si kapitull ku mundoheshin me e nxjerrë si dukuri e lidhun me islamin përkundër faktit se betimi i Virgjneshave Vestale asht shumë ma i hershëm dhe shënon krijimin e Romës së lashtë… këtu asht vendi me theksue se “Vestale” si fjalë asht e ardhun nga shqipja e vjetër “veshtull – “rrush veshtull”…
-Jill Peters fotografe Kishte nji album me titull “Virgjneshat e Betueme te Shqipnisë dhe Gjinia e Tretë”, (Sworn Virgins of Albania and The Third ozGender)…
-Tjetër libër ishte nga Antonia Young, me titull – “Gratë që bahen burra: Virgjëreshat e betueme shqiptare (Veshja, trupi, kultura)”, botue ne vitin 2000, (Women Who Become Men: Albanian Sworn Virgins (Dress, Body, Culture)…
Tanë këto botime i mëshonin idesë se njerëzit e perceptojnë gabimisht gjininë të ndikuem nga imperativi biologjik, po citojmë nji syresh – “…sepse nocione të tilla të ngurta përmbysen nga disa gra në rajone të largëta të Shqipnisë, të cilat zgjedhin të “bahen” burra thjesht për avantazhet që u shtohen si rezultat. Ato i shkurtojnë flokët, veshin rroba burrash, dredhin cigaret e tyre, pinë raki dhe mbajnë armë…”
Askund nuk përmendej shkaku i vërtetë pse këto femna kishin zgjedhë me u ba Burrnesha… Për vite e vite me rradhë gazetarë, studiues, kineastë, fotografë të mbështetun financiarisht nga shoqatat për diversitet gjinor nuk lanë qoshe të Shqipnisë pa shkue, nuk lanë gur pa rrotullue në çdo anë me shpresën e gjetjes se ndonji rasti kur këto Burrnesha bashkëjetonin me gra… Të kishin gjetë ndonji rast do ishte ba sensacion botnor… Kishin kërkue me shumë intensitet duke përshkue vise të largëta, udhë e pa udhë… Kishte raste kur në kërkim të Burrneshave i kishin gjetë ato edhe në kulla të ngujueme prej gjakmarrjes duke u kujdesë për fëmijë jetimë pa babën e vramë për gjak, por kjo nuk përbante lajm për ta. Kishte raste tjera kur në fshatna të thella në kërkim të Burrneshave këta gazetarë takonin nana zemërkputuna që u luteshin me ua gjetë bijat që ua kishin rrëmbye për prostituim ose shitje organesh, por kjo nuk ishte me randësi për të huejt e obsesionuem mbas Burrneshave… të huejt kishin tjera interesa… për ta gjetja e nji rasti Burrneshe që bashkëjetonte me nji femën kishte me qenë si me gjetë Arkën e Noes…
Por jo vetëm publiçistika ishte e obsesionueme mbas tematikës së Burrneshave… Edhe krijimtaria letrare nuk mbeti mbrapa… Ne vitin 1994, shkrimtaja kanadeze Alice Munro boton nji përmbledhje novelash me titull “Sekrete të Hapuna”, (Open Secrets), ku përfshihet edhe novela “Virgjnesha Shqiptare”, (The Albanian Virgin)… Kjo shkrimtare kanadeze, e cila ne vitin 2013, mori çmimin Nobel në letërsi, të novela “Virgjnesha Shqiptare” shkruen nji përçartje mbi fenomenin “Burrneshë” pa ia pasë idenë Shqipnisë, zakoneve, traditave deri edhe gjeografisë së Ballkanit… natyrisht krijimtaria nuk mban përgjegjësi sepse trillim/fantazi asht, por kjo krijimtari e Munro u potencue në medie e shtyp duke krijue imazhe të paqenë mbi fenomenin… Novela e Munro flet për nji grue kanadeze të quejtun Charlotte e cila mbas vdekjes së prindërve trashgon pasuninë dhe vendosë me shetitë Europën. Shetit Europën e mbasandej shkon në Dubrovnik ku pajton si shoqnues nji shqiptar me e përcjellë nëpër ato anë. Shoqnuesin e saj shqiptar e vrasin për gjak në nji pritë dikund në viset dalmate dhe mbasi vrasin shoqnuesin e rrëmbejnë edhe Charlotte duke e çue në nji katund mysliman në Malësinë e Madhe… Se si mund shkohet nga rrethinat e Dubrovnikut deri në Malësinë e Madhe me nji peng të lidhun majë kalit, me pushkë e varrë gjaku, këtë vetëm Alice Munro e din dhe kushdo që njeh gjeografinë dhe gjeopolitikën ballkanike qesh me të madhe… Novela vazhdon në Malesi të Madhe ku na del se rrëmbyesit duen me e martue Charlotte me nji mysliman dhe ne momentin e fundit vjen nji prift françeskan “i cili mbante pistoletë të markës “Broëning” në brez” dhe e shpëton nga martesa duke i sugjerue si rrugëdalje mundësinë me u ba Burrneshë… Kanadezja Charlotte bahet burrnesha Lottar dhe jeton disa kohë si çobaneshë në malet e Kelmendit… Alice Munro e ka pranue vetë se për këtë novelë asht frymëzue nga vepra “Shqipnia e Eperme”, (High Albania), të Edith Durham, botue ne vitin 1909… porse shihet qartë se e ka lexue përciptazi Durham, sepse po ta kishte lexue me vëmendje do kishte mësue se priftat katolikë nuk kanë mbajtë revolvere në brez dhe po ashtu do kishte mësue se të huejt burra apo gra me qenë nuk kanë asnjë detyrim ndaj normave tradicionale shqiptare kështu që nji kanadeze nuk ka si betohet Virgjneshë pa qenë e tillë ma së pari… por kjo nuk i intereson narrativës së Munro që krejt synimin e ka me evidentue fenomenin Burrneshë në perceptimin e saj duke e paraqitë atë si nji rebelim i hershëm feminist… këtë bindje e përforcon ma shumë vazhdimi i novelës ku Lottar me ndihmën e priftit françeskan arratiset nga Malësia për në Trieste duke u ba përsëri Charlotte… dhe bashkë me Charlotte arratiset edhe prifti françeskan i cili vendos me braktisë urdhnin fetar dhe martohet me Charlotte… nji finale që çon peshë auditoret feministe.
…Si përfundim krej interesimi i studimeve dhe krijimeve mbi Burrneshat ishte me iu përshtatë narrativës së diversitetit gjinor që kërkonte nji formë arkaike me e përdorë si provë në debate. Mbas shumë orvatjesh interesimi mbaroi kur nuk u gjet asnjë rast bashkëjetese mes burrneshash dhe me aq mbaroi “pelegrinazhi” mediatik. Asnji interesim tjetër nuk pati ma për Burrneshat, as fondacione me mbështetë ato financiarisht, as pensione minimale për mbijetese, as ftesa në Perëndimin ku fotot e tyne paraqiteshin ndër vitrina librarish si kuriozitete antropologjike apo si ekzotizma cirku…
Marrë nga Ilir Seci, 7 nëntor 2025