
Vajtje – Ardhje në Gjakovë… me do vëzhgime
nga Prof. Artan Fuga
Duke shkuar dhe ardhur nga Gjakova pardje dhe dje, rrugës vura re:
-Makina të rënda bujqësore anash rrugës ose për shitje a riparime. Ata punojnë me makineri, kuptimin pastaj e dini vetë.
-Shi binte edhe në fushat e Gjakovës, por s’vura re asnjë pellg, le më përmbytje, dalje lumenjsh, diga që rrezikonin të çaheshin.
-Në restorant dhe kafe dëgjoheshin këngë të bukura elbasanllie, korçare, etj., sikur të ishe në qytetet përkatëse. A këndohen live në party në Korçë dy orë këngë gjakovare?!
-Nëpër qytete nuk pashë asnjë polic, dhe në qytete vende për parking, nuk pashë polici bashkiake të etur për gjoba.
-Shumë logo sipërmarrjesh furnizimi me karburant dhe jo vetëm një të vetme dhe ca rroç e poça përreth. Për të mos folur për çmimin e karburantit dhe cilësinë e tij. Dukej sikur kisha bërë riparim motorri.
-Ripashë vendbanime rurale ku shtëpitë ishin të mbledhura dhe toka bujqësore ishte e lirë nga muret, themelet, betoni, si diku ka ndërtohet edhe në tokë bujqësore!
-Shtëpi dykatëshe në zonat rurale, me estikë, me kopshte të lulëzuara, të rregulluara, jo ndërtesa kaba, pa suvatime, gjysmë të mbaruara.
-Në qytet konstatova se kishte ngrohje qendrore dhe nuk pashë kondicionerë në çdo dritare.
-Tokat e punuara cep më cep, aq sa shiheshin sigurisht.
-Nuk pashë rrugës banesa me suva të rëna, gardhe të rrënuara, mure të prishur.
-Qarkullimi fluid.
Këto më kujtohen tani se nuk mbajta shënime!
Në furrën e bukës kishte një poçe qelqi me etiketën: Sadakaja, po të doje hidhje ndonjë monedhë kusuri për institucionin fetar.
Kafja një euro te zona turistike ishte me një shije të mrekullueshme, pak njerëz nëpër kafene, si duket nuk i ha shtëpia si gjetiu…
Marrë nga Muri i FB, Artan Fuga, 24 nëntor 2025