back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Bujku i Karbunarës dhe Kryebashkiaku i Romës ose Xhevahir Shehu dhe Francesco Rutelli nga Simon Vrusho

Gazeta

Francesco Rutelli - Ish Kryebashkiak i Romës
Francesco Rutelli – Ish Kryebashkiak i Romës

Bujku i Karbunarës dhe Kryebashkiaku i Romës

ose Xhevahir Shehu dhe Francesco Rutelli

nga Simon Vrusho

Jemi në vitin 1997.
Një grup emigrantësh shqiptarë nga Karbunara e Lushnjes, vendosur në Itali që nga viti 1992, banonin në Romë, ku merreshin me punë të ndryshme si: ndërtim, bojatisje, bujqësi, etj. Këta e kishin rregull, pjesë të regjimit ditor që, pas punës, në mbrëmje, të mblidheshin në një birrari…
Tek tavolina shqiptare afrohet një italian:
-Mund të ulem?
-Urdhëroni! – e ftuan – Uluni. Çfarë do merrni?
-Daleni! – iu thotë i porsauluri. -Porosis unë edhe për ju.
-Jo! – i thanë me ton të prerë. – Ti drejton Romën, por tavolinën shqiptare, këtu, e drejtojmë ne!
Ishte kryebashkiaku i Romës, Francesco Rutelli (1993-2001).
Ai qëndroi një copë herë me shqiptarët dhe iu tha se i duhej një punëtor për disa punime e pastrime barërash në kopshtin e shtëpisë së tij. I thanë se ata ishin të zënë dhe kishin punë, por do t’i dërgonin një punëtor tjetër.
Dhe i dhanë emrin: Xhevahir Shehu.
.
Shqiptarët në Itali sipas Krahinave 2011
Shqiptarët në Itali sipas Krahinave 2011

Para se të largohej nga lokali Francesco Tutelli shkon tek kamerieri për të paguar tavolinën, por kamerieri e refuzoi, duke i thënë:

-Jo. Ti nuk e kupton mentalitetin e tyre. Po u ule në tavolinë, ata nuk të lënë të paguash. Edhe shok i tyre të jesh. I ardhuri apo i vajturi tek ata nuk paguan. Po qe se pranoj liretat e tua, ata nuk më shkelin më në lokal. Por nuk dua të më ikin. I japin gjallëri lokalit, rrezatojnë energji…
Xhevahir Shehu punoi gjithë ditën dhe, kur pasdite vonë erdhi Rutelli, nuk po u besonte syve me sasinë dhe cilësinë e punës, punimet, sistemimet, tre thasë me barishte…
-Më ka ngelur dhe pak punë për nesër. – i thotë Xhevahiri.
-Bravo! – i thotë Rutelli, – por do ta jap pagesën që sot dhe i jep një milion e 200 mijë lireta(!)
-Jo! – i thotë Xhevahiri – Janë shumë, janë sa për një javë pune. Mua haka më bën vetëm 200 mijë lireta.
Këmbënguli Rutelli. Këmbënguli edhe shqiptari nga Karbunara, duke i thënë kryebashkiakut të Romës se ai besonte në Perëndi, në Zot dhe Perëndia thotë që: të paguash hakun dhe të marrësh po hakun!…
-Merri! – e urdhëroi Rutelli – e mos më jep mësime për Perëndinë…!
Kaluan disa kohë dhe pas nja dy javësh Rutelli shkon përsëri në birrarinë ku mblidheshin shqiptarët dhe kërkoi prap punëtorë, po kësaj here me emër: Xhevahirin…
-E kemi sëmurë, – thanë, është keq!
-Ku është?
E çuan Rutellin tek Xhevahiri në spital. Ai e mori Xhevon, dhe e çoi në spitalin më të mirë, duke iu thënë mjekëve se të gjitha shpenzimet për diagnostikimet, ekzaminimet, mjekimet ishin të tijat.
Mjerisht, Xhevahiri u diagnostikua me sëmundje të rëndë, të avancuar dhe të pashërueshme…
Po kush ishte Xhevahir Shehu?
Një punëtor i klasit të parë që banonte te një barakë ndanë rruge. Një herë, tek baraka e tij vërshon policia. Kontroll! Xhevahiri po i mbante duart mbledhur sikur donte t’i fshihte gishtrinjtë e tij me nyje si gdhënj. I mbante duart të mbledhura sikur të fshihte diçka.
-Hapi duart! – e urdhëroi polici.
Dhe policët shtangën!
Para syve të tyre u shfaqën, befas, një grusht me kallo, si një grusht lajthish. Policia u zmbraps kur pa ato kallo!
I dhanë një copë letër, i dhanë një shkresë, që kushdo që do t’i vinte për kontroll a do ta shqetësonte, Xhevahir Shehu nga Karbunara t’ua tregonte atë si kartabiankë…
-Ky rrëfim sipas Bardhyl Myftiut, dhe Xhevahir Shehu qe kushëri i parë i së shoqes së Bardhylit.-
(Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)
https://www.facebook.com/simon.vrusho

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.