back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

Bedra Kaba: Rrëfej jetën time… dhe tuajën (pjesa III)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Bedra Kaba: Rrëfej jetën time… dhe tuajën (pjesa III)

2 gusht, 2013
Tashmë babai i kishte kaluar të pesëdhjetat, por i duhej të punonte për fëmijët që kishte me gruan e dytë. Punonte roje nate te stallat e lopëve, roje i thënshin, mbasi pastronte dhe nxirrte bajgat në fund të stallave për gjithë natën derisa të vinin gratë për mjelje në katër të mëngjezit… Puna ishte tepër e vështirë, por edhe në shënjestër ishte. Një natë, ndërsa po kthehej nga puna në katër të mëngjezit, i del para roja e zyrave dhe i thotë a ka mundësi ta kontrolloj çantën e bukës që merrte me vete në punë. “Po, – i thotë babai – ja ku e ke shife!” Mbas një kontrolli që i bën edhe gavetës që merrte gjellën, i thotë… “Na fal xhaje, po e kisha udhëzim nga sekretarja e partisë. Baba i thotë… “I thuaj sekretares, tu thafshin krahët, pse kush e din ti se është M.K. dhe të gjithë këta që i kanë mbledhë këtu!?”
Ai vazhdoi të punojë, ashtu i lodhur fiziksht e moralisht, por me një krenari prej malsori, deri sa motra e madhe mbaroi klasën e tetë dhe menjëherë e nxorri nga puna. Kur doli dhe motra në punë ne blemë një radio Mimoza, blemë një krevat suste, për të flejtur si njerëz dhe më vonë edhe një bufe. Babai me duart e veta punoi edhe një kuzhinë gatimi, para dy dhomave që tashmë kishim…
Kur motra shkonte në punë, gjithmonë i thoshte se: “Mos u bier lopëve me stol… sepse kish parë disa gra, kur punonte që u qëllonin me stol ndonjë lope që ishte e prapë dhe babai e kishte merak keqtrajtimin e kafshëve. “Ato janë pa gojë – thoshte – po flasin. Kur martua motra e madhe filloi të punonte motra tjetër, dhe kur u martua edhe ajo fillova të punoj unë. Nji stafetë e tri motrave që punuam mjelse… Vëllai ishte shumë më i vogël se unë. Ne kishim ndihmuar të tria shtëpinë njëra mbas tjetrës derisa ishim martuar. Një ditë, nëna ime më thotë: “Po kur të ikësh edhe ti moj bijë, me një pension  çfarë të bëjmë në të shkretët!?” I them: “Mos u mërzit moj nanë, se nuk martohem, po nuk mbaroi vëllai ushtrinë!!” “Jo, – më tha e shkreta – të shkon shume gjatë!!” “Ç’thua… le të shkojë…!” Dhe vërtet, u martova vetëm mbas nëntë vjetëve që kisha mbaruar shkollën!!!
Babai kishte një vit që kish vdekur, ndërsa vëllai mbas një muaji mbaronte ushtrinë…

Puna me qerre si privilegj
Puna me qerre… si privilegj

1 gusht, 2013
Ngela endacake rrugëve të vendit tim…
Kjo odise më ndjek qysh dy vjeçe, dhe tashti prap ashtu si dikur, jam këtu po dhe atje…
Një ecje, një maramendje, një histori, një jetë…
Mbeta emigrante brenda vendit tim, ndërsa emigrante jashtë, jo s’mund ta përballoja dot… Respekte të pafundme për gjithë ata shqiptarë, dhe të njohur të mi, kudo që ndodhen… që me shumë mall e dinjitet e provojnë këtë odise të vështirë… largimin nga vendi i tyre…!

Në fushë punohej: Lind dhe perëndon!
Në fushë punohej: Lind dhe perëndon!

31 korrik, 2013
Mbas një udhtimi të gjatë nga Dibra në Thanë të Lushnjes… Babai me dy djemtë mbrrin aty dhe tashmë u duhet të fillojë përballja me një jetë tjetër… tepër të ashpër politike dhe ekonomike. Kushte s’kishte… Bëhej fjala për luftë për mbijetesë: Buka ishte me racion 600 gram për frymë. I ndodhur në këto kushte, Babai duke shpresuar se kishte luftuar për të fituar pushteti popullori i shkruan një letër Mehmet Shehut, ku i tregon me hollësi situatën e tij familjare dhe në fund fare i thotë: “Nëqoftëse na keni pru që të vdesim për bukë më mirë na bjerni edhe një jevg t’na pushkatoje, o përndryshe na furnizoni me bukë dhe na jepni punë të jetojmë.
S’kalon shumë kohë dhe babanë e thërrasin në Degë të Brendshme. Ai shkon atje me djalin  e dytë. Kur hyn brenda dhe përshëndetet me kryetarin e Degës, ai fillon duke bërtitur e duke i thënë… përse i ke shkruar kryetarit të qeverisë dhe me grusht i binte tavolinës. Babai, po me të njejtën mënyrë ia kthen duke i thënë “I shkruajta po… se ai me njeh se kush jam ti nuk më njeh… por ai vazhdonte të bërtiste dhe të ulëriste… Në fund ai i thotë. “Përjashta ti M.K. Kur del jashtë vëllai i thotë: “Po pse bërtisnit të dy?” “Eh, i thotë babai, atje ishte një njeri që as ai s’më kuptonte mua e as unë s’e kuptoja atë…” Tepër i mërzitur për këtë gjë që po i ndodhte, kthehet tashmë atje në fshat ku e kishin degdisur, por gjithmonë shpresonte se mundi nuk do t’i shkonte dëm. Kurrë s’e mendonte se ç’jetë e vështirë e priste atë tashmë po edhe familjen e tij…!!
Edhe nëna e mbetur në Dibër nji ditë, vendos t’i bashkohet me familjen dhe bashkë me vajzat vijnë në Thanë, ku ndodhesh i shoqi, e ku jetesa për bukën e gojës bëhej përditë e më e vështirë. S’kalon shumë dhe babanë e thërrasin prap në Degë të Brendshme ku i komunikojnë dërgimin në një tjetër vend interrnimi… ishte fjala për në Kampin e Savrës!! Dhe kështu, me dy dyshekë dhe dy jorgana në krahë dhe me disa ndrresa krejt të pakta, përfundojnë në barakat e ngritura enkas për të kundërshtarët politikë të regjimit… E gjithë familja strehohet në një dhomë që kishte vetëm një dritare… dhe pa derë, kështu që ne filluam të hyjmë e të dalim nga dritarja përmes ca shkallëve që i bëri babai. Bëri edhe një krevat me drrasa, ku shtriheshim dhe flinim të gjithë me rradhë…
Vëllezrit, ishin tashmë të rritur… shpejt ata u martuan dhe krijuan familjet, dhe jetën e tyre… Mbas do kohe edhe motra e madhe u martua: Kështu nëna mbeti me tri vajzat e saj, dhe burrin në po atë dhomë ku më parë hynim dhe dilnim nga dritarja tetë vetë, deri sa lindi edhe vëllai i fundit: L.

I keni harruar misrat e pjekur!?
I keni harruar misrat e pjekur!?

30 korrik, 2013
Ishte një mbasdite, kur dola te porta për të parë fëmijët që loznin aty përreth. Duke bërë muhabet më një nga fisi i burrit, shoh ca fëmijë që vinin drejt nesh… midis tyre qe dhe djali im 4 vjeçar, të cilin po e mbanin ata fëmijë. E shqetësuar afrohem me vrap dhe ç’të shoh gjaku ikte i rridhte pa pushim, nga pjesa e pasme e këmbës. E marr menjëherë në krahë dhe ashtu e shqetësuar siç isha shkoj drejt e në ambulancë. Nga mbrapa meje ndjej se dikush me ndiqte, por as mund ta ktheja kokën, së pari nga lodhja, po edhe nga shqetësimi për djalin. Kur në një moment dëgjoj një zë që më thotë: “Bedra, ma jep mua djalin se u lodhe…!”! “Jo, . I them – po ti ç’ne nga mbrapa…?!” “Rastisa aty – më thote ajo – si mund të lija vetëm, dhe erdha mbas teje…!” Shkojmë te ambulanca e lagjes po edhe aty s’kishte njeri. Me djalin në krahë më duhej të shkoja në spital, por ishte larg dhe duhej të hipja në autobuz, atëhere kujtohem se  s’kisha asnjë kokërr leku me vete…! “Mos u mërzit, – më thotë komshia – po marr unë te  kjo kjoska, se e njoh shitesen!” Dhe ashtu bëmë. Morëm nji sasi lekësh, hipëm në autobuz, dhe shkuam drejt e në spital. Komshia u fut me djalin te doktori, se unë s’mund ta shihja… sepse vërtet ndjehesha shumë keq. Ajo jetonte shumë afër meje dhe kishte katër vajza dhe burrin e paralizuar… pra ishin të këputur ekonomikisht! Unë gjithmonë i flisja dhe më vinte keq për të dhe ky xhest i saj më bëri më të afruar me të.
11 Tetorin e vitit 1987, unë e quaj ditën e fitimit të lirisë sime… sepse atë dite unë ika përfundimisht nga barakat e vuajtjes duke lënë pas trishtimin dhe brengën e një jete që më kishte vrarë ne shpirt gjatë gjithë kohës. Dhe atë datë e kisha të shenjtë, jo pse u martova, po sepse m’u duk sikur po i shpëtoja komunizmit!! Pikërisht në kët ditë, blija diçka të ëmbël që të mund ta ëmbëlsoja shpirtin e helmuar në vite… Këtë gjë që atë datë e kam të shenjtë e them sot, por e kam ruajtur në shpirtin tim me vite…
Shkoja te një dyqan aty afër dhe i them shitses me jep katër çokollata të mira. Ndërkohë që ajo më jepte çokollatat më thotë… “Si ka mundësi Bedra, që paske shoqëri me filankën – për komshien që më ndihmoj për djalin… – Ti nuk je në nivelin e saj?! Eh, sa shumë përshtypje më bëri ai mendim i saj. “Po, – i thashë, – vërtet ajo ndoshta s’është në nivelin tim, por unë njerzit s’i kam parë asnjëherë në kët këndvështrim që i sheh ti…!” Dhe ika.
A mund të mos keshë vlerë… pse s’ke para…!? Unë asaj komshie s’do t’ia harroja kurrë at xhestin e saj fisnik…

Suzana Hoxha dhe baraka e saj
Suzana Hoxha dhe baraka e saj

29 korrik, 2013
Prej asaj kohe, kanë kaluar shumë vite, afro 40 vite, e megjithatë kjo histori që po rrëfej më kujtohet si sot…
Më pëlqente shumë muzika, dhe në klasë kisha kënduar shpesh… Po afronte mbarimi i klasës së tetë, dhe mendoja të vazhdoja për muzikë… Të shkoje në shkollë të muzikës duhej të fitoje një konkurs, i cili zhvillohej në Shtëpinë e Pionerit… duhej ta frekuentoje për mjaft kohë dhe atje duhej të mësoje… Meqë Lushnja jo vetëm ishte larg, (pesë kilometra vajtje dhe po aq ardhje) makina e mjete transporti s’kishte shumë, po edhe vetëm s’mund të shkoja… kështu mbeta pezull, megjithë dëshirën e madhe… Vëllai i madh jetonte shumë afër, në të njëjtën barakë me Motrat Hoxha, kushërira të Enver Hoxhës, të cilat jetonin si të interrnuara në kamp ashtu si ne. Tri motra me shkolla të larta, së bashku me prindët e tyre të moshuar… E madhja kishte qenë tenistja e parë shqiptare, e dyta kishte mbaruar Akademinë e Arteve dhe punonte si mesuese e solfezhit në Liceun Artistik, dhe e fundit kishte mbaruar për gjuhë të huaja, rusisht dhe anglisht… por që fati i keq i arratisjes së vëllait, i kishte detyruar të punonin fushave të Myzeqesë.
Një ditë vëllai i tregon Motrave Hoxha për dëshirën time, dhe Ajo që kish mbaruar për muzikë i thotë “Bjere motrën tënde, do ta mësoj unë meqë ajo s’shkon dot përditë në Lushnje…!” Dhe kështu, falë asaj zemergjerësie gati për një muaj shkoja përditë te shtëpia e Motrave Hoxha… kjo më bëri t’i shoh dhe t’i njoh nga afër ato. Më bënte shumë përshtypje dashamirsia, edukata dhe pastërtia e atyre vajzave të talentuara, tashmë edhe pak të shkuara në moshë… Ishin plot finesë, respekt e dritë, por qe edhe ai njeriu i gjakut të tyre i dënoj me at vuajtje të përbindshme komunizmi! Suzana kështu e quanin mësuesen time që më dha mësim muzike për një muaj, Aty fillova të më shumë njohuri për notat, për mënyrën si duhet të këndoja, për tonalitetet e zërit, bile një këngë shumë të bukur, që ishte bërë shumë e dashur për gjithë në fëmijët e asaj kohe e që i reziston kohës edhe sot…. kënga “Dhuratë për Ditlindje” të cilën e mbaj mend si sot:
“Në përvjetor të ditlindjes tënde,/ ke plot dhurata mbi tavolinë,
e midis tyre një glob të vogël,/ shokët e klasës  ta kane sjellë…!”
E mësova aq mirë dhe e këndoja me aq pasion, sepse mësuese Suzi më dha jo vetëm mënyrën si duhej të këndoja por më fali shumë dashuri dhe mirësi për at muaj që punoi me mua.
Një mbrëmje vjen vëllai i madh në shtëpi dhe më pyet: “Hë Bedra, si po të shkojnë mësimet…?”, Mirë i them…! Atëherë ai më afrohet e më thotë: “Ne të dy do bisedojmë pak bashkë!!” Ndjeva menjiherë se diçka nuk shkonte. M’u mblodh një lëmsh në grykë, por prap u mundova ta mbaj veten… “Ti Bedra, je e vajzë e zgjuar dhe disa gjera duhet t’i kuptosh më mirë.. Po ta them si vëlla para se ta thonë ata të tjerët. Mos shko më te Mësuese Suzana… Ajo më tha se motra jote është e zgjuar dhe e talentuar, por kurrë nuk do t’ja japin atë shkollë që asaj i pëlqen… Nuk dua që ajo nesër të pësojë një zhgënjim të tillë…!” Qava… dhe ndjeva neveri dhe urrejtje për atë kohë që me aq lehtësi na ndante ne fëmijët nga ëndrrat…  ai diferencim i madh dhe poshtërues i shtresave klasore do të na ndiqte tërë jetën.
Por prap unë do të këmbgulja në studimin dhe në kërkimin e ëndrrës time, që ta njihja botën, njerëzit, realitetin… Por edhe sot ruaj respektin më të thellë për familjen Hoxha, për ato tre motra te talentuara, të cilat qenë shembull morali, sjelljeje dhe virtyti… dhe që ditën të përballen e të jetojnë me aq dinjitet periudhën më të egër e më barbare të të gjitha kohrave: komunizmin shqiptar.

Tenistja e parë shqiptare: Handan Hoxha!
Tenistja e parë shqiptare: Handan Hoxha!

28 korrik, 2013
Shpreh në këto shënime të mia, respektin dhe mirënjohjen më të thellë për mësuesin e parë të shkollës fillore në Savër, zotin Ali Xheka.
Sqaroj se prej vitit 1955, në Savër pati vetëm shkollë fillore, dhe nxënësit për të mbaruar tetvjeçaren duhej të shkonin në Karbunarë ose në Lushnje… deri në vitin 1969, kur u hap për herë të parë edhe tetëvjeçarja e Savrës. Mësues Aliu do të kujtohet si themeluesi i shkollës në Savër, bile ai erdhi nga Karbunara dhe vendosi të jetonte aty me ne, në Savër, kurse mësuesit e tjerë vinin nga qyteti i Lushnjes.
Mësues Aliu, ishte një burrë i urtë, i cili me dashamirsinë, sjelljen dhe edukatën e tij arriti të mësojë dhe të edukojë shumë breza nxënësish dhe të gëzojë mirënjohjen e të gjithë atyre që ishin nxënsat e tij… Kurrë ai nuk bëri diferencime klasore midis fëmijëve, e kundërta, ai i vlerësonte dhe i deklaronte haptas ata që ishin më të mirët, pamvarsisht nëse ishin fëmijë të interrnuarve. Prandaj të gjithë e donin dhe e respektonin, dhe nuk besoj të këtë nxënës ose prind që ta ket njohur Ali Xhekën dhe të mos ketë respekt sot e kësaj dite ndaj tij… sepse ai dinte të falte veç mirësi.
Nga babai mbaj mend të më tregonte kët histori…
Ishte viti 1967, lufta kundër fesë ishte në kulmin e saj dhe motra ime ishte nxënëse në klasën e Mësues Aliut. Një ditë ai u thotë nxënësve që kur të shkoni në shtëpi i pyesni prindërit tuaj… A ekziston Zoti a jo?
Të nesërmen në klasë ai filloi t’i pyesë fëmijët me rradhë dhe në fund e pyet edhe motrën time. I thotë asaj “çfarë të tha babi jot për Zotin?”. Motra iu pergjigj: “Babai më tha, i thuaj mësues Aliut… se Zot ka për atë që e sheh… për atë që nuk e sheh s’ka s’ka Zot!!” Ai më tha: “Bëji të fala babait tënd dhe thuaj se mësues Aliu tha: Sa i thellë që je!!
Mësuesi e dinte që im atë ishte dibran dhe që besonte shumë në Zot, ndaj kërkoi të dinte një përgjigje pak të hollë prej tij…

Buzëqeshja e mësues Aliut...
Buzëqeshja e mësues Aliut…

Mësues Aliu punoi shumë vite në shkollën e Savrës derisa një ditë pësoi një paralizë dhe nuk u ngrit më të jepte mësim. Mbaj mend se të gjithë njerëzve u erdhi keq për fatin e tij, sepse pati një familje të shkëlqyer, një grua dhe katër djem që i ndejtën te koka derisa u largua nga kjo botë.
Të gjithë ne që jetuam në atë vend ku pasiguria, përbuzja, diferencimi, lufta e klasave, dhe burgu ishin në kulm, besoj se e kujtojnë me mirënjohje dhe respekt kët mësues dhe njeri idealist. E theksoj se Mësues Aliu i bashkoi nxënësit dhe nuk lejoi kurrë të bëhen diferencime… Ai fali edukatë, kulturë dhe mirësi dhe u shpërblye me respekt dhe mirënjohje… Ndaj bashkohem me mendimin tepër të veçantë të mikut tim Jozef Radit, që të bëjmë ç’është e mundur që shkolla tetëvjeçare e Savrës, që sot ka një emër që askush s’mund të jap një shpjegim bindës: “Azem Çuka”!!, të ketë emrin e këtij mësuesi shembullor nga familja Xheka, që ka nxjerrë aq shumë mësues, po edhe në shenjë respekti e mirënjohje për të gjithë ne nxënësit e tij dhe gjithë brezat që do të dalin prej kësaj shkolle…

 

 

Related Images:

More articles

5 KOMENTET

  1. Bashkohem me komentin e zotit Radi. Shkrimet janë të thjeshta, origjinale dhe me vërtetësi të atyre çka tregojnë. Bedra, ti duke treguar për jetën tënde e qindra të tjerëve shqiptarë për ato vite ku Vlerat duhet të hapnin kanale, të prashisnin panxhar, të milnin lopët, të ruanin bagëtinë maleve në kullotë, të bënin dru në male, të punonin me qerre, të thanin këneta, të nxirrnin pirit nga mali, duke ngrënë 600 gram bukë të zezë, etj etj… bëjnë të mundur që shumë njerëz, kryesisht nga gjenerata e re, të ngrenë pytjen: “Si ka pasur mundësi të ndodhnin këto trajtime antinjerëzore te këta njerëz, që as më shumë dhe as më pak deshnin Shqipërinë ta shihnin zonjë dhe perëndimore ashtu si i takonte.
    Shkruaj Bedra, dhe mos pusho së treguari të vërtetat.Ju përgëzoj sinqerisht.

  2. U mallëngjeva jashtë mase kur lexova aq shumë fjalë të mira për mësuesin tim të parë, të cilin unë gjithmonë e kujtoj me mirënjohje dhe dashuri. Asht i paharrueshëm për mue. Ju faleminderit për të gjitha që shkruani, unë i lexoj rregullisht me shumë kënaqsi. Asht fat edhe bekim që nga pjesa e vuejtsave ka njerëz me moral dhe të aftë për me shkruejtë të vërtetën… E drejta vonon por nuk harron…
    Edhe një herë ju faleminderit!

  3. Mësues Ali Xhekën, nuk e kam njohur, por djalin e tij Luan Xhekën e kam pasë shok klase në tetëvjecare dhe ishte ndër nxënësit më të mirë, bashkë me disa shokë të mi të tjerë të klasës… Nuk desha të shkruaj për nxënësit “Yje” sepse nuk do t’ia dal dot… le të shkruajë NINI për ATA, por po ndalem pak me familjen Xheka nga i ati i Luanit, që është në Karbunarë. Gjyshi i tyre, mësuesi i vjetër Hysen Xheka, të cilin kam arritur në vogelinë time ta njihja, më ka lënë mjaft mbresa figura e tij. Një mësues i nderuar dhe shuuuumë i respektuar dhe shkolla e Karbunarës mban sot emrin e tij. I pasuar edhe nga dy djemtë e tjerë Eqerem Xheka dhe Hamit Xheka. Mësuesi Eqerem Xheka, një mësues ashtu si vëllai i tij… e theksoj edhe si shuuumë mësues të tjerë në Karbunarë, nuk bënë kurrë dallime klasore, të paktën në klasën time, sepse edhe pse ishim të vegjël, ishim të gjithë shokë dhe shoqe pa dallime, ku unë shumë vonë e mora vesh atë dallim klasore, sepse edhe në familje kuuuurrë babai nuk bënte muhabete për të tilla ndarje klasore. Ai na thoshte “Mësoni sa më shumë sepse jeni të gjithë njëlloj…” Kjo anë e babait tim është përmendur në letërkëmbimin tim me inxh. Mërgim Korçën, qe ti e ke lexuar NINI… Të më falësh se u zgjata pak, por doja të thoja se Eqerem Xheka, pra vëllai i Ali Xhekës, ishte dhëndër tek Rahman Ruçi, ndryshe Luftar Boro desha të them që… në familjet fisnike do të gjenerojnë fisnikë.. dhe kur historinë e marrin në dorë pseudohistorianë… çfarë mund të presësh… dhe po të vesh re edhe në emra rrugësh lexon disa emra… të barabartë me ata njerëz që kanë bërë HISTORI-EPOKE!

  4. Bedra Kaba vazhdon rrëfimet e saj… me at thjeshtësinë e saj karakteristike, ajo rrëfen për Motrat Hoxha; për Mësuesin e parë të shkollës së Savrës, Ali Xhekën; për Babanë e saj dhe zhgënjimet e një njeriu të thjeshtë që kishte luftuar për çlirim; për emigrimin dhe dëshpërimin e saj… po mbi të gjitha rrëfen për vlerat me të cilat ajo është udhëhequr në jetë… dhe rrallë herë ndodh që rrëfimi i vetvetes ka kaq sinqeritet sa në këto rreshta të Bedras…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.