back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Asgjë e keqe s’të vjen nga muzika… – tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Muzika është një rrugë drejt qiellit
Muzika është një rrugë drejt qiellit

Asgjë e keqe s’të vjen nga muzika, 

tregim nga Ramiz Gjini

Gruaja e re që thirrej Amla, hodhi kafen në dy filxhanë, pastaj u kthye nga i shoqi e pyeti:
-Si thua, Progan? Të dalim ta pimë, si gjithnjë, në ballkon? 
-Jo, – nëpërdhëmbi ai. 
-Përse?! 
Progan Lubani, i hodhi të shoqes një vështrim të shkurtër e kryeneç. 
-Nuk e kuptoj ku është ndryshimi! – tha.
-Jashtë ka diell, Progan! – ia ktheu ajo – Dhe kumbulla poshtë nesh sapo ka çelur. A nuk mjafton kaq, për të dalë e për ta pirë kafen në ballkon?!
E tha e qeshur, me sytë që i shkëlqenin nga një ngazëllim prej fëmije miturak. Por qe edhe si një lutje, sepse nuk donte ta lëndonte të shoqin.
-Ti dil dhe pije në ballkon, po deshe, – ia pat ftohtë ai – Unë do qëndroj këtu ku jam.
Nuk ishin bërë as tre muaj që patën marrë me qira këtë apartament në katin e tretë. Hapsirat aty qenë të bollshme; kurse dritaret, bashkë me ballkonin, rriheshin nga dielli qysh në lindje të tij. 
Ditët e para, ata e bënë zakon ta pinin kafen e mëngjesit bashkë në ballkon; sidomos në fundjavë, kur qenë pushim. 
U pëlqente pamja e rè e atij cepi qyteti: rruga, pothuajse e qetë, me fare pak lëvizje makinash; blirët në të dy anët e saj; dyqani i luleve me trumbat shumëngjyrëshe të nxjerra jashtë; kodrina e veshur me mështekna atje tej; dhe vija e kurrizit të saj me lakesa, ku në kohë të mirë, e gjelbërta e pyllit, takohej me blunë e qiellit të kthjellët. Dhe kur kësaj pamje, iu shtuan edhe tingujt e një violine, që vinin nga një apartament në krahun e djathtë, gruas nisi t’i pëlqente edhe më shumë të dilte në ballkon. Por burri, filloi të mos ndjehej mirë. Atij, iu ngjiz në kokë një llurbë dyshimi, që dikujt, ia kishte shkrepur të luante në violinë për të shoqen e tij, të bukurën Amla.
Që nga ballkoni, mund të shikoheshin dritaret e apartamentit nga vinin tingujt muzikor, sepse pallati kishte formën e shkronjës L. Njëra nga ato dritare, mbahej e hapur përgjat gjithë ditës. Progani kish dashur të dinte kush banonte aty, por nuk ia pati dalë dot ta mësonte. Ai kishte vënë rè, që Amla, sa herë dëgjonte ato simfoni, bëhej disi e heshtur, e menduar, e kursyer në fjalë, apo e zhytur në ëndërrim. Nëse ai çelte gojë e thoshte diçka, ajo mjaftohej vetëm me një “po”, ose një “jo”, që i dilte përtueshëm nga buzët. Ajo që e shqetësonte më tepër këtë burrë namuzli, nuk qenë tingujt e violinës, por fakti, që simfonia, në shumicën e rasteve, niste me daljen e tyre në ballkon; dhe fashitej me t’u kthyer brenda apartamentit. 
Dy javë më parë, Progan Lubani e pati pyetur të shoqen, nëse e dinte, cili ishte ai cub, që guxonte të niste të luante në violinë sa herë ajo dilte në ballkon. Amla, vetëm sa kishte ngritur supet. Si mund ta dinte?!
-Përse na duhet ta dimë cili është, Progan?! – i pati thënë ajo – Asgjë e keqe nuk na vjen nga muzika.
Po Amla dinte pjesët që luheshin: një herë një sonatë nga Amy Beach; një herë tjetër nga Bethoven, Vivald, Paganin, e kështu me radhë. Gjithëherë të luajtura mjeshtërisht.
Gjysëm ore më parë, kur Amla ende flinte, Progani kishte dalë në ballkon vetëm për pak çaste, sa të dridhte e pinte një cigare. 
Me të ndezur cigaren, ai vuri rè që dritarja në apartamentin tjetër vazhdonte të ishte e hapur. 
Për aq minuta sa qëndroi aty, asnjë tingull violine nuk u dëgjua. Atëherë, i bindur që tingujt e asaj vegle muzikore binin vetëm për të shoqen, Progan Lubani hyri brenda apartamentit dhe vendosi të mos dilte fare me Amlën në ballkon. 
-Më pëlqen ta pi kafen në ballkon, Progan, – këmbëngulte ajo – Përse do, që të më lësh vetëm?!
-Në ballkon, ti nuk je vetëm! – i tha ai. 
Dora, me të cilën mori filxhanin për të hedhur gllënjkën e parë, nisi të dridhej lehtë nga nervozizmi; ndaj, ai e la filxhanin në tryezë dhe filloi të shkundej duke ngritur e ulur supet; a thua se donte të hiqte një barrë të rëndë.
-Nëse nuk jam vetëm, me cilin jam, Progan?! – pyeti Amla.
Progan Lubani u rrënqeth. Jo nga pyetja, që i bëri ajo. U rrënqeth nga ai vështrimi i papërballueshëm i syve të saj të bukur. Amla, e pyeti atë më shumë me sy, se sa me fjalë! E pyeti me sytë e saj prej fëmije të pafajshëm. Dhe ai, për pak sa nuk u ngrit ta përqafonte plot dashuri e përdëllim. Ta puthte e t’i kërkonte të falur. Po në çast, sepse ndjeu përbrenda një yshtje të përzier me keqardhje, për ta bërë të shoqen të vuante pa shkak; e bashkë me të shoqen, të vuante edhe vetë ai. Shpesh herë i ndodhte kështu Progan Lubanit. Dhe kurrë nuk kishte mundur ta gjente përse. 
Duke i hedhur fjalët rëndë-rëndë, si të rrokullente gurë, ai tha:
-E di vetë ti, me cilin je.
Caravaggio - Vajza qe i bie Liutes
Caravaggio – Vajza qe i bie Liutes
Ajo e kishte një shpraztinë në zemër; por këto fjalë, e bënë të ndjehej edhe më keq. Qe si t’i kishin hedhur në shpirt një grusht dhè. Po nuk e bëri veten. Vazhdoi ta lante e dëlirte me vështrimin e syve të saj të mëdhenj e të qashtër. Pastaj, qetë-qetë, vajti e iu ul pranë. Ju afrua ashtu siç mund t’i afrohesh një të sëmuri që lyp përkujdesje. 
-Unë të dua, Progan, – i tha – Por ta dishë, që kur dëgjoj tingujt e asaj violine, e sidomos, atë heshtjen mes notave, të dua edhe më shumë. Ato çaste, ti bëhesh frymë e ndryme brenda meje. Të dua edhe njëqind herë që nga fillimi, duke përjetuar ato ditët tona të para kur sapo qemë njohur. Të kujtohen?!
Ai nuk u përgjigj. Vetëm dëgjonte në heshtje.
-Nganjëherë, dua të qaj; e nganjëherë, të qesh. Por më ndodh, edhe të shkërmoqem, bluhem e bëhem polen. Pastaj harroj ku ndodhem. Më merr era me vete e më çon larg…
-Të çon era, apo mendja? – e shpotiti ai, i yshtur përbrenda nga një gëverr i skuthshëm.
Ajo e shpërfilli cinizmin e tij. U mendua njëherë, pastaj tha:
-Ndoshta të dyja, Progan.
-Ku të çojnë? 
-Nuk di të them ku më çojnë.
-A do, që ta them unë, Amla?! A do, që ta them unë?!
Qe si një kërcënim kjo pyetje ngulmuese, po ai e pà edhe vetë, që nuk bëri asnjë efekt.
-Thuaje! – ia ktheu ajo me vërtik, edhe pse e dinte mirë çfarë kishte në mendje i shoqi. 
Po ai e la me kaq. Përse t’ia thoshte, derisa Amla e dinte?
-E di çfarë, Progan?! – nisi të fliste ajo pas një heshtje të shkurtër – Le t’i japim fund kësaj historie. Cilido qoftë ai, a nuk i çojmë një tufë me lule?! E blejmë te luleshitësi pranë rrugës, pastaj ia çojmë si dhuratë. Ka tre muaj, që sa herë dalim dhe ulemi në ballkon, luan në violinë për nè.
-Luan vetëm për ty, – tha ai – Nuk luan për mua.
E tha ashtu si i doli. Dhe në çast u bind që kësaj here, e kishte tepruar. Po Amla, i la këto fjalë në shmang.
-Sido, që të jetë, Progan, kjo histori mbyllet kështu.
Progan Lubani, nuk foli. Po Amla e pà se si u këndell e u çelit në fytyrë nga propozimi i saj; dhe e kuptoi, që ideja e saj për t’i çuar tjetrit lule bashkë me të, ia fshiu disi atë llurbë dyshimi. 
Ndërsa ajo priste përgjigjen e tij, burri u ngrit nga vendi ku qe ulur, hodhi vështrimin jashtë përmes dritares, e si u mendua një copë herë, tha vetëm një fjalë:
-Dalim.
U bënë gati dhe dolën.
Teksa zbrisnin shkallët, ai u përpoq të bënte shaka. Tha se kjo që po bënin, qe me shumë rrezik.
-Më ngjan sikur po shkojmë të pastrojmë një fushë të minuar! – tha ai. -Dhe të mendosh, që unë, nuk ia them hiç nga ky zanat. Nëse ndodh ndonjë shpërthim, do jemë unë ai, që do vritem.
-Po, – tha ajo. – Ti do të jeshë. Dhe, a e di përse?
-Thuaje, – tha ai.
-Sepse mina është në kokën tënde.
Kur dolën në rrugë, Progan Lubani ndezi një cigare. Pastaj, teksa e thithte, ndjeu farfurinë e ngrohtë të rrezeve të diellit; dhe hodhi vështrimin nga kumbulla në rrezg të lulëzimit. Kqyri bletët, që fluturonin me zëzëllimë e mblidhnin nektar degëve të lulëzuara. Dhe iu bë sikur i erdhi në vesh vajtimi i një zëri njëqind vite larg. “Jashtë, ka diell, Progan! Dhe kumbulla poshtë nesh sapo ka çelur”.
-Çfarë lulesh të pëlqen t’i blejmë, Amla? 
Kësaj here, zëri i tij qe i shtruar, i butë.
-Trëndafilë, – ia pat përnjëherësh ajo – Vetëm trëndafilë.
Si blenë trëndafilët, u nisën për nga hyrja tjetër e pallatit, ku në katin e tretë, ndodhej apartamenti me dritaren e hapur, prej nga vinin tingujt e violinës. 
Me të dalë te qoshja, ata panë një makinë të zezë shërbimesh funerale, që priste ndezur në sheshin e asaj ane të pallatit; si dhe grupe të vogla njerëzish. Kishin zënë vend në këmbë dhe flisnin me zë të vogël. 
Te hyrja, Progani dhe Amla ndaluan dhe pritën sa të dilnin jashtë disa burra, që sapo zbritën shkallët duke mbajtur në krahë një arkëmort.
Dikush kishte vdekur! 
Pas tyre, u dha tek hyrja një grua e moshuar, thatane, e cokatun, me krahët e kryqëzuar në gji e me sytë e turbullt, të zhgjyrosur nga mosha e të rrëmbushur me lotë. Tërhiqte zvarrë një palë shapka të mëdha e të vjetra; kurse supeve, kishte hedhur një xhaketë burrash, gjithashtu, të madhe.
Amla iu avit dhe e pyeti, sepse deshi të dinte kush kishte vdekur.
E moshuara, fshiu njëherë lotët me kindin e shamisë që mbante në kokë, ofshani, e me buzët që i dridheshin, memzi foli e tha:
-Vdiq një violiniste e dalë prej kohësh në pension, që jetonte krejt e vetmuar. E kisha si motër…
Burrë e grua shtangën në vend.
U kthyen në apartament pa i thënë asnjë fjalë njëri-tjetrit.
Progan Lubani zuri vend i ulur në divan. 
I ngrysur e i heshtur si një murg, ai nisi të çukërmonte me thua një kallo në shputën e dorës së majtë. Kurse Amla, doli në ballkon me trëndafilët, që mbante ende në dorë. Pastaj, ajo u ul në karrige dhe hodhi vështrimin nga apartamenti tjetër. Dhe, kur vuri rè, që dritarja prej nga patën ardhur tingujt e simfonive të luajtura në violinë ishte mbyllur, u shkreh e mbytur në lot.
.
New York, pranverë, 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.