back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Arti Poetik i Ndre Mjedës në Poemën “Andrra e Jetës” – esse nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Gazeta

Ndre Mjeda "Andrra e Jetës"
Ndre Mjeda “Andrra e Jetës”

Arti Poetik i Ndre Mjedës në Poemën “Andrra e Jetës”

esse nga Prof. Dr. Resmi Osmani

(Të pathëna që duhen hulumtuar)

.
Ka kaluar mëse një shekull nga koha kur poeti Ndre Mjeda, shkroi poemën “Andrra e Jetës”. Nga studiuesit dhe kritika, ajo është konsideruar si kryevepra e tij poetike, dhe pa dyshim, në buqetën e poezive të shkruara prej tij, ajo është më e bukura e tyre, margaritari i kurorës. Për të janë shkruar analiza, vlerësime, janë shprehur opinione e komente, për të nxjerrë në reliev gjithë magjinë e artit poetik të Mjedës. Ajo ç’ka dua të shpreh, janë impresionet vetiake, pas leximeve të herë pas herëshme të kësaj mrekullie poetike, pa mëtuar ndonjë risi.
E them që në krye: për mendimin tim, titulli “Andrra e jetës”, nuk do të thotë sipas konceptit religjioz se jeta është ëndërr, por ëndrra për jetën, ëndrra për të jetuar.
.
Poeti Ndre Mjeda (1866-1937)
Poeti Ndre Mjeda (1866-1937)
Por si u ngjiz, poema?
Ndre Mjeda, ndër burrat më të ditur, ndër shqiptarët e kohës së tij, i kulturuar dhe iluminuar, zotrues i tetë gjuhëve të huaja, klasike dhe bashkëkohore, atdhetar, studjues dhe lëvrues i gjuhës shqipe, i dorëzuar prift në urdhërin e jezuitëve, mbas daljes nga urdhri i tyre, u kthye në Shqipëri. Më 1902, u caktua meshtar në katundin e vogël Vig të Mirditës.
Pse një personalitet i tillë në një detyrë të thjeshtë dhe në një katund të varfër të malësisë? Duket, na lejohet që ta mendojmë, se jerarkët e kishës të urdhrit Françeskan, në Shkodër, për qëndrimet e tij ndaj urdhrit të Jezuitëve, nuk e pritën mirë. Vigu ishte si njëfarë syrgjini për ta harruar, por Mjeda s’ishte nga ata që mund të harrohen. Atje, në përmbushje të detyrave të tij të përshpirtshme, duket se hyri shtëpi më shtëpi e kasolle më kasolle dhe ndeshi varfërinë, paditurinë dhe mjerimin e fshatarëve, luftën e tyre me natyrën, sundimtarët, vështirësitë, për mbijetesë, por edhe andrrën për jetën, që e shpresonin. Njeriun edhe mund ta mposhtësh, por nuk e ndalon dot të ëndërrojë e të shpresojë. I ndjeshëm, i dhimbsur, por i pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen e tyre, vuajti sëbashku me ta, dëshpërimisht.
Pas largimit nga Vigu, përsëri në një fshat të varfër, në Kukël, me detyrën e priftit të thjeshtë. Edhe këtu gjendja sociale e fshatarëve, nën sundimin e të huajit dhe feudalëve vendas, ishte e mjerueshme varfëria e ulur këmbëkryq, vdekja rrëmbente fëmijët.
Këtu zë fill edhe shkrimi i poemës “Andrra e jetës”, mrekullia që lindi pas vitesh të tëra meditimi e refleksioni për fatin dhe vuajtjet e njerëzve të vet, nga populli i thjeshtë.
Po le të ndalemi pak te poema.
“Andrra e jetës”, është ngritur me tri pjesë: Trina, Zoga dhe Lokja, pjestare të së njëjtës familje. Në pjesën e parë, vdekja e parakohshme e Trinës, në të dytën triumfi i jetës personifikuar me Zogën, në të tretën vdekja e Lokes. Dy vdekje, jeta midis. Gjithsej 296 vargje, në strofa katërvargjëshe, e më pak gjashtëvargjëshe, tetë e pesë rrokëshe. Shqyrtimi i kujdesshëm i poemës, na ndihmon të nxjerrim në pah artin e vjershërimit të poetit.
Natyra, pejsazhi, mitet.
Në 296 vargje, gjashtëdhjetë janë tabllo të natyrës dhe peisazhit. Ngjan si shumë, por poeti e bën këtë jo se është i dashuruar me natyrën, porse ngaqë, i shërbejnë për paraqitjen e mjedisit jetësor për të dhënë tabllonë ku zhvillohen ngjarjet, si simbole, paralelizëm figurative dhe krahasimet. Mjeda, si romantik, e ekzalton peisazhin dhe natyrën. Ditën e mbush me dritë dielli, netët me yje dhe dritë hëne, lëndinat me lule zogj dhe flutura, sepse: “bashk me lule len dashtnia/ me kangë t’shpendit qi galdon/ E prendverës bukurija/ bashk’ prej gjumit t’tanë i zgjon…” Ajri dridhet nga puhiza verës dhe me stuhi, ngrica e borë dimrit. Të tre personazhet shkrihen në një me këtë mjedis, bile pa të ato do të dukeshin ndryshe, disi të mangëta. Zymbyli, trëndafili, me aromat dehëse, paralajmërojnë stinën e re por edhe gëzimin dhe gjendjen shpirtërore, janë edhe personifikim i vashës. Krizantema, simbolikisht na kujton varrezat dhe vdekjen. Bylbylat këngëtarë, simbolizojnë çiftin e të dashuruarve. Të ftohtit, murlani, dimri, vuajtjet e jetës dhe fundin e saj. Tabllotë me elementët e natyrës, qofshin të pranverës, verës apo dimrit, na fusin në atmosferën dhe gjendjen shpirtërore të heroinave dhe atë që pritet të ngjasë me jetët e tyre. Të pranishme në dy-tri raste, janë dhe shtojzavallet, qe vallzojnë në male, por edhe tjerrin dhe këputin fillin e jetës njerzore.
Të shkruash pak e të thuash shumë.
Kjo ndodh me artin e Mjedës në këtë poemë. Është një nga veçoritë e vjershërimit të tij. Tejet i kursyer në rrëfim dhe disi fragmentar, sa na kujton De Radën te Milosao. Ku ndodhin ngjarjet? Në një fshat, ku nis gegëria, vetëm krahina? Them që jo. Lexuesi, po të hedhë sytë në katër anët e horizontit sheh: në jugë Toskëria, në veri Gegëria, në lindje Malësia, në perëndim Jallija. Kësisoj fshati pa emër, kthehet në simbol i tërë fshatrave të Shqipërisë, ashtu si e mendonte Mjeda te poema “Gjuha shqype”: “Geg’e Toskë, Malci, jallija,/ jan’ nji komb, m’u da s’duron/ Fund e majë nji a Shqypnia…”
Fshati, gjendet rrëzë kodrës, me pyje bredhi, lisi e pishe, me lëndina, rudina e çeltina, me burime te kulluara, por… i varfër. Këtë e mësojmë te kënga e Zogës kur poeti e porosit: del prej t’vorfnit katund. Edhe pse natyra e ka begatuar, faktorë të tjerë, që vetkuptohen, e kanë lënë në varfëri.
Çfarë moshe kanë tri heroinat, si janë nga pamja e jashtme? Poeti nuk na e thotë drejtpërsëdrejti. Por poema hapet me një metaforë “Molla t’kputuna nji deget/ Dy qershija lidh n’nji rrfanë/ Ku fillojnë kufijt e Geget/ Rrijnë dy çika me një nanë!”
Jo më kot poeti ka zgjedhur dy fruta, qershinë dhe mollën, që për pamjen janë nga më të bukurat. Çikat si qershijat kuqaloshe dhe mollët e ëmbla aromatike, nana si dega e mollës, që i ka lindur dhe ato janë të lidhura të trija si qershitë e një buketë. Pak imagjinatë dhe lexuesi krijon idenë për portretin e tyre.
Edhe moshën nuk na e thotë. Lexuesi duhet ta hulumtojë midis vargjeve. Moshën e Trinës, e gjejmë te një fjalë e Lokes: “Bijë mos e prek, se njomza/ Tash a tui fol me Zojën”. Trina është “njomzë”, ende e parritur, Kurse moshën e Zogës, e përcaktojmë nga naiviteti me të cilin ajo sheh vdekjen e së motrës, pa kuptuar se çfarë ka ndodhur, ende një fëmijë në rritje. Nga mosha e të bijave, gjykojmë se Lokja, grua e ve, që s’na thuhet ngase e ka humbur burrin, (gjakmarrje, luftë, vdekje e natyrshme, etj.) në pjesën e parë, duhet të jetë ende grua e re, që i bën ballë jetës, si shumë gra shqiptare dhe rritë vajzat e saj.
Ngase vdes Trina, kush është shkaku? Mbrëmanet, kur kthehet në shtëpi bashkë me lopën Murgjinë dhe delen Sykë, ndjen dhimbje në ije dhe i ka mollzat e faqeve gjak të kuqe. Shenja këto të tuberkolozit. Vdes në gjumë. Poetit kaq i mjafton, lëngata merret me mend. Por pse duhet të vdesë Trina, pse poeti bën këtë zgjedhje? Mendoj për dy arsye: që andrra edhe mund të ndërpritet dhe për karakterin përgjithësues që ka poema, me këtë vdekje të dhimbshme, si metaforë, të rrëfejë fatin e fëmijëve të malësorëve, që nga varfëria dhe mundimet i rrëmbente vdekja parakohe. Lokja, ndryshe nga sa ishte zakoni, nuk vë gjamën, por e përjeton thellë dhimbjen duke kërkuar ngushëllimin te Zoja e Lume.
Imazhi i plotë i vdekjes jepet me katundarët që mbajnë qirinj në duar gjatë përcjelljes dhe priftin që i shoqëron. Si thonë ata që ngushëllojnë: mendjen te Zoti dhe Zoti i ndjeftë të vdekurit. Lexuesi e përjeton në heshtje, tok me të, këtë humbje të dhimbshme të fëmijës.
Po gjendja ekonomike? E le lexuesin ta gjykojë. Lopa Murgjinë, delja Sykë, shtëpia. Si mjete pune vega (avëlmendi) dhe furka e tjerrjes! Kjo është gjithë pasuria, që gjithsesi nuk mund të sigurojë mirqënie, veç uri të gjithkohëshme dhe mjerim. Kuptohet që kemi të bëjmë me familje të varfër. Ushqimi, kryesisht bylmeti, vakti: pshesh me tamël dhe kollomoqe! Përcaktimi “Të mirë edhe për zotni”, është një ironi therëse. Lokja, bri vatrës, flakës dhe prushit të zjarrit, tjerr penj për xhubleta, qenia e avlëmendit, nënkupton që ajo edhe end në të, një punë artizanale, që jep produkt për treg e për të siguruar ca të ardhura për jetësë. Familja nuk ka tokë, nuk na thuhet por edhe nënkuptohet. Përdor për kullotë rudinat dhe ledinat e kujrisë dhe pyllin për dru zjarri. Për ndriçim pisha. Mjerimi është ulur këmbëkryq në këtë familje malsore pa burrë.
Shtrirja në kohë.
.
Ndre Mjeda mes deputetëve të Shkodrës
Ndre Mjeda mes deputetëve të Shkodrës
Në poemë, përfshihen tri breza: Lokja, dy bijat dhe fëmija që i lind Zogës. Në një farë mënyre, poema, sido e kursyer në vargje, është saga e dhimbshme e mjerimit të familjes malësore e shtrirë në kohë. Poeti e përdor kohën mjeshtërisht. Aty trazohen tok e bëhen njësh e shkuara, e tashmja, e ardhmja dhe pafundësia. Vitet kapërcehen dhe të tri kohët shkrihen në një, sa është e vështirë të dallohet kapërcimi. Zoga nga një fëmijë, në pjesën parë të poemës, na paraqitet një vashë e rritur,(kuptohet që kanë kaluar shumë vite) me dëshira dhe andrra, ndjesi të brendshme, që ia zgjon rinia. Nuk dimë sa kohë kalon nga martesa e Zogës, dhe lokja, tashmë e plakur rrugëton në kohë drejt fundit të saj dhe pas saj, vjen amshimi, pafundësia.
Fundi gjithkujt, por jo me vuajtjet dhe mjerimet e Lokes.
Këndvështrimi ideo-emocional. Në pamje të parë, ngjan se poeti mban një qëndrim soditës, të ftohtë, pa emocione, i pa anshëm, vetëm sa rrëfen me art fatet e personazheve të vet, por gabohemi. Në tabllotë me përshkrimet e natyrës, që i përdor si sfond, metafora, paralelizëm figurativ e krahasime, ka ngazëllim të brendshëm ndijor të frymëzuar. Pjesa e poemës që i kushtohet Zogës, dhe që është hymnizimi për jetën në kulmin e saj, rininë dhe dëshirave që zgjon mosha e një vashe në lulzim, poeti e shfaq veten si një personazh, krah Zogës, ndjenjave dhe ëndrrave të saj dashurore. Disa strofa janë gati urdhëruese dhe këshilluese, dëshirore, për të ndjekur rrugën që i hap jeta: “Del, o bij’ prej shpijes s’ate/Del prej t’vorfënit katund;/Njajo flakë që n’ zemër pate/Do t’përciellin tjetër-kund” Është si një urdhëresë, dëshirë për ta parë Zogën, të lumtur e të lidhur në martesë, me kanunet e kishës, që: “sa jetë t’i japë perëndia, mos mu damun kurr prej’si.” Si klerik, ai mendon se një e tillë martesë, për dashurinë dhe besnikërinë, ka bekimin dhe dorzanin e të lumit Krisht. Në pjesën e katërt, shkruar me strofa gjashtëvargshe, ndryshe nga struktura e poemës, duken si një shtesë e mëvonshme, në një atmosferë të ndritshme, me bukuri ku përzjehen qiellorja me toksoren, si një ode gëzimi, edhe pse s’na thuhet, mësojmë nga leximi midis rreshtave se zoga është martuar me trimin e ëndërruar. Lindja e foshnjës që i qeshet nanës(Zogës) kur mbi të përkulet. Është metafora e vijimësisë dhe triumfit të jetës. Që në errësirën e mjerimit dhe varfërisë, ka edhe ca shkëndija drite gëzimi e shprese.
Pjesa e tretë e poemës, ”Lokja” është një rekuiem për fatin e gruas fshatare. E trajtuar shkurt, por me shumë art e dhimbje. E mbetur vetëm, pas martesës së Zogës, askush si gjendet në shtëpi.Në ditët dhe netët e acarta dimrore ngryset dhe gdhihet e vetme. Jetë që shuhet në vetmi ,varfëri, mjerim, me pengje: që s’lindi dot një djalë, që në shtëpi t’i gjendesh e reja, nipër dhe mbesa.E mbetur pa një dorë karthia për zjarr në dimrin e ftohtë, që të kujton dimrin e ftohtë të një poëzie tjetër të Mjedës me të njëjtin emër. Vjen hija e vdekjes, shuhet drita e flakës, shuhet dhe jeta e Lokes. Vdekja jepet me dy vargje. Poema aty mbyllet. Na le në zëmër një trishtim.
Duke lexuar poemën, pyeta veten: A e ka lexuar Migjeni poemën Andrra e jetës? Me siguri, dhe më lejohet ta mendoj qe ajo ka qenë pararendëse e “Poemës së mjerimit” dhe “Bukurisë që vret”. Por ndryshe nga Mjeda, që vetëm e vë gishtin mbi plagë, tek e fundit ai është klerik dhe jo revolucionar, Migjeni shpërthen dhe rrëfen shkaqet e së keqes. E damkos mjerimin me vulën e turpit, tregon shkaqet shoqërore të burimit të tij, kuptohet edhe rrugët e zgjidhjes, se mjerimi s’don mëshirë, por don vetëm të drejtë! Por jo me paçavrat që u mykën tempujve.
Në mbyllje të kësaj eseje, për artin e vjershëtorit Ndre Mjeda do të perifrazoj Heminguejin ne një letër dërguar Arçibald Makleishit: “Tolstoi ishte profet, Mopasani ishte shkrimtar profesionist. Balzaku qe shkrimtar profesionist. Turgenjevi ishte artist.” Edhe Mjeda ynë është artist. Shkrimi i soneteve, lirshmëria e përdorimit të metrikave të ndryshme dhe rimave, përveç talentit, rrëfen për disiplinë krijuese. Çdo varg është me bukuri dhe kuptim të mëvetësishëm, fjala e zgjedhur, e gjetur me kujdes që të tingëllojë e jehojë, strofat janë një unitet artistik. Ai nuk shkruante me penë, por gdhendte me durim me daltë, në qelën e vet, mbi mermerin e poezisë dhe krijoi monumente që do t’u qëndrojnë kohërave.
.
Tiranë, më 18.1.2020.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.