back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Antihistorikja si ligjërim letrar – nga Behar Gjoka – romani “Mekami” i Kasëm Trebeshinës

Gazeta

Studiuesi Behar Gjoka
Studiuesi Behar Gjoka

Antihistorikja si ligjërim letrar

nga Behar Gjoka

romani “Mekami” i Kasëm Trebeshinës

Në qendër të romanit Mekami të Kasëm Trebeshinës vihet pyetja:
-Kush janë shqiptarët? Një pyetje tronditëse dhe krejt e pamënjanueshme. Prania dhe zhvillimi i plotë i disa linjave që vendosin përballë caqet kohore mbi pesë shekujsh, zbërthimi linear dhe në të gjitha përmasat i personazheve, si dhe përthithja e kaq shumë lëngjeve si materie rrëfimore, i japin Mekamit tiparet e një romani të përfunduar si art dhe domethënie. Sipërmarrja e përcaktimit të natyrës së shqiptarit, një sprovë dhe lëngatë e jo pak penave të ndrituara të letrave shqipe, ku ende buçasin britmat e Konicës dhe Fishtës, nuk e ka stepur shkrimtarin. Madje, fillimisht ia hyn udhës pa krye, drejtëpërdrejt dhe fillikat përmes mllefit të derdhur me sarkazëm mençurake. Paprit e pakujtu në skenë futet një rrëfimtar i dytë, më i lashtë dhe dijeplotë. Një turk që tregon historinë e vet, historinë e fisit dhe të vendit të mirë, pra të Mekamit, që vizitohet nga pelegrinët. Në tregonjëzat e gjata (kapitujt), dalëngadalë, zhdavaritet mjegullima dhe avitet përgjigjja e pyetjes së shtruar. Ikja prej ballafaqimit autorial dhe sendërgjimi i një realiteti letrar, ku e tërthorta shenjon esencialen, është shtrati i shpjegimtarisë së endur mjeshtërisht rreth natyrës së shqiptarit, mbi shpërfytyrimin e hershëm dhe bashkëkohor, është gjetje artistike e qëlluar për të realizuar një shqyrtim letrar të ftohtë, tashmë me gojën, sytë dhe mendjen e një turku. Pra ikja, ase ndërrimi i kahjeve narrative, në këtë rast është konceptim dhe këndshikim letrar origjinal. Prej aty, shpërndriten zgafellat e mbigjallimit të shqiptarit, të molepsur ndotjesh në paqenësi, të mbushura dingas me deformime karakteriale të qëmotshme, por duke qenë kondensuar në subkoshiencë, ethet tjetërsuese bulëzojnë edhe në jetërat moderne. Madje, këtu edhe më shëmtueshëm. Prap pyetja mbetet vjerrë! Absurdi jetësor e tejkalon realitetin artistik.

Kasem Trebeshina - Mekami
Kasem Trebeshina – Mekami

Mekami si pasqyrë reflektimi

Figura e Mekamit në mendësinë e shqipes dhe të banorëve të saj ka hyrë si vend i mirë, si vend i shenjtë ku s’kanë të mbaruar pelegrinët që e vizitojnë. Shënimi i vendosur poshtë titullit të librit, posaçërisht Melodi turke, diç fsheh nga shenjat shkrimore, njëkohshëm diçka zbulon magjishëm. Endja e realitetit letrar të ndërlikuar, ku thënies i rri përkarshi kundërthënia, historia mbart edhe antihistoriken, forma e përsosur herë-herë shformohet frikshëm, pra një formësim i veçantë e dallon ndjeshëm nga letërsia e parrullëzimit të realitetit letrar. Kjo mënyrë e preferuar shprehësie e radhit ndër librat e rrallë të letrave shqipe, që edhe mund të shijohen po të lexohen si art, si magji e fjalësuar, si emocionalitet specifik. Zbulesa e rrokshme në materien tekstologjike ka të bëjë me ndoca tinguj të dhimbshëm dhe krenarë për humbjen e qenies. Një humbje e shkaktuar prej kërkimit të atdheut të ri. Mekami, aq më tepër kur është i shenjtë, mbart mbi vete ngjyrat dhe tonet e një melodie amshimi. Kështu, krejt vetiu ai shndërrohet një një pasqyrë ku kundrohet:
-E tashmja, që ia dhunon varrin, gjëja më monstruoze që mund t’i bëhet qenies.
-E kaluara, tepër e largët, ku derdhet materia e vdekjes së pamerituar.
Të dyja hapësirat, të largëta me shekuj, perfide dhe makthndjellëse, ngjajnë si dy pika uji të një burimi. Shëtitja tekstologjike nëpër këta qerthuj vertikaliteti, ku Mekami është syri magjik që projekton ndërkohësitë, dy botët e njëjta, dy veprime çnjerëzore, duke shpjeguar shumëçka nga tiparet e shqiptarit. Mekami, një pasqyrë e fiksuar, teksa kundron mjeranët që përsëritin shëmtinë fatale, përndritet edhe më shumë si akuzë e përjetshme, e rrokopujës ku kemi ecur dhe, po kaq krenarë dhe pa grimë ndërgjegjeje, shtegtojmë drejt humnerash të pafundme…

Rrathët ndërkohorë

Në faqet e librit koha vjen e fiksuar si shenjë konkrete, me të gjithë treguesit e nevojshëm:
-Përditshmëria, me çmendurinë e radhës, e një çmendie të pangjashme në vendet dhe popujt e tjerë. Marrëzia godet dhe përmbys shenjtërinë, shkallmon shpirtin dhe kujtesën e mbyllur nër varre e tempuj. Tufani dhe suferina absurde, krejt e parrokshme me fjalë, e ideve komuniste në Shqipëri kundër fetares dhe shpirtërores, kundër besimit dhe kulteve fetare, me gjithë sfondin e rrejshëm optimist, pati pasoja: vdekjen e sekretarit të partisë dhe shkallimin mendor të një tjetri.
-E dikurshmja, e largët por e pashqitshme në mbamendje, që realisht përfaqëson pjesën më të madhe të romanit, ku shpërfaqen sëmundjet e zanafillës së genit shqiptar, pothuajse duke fokusuar karakteristikat qenësore:
-gatishmëria e spiunimit qoftë edhe pa pagesë,
-tradhëtisë së zakonshme me dhe pa shkak,
-shthurjes morale, që nuk kursen as trashëgimtarët,
-trimërisë pas betejesës dhe mençurisë mbrapa kuvendit,
-dyzimit hipokrit, të një ndarjeje të pastër mes fjalës dhe veprimit.
Kamera autoriale, tashmë e përthyer si rrëfim i turkut, nuk lë pa qëmtuar cenet e asaj periudhe. Bashkë me të përkujtohet edhe ndëshkimi historik, si sfond ilustrues, katastrofa e betejës së Beratit. Pranëvënia e përballvënë e rrathëve të distancuar ndërkohorë, madje gjer në përllogaritje algjebrike, por të përputhura si ekzistencë e qenies, e qenies shqiptare në këtë rast, është qëllimore dhe një konceptim i gjetur artistik. Në këtë kuptim, pra si kohë e ndërkohësisë, materia letrare e këtij romani është nga të paktat sprova në letrat shqipe që tenton dhe rrok çmitizimin e një epoke. Operacioni çmitizues është gjithëpërmasor, teksa prek rrafshet e frymës, modelit dhe formës shprehëse. Rruga e çelur qysh prej antikitetit, e cila eci në shtratin e mitologjisë duke e çmitizuar atë, prej Dantes e Shekspirit, ku akti çmitizues është parësori për të sendërtuar artin, për të mbërritur gjer tek çmitizimi modern gjithçfarësh. Kurba e sprovuar, si kohështrirje dhe lëndë tekstologjike, e ka ravizuar (ç)mitizimin si njërën nga rruginat e kërkimit dhe realizimit të artit si esencë estetike e jo diçka tjetër. Mekami është ndër librat e parë të realizuar artistikisht, ku historia shformohet dhe formësohet si art, pra duke lexuar edhe anën tjetër të medaljes të historisë, që ekziston e jo se shpiket, domethënë pjesën e padukshme dhe të nënkuptuar, kryekreje duke e çmitizuar atë dhe padukshmërinë duke e fokusuar si esencialitet letrar…

Vepra e Kasëm Trebeshinës botuar te Buzuku - Kosovë
Vepra e Kasëm Trebeshinës botuar te Buzuku – Kosovë

Struktura kompozicionale

Lënda tekstologjike e këtij libri paraqitet nëpërmjet një strukture origjinale dhe të papritur:
A.Në njëmbëdhjetë kapituj shkurtimorë, të një natyre universale dhe etike filozofike, të përveçuara edhe si grafikë shkrimore.
B.Në njëmbëdhjetë kapituj të plotë (më qartë ende, njëmbëdhjetë parakapituj), që bartin peshën kryesore të esencës letrare, që pohojnë dhe mohojnë njëherazi tekstet e paravendosura.
C.Në faqen e fundit shkrimtari vendos Antihistorinë, një tekst që në pikëpamje të shkrimit grafik përputhet me kapituj të shkurtë, ndërsa thelbi tekstual i tij shkërmoq gjithçkafin e rrjeshtuar më parë. Me një fjalë, pikërisht aty ku mbaron libri nis rrëfimi autorial, tashmë si antihistorikë, si zbulesë e botës së padukshme.
D.Funksionalizimi i kontrastit të gjithëpranishëm, si elemente qenësorë komponues. Antiteza kundërthënëse në këtë libër përbën boshtin organizues kompozicional, andaj nuk mbetet skutë e jetës njerëzore e pandriçuar.
Struktura e këtillë, ku teksti parashtrohet i ndarë në kapituj, i përket përvojës klasike të ligjërimit në prozë. Kurse nëndarja në kapituj të rinj, dhe sidomos raporti logjik dhe artistik ndërmjet tyre, bashkëshoqëruar me grafikë të ndryshme si dhe ngjyrimi i tyre me tone kontrasti, është fakturë moderne e strukturimit dhe ligjërimit të prozës. Përzierja e qëlluar e përvojave të ndryshme strukturore, pra si shtjellim klasik dhe modern, veçse duke i pranëvënë në dhëniemarrje të ndërsjelltë, është njëri nga shtigjet autentike ku fle arti, e ku termat janë diç më shumë se sa përcaktime letrare, që nuk e shpjegojnë përfundimisht substancën artistike. Më tepër, termat klasikë dhe modernë, shenjojnë dëshmi të njohura shkrimore, të cilat e bartin esencën e modelit letrar të sprovuar. Fibrimet strukturore kaq dinamike, dhe të një niveli të dëshmuar letrar, japin shkas për ta mataruar artistikisht librin nëpër të gjitha rrafshet e shprehjes…

Rrëfimtarët e pranishëm

Duhet theksuar qysh në krye se tek ky libër identifikohen qartësisht disa narratorë:
Së pari: Rrëfimtari hipotetik (që parakupton kryekreje fshehjen e autorit), i cili herë kuvendon si ndër biseda, herë ligjëron dijetarisht, herë shpërthen zemërueshëm. Ky lloj rrëfimi përcillet në njëmbëdhjetë kapitujt e shkurtër, si dhe në epilogun e librit. Megjithë ngjyresat hipotetike, materia tekstore ta përkujton narratorin e gjithëdijshëm.
Së dyti: Rrëfimtari-autor, që pikturon realitetin e përditshmërisë, kohët kur të marrët trushkulur shkallmojnë varrin e Mekamit (vendin e mirë, siç e përjeton mendësia shqiptare), prej nga zbresin fatkeqësi të mënxyrshme.
Së treti: Rrëfimtari-imagjinar ose turku i dikurshëm, që tregon me dhimbje historinë e fisit dhe të ardhjes në këto troje mister. Pesha specifike e këtij rrëfimtari lidhet ngushtësisht me faktin se ai është rrafshi ligjërimor ku përndritet e kaluara dhe njëherit është pika pasqyruese e saj për një të tashme. Ndodhitë e vëna në gojën e narratorit imagjinar, përpos tmerrit dhe ankthit që shkaktojnë, mrekullishëm ndriçojnë vatrat letrare të thurura mjeshtërisht si statura rrëfimore.
Së katërti: Rrëfimtari-dëgjues (autori që ngahera zhduket prej skenës), që ka si funksion ndërlidhjen e bashkëkohësisë me kohët e hershme.
Prania e sekuencave narrative, kaq të larmishme dhe përplot lëvizshmëri, shenjëzon konceptime të qëmtuara dhe krejt të përfunduara artistike. Mandej laryshia rrëfimore, thembra akiliane e artit të prozës, dritëzon të gjitha anët e personazheve, çdo kënd të mundshëm ekzistencial…

Historia pa tingëllima përditshmërie

Për të materializuar dhe shpjeguar rebusin shqiptar, si dimension shpirtëror e jo tjetërsoj, shkrimtari mërgon në të kaluarën. Zbritja në histori, në substancën e librit, kryhet si nevojë dhe ligjësori e thurjes së realitetit letrar. Pra, duke projektuar një trill të habitshëm, as duke e ndryshuar apo retushuar, as duke e stërzmadhuar ase sfumuar, por duke fokusuar episode konkrete, siç i ka vulosur historia nër dokumenta dhe arkiva. Ombrella letrare, pra fuqizimi i temporitmikës së saj, tashmë si ngjarje të realitetit artistik, e bën të kapshëm trillimin e realizuar. Ndjesia e imagjinatës së ndezur autoriale bëhet e prekshme sidomos nga tekstura narratologjike, e larme dhe përplot sfumatura shprehësie, çka e ka shpëtuar prej rënies në historicizëm. Ikja prej kronikës dhe kronikanit të akullt, përmes artit të fjalës si shumësi formësimi dhe kuptimësie, ka mundësuar formulimin e poetikës së rrëfimtarisë. Dihet sipas teoritikës letrare se prania e poetikës narrative, përveç elementëve të tjerë të nevojshëm, është kriteri sendërgjues i prozës si shkrim letrar. Realizimi i këtyre kërkesave, i kapërthimit të linjave të pranishme, skalitja e personazheve, si dhe magjia e fjalësuar në nivel të ngritur letrar, e veçmas ikja prej historikes rapsodike, ka dhënë shkas për të kryer çmitizimin e një miti historik, gjithnjë si kërkimtari letrariteti. Kuptohet se çmitizimi ose antihistoria e trilluar këtu është esencë mirëfilli letrare, është njëherazi edhe një pasqyrë nga ku mund të kundrohet, natyrisht me vëmendje të përqendruar, shpirti dhe shpirtërorja e kondensuar në kaq e kaq shekuj. Depërtimi prapa vellos së padukshme, si të thuash në anën tjetër të medaljes, ku gëlojnë hijedrita të frikshme, shenjëzon binarët ku maturohet artistikja autoriale. Koha shkrimore, që i përket vitit 1978, jep shenja të mjafta për shtigjet e artit nëpër të cilat lëvrohej krijimtaria letrare e Trebeshinës. Dehistorizmi ose çmitizimi i përfunduar, si dhe zbulesa e rrafsheve shpirtërore aq të pafundme, krijon aureolën e artthënies letrare…

Kasem Trebeshina, Albanian writer
Kasem Trebeshina, Albanian writer

Simbolika e numrave

Kërkimtaria në lamin e formës rrëshqet nër honet zanafillore, të endura strukturalisht nëpërmjet simbolikës së numrave. Rrjeta e thurur artistikisht zbulon praninë e numrit njëmbëdhjetë:
-Njëmbëdhjetë kapituj shkurtimorë.
-Njëmbëdhjetë kapituj të plotë, ku shpërfaqen shumica e linjave fabulistike.
Simbolika e njëmbëdhjetës mund të interpretohet, jo vetëm hipotetikisht, në dhjetëra mënyra:
Së pari: Fillesa e re, e pashmangshme, që vjen prej rrafsheve të rrumbullakosura të zanafillës.
Së dyti: Numër i perfektshmërisë universale, gjithnjë sipas Laocenit, që garanton vijëmësinë e pandërprerë.
Së treti: Fillesa e detyruar për të gjithë rrafshet ekzistencialë.
Së katërti: Përballëvënia e fillesave të shumta si domosdo e reflektimit të ndërmjetshëm.
Hamendjet që shkaktohen prej materies së larme tekstologjike, si qëmtim i kërkuar, si shterrim i hemisferave të njohura dhe si shtegtim për në të tjera hemisfera shprehësie, gati të pacekura, të një racionaliteti të ftohtë, e ngjit romanin në sprova letrare, të një fantazie të përflakur. Prapa lakut, logjik endërtar të simbolikës shifrore, gjendet qenia dhe askush tjetër, që ka shansin dhe mundësinë e rrokjes së këtyre përjetimeve…

Antihistorikja si përmbysje simbolike

Epilogu rezervon një situatë të papritur. Pikërisht, rreshtat e fundit të librit, mbartin shenjat e një përthyerjeje kompozuese dhe artistike magjike. Në pikëpamje grafike dhe të frymës shkrimore, ky episod është pjesë integrale e kapitujve shkurtimorë. Duke e ngritur simbolikën shifrore drejt numrit dymbëdhjetë. Pra, duke i kapërcyer parakapitujt, gjithnjë në njësinë numerike. Veçse duhet theksuar se shenja simbolike e dymbëdhjetës në mbamendjen njerëzore shenjëzon:
1.Simbolikën e dymbëdhjetë muajve të një viti, që përsëriten pambarimisht.
2.Simbolikën e dymbëdhjetë apostujve të besimit kristian.
3.Simbolikën e dymbëdhjetë tarikateve të besimit islam.
4.Simbolikën e njehsimit me dymbëdhjetë (dyzina), etj.
Pra, siç duket qartë, me një hapësirë të gjerë si fusha veprimi dhe kohështrirje. Vihet re që simbolika e dymbëdhjetës apo aspekti i vazhdimësisë së pandërprerë, i kundërqëndron simbolikës së numrit njëmbëdhjetë, ndonëse kjo e fundit materializohet si e dyfishuar, që përfaqëson perfektshmëri ase fillesën e re. Andaj, jo vetëm raportim numerik, por më tepër si realitet i mënjanuar, antihistoria i qëndron kundruall historisë, natyrisht duke projektuar një esencë letrare të mirëfilltë…

Kasem Trebeshina - Pjesë nga vepra e botuar
Kasem Trebeshina – Pjesë nga vepra e botuar

Skalitja e personazheve

Edhe tek ky libër, si dhe tjetërkund në krijimtarinë e Trebeshinës, personazhet skaliten në të gjitha dimensionet ekzistencialë. Duke qenë të konceptuar dhe mishëruar gjer në nivelet formatuese:
1.Ku zbulohet thelbi i karaktereve, të mirë ose të këqinj qofshin.
2.Ku duken shenjat e karakterizimit letrar.
3.Ku fjala përshkrimore autoriale gdhend portretin fizik.
4.Ku fjalët e replikuara vizatojnë natyrën e plotë të personazheve.
5.Ku lëviz qenia dhe jo hijet.
Paraqitja e shkallëshkallshme e figurave, me të gjitha skutat pranishme, e plazmuar artistikisht, e shndërron krejt vetiu autorin në shkrimtarin e personazheve të realizuar si karaktere. Përkujdesja tipizuese dhe karakterizuese është gati maksimale përçfarëdo figure, qoftë edhe dytësore a episodike. Mjeshtëria e skalitjes si karaktere letrare të fuqishme duket, sidomos, në gdhendjen e turkut, Ergynit, Angjelikës, Spiro Gozos, që shpërfaqin parapëlqesat autoriale. Figura e turkut, që bart edhe shansin e tejkëqyrjes së realitetit letrar të së kaluarës, pra historikes së rrëfyer si art, vjen e plotë si qenie karakteriale, me të gjitha ngjyrat spektrale të ekzistencës njerëzore, e jo si butafori e mbërthyer në murin e flashkët “bardh e zi”, siç ngjet rëndom në letrat shqipe. Hijedritat e pranishme në shpërfaqjen e tipareve e bëjnë më të prekshëm si karakter. Kurse Ergyni, në kontrast me të gjithë personazhet e librit, është një hero ideal, krejt imagjinar, ku përsosja e ndjesive shumëfishohet nga përmasat luftarake që më tepër gjezdiset nër ëndrra, por në çastin e duhur del si njeri i veprimit. Vetitë e larta që ngërthen si individ e rrëshqasin në shtratin e shenjtërimit. Në kundërvënie të hapur me këto figura, por edhe si karakteri më jetësor i shënuar i skicuar, plazmohet Spiro, shqiptari tipik, optimist dhe pabestar, përbindësh dhe i pandreqshëm, dyfytyrësh dhe pa din e iman, që shet të bijën për të nginjur egon e hakmarrjes. Angjelika, ky lastar i Gazollarëve, qëndron si diamant i qashtër në midis dy botëve. Për çudi, vajza e heshtur bën zgjidhjen e papritur, krejt të pamenduar në përkitje sipërfaqësore, rreshtohet kundër të atit. Ndryshimin e kahjeve e detyruan rrethanat. Penelimet e holla në portretimin e saj, që ta përkujton poetikën orale shqipe, e bëjnë edhe ca më të rrokshme si frymë ekzistenciale. Gërshetimi me kualitet i disa mënyrave shprehëse, ku përshkrimi autorial pranëvihet me rrëshqitjet nër honet e shpirtit të secilit personazh përmjet analizës së grimcuar psikologjike, dhe veçanërisht fjala e ligjëruar në gojën e tyre, i shndërron natyrshëm në figura interesante…

Fjala e shkruar si art

Proza letrare, ndryshe nga shkrimi në rreshta i fushave të shumta shkencore, lidhet pandarazi me nuancat specifike të mjeteve gjuhësore që rrokin esencën artistike. Madje, shprehësia gjuhësore e organizuar posaçërisht kështu, bazuar në kapërthimet kontekstuale dhe mbitekstuale, tekembramja realizojnë materien si art e jo diç tjetër. Kësisoj, dija e fituar ndërsa lëçitim librin letrar, me gjasë është më tepër këndellje nëpër rrathët e parrokshme të urtisë. Leximi i prozës, padyshim gjithë krijimtaria poetike, dramatike dhe eseistike (ku pjesa dërrmuese gjendet e dorëshkruar, pra e panjohur nga lexuesit) e Trebeshinës, kërkon përveç përqëndrimit të plotë edhe përjetim specifik, larg shijes së prishur të leximit, kur lexohet forma dhe jo materia tekstologjike. Poetika në prozën e Trebeshinës, veçmas nër faqet e Mekamit, gjellin:
1.Në mozaikun narrativ, aq funksional dhe të variueshëm.
2.Në ndërthurjen origjinale të caqeve kohorë, ku e djeshmja dëshmohet përmes të sotmes dhe anasjelltas.
3.Në vijëzimin e kontrastit fizik dhe moral, teksa portreton karakteret.
4.Në konceptimin e realitetit letrar ndërmjet kundërvënies.
5.Në ligjërimin e fjalës nëpër gjithë tastierën e potencialit shprehës.
6.Në vendosjen e fjalës në radhën e përcaktuar si art.
Përmasat artistike të sendërtuara në faqet e librit, mbi të gjitha, duken qartazi në mjeshtrinë e përzgjedhjes së fjalës si intencë dhe imanencë letrare. Gjuha, në faqet e librit është substancë, e gjithëvlershme dhe krejt dinamike, që ngërthen brenda vetes përvojën shkrimore gjithëkohore, por njëkohshëm përpunohet deri në skajshmëri, aq sa ngjan vetëm me vetveten. Madje, fjala si art dhe vetëm e tillë, në pendën e shkrimtarit shpërndërrohet sikur në një laborator alkimie, saqë edhe kur është e ligjërimit bisedor, prapseprap shpërndrisin vatra të pashfrytëzuara letrare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.