Marjana Koçeku – në Kongresin e Demokratëve Europianë dhe intervista e saj në gazeten belge “De Standaard”

Gazeta

Deputetja e Pavarur - Marjana Koçeku
Deputetja e Pavarur – Marjana Koçeku
Europa të reagojë! –
Marjana Koçeku në Kongresin e Demokratëve Europianë

Në Kongresin e Demokratëve Europianë, Koçeku denoncon dhunën ndaj studentëve: 
Dhuna ndaj studentëve protestues në Shqipëri dhe nevoja për një reagim më të fortë të institucioneve europiane janë ngritur si shqetësime në Kongresin e Partisë Demokratike Europiane (EDP), të zhvilluar më 23–24 tetor në Athinë.
Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, mori pjesë si e ftuar speciale në këtë kongres, me ftesë të eurodeputetit Sandro Gozi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane.
Në një sesion të veçantë të programit zyrtar, të titulluar “Focus on Albania”, Koçeku solli në vëmendje zhvillimet e fundit politike në vend, protestat studentore dhe shqetësimet për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.
Ajo kërkoi më shumë vëmendje dhe përgjegjësi nga institucionet e Bashkimit Europian përballë pretendimeve për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore në Shqipëri, duke theksuar se mbrojtja e demokracisë duhet të shoqërohet me qëndrime konkrete.
Në fjalën e saj, deputetja e pavarur nënvizoi se integrimi europian nuk duhet të lidhet me një qeveri apo udhëheqës të caktuar politik.
“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk është një qeveri dhe nuk është një udhëheqës. Ajo është ëndrra e kahershme e një kombi dhe e një shoqërie që dëshiron t’i shohë vlerat europiane të realizuara në vendin e vet”, deklaroi Koçeku.
Gjatë kongresit, eurodeputeti Sandro Gozi shprehu mbështetjen e tij për deputeten dhe të rinjtë shqiptarë, duke deklaruar:
“Marjana Koçeku dhe rinia shqiptare janë e ardhmja!”
Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë edhe figura të rëndësishme të politikës europiane dhe amerikane, mes tyre François Bayrou, President i Partisë Demokratike Europiane; Jean-Noël Barrot, Ministër i Europës dhe Punëve të Jashtme të Francës; si dhe Neera Tanden, Presidente e Center for American Progress dhe ish-këshilltare e lartë e Presidentit amerikan Joe Biden.
Nga Athina, Koçeku përcolli mesazhin se Europa nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj shqetësimeve për dhunën dhe shkeljen e të drejtave të studentëve shqiptarë, duke kërkuar që mbështetja për vlerat demokratike të përkthehet në veprime konkrete.
Marrë nga Portali Veriu sot


Deputetja e Pavarur - Marjana Koçeku
Deputetja e Pavarur – Marjana Koçeku
Marjana Koçeku, interviste në gazetën e njohur belge “De Standaard”

Nga malet e Dukagjinit në Parlamentin shqiptar dhe më pas në krah të studentëve që kërkojnë largimin e Edi Ramës nga pushteti. Kjo është historia e deputetes së pavarur Marjana Koçeku, të cilën gazeta e njohur belge “De Standaard” e ka vendosur në qendër të një reportazhi të zgjeruar, duke e prezantuar si “fytyrën e revolucionit shqiptar”.

Në artikullin e publikuar më 26 tetor 2026, gazetari Jasper Abrahams sjell portretin e 25-vjeçares që vendosi të shkëputej nga mazhoranca socialiste dhe të mbështeste protestat studentore, në një kohë kur pakënaqësia ndaj qeverisë dhe klasës tradicionale politike është kthyer në temë qendrore të zhvillimeve në Shqipëri.
Reportazhi përqendrohet te një kontrast: studentët shqiptarë që protestojnë prej muajsh refuzojnë hierarkitë dhe përfaqësimin nga partitë politike, por Koçeku, sipas gazetës belge, ka arritur të fitojë respektin e tyre pa pretenduar drejtimin e lëvizjes. “Të rinjtë shqiptarë që protestojnë prej muajsh kundërshtojnë çdo formë hierarkie apo strukture partiake. Megjithatë, Marjana Koçeku është shndërruar pothuajse natyrshëm në zërin politik të një brezi”, shkruan “De Standaard”.
Një nga momentet që gazeta veçon është largimi i Koçekut nga grupi parlamentar socialist në qershor, vendim që e vendosi atë përballë forcës politike me të cilën kishte qenë e lidhur. Sipas autorit, shkëputja nga strukturat tradicionale partiake i ka sjellë deputetes respektin e shumë qytetarëve, veçanërisht të rinjve të angazhuar në protesta. “Fakti që Koçeku pati guximin t’i kthente shpinën sistemit partiak shqiptar i ka sjellë respektin e shumë njerëzve, veçanërisht të rinjve protestues”, theksohet në reportazh. Vetë deputetja tregon se vendimi nuk ishte rezultat i negociatave apo konsultimeve politike, por një zgjedhje personale. “Nuk u konsultova me askënd. As me familjen, as me Ramën. Vendimin e mora vetë, e publikova në rrjetet sociale dhe për disa ditë u zhduka krejtësisht”, rrëfen Koçeku.
Marrë nga News24

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit