back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 12 Maj, 2024

Për së dyti me Annien – nga Sami Milloshi

Gazeta

Annie Ernaux - Nobeliste Letrare 2022
Annie Ernaux – Nobeliste Letrare 2022

Për së dyti me Annien

nga Sami Milloshi

Ndonjëhere dikush të bëhet i/e dashur për një kohë fare të shkurtër. Të hyn në zemër dhe nuk del prej aty, sikur të ishte mëma që të ka bërë kokën.
Dy pasdite me librin “I remain in darkness” (Unë jam në errësire) të Nobelistes më të re Annie Earnux, mjaftojnë për këtë. Mjaftojnë sepse ti sheh një grua që kujdeset për nënën e saj me Alzajmer sikur të ishte fëmija i saj, pavarësisht se ajo e di fare mirë se nuk mund të jetë nëna e Mëmës që i ka bërë kokën.
Libri është shkruar me një teknikë fare të thjeshtë në dukje: në formë ditari. Por, po ta vëresh me kujdes është një prozë vibrante ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë në një harmoni të përkryer ashtu siç janë jeta dhe vdekja kur kanë midis tyre dashurinë.
Është krejt e kuptueshme sa e vështirë është të merresh vesh me një njeri që ka humbur kujtesën, gati e pamundur, gati e kotë, thuajse marrëzi. Por, kur ky njeri është nëna jote, gjithshka merr kuptim tjetër dhe kthehet në origjinë, tek burimi i jetës.
E bindur për vlerën e këtij komunikimi autorja e merr të ëmën nga azili i pleqve dhe e strehon ne shtëpi të saj, edhe pse mëma fillon rrëmujat që pjell sëmundja, duke ia shurrosur edhe studion e saj të punës…
Por ajo vazhdon të jetë Nëna, ajo që i ka lënë thesarin e kujtimeve.
“Nëna vetëm jepte – thotë diku Earnux – ndoshta që të tërhiqte vëmendjen a të ishte popullore. Edhe unë mësova prej saj si të jap që kur isha fëmijë. Jepja karamele, kartolina. Tani nuk jap si në fëmijëri. Por, a nuk është shkrimtaria dhe në veçanti stili im i të shkruarit, gjithashtu një mënyrë e të qenit bujare?!”
Kështu pyet autorja dhe une pa dyshim do përgjigjesha “Po” për pyetjen e saj.
Është absolutisht një këmbengulje e rrallë këmbëngulja e Earnux për të dhënë imtësitë e detajeve kur e viziton nënën ne spitalin ku ajo rri. Në një mënyrë tjetër, por në thelb, po ai kujdes që tregonte Tolstoi i madh për detajin.
Ka vajtur ta vizitoje një të dielë dhe po kujdeset të shohë se çfarë ka mbetur nga biskotat që i ka çuar nënës në spital.
Por, çfarë të shohë: mëma ka futur në sirtar një copë muti, të cilën Earnux e zhvendos aty ku duhej të ishte. Sepse ajo është nëna e saj, sëmundja e së cilës, sikurse e thotë edhe vetë: “…bashkë me dashurinë për A (I dashuri i saj, i njohur prej Simple Passion) më dhanë mua paqen me njerëzimin!”
Pasi e ka vizituar me dhjetra herë për dy vjet në spital, pasi e ka ushqyer kur ajo nuk ishte as në gjendje të fuste kafshatën e kekut në gojë, pasi e ka rruar dhe i ka prerë thonjtë, pasi i ka ndërruar edhe pelenat e ndyta, autorja na thotë se, të gjitha këto i ka bërë sepse nuk donte ta humbiste dëgjimin e zërit të saj.
“Gjëja më e keqe pas vdekjes është humbja e zërit…” – thotë fjalë për fjalë Earnux.
Pasi e kam mbaruar së lexuari librin e dytë të Earnux, mendoj se sa me fat jam që ende punoj në një bibliotekë të një universiteti të themeluar më 1834. Me fat sepse sapo u shpall Nobeliste zonja Earnux, pas dy orësh fillova leximin e një shkrimtareje, për të cilën do të thoja se është mëkat të ikësh nga kjo Botë pa e njohur!

Marrë nga muri i Fb i Sami Milloshit, 10 Tetor 2022

Annie Ernaux - Çmimi Nobel për Letërsinë 2022,mimi Nobel për Letërsinë 202
Annie Ernaux – Çmimi Nobel për Letërsinë 2022,

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.