back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

31 herë të thirra Mam… – nga Elona Caslli

Gazeta

Këpucët e Kuqe - Dhuna kundra Grave
Këpucët e Kuqe – Dhuna kundra Grave
Një shkrim që të dhëmb, të përlot por… edhe ta kthen mbrapsh,
shiritin e memories dhe kujtohesh se kjo rracë njerëzish që jeton në qendër të qytetërimit,
historikisht, femrën e ka vrarë edhe vetëm për të shfryrë nervat,
edhe se është në “pronën” e vet…Këtë, mësë miri e tregojnë statistikat, e pa thëna, të krimit…
Krimi brenda familjes, fisit, krushqive, zë jo pak, por 90-91% të krimit në total,
kjo si asnjë rracë tjetër që jeton në Europë…
Kostandin Koliqi
Elona Caslli
Elona Caslli

31 herë të thirra Mam…

nga Elona Caslli

Një grua 28 vjeç, nënë e dy fëmijëve është vrarë dje në Fier nga burri i saj.
Ai i ka ngulur thikën plot 31 herë mbi trupin e saj…
Ky shkrim është për shpirtin e saj.
 
Mam, të thirra. Të thirra fort, mam. Ku ishe mam? Pse nuk m’u përgjigje?
A të kujtohet mam?! A të kujtohet sa herë të thërrisja kur kisha nevojë për ty?
Po dje, ku ishe mam? Unë të thirra 31 herë e ti nuk ishe mam.
Herën e parë të thirra kur ai hyri në shtëpi. Sapo kisha vënë fëmijët në gjumë. Ai kish pirë mam. Avujt e alkoolit shpërndaheshin në dhomë. Kishte një pamje të frikshme. Të thirra mam, por ti nuk m’u përgjigje.
Herën e dytë të thirra teksa ai më shtyu në krevat. U zhvesha vetë mam, ndryshe do më rrihte. Të thirra mam, teksa ai më copëtonte çdo herë që hynte brenda meje. Të thirra mam, por ti nuk m’u përgjigje.
Herën e tretë të thirra kur filloi të më shkulte flokët dhe për një çast ndieva sikur koka m’u shkëput nga trupi. Të thirra mam, por ti nuk m’u përgjigje.
I numërova herët që të thirra mam. Ishin plot njëzet e pesë. Çdo herë që ai ma përplaste kokën pas murit dhe më shtynte tutje, unë të thërrisja mam. Madje një nga herët, koka m’u përplas tek cepi i tavolinës. Ah sa dhimbje, mam!
Herën e njëzetë e gjashtë mam, ai mori thikën mbi tavolinë. Pse nuk e fsheha thikën, mam?! Kisha prerë bukën për fëmijët dhe tryeza ishte ende me pjatat e tyre. Vura fëmijët në gjumë mam, prandaj nuk e ngrita tryezën.
Herën e njëzetë e shtatë të thirra me sa kisha në kokë, mam, por t’i prapë nuk m’u përgjigje. Të thirra kur ai ma nguli thikën mbi kofshë, mam.
M’i hapi këmbët dhe ma nguli thikën mbi njërën kofshë. Pastaj ma mori dorën mam, atë dorë që ti ma kapje çdo mëngjes kur më çoje në shkollë dhe ma puthje dhe nguli thikën.
31 herë ma nguli thikën në trup mam.
Isha e mbuluar në gjak. Një pellg i madh me gjakun tim. Një pellg i madh me shpirtin tim.
Kur numërova thirrjen e fundit mam, e kisha thikën mu në zemër. Sa dhimbte thika në zemër, mam. Aty të thirra për herë të fundit, por t’i prapë nuk m’u përgjigje mam.
Trupi im është në mes të dhomës mam.
Kam 31 gropa mbi trup. Mbi zemrën time gjendet gropa e fundit dhe mbi të vërtitet një mizë e madhe.
Ai, burri im, përplasi derën dhe iku.
.
Post Scriptum – Të dua fort mam edhe pse të thirra 31 herë dhe ti nuk m’u përgjigje.
.
 
 
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.