back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

29 prill 1967, arrestohet At Pjetër Meshkalla S.J. – nga Fritz Radovani

Gazeta

Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)
Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)

29 prill 1967, arrestohet At Pjetër Meshkalla S.J.

nga Fritz Radovani

Instituti Pedagogjik Shkodër, ora 17.00… Organizohet demaskimi e arrestimi i Klerikut të Madh të Shqipnisë “ateiste”, At Pjetër Meshkalla, figurë e njohun antikomuniste dhe e papërsëriteshme në historinë e lavdishme të Klerit Katolik Shqiptar. Ai hyni në Institut, ku të gjithë ishin me ftesa. Në sallë zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të “porositurit” që do të flisnin si dhe duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje të Gjenocidit të vertetë.
Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigj Shala, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste At Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu agjenti i njohun i Ramiz Alisë, Jup Kastrati, i porsazgjedhun “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue Jupi në emnin e vet. Mbas tij foli mjeku Ramiz Hafizi që u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti…!”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli e u “duartrokitën” diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Mandica Jovani etj. Nga salla u ndigjue zani i dy komunistave: Vasil Kafesë dhe Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” – At Mëshkalla, me qetësinë e Tij, iu përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!” …Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Xhemal Dini njoftoi: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla Ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohet!
Nga rreshtat e parë u çue në kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Punve të Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Para se të hynte At Mëshkalla në gjips të Sigurimit që priste tek dera e Institutit, Xhevdet krimineli si gjithmonë e shtyni me shqelm…
Arrestimi u ba për Letren që At Pjetër Meshkalla i ka shkrue kriminelit Mehmet Shehu:
.
Pjetër Meshkalla - Letër Mehmet Shehu
Pjetër Meshkalla – Letër Mehmet Shehu

Kryetarit të Këshillit të Ministrave – Mehmet Shehu – Tiranë

Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu-njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç’vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! -Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Me nderim Pjetër Mëshkalla
– meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prill 1967
Pjerin Sheldija - Gjyqet komuniste kundra klerit
Pjerin Sheldija – Gjyqet komuniste kundra klerit
 
30 Prill 1967, ora 08.00.
Në Degën e Punve të Mbrendshme Shkodër:
Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit.
 
19 korrik 1967.
Ditë e nxehtë si ditët e korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Hapet gjyqi dhe jepet vendimi me 10 vjet heqje lirije, punë të detyrueshme dhe konfiskim të pasunisë…
At Mëshkalla iu afrue mikrofonit, rregulloi koletin e këmishës dhe tha fjalën e fundit:
“Ju më dënoni sa të doni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë prapseprap do të dal sepse ju, shpejtë keni me mbarue mbasi shoshojnë keni me hangër e aty, asht fundi i juej. Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!” (Dosja 4191/1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998).
 
Prof. Arshi Pipa shkruan për At Mëshkallën:
“…Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta, edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.
 
Sot, 29 prill 2020…
At Pjetër Meshkalla S.J., asht le në vitin 1901. Asht arrestue në vitin 1946. U lirue në 1961.
Mbas 15 vjetve burg, arrestohet herën e dytë në 1967 e lirohet në 1977. Ka ba 25 vjet burg.
 
28 korrik 1988
Populli i Shkodrës, pa dallim Feje e përcolli në banesën e fundit.
Populli Shqiptar asht krenar për qëndrimin Atdhetar, Burrnor dhe Heroik të Klerit Katolik, që ndoshta, me veprat e Tij, asht kenë model i qindresës së pakthyeshme në krejt Europën Lindore komuniste pëerballë diktaturës barbare të tiranit Enver Hoxha dhe pasuesit tij anadollak, Ramiz Alia, që ushtruen Gjenocid të vërtetë, gjatë gjithë sundimit tyne antinjerzor në Tokën e Bekueme Shqiptare të Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezes…
.
Melbourne, 27 Prill 2020
.
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.