10 Poezi nga Alfred Capaliku

0
17
Alfred Capaliku
Alfred Capaliku
Alfred Capaliku
Alfred Capaliku

10 Poezi nga Alfred Capaliku

Muzikë në lëvizje

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
s’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.

Caku

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
pa policë trafiku e manekinë mode,
pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
ciasin gomat si në përplasje veturash,
thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!
Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
non stop-in rraskapitës me theks modern,
në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.

Van Gogh - Nji palë këpucë
Van Gogh – Nji palë këpucë

Qiej mermeri

Qiej mermeri
pa peshë,
dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje.

Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.

E bardha bëhet e kaltër,
e zeza mbetet pa bojë.
zaret janë hedhur,
jeta është lojë.

Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
prishen në shtratin e lumit,
avullojnë të mistershme,
si britma pa dënesë.

E bardha ngjyhet me të kuqe,
e zeza ndërron bojë.
në kurthin e ditës,
jeta është lojë.

Njerëzit e gurit

Burrat e kohës së gurit s’ishin të ngurtë,
vidheshin me gjethe, u lulëzonin brinjët,
zbutnin gjithandej gratë e egra,
shpiknin vegla pune me majë, rrumbullak,
nuk njihin sistem numërimi për fëmijët,
shpellat i thellonin me britma pasioni,
përjetonin vdekjen sipas tyre
dhe sosnin në skulptura naive.

Djemtë e rrugicës dhe plaku

Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.

Të bukurit dhe të mirët djemtë,
Të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?

Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
Njerëzve u thirri: – Djemtë u rritën!
Lule-vilet vareshin mbi derë
Dhe e ndritnin plakun si fererë.

– Secili djalë braktis murishtën,
Të gjejë të panjohurën e vet,
O njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.

Shpejt erdhi rritja e djemve,
Do të vijnë te na shohin përsëri
Dhe do të sjellin me vete,
Vajzat që kanë marrë me dashuri!

Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.

Lirikë intime

Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur,
Mbjellë shumë vite më parë?
Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.

Simbiozë

Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë,
As pjesëtuar nën kryqin e dhimbjes,
As shumëzuar në iksin e shpresës,
Të mbledhura me vetveten e mjerë,
Të zbritura nga maja rrokaqiejsh.
Njeriu ngjyron si pylli në vjeshtë,
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë.

Karnavalet

Ditën e karnavaleve të botës
Maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
Luajnë kuplete me fund gazmor,
Kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
Asimetrikisht bëjnë pirueta,
Për të harrur maskat e vërteta.

.

At Vinçenc Prennushi (1895-1949)
At Vinçenc Prennushi (1895-1949)

Takim me Vinçens Prennushin

In memoriam

“Un jam i Zotit! Qiellin a mund ma pritsh?”
Gegnishtja e ndalun jehonte ilirisht
Dhe kumti flatroi mes yjesh pa u fikun,
Mbas çastit vdektarë sa shpejt kishte rilindun.

Të vinte era lule, i veshun me gjeth,
Shejtnisht përmbi krye të shndriste nji rreth,
Në kohën e amshimit nuk ishe dikushi,
Por ambëlsia vetë, Poeti Prennushi.

Stina e Gëzuar

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.
Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.

Related Images:

Artikulli paraprakMaqedonia e Veriut: Sa afër por sa larg nesh! nga Klodi Stralla – dhe opinione
Artikulli tjetërHermetizmi ynë, jo si ai europian, më i vrazhdë, ekzistencial… – Visar Zhiti, intervistuar Violeta Murati
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.