back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Zef Zorba – Tekste të fshehura në kohë nga Dr. Yzedin Hima

Gazeta

Zef Zorba - Buzë të ngrira në gaz - Poezi
Zef Zorba – Buzë të ngrira në gaz – Poezi

Zef Zorba – Tekste të fshehura në kohë

nga Dr. Yzedin Hima

 
“Kur s’ka dritë ç’i do sytë?”
Zef Zorba
 
Yzedin Hima
Yzedin Hima

Mosleximi është gjëja më e trishtueshme për një tekst. Më e trishtueshme edhe se djegia e tij në sheshet e qyteteve. Në teoritë e sotme të leximit ka mendime se kuptimi i një teksti gjendet dhe zbulohet edhe te lexuesi. Përfytyrohet fatkeqësia e teksteve që burgoseshin në kohë, ata humbnin lexuesin, por humbnin edhe një pjesë të kuptimit të tyre që gjendej pikërisht te lexuesi i humbur. Pra ata nuk mund të quheshin kurrsesi të realizuar plotësisht edhe kur të botoheshin pas njëzetë, tridhjetë apo edhe dyzetë vjet pas shkrimit të tyre, kishin humbur një pjesë të lexuesit, i cili kishte ndërruar jetë. Me atë gjeneratë lexuesish kishte “ndërruar jetë” edhe një pjesë e kuptimit të këtyre teksteve. Dihet se një tekst që është shkruar dyzet vjet më parw, nuk lexohet krejt njëlloj nga lexuesi i dyzet vjetëve më pas. Dënimi i teksteve me mosreceptim, në një farë mënyre ishte edhe dënimi i lexuesit. Mohimi i takimit të tekstit me lexuesin është një tjetër dimesion ende i panjohur mirë i diktaturës. Mungesa e lexuesit, sidomos lexuesit të kualifikuar, mungesa e krahasimit të teksteve, konkurimit të tyre e ka dëmtuar krijimtarinë.

Ndër poetët emblematikë të letërsisë së fshehur në kohë veçohen Zef Zorba dhe Mihal Hanxhari. Të dy nuk botuan asgjë sa qenë në këtë jetë. Libri poetik i Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”, u botua në vitin 1994, dhe u ribotua në vitin 2010. Ky libër, sikurse njofton autori në pasthënie: “Duhet pasur parasysh se në këto pak vargje është shtrydhë e koncentruar një periudhë katërdhjetë-vjeçare”, ka marrë formën e tij në një hark të gjerë kohor. Gjatë dyzet vjetëve autori dhe lexuesi kanë qenë i njëjti person, Zef Zorba.
Pse nuk e botoi Zef Zorba librin e tij gjatë kohës së diktaturës? Nuk e botoi sepse, falë kulturës dhe eksperiencës së tij, ai e dinte që ky libër ishte i pabotueshëm. Nuk i plotësonte kriteret e vendosura të metodës së realizmit socialist. Poezitë e tij janë hermetike. Këto ishin problemet e tekstit të Zef Zorbës. Por nuk duhet harruar se krahas problemeve që gjendeshin te teksti, kishte mjaft probleme edhe te autori i tij. Zef Zorba ishte nje i dënuar politik dhe një status i tillë ishte pengesë e pakapërcyeshme për botim. Mendoj se gjendet edhe një pengesë e tretë, që i pengoi tekstet e tij të botoheshin, kur Zorba qe ende në këtë jetë, pas vitit ’90, ndërkohë që dy pengesat e para kishin rënë. Pengesa e botimit të teksteve qe vetë autori i tyre Zef Zorba, i cili, ndonëse kishte mundësi, nuk i botoi tekstet e tij pas vitit ’90. Me ç’duket Zef Zorba ka ndrojtjen dhe pasigurinë e një artisti të vërtetë për artin e tij.
Ky fat ndoqi disa shkrimtarë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ata jetonin dy jetë, një jetë prej qytetari të thjeshtë, të përhumbur në hallet e përditshme, në punën për të mbajtur familjen dhe një jetë tjetër, në një atdhe a botë gjuhe, ku koha rridhte ndryshe. Poeti Zef Zorba, për të gjithë qytetarët shkodranë ishte thjesht një llogaritar, që dikur në rininë e hershme kishte qenë në burg dhe tani shihte punën e tij. Në fakt ai kishte krijuar gjatë disa dekadave principatën e tij poetike, ku jetonte estetikisht si një princ.
Enigma e procesit krijues të Zef Zorbës mbeti përjetësisht e fshehur në kohë, sikurse enigma e krijimit të një margaritari brenda një guacke të mbyllur hermetikisht. Dukuria e teksteve të mbyllur, me vështirësi dekodifikimi në letrat shqipe qe shfaqur që në tekstet e parë të letërsisë së vjetër me autorë murgj e priftërinj, të cilët i ndërtuan këto tekste me motive biblike si tekste hermetike, mjaft të vështira për t’u zbërthyer. Tekstet poetikë të Zef Zorbës janë tekste hermetike. Në pasthënien e librit me poezi, poeti shkruan: “…E di se punimet e këtij libri kanë mjaft errësi e që vazhdojnë të jenë të tilla edhe pas leximit të vëmëndshëm…”
Zef Zorba flet me admirim për poezinë moderne që nga Bodleri deri te Montale, dhe sidomos për metodën e “esencilalitetit” ose “hermetizmit”, e diktuar, siç shkruan Zorba, prej tyre. Ai e quan krijimtarinë e këtyre poetëve të mëdhenj “një komunikim poetik të madhërishëm, komunikim ai që s’i drejtohet një lëçitësi të plogët, pasiv dhe indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje.”
Në fakt poeti ka folur për poezinë e shquar europiane, por ka shpjeguar edhe se si duhet lexuar poezia e tij. Për të dekodifikuar poezinë e Zef Zorbës duhet të kemi në duar ato detale e mjete që nuk kanë qenë rëndom në përdorim në traditën e kritikës sonë letrare. Madje as shkolla jonë nuk ua ka lënë në dorë nxënësve dhe studentëve.
Libri i Zorbës çelet me një poezi që titullohet “Në vend të hyrjes”. Ky tekst poetik është një “explanatory table” në “portën” e librit. Elipsi është figura e konstruksionit poetik në tekstet e Zorbës. Në teorinë e letërsisë thuhet se elipsi është figura e sintaksës poetike që shpreh shqetësimin e krijuesit. Në fakt, çdo krijues e ka një shtjellë në gjoks, aq më tepër një krijues si Zef Zorba, i cili qe dënuar me moskomunikim për shkaqe politike.
 
I errët ky shteg. Nuk mundem/ rrugën me gjetë pa dritën/ tande.
(Ç’ka më sëmbon?)/ Në cep të greminës,/
që joshë e ngujon,/ a nuk e sheh si po lëkundem?/
 
Ky tekst ka këto mjete gjuhësore: i errët, ky shteg, pa dritën, sëmbon, cep të greminës, josh e ngujon, lëkundem. Për të depërtuar në rrafshin semantik të tekstit duhet të kërkojmë një fjalë apo një sintagmë. Sidoqoftë në tekst gjendet një mundësi te ky varg: Nuk mundem/ rrugën me gjetë pa dritën/ tande. E vetmja mundësi për të hyrë, për të kaluar në shtegun e errët është drita. Po cila dritë? Nga duhet të vijë kjo dritë? Në tekst thuhet pa dritën tande. Mendoj se ky kundrinor me parafjalë është çelësi i tekstit. Poezia vendoset në hyrje të librit (Dihet se Zef Zorba e kishte përgatitur librin me një makinë shkrimi, duke vendosur çdo tekst në vendin e vet), pra drita, mendojmë, se duhet të jetë poezia, e vetmja që mund të ndritë shtegun e errët të jetës. Arti – gremina, është vendi ku mund të prekësh ato lulet e egra, të cilat mbijnë buzë greminës për të cilat shkruan William Blake: Të shohësh qiellin në një lule të egër.(Poezia) Në tekst gremina është edhe joshje edhe ngujon. Uni poetik mbetet pezull midis joshjes dhe rrezikut të rënies fatale. Frika për t’u shfaqur shpjegohet edhe në pasthënien e shkruar nga Zef Zorba: “Nga ana tjetër këto punime s’janë bërë për botim, sepse edhe botimi i tyre kurdo, më tremb pa masë…” Në tekst dallojmë edhe dy pyetje retorike, e para: çka po më sëmbon? – është nxitje drejt greminës (poezisë) dhe pyetja tjetër retorike: A nuk e sheh si po lëkundem? – është hezitimi. Poeti Zef Zorba iu afrua greminës, i preku lulet e egra, por nuk ia tregoi askujt sa qe gjallë. Ai nuk mundi t’i publikojë tekstet e veta.
Tekstet hermetike dhe tekstet simbolike kanë më tepër destinim estetik se sa destinim semantik. Poezia e Zorbës me titull “Një gozhdë” është e bukur, sugjensionuese, parë nga rrafshi estetik.
 
Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë
e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur.
Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë
e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.
Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë
e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.
e ngulur thik…
e futur thellë…e mbetur thatë…
 
Teksti poetik i Zef Zorbës “Një gozhdë” është tekst i formës së pastër i artit për art. Ky tekst nuk ka asnjë funksion tjetër, veç funksionit estetik, gjë ende e rrallë në poezinë shqipe, e cila edhe kur i shpëtoi morsës së socrealizmit, nuk i shpëtoi të qenit si letërsi funksionale. Ky tekst ndërtohet nga dy emra: gozhdë, mur, nga tre mbiemra: e ngulur, e futur, e mbetur, nga tre ndajfolje: thik, thellë, thatë. Nuk ka asnjë folje.
Në këtë tekst kemi thjesht gjendje: Një gozhdë e mbetur; e ngulur thik, e futur thellë, e mbetur thatë. Nuk kemi veprim (mungojnë foljet). Kemi një pamje të ngrirë ku emrat gozhdë dhe mur janë në plan të parë. Relacioni midis gozhdës dhe murit është i pandashëm, i pashmangshëm. Në trupin e murit gozhda qendron e ngulur thikë, e futur thellë. Të krijohet përshtypja se sendi e ka dhunuar murin, duke u ngjitur nëpërmjet gozhdës fort me të. Ndërsa vargu i fundit e mbetur thatë, të grish të mendosh se kjo gozhdë nuk është rastësish e ngulur aty. Dikur nuk ka qenë e thatë. Dikur duhet të ketë patur një funksion. Është ndërprerë relacioni mur-gozhdë-send i varur në gozhdë. Sendi mungon dhe kemi: një gozhdë e mbetur thatë. Cili ka qënë sendi dhe pse nuk është më, është enigmë.
Elipset e bëjnë edhe më hermetik këtë tekst. Emri mur është shenjues i statikes (muri nuk luan, burri luan), i së vjetrës (muret e qytetërimit ilir, romak, helen), i qëndresës (mure kështjellash), i historisë (rrënoja muresh ), i arkitekturës, i qytetërimit etj. Gozhda e ngulur në mur është mjet ndihmës. Është e ngulur në mur për shkak se sendi i varur në të ka synuar për të marrë diçka nga cilësitë e murit si përhershmëria, fortësia, përjetësia etj. Kjo shpjegohet edhe nga mbiemrat dhe ndajfoljet: e ngulur thik, e futur thellë. Ndërsa muri, shenjuesi i përhershmërisë qëndron stoik aty ku ka qenë që në krye të herës si dëshmi e asaj që nuk mund të asgjësohet, që nuk mund të ndryshohet e dhunohet.
Përkohshmëria e sendit të varur në gozhdë, e ka lënë këtë të fundit pa funksion. Ajo kishte shërbyer me devocion dhe nuk qe faji i saj që sendi mungon. Madje ajo kishte shërbyer pa u vënë re, pa u dukur, prapa sendit. Nëse sendi i varur do të binte për faj të gozhdës, atëherë ajo do të ndryshkej nga turpi. Teksti përfundon me një shkallëzim zbritës: nga lavdia e sendit dhe e gozhdës, ka ngelur gozhda si rrënojë e lavdisë së dikurshme të sendit, ose në pritje të sendit të ri: e ngulur – e futur – e mbetur (mbiemra) dhe ndajfoljet: thik-thellë-thatë. Rënia është e pranishme.
Pse teksti ka titullin Një gozhdë? Me sa kuptojmë për të tërhequr vëmendjen e lexuesit te gozhda, jo tek muri. Pas gozhdës së ngulur në mur lexuesi do të kërkojë sendin që dikur ka qenë i vendosur në mur. Më pas ai do të kërkojë arësyet e divorcit të murit me sendin e varur në gozhdë, që normalisht s’mund të jetë divorc midis gozhdës dhe sendit. Gozhda është thjesht një mjet ndihmës. Dhe si të gjitha gjërat thjesht ndihmëse e humbasin vlerën pas përfundimit të funksionit. Bie në sy gozhda, jo muri në vendin e tij. Gozhda është shenjues i gjithçkaje që përdoret dhe braktiset. Gozhda bie në sy për shkak të klithmës së mungesës së sendit. Edhe në fund teksti përfundon me: “…një gozhdë e mbetur/ e ngulur thik…/ e futur thellë…/ e mbetur thatë…/” pa përmendur fjalën mur, i cili kishte provuar në trupin dhe mishin e tij shumë gozhdë, në të cilat qe varur përkohshmëria.
 

Zef Zorba - Buzë të ngrira në gaz - Poezi
Zef Zorba – Buzë të ngrira në gaz – Poezi
.
Në tekstet poetike të Zef Zorbës, për vetë tipologjinë e poezisë së tij, takojmë rrjedhoja të dhunës së verbër. “Kur mbetesha vetëm me ty” është titulli i poezisë që ka poshtë shënimin: (Dimër, 1946.) Në këtë kohë poeti dhe gruaja e tij, të dy shumë të rinj, u arrestuan nga diktatura. Vetë teksti i kësaj poezie na vjen në ndihmë nëpërmjet shënimit poshtë titullit për të shpjeguar metamorfozën e njeriut, unit poetik, “në një trupore pjalmi mortore”. Kjo rrjedhë vjen nga gjendja tragjike e subjektit mendues, i prangosur me akuzën “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Ai braktiset nga përditshmëria e jetës së tij, braktiset nga e ardhmja, ndërkohë që pret të dënohet, ai mërgohet edhe nga e shkuara, teksa e braktisin edhe kujtimet. Njeriu shndërrohet në një krijesë pa të djeshme, pa të sotme, pa të nesërme. I vetmi fill që e lidh me jetën është e dashura e tij, gruaja.
 
“Kur mbetesha vetëm me ty,/ o zemra ime,/ netësh të mbarsura me stuhi,/ mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë,/ pa dritë./
 
Në pjesën e dytë të tekstit vizatohet pamja groteske e diktaturës, ndërtesa si grope kumbon nga fabrikimi i fajit, akuzat që do të zënë përfund individin e pambrojtur: Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte/ sajimesh/ që një mbas një/ ndeheshin palë e palë/ mbi mua, kapitur gjumi në shpinë/ Synimi i diktaturës është i qartë:me më ba dëshirash një trupore pjalmi/ mortore./
Kthimi i njeriut në një vorrezë dëshirash, është metamorfoza më çnjerëzore që mund të ndodhë.
Në vijim të teksteve me pamje nga metamorfoza e trishtueshme e njeriut, kemi poezinë me titull “Robër”. Sërish në tekst gjejmë shpjegime të rrafshit kuptimor të këtij teksti pikërisht te shënimi poshtë titulli: (Vjeshtë e v. 1948). Poeti Zef Zorba në këtë ditë ka qenë banor i burgut. Pamja vjen si vizatim i burgut. Njerëzit tani nga qytetarë janë shndërruar në robër në vendin e tyre, nga shteti i tyre. Poezia është eliptike, mjaft sintetike nga ana formale: E pezull varen/ në tehun e një rrezeje/ qeniet e këputura./ Zef Zorba vërteton se gjuha është tinguj dhe fjalë, por është edhe heshtje. Në këtë tekst shohim se njerëzit nuk janë më të tillë, ata janë shndërruar në qenie të këputura. Ata nuk ecin, nuk vrapojnë, nuk vallëzojnë, thjesht qendrojnë pezull, qëndrojnë varur. Mund të binin në një gropë a në ndonjë brez ferri, por i mban varur shpresa, e cila është edhe ajo e shndërruar në tehun e një rrezeje. Fjala teh të jep imazhin e presës së thikës ose siç thotë shprehja popullore në presë të briskut. Vetë fjala rreze, si shoqërim idesh na çon te togfjalëshi rreze shprese. Në strofën e dytë të poezisë vizatimi është me ngjyra dhembjeje: Me malle të mënjanuara,/ me pezme,/ stërkalen/ me ta këputë shpirtin./ Qeniet janë të zhveshura edhe nga mallet, filli shpirtëror që njeriun e mban të lidhur me të kaluarën me të djeshmen, me të sotmen. Metamorfoza ka prekur jo vetëm trupin e njeriut, por edhe shpirtin e tij, dënimi nuk i është drejtuar vetëm trupit, por më shumë shpirtit të të dënuarit, sikurse thotë Michel Foucault. Pezmi është aq i madh, sa krijon stërkala dhembjeje. Shpiti i tyre është shndërruar në dhembjeje. Diktatura ia ka arritur qëllimit.
Edhe më e rëndë është pamja që sjell një tjetër tekst poetik i Zef Zorbës i titulluar “Kesh ngopeshim me frymë”. Shënimi poshtë titullit (1948) na vjen në ndihmë për të kuptuar se pamja nuk vjen nga ferri, por nga burgu. Edhe në këtë tekst, për arsye që tashmë dihen, kemi metamorfoza të tilla: qielli është kthyer në plumb dhe u peshon mbi supe të dënuarve, njerëzit janë kthyer në skelete, horizonti lidhet nyje, shtegu i horizontit kyçet, mendimi mbetet aty në horizontin e mbyllur dhe kthehet në një pikë, nofullat e dërrmuara përtypin mundim. Të gjitha dëshirat njerëzore të subjektit mendues janë shndërruar e zvogëluar në ekstremin e tyre: “…kesh ngopeshim thellë/ njëherë me frymë./” Eshtë një nga tekstet poetikë që sjell një realitet artistik jo të zakontë në gjithë, parë në të gjithë “Letërsinë e penguar”: Mbi supe të kanalit,/ jarguar currilash,/ plumb një rryp qielli/ peshon./ Në vargjet që vijojnë vizatohet një pamje që ndeshet në kohën e skllevërve ose në kampet naziste: Shikonani:/ vërtetojmë burime primitive:/ me nofulla kërcëllyese/ të dërmishuara,/ përtypim mundim/ e balta e në unji. Në këtë tekst, nuk shohim asnjë rreze shprese, sikurse shohim në tekstet e tjerë të Zef Zorbës me pamje burgu. Kur horizontet lidhen nyjë, atëherë edhe mendimi është i burgosur, bie në pranga, shpresa vdes dhe qeniet kanë vetëm një dëshira te vetja, të ngopen me frymë:
 
Atje, përpara, larg, në mugëtirë,/ ku vija paralele lidhen nyje/ dhe e kyçin atë shteg të vetëm që mbeti,/ atje mendimi ndalet pikë: kesh ngopeshim thellë/ njëherë me frymë.
 
Në tekstet poetikë të Zef Zorbës, krahas grisë dhe të zezës nuk mungon e bardha plot dritë. Diktaturat janë të përkohshme me terrin dhe terrorin e tyre, ndërsa e përhershme është drita.
Poema “Baladë dritash për Lalin” e Zef Zorbës mbyllet me vargun “Veç drita s’ka mbarim”.
dinohima@hotmail.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.